Të Udhëheqësh Është Të Thuash “Jo”
Numërimi mbrapsht i dhjetë sekondave të fundit në pritjen e Vitit të Ri në Times Square do të jetë detyra e fundit e Michael Bloombergut si kryebashkiak i New York-ut pasi mandati i tij i tretë dhe i fundit skadon më 31 dhjetor 2013. Për 12 vjet me radhë, si udhëheqës i qytetit me më shumë se tetë milionë banorë, ai nuk ka pushuar asnjëherë. Përkundër kësaj do të mund ta paramendonte një javë duke luajtur golf ose një javë skijim. “Por me më shumë se aq, do të eksplodoja”, thotë ai.
Ka mbjellë 750,000 pemë, ka ndërtuar 450 milje shtigje për biçikleta, ka krijuar pesë milionë ndalesa të policisë, ka bërë parqe dhe hapësira për këmbësorë, stadiume, ndërtime banesore. E ka ndryshuar qytetin më të famshëm në botë. Në shumëçka për të mirë ndonëse në raste nismat i janë kthyer mbrapshtë nga gjykatat.
“Puna ime është që të them ‘Jo’” Michael Bloombergut
“Puna ime është që të them ‘Jo’”, tha ai dy javë më parë për The New Yorker. “Secili do të donte të merrte gjithçka pa i kushtuar asgjë. Kjo është normale. Por, kjo nuk është bota e vërtetë. Është e lehtë të thuash Po. E nuk është e lehtë të thuash Jo kur njerëzit të fishkëllejnë, ta ngrisin gishtin, të kritikojnë në gazetë”.
Tani, pas tri mandateve, ai thotë se do të donte të kujtohet si një prefekt që i ka sjellë qytetit “qeverisje efiçiqente dhe të ndershme, që i përgjigjet nevojave të popullit pa u brengosur për politikën…”.
Me një pasuri personale që vlerësohet rreth 27 miliardë dollarë, 71 vjeçari nuk planifikon t’i kthehet kompanisë së tij Bloomberg LP, që përfshin biznese mediash, por do të ketë një “lloj rifillimi” sikurse kur kishte dalë nga Wall Street më 1981, thotë Kevin Sheekey, i cili ka punuar këto tri mandate si strateg politik për Bloombergun. Por për çfarë do mbahet në mend kryetari i New York-ut?
“qeverisje efiçiqente dhe të ndershme, që i përgjigjet nevojave të popullit pa u brengosur për politikën…Bloomberg
Ndalo-dhe-kontrollo
Kur fitoi garën për të drejtuar qytetin si kandidat repulikan, vetëm disa javë pas 11 Shtatorit 2001, terrorizmi ishte brenga më e madhe e sigurisë në qytet dhe ai mbështeti një operacion të madh, me më shumë se 1,000 policë, të cilët vetëm më 2012 kishin kontrolluar 533,042 njerëz.
“Qyteti ishte goditur rëndë”, thotë Ruben Avxhiu, kryeredaktori i gazetës shqipe Illyria Press me seli në New York. “Restorantet e hotelet po falimentonin në masë për shkak të rënies së turizmit. Muzeumet e teatrot e famshëm të Broadway-t, gjithçka që e bën New York-un të konkurrojë me kryeqendrat e tjera të botës, ishin në rrezik. Edhe bursa e famshme e New York-ut mendohej të zhvendosej në New Jersey, për arsye sigurie”.
Por gjatë muajit gusht të këtij viti, një gjykatës federal mori vendim në dobi të ankesave të shumta kundër këtyre kontrolleve. “Kritikët thonë se ajo ishte kthyer në mjet diskriminimi për të rinjtë e pakicave që ndaloheshin pa arsye në rrugë nga policia”, thotë Avxhiu. Po ashtu, Mediha Kosovrasti, menaxhere e fushatës për këshillin e qytetit të Ken Biberajt, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo politikë ndërhynte në të drejtat civile të banorëve të New York-ut. E këtij interpretimi ishte edhe gjykata.
“Kritikët thonë se ajo ishte kthyer në mjet diskriminimi për të rinjtë e pakicave që ndaloheshin pa arsye në rrugë nga policia,Ruben Avxhiu
Bloomberg u përgjigj duke thënë se nisma e kishte bërë New York-un “metropolin më të sigurtë në Amerikë”. Kryeredaktori Avxhiu pajtohet. “As brezat më të vjetër të njujorkezëve nuk mbajnë mend ndonjë kohë me kriminalitet kaq të ulët…dikur ishte qytet famëkeq për vrasjet e grabitjet”.
Ajër i pastër
Sipas gazetës The New York Times, gjatë qeverisjes së Bloomberg-ut qytetit iu shtuan 40,000 ndërtesa të reja dhe shumë vende ndërruan plotësisht siç është rasti me West Side nga Chelsea deri në sheshin Lincoln dhe Harlemi qendror në Manhattan, Rockaways, Long Island City Brooklyn dhe The South Bronx.
Edmond Coku, afarist dhe kryesues i Rrjetit të Shqiptarëve Sipërmarrës, thotë për gazetën se Bloomberg inkuadroi teknologjinë në të gjitha aspektet e administratës për të dhënë online informacion për qytetarët dhe krijoji iniciativën Silicon Alley për të tërhequr kompani teknologjike.
“Kjo ka rezultuar me shumë kompani teknologjike të krijuara në New York”, tha Coku. “Kam shumë miq të cilët normalisht do të kishin krijuar kompani në San Francisco, që është vatra e inovacionit, e që vendosën të vijnë në NY pas shkollimit pasi panë që kualiteti i jetës është bërë i atillë që tërheq shumë individë të talentuar”.
