Të Vetëdigjesh me Benzinë

Ndërsa 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë e Prishtinë po përkujtohet me një varg evenimentesh kulturore, që më shumë se dy javë në kryeqytetin e shtetit 100 vjeçar të shqiptarëve po mbahet një grevë urie. Janë 20 ish të përndjekur politikë nga regjimi komunist, të cilët janë ngërthyer në grevë, duke kërkuar nga qeveria shpërblimin financiar të viteve të burgut. Ish- kundërshtarët e komunizmit kanë zgjedhur të vetëngujohen në një nga lagjet e reja të Tiranës, që në nderim të filleve të komunizmit është quajtur “Komuna e Parisit”… Ky ndoshta është edhe përkimi i parë fatkeq për një grevë të tillë, e cila duket se as këtë herë nuk do të japë rezultatet e dëshiruara.

Grevat e urisë nuk janë një lajm në Shqipëri. Në vitet e paskomunizmit që në gjuhën popullore quhen si vitet e demokracisë, janë bërë aq shumë greva urie sa nuk mbahet mend, madje edhe rrëzimi i sistemit të egër komunist i ka fillet nga një grevë urie: ajo e studentëve. Paradoksalisht më vonë, në vitet e vështira të tranzicionit shumë nga grevat e urisë inicioheshin nga ish- kundërshtarët e regjimit komunist, të cilët nuk e gjenin veten as në demokraci…

Ish- të përndjekurit politikë në Shqipëri, dikur të konsideruar si një haset kombëtar (natyrisht që janë të tillë dhe sidomos si të tillë duhet të trajtohen në këtë prag të 100 vjetorit të pavarësimit të vendit), sot ndihen të braktisur nga qeveria e partisë, e cila erdhi në pushtet në vitin 1992 në saj të frymës antikomuniste që e kishte pushtuar shoqërinë shqiptare. Rrjedhimisht edhe në saj të tyre.

Dikur Partia Demokratike e Shqipërisë krenohej me ish- të përndjekurit politikë. Së paku me fjalë e demagogji. Sot, nuk lodhet më as për demagogji.

 Një grevist i vuri flakën vetes me benzinë pikërisht në ditën e 17 të grevës. Gjergj Ndreca kishte qenë kundërshtar i regjimit komunist. Për një jetë më të mirë kishte tentuar të arratisej jashtë vendit, i cili e kishte betonizuar deri në çmendi vetizolimin. Si shumica e atyre që tentonin arratisjen u kap, dhe për krimin e rëndë të “tradhëtisë ndaj atdheut” u dënua me 15 vjet burg nga të cilat bëri vetëm gjashtë në burgjet më famkeqe të komunizmit. U lirua vetëm pas rënies së komunizmit.

Plot 21 vjet pasi fitoi lirinë ende nuk ka marrë shpërblimin financiar që i takon. Kërkesa e Gjergj Ndrecës dhe e bashkëvuajtësve të tij është që të shpërblehen me një vlerë prej rreth 15 euro për çdo ditë të burgut. Të lodhur nga pritja e pafundme ata vendosen të vetflijohen në një grevë urie, e cila deri në ditën e 17 të saj u kalua pothuaj në heshtje.

Në Tiranë dhe Prishtinë gjatë këtyre 17 ditëve flitej vetëm për politikë të ditës, nga tellallët e dy qeverive flitej vetëm për arritje të qeverive përkatëse dhe për mungesë të krizës ekonomike, nga tellallët e opozitës flitej zi e më zi për qeveritë e të dy vendeve… vetëm për grevën e urisë të 20 ish të përndjekurve politikë flitej aq pak. Qeveria pothuaj e injoroi, ndërsa opozita u mundua ta kthente në marketing të vetin politik. Siç kishte bërë edhe partia në qeveri dikur kur ishte në opozitë.

 
Ish- të përndjekurit si rëndom dukeshin të braktisur në fatin e tyre. Derisa njëri prej tyre zgjodhi vetëflijimin ekstrem në emër të kauzës, duke u kthyer kështu jo vetëm në lajm vendor e mbarëkombëtar, por edhe në lajm botëror. Fotoja dhe pamja e grevistit të vetëdjegur me benzinë bëri xhiron e botës.

