Të Vdekurit me Certifikata në Listat e Votuesve (TV)

Xhemali Sokoli ka vdekur më 1 gusht 2008 në Prishtinë, ndërsa familja e tij e ka raportuar vdekjen dy javë më vonë më 15 gusht 2008, gjë për të cilën posedon edhe certifikatën e vdekjes.

Megjithatë emri i tij figuron ende në listat zgjedhore të KQZ-së për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Valmira Sokoli, mbesa e të ndjerit, thotë se janë ndier të fyer kur e kanë parë se familjari i tyre, tashmë i vdekur, gjendet ende në listat e votuesve në KQZ.

“Ky është rasti i gjyshit tim, Xhemaili Sokolit, i cili ka vdekur në gusht të vitit 2008 dhe ka qenë në listat e votuesve të zgjedhjeve 2009. Atëherë kemi lajmëruar që gjyshi ka vdekur, mirëpo ai prapë ka figuruar në listat e votuesve”, thotë Valmira. “Për neve ka qenë shumë moment prekës dhe jemi ndjerë shumë keq përderisa e kemi parë emrin e gjyshit në listat e votuesve”.

Sipas saj, më e keqja ka ndodhur kur ata nuk kanë mundur ta shlyejnë atë, për shkak se ka përfunduar koha kur ata kanë pasur mundësi të ankohen.

Rast të ngjashëm ka pasur edhe familja Gjevori nga Prishtina. Fjala është për veprimtarin e shquar, Mehmet Gjevori, i cili ka vdekur më 1 korrik 2007.
Emri i tij ende është pjesë e listave të votuesve, që nga viti 2007 e deri në zgjedhjet e 3 nëntorit edhe pse edhe familja e tij e posedon certifikatën e vdekjes së tij.

Të dhënat e Gjevorit gjenden edhe në ueb-faqen e KQZ-së.

Ndërsa rasti i tretë është ai i Halil Gashit, nga komuna e Prishtinës, i cili ka vdekur më 1 dhjetor 2006 dhe për këtë familja posedon certifikatën e vdekjes me numër personal.

Edhe ky person ende figuron në ueb-faqen e KQZ-së si votues.

Askush nuk e pranon fajin

Fehmi Kupina – Shef i Shërbimit Civil të zyrave të ofiçarive në komunën e Prishtinës, aty ku edhe bëhet paraqitje e vdekjeve, mohon të ketë ndodhur ndonjë gabim i kësaj natyre në këtë komunë, edhe pse të tri rastet e lartëpërmendura kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës.

“Unë mendoj se këtu nuk është faji te komuna…”, thotë Kupina.

Në anën tjetër, Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Departamentit për Regjistrim dhe Gjendje Civile, në kuadër të MPB-së, Besim Jonuzaj, thotë se të gjitha raportimet e vdekjeve që vijnë nga zyrat e regjistrimit civil nëpër komuna, kjo agjenci i largon nga regjistri civil.

Ai thotë se nuk di për raste konkrete të gabimeve, por nuk e përjashton mundësinë që zyrat komunale të regjistrimit civil të mos e raportojnë ndonjë vdekje për shkaqe teknike.

“Ne nuk kemi raste që është vërejtur se nuk është bërë raportimi, por më sa e di unë, të gjitha rastet që deklarohen dhe regjistrohen, ato raportohen në MPB. Nuk përjashtohet mundësia që nga zyrat komunale të gjendjes civile nuk është raportuar për shkaqe teknike një vdekje”, thotë Jonuzaj.

Ai thotë se një i vdekur mund të jetë në listën e votuesve, për shkak se në të kaluarën ka pasur raste kur certifikatat e vdekjeve janë lëshuar pa numër personal, prandaj identifikimi i personit ka qenë shumë e vështirë, për shkak të ngjashmërisë së të dhënave tek personat e ndryshëm.
“Certifikatat e gjendjes civile në të kaluarën janë lëshuar pa numër personal, e numri personal është numër ose çelës identifikues i identitetit të secilit qytetar”, shton ai.

Megjithatë, familjet Sokoli, Gjevori dhe Gashi i kanë certifikatat me numra personal.