Mediha Kosovrasti kritikon për çmimet e jetesës, veçanërisht në Manhattan, të cilat thotë se “shkuan në qiell”. “Prefekti i ardhshëm duhet të gjejë zgjidhje të ndihmojë klasën e mesme të mbetet në New York”.
“Kjo ka rezultuar me shumë kompani teknologjike të krijuara në New York, Edmond Coku
Megjithatë edhe ajo u pajtua se udhëheqja e re duhet të vazhdojë me mendimin inovativ ku e ka lënë Bloomberg-u. Partneritetet publike-private, shtoi Kosovrasti, kanë krijuar programe inovative si shtigjet e biçikletave dhe qasja pa pagesë në internet wi-fi në pjesët e qytetit. Në vitin 2013, qyteti kishte shtuar rreth 450 kilometra korsi për biçikleta, të krijuara kryesisht nga rrugët ekzistuese. Ato përfshinin edhe Manhattanin. Përdorimin e biçikletës e shtoi edhe programi “bike-share”.
Sipërmarrësi Coku thotë se Bloomberg gjithashtu ndaloi pirjen e duhanit në vendet publike (restorante, kafe dhe zyra) gjë që në fillim ishte kontroverse por më pas u pëlqye nga populli. “Këto nisma (biçikletat dhe ndalimi i duhanit), ulën qarkullimin rrugor të rënduar, rritën kualitetin e ajrit dhe promovuan shëndetin e njerëzve”.
Prefekti humbi një iniciativë për të takuar veturat që rrinin gjatë në komunikacion, por njujorkezët, sipas The New Yorker, vlerësuan edhe dhurimet e tij prej qindra milionë dollarësh për çështje të ndryshme në shëndetin publik, inovacione në qeverisje, mjedis, arsim dhe art. “Ky qytet është përsëri destinacioni më i preferuar në botë për turizëm. Ka mbetur skena e preferuar e industrisë kinematografike dhe po kthehet në një kryeqytet të teknologjisë moderne të internetit”, përmbledh kryeredaktori Avxhiu.
Kjo nuk është “amerikane”
Bloomberg e humbi edhe një betejë tjetër. Ai kërkoi të kufizoheshin pijet e gazuara me sheqer (si Coca-Cola, Sprite tj.), në sasi prej 473 ml, me arsyetimin e mbrojtjes së qytetarëve nga mbipesha, që është një fenomen shqetësues në New York. Gjykata e konsideroi nismën antikushtetuese.
“Disa kritikë thonë që nuk është ‘amerikane’ ta detyrosh tjetrin se çfarë nuk duhet të hajë e të pijë”, thotë kryeredaktori Avxhiu. Mediha Kosovrasti shton: “Mbipesha në fëmijëri është problem i madh në SHBA, por kufizimi i zgjedhjeve të individit nuk ishte gjë e popullarizuar në mesin e njujorkezëve”. Sipërmarrësi Coku e quan nismën “gjë e tepruar”.
Por Coku përmend gjithashtu se Bloomberg detyroi të gjitha restorantet fast-food të reklamojnë sasinë e kalorive të ushqimit që shesin. “Kjo u bë që të rritet dituria për efektin që ushqimi ka në shëndetin e njerëzve”, thotë ai. “Impakti do dekada të shihet, por është shumë me rëndësi për një popullatë që ka përqindje të lartë të sëmundjeve të diabetit”.
“Por New York-u nuk ka qenë ndonjë herë më mirë, në planin ekonomik, të pronave të patundshme, të sigurisë dhe pastërtisë në rrugë etj, Avxhiu
Coku dhe Avxhiu gjithashtu përmendin investimet në arsim. “Ngriti një sistem që i ngjan tregut privat me qindra shkolla të vogla”, thotë Avxhiu. “Dikur, duhet t’i çoje fëmijët në shkollën e lagjes…tani mund të zgjedhësh. Shkollat konkurronin me njëra-tjetrën për nivel mësimor, për rezultatin e fëmijëve”.
Avxhiu thotë se Bloomberg u kritikua kur ndryshoi rregullat elektorale të qytetit dhe kandidoi për një mandat të tretë. “Kundërshtarët e tij e akuzojnë se ka ngritur mitin që nëse ke para, mund të bësh ç’të duash në politikë”, rikujton ai. “Por New York-u nuk ka qenë ndonjë herë më mirë, në planin ekonomik, të pronave të patundshme, të sigurisë dhe pastërtisë në rrugë etj”.
Bloomberg dhe shqiptarët
Ndërkohë, shton kryeredaktori Avxhiu, për shqiptarët Bloombergu do të mbetet i pari kryebashkiak në New York që filloi t’u vinte në aktivitete, duke shënuar njohjen e rolit të tyre në këtë qytet shumëmilionësh.
“Për një kohë të gjatë, një nga ndihmëset e tij personale ka qenë shqiptarja Shpresa Sukaliç. Kur vinte në takimet e para me shqiptarët e përmendte atë, dhe thoshte me shaka se e kishin sjellë prindërit e Shpresës që të gjente në komunitet një djalë të mirë për ta fejuar. Kjo menjëherë e ngrohte dhe çlironte atmosferën me të qeshura”, tregon Avxhiu.
“Gazeta ‘Illyria’ ka qenë rregullisht e ftuar në takimet me median që bënte Bloomberg. Ai gjithashtu bëri një takim me botuesin Vehbi Bajrami për të kërkuar mbështetjen e gazetës shqiptare kur kandidoi për herë të tretë”, shton ai.
Po ashtu, rikujton Avxhiu, në sajë të ndikimit të shqiptarëve, më 2003 Bloomberk vizioi Kosovën, ku u prit nga Presidenti Ibrahim Rugova. “Ishte një vizitë e rëndësishme se u krye në një kohë kur Kosova kishte dalë nga vëmendja ndërkombëtare”.