Ndërsa grevisti përpëlitej në flakë dhe tentohej të shpëtohej nga shokët e tij, kryeministri i vendit, Sali Berisha kishte zgjedhur të takohej në Strasburg, me studentë dhe drejtues të Shkollës Politike të Tiranës dhe asaj të Prishtinës, të cilëve u fliste për gjithçka, madje edhe për humanizmin që shqiptarët kishin treguar gjatë holokaustit, duke mos folur asnjë fjalë të vetme për flijimin e mëtejmë të ish të përndjekurve nga holokausti komunist i Enver Hoxhës…

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është vetë viktimë e komunizmit, një ish- e përndjekur, që dukshëm nuk e ndjen nevojën e kompesimit financiar për vuajtjet dhe përndjekjen në regjimin komunist, nuk ka thënë asnjë fjalë për aktin e Gjergj Ndrecës, së paku atë ditë. Ajo madje nuk u prononcua për ndonjë seancë të radhës apo të jashtëzakonshme për ish- të përndjekurit, pavarësisht se një gjë e tillë u kërkua edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe Qëndra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës.

Reaguan vetëm partitë politike, përveç PD, e cila në vijimësi ish- të përndjekurit politikë i ka pasur shtylla të forta të elektoratit… Partia Socialiste natyrisht që nuk e lëshoi rastin që edhe një herë të lëshonte rrufetë e veta kundër kryeministrit Berisha, reagoi edhe kundërshtarja më e re politike PD-së, dalë nga kjo e fundit, Fryma e Re Demokratike, si gjithmonë i papërtuar për të anatemuar qeverinë dhe në ngarendje të populizmit reagoi edhe Kreshnik Spahia dhe Alenca Kuq e Zi, ndërkaq që reagoi edhe një partner i vogël i qeverisë demokratike, BDI apo partia e çamëve, e cila dha mbështetjen e saj për ish-të përndjekurit dhe kërkoi që kërkesat e tyre të mos bëhen pjesë e debateve politike të ditës, por të merren në konsideratë nga të gjithë si një detyrim moral ndaj plagëve të së kaluarës. Po ashtu, BDI përkrahu nismën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për ish- të përndjekurit politik.

Reagoi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili nga grevistët që në krye është konsideruar si shpresa e vetme e tyre. Pas vizitës që i bëri në spital Ndrecës, Arvizu tha se “vetësakrifikimi i Ndrecës nuk është rruga e duhur”, ndërkaq që shtoi se “i ka kërkuar qeverisë të gjejë urën e komunikimit me ish-të persekutuarit, pasi është e drejta e tyre që të dëgjohen nga qeveria”.

Qeveria nuk ka reaguar ende. Ajo vazhdon të injorojë grevën, madje edhe pas aktit ekstrem të Ndrecës, i cili nga shtypi pro-qeveritar është përshkruar si një karikaturë, për shkak edhe të llojeve të ndryshme të protestave që ai ka ndërmarrë deri më tash.

Pavarësisht a është hero si e përshkruajnë disa apo karikaturë si disa të tjerë, Ndreca i hapi udhë një precedenti, formës më ekstreme të protestës. Të panjohur deri më tash te shqiptarët. Po ashtu, ai është në të drejtën e tij për të kërkuar trajtimin e duhur financiar.

Shumë ish- të përndjekur kanë vdekur në varfëri të plotë pa e gjetur veten as në demokraci. Njëjtë edhe në Kosovë, shumë ish- luftëtarë, nga ata të vërtetët, jo të rrejshëm janë braktisur në varfëri, prej të cilëve disa edhe janë vetëvrarë.

Vërtet që asnjë prej tyre nuk është vetvrarë kaq ekstremisht, por gjithsesi precedenti u hap: në Tiranë, nga një ish- i përndjekur politik. Kjo mund të ndodhë sërish e sërish, në Tiranë e në Prishtinë, derisa të ketë një reagim të shtetit.

Plot 100 vjet pas pavarësimit të vendit, në Tiranë një ish i përndjekur politik dogji veten me benzinë. Kjo mund të kishte ndodhur edhe më 28 nëntor në ditën e madhe të 100 vjetorit e ndoshta edhe efektin do ta kishte më të madh. Por, pavarësisht kësaj hija që i hedh kësaj feste nuk është e vogël. Është hija e keqe që lë një shtet që nuk di apo nuk do të përkujdeset për hasetet e veta kombëtare. Dhe ish- të përndjekurit janë të tillë. Ne, që e kemi gojën plot lëvdata e fryrje për mikpritjen ndaj viktimave të holokaustit nuk dimë të nderojmë viktimat e holokaustit tonë. I detyrojmë t’i vënë flakën vetes me benzinë.