Florian Dushi – Kryesues i Komisionit të KQZ-së për pastrimin e listave, thotë se ky institucion nuk mbanë kurrfarë përgjegjësie që personat e vdekur gjenden ende në listat e votuesve.

“Përgjegjësia është krejtësisht tek MPB-ja. Ata do të duhej të gjejnë forma bashkë me zyrat e gjendjes që janë përgjegjësi e komunave, që t’a pastrojnë në masë sa më të madhe regjistrin civil”, thotë Dushi.

“Sepse, meqë lista e votuesve derivon nga regjistri civil, praktikisht, të gjitha defektet që i ka regjistri civil reflektojnë edhe në listën përfundimtare të votuesve”, nënvizon ai.

Ai thotë se edhe në këto zgjedhje do të ketë të vdekur që do të jenë pjesë e listave të votuesve.

“Po, gjithsesi se ka”, thotë Dushi.

Ai megjithatë mendon se është bërë një punë shumë e madhe, duke e hequr një numër të madh të personave të vdekur nga listat e votuesve.

Sipas tij janë tri shkaqe, mbi bazën e të cilave një i vdekur mund të jetë në listën e votuesve: rastet kur familjarët nuk e lajmërojnë faktin e vdekjes së familjarit të tyre; shkaku tjetër është kur familjarët lajmërojnë familjarin e tyre, marrin certifikatën e vdekjes, por zyrtarët e gjendjes civile në komunat përkatëse nuk e përcjellin të njëjtën në MPB, përkatësisht në Agjencinë e Regjistrimit Civil; dhe kategoria e tretë është kur qytetarët e lajmërojnë faktin e vdekjes, marrin certifikatën e vdekjes, ndoshta jo aq të vëmendshëm, mund të ketë ndonjë gabim tek emri gjatë përshkrimit të të dhënave në atë certifikatë, tek numri personal, dhe të njëjtën, edhe po që se e përcjellin zyrtarët e gjendjes civile në Agjencinë e Regjistrit Civil, agjencia nuk mund ta largojë nga lista, për shkak se ka shpërputhje mes të dhënave që agjencia i posedon për personin në fjalë dhe të dhënat të cilat gjenden në certifikatën të cilën zyra e gjendjes civile ia ka lëshuar familjarit.

Florian Dushi thotë se nëse qytetarët e vërejnë se familjari i tyre i vdekur gjendet ende në listat e votuesve dhe e posedon certifikatën e vdekjes, ai duhet që t’i drejtohet gjykatës themelore, e cila pas verifikimit e lëshon vendimin për heqjen e personit të vdekur nga lista e votuesve.

Por edhe në këtë rast, sipas Dushit ekziston mundësia që personi i vdekur të jetë sërish pjesë e listës së votuesve në zgjedhjet e ardhshme, për shkak se personi i vdekur, me vendim të gjykatës, mund të hiqet nga lista e votuesve, por jo edhe nga regjistri civil, kurse lista e votuesve buron nga regjistri civil, që potencialisht, po i njëjti i vdekur mund të jetë sërish pjesë e listave të votuesve.

Shpresë te sistemi i ri i regjistrimit

Për t’i evituar sa më shumë problemet e këtij lloji, të qëllimshme apo të paqëllimshme, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), më 18 shkurt të këtij viti e ka lansuar sistemin e ri të regjistrimit civil.

Me këtë sistem, të gjitha të dhënat që regjistrohen në zyrat e regjistrimit civil nëpër komuna, automatikisht hyjnë në sistemin e MPB-së.

Sipas zyrtarëve të MPB-së, ky sistem i minimizon maksimalisht problemet e regjistrimit civil, e ndër to edhe regjistrimin e vdekjeve.

Në bazë të listës përfundimtare të votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) del se të drejtë vote kanë 1 milion e 779 mijë e 357 persona.

Ndërsa sipas regjistrimit të fundit, Kosova ka 1 milion e 800 mijë e 606 banorë, nga ku del se vetëm 36 mijë prej tyre janë pa të drejtë vote.

Sipas KQZ-së, listës përfundimtare të votuesve i janë hequr 55 mijë e 892 emra të personave të vdekur që nga viti 2000.