Prishtina/ FOTO-Urim Krasniqi

Të ‘teleportuar’ në ditët e para të pandemisë

Një dritare e vogël na kthen pas para tri vitesh në të njëjtën kohë. Secili prej nesh ka nga një rrëfim përjetimi se si dukej bota kur e mbylli ‘me dry’ një sëmundje e quajtur COVID-19.

Në retroperspektivë peisazhi i marsit 2020 duket ndryshe. Një virus kishte ngjallur frikë, panikë e ikje nga një realitet i ri që kishte kapluar botën. Për ta mbajtur armikun brenda, të gjitha këto pasoja të realitetit të ri në u mbyllën brenda katër mureve. 

Fillimi i mesit të marsit Kosovën e zuri me rrugë të boshatisura e me spitale plot. Virusi kishte kaluar kufirin për të sjellë personin e parë të infektuar në Kosovë. Prej këtu nisi situata më e frikshme që nga lufta e fundit. 

Të ‘teleportuar’ tri vite pas për rreth dy orë, njerëzit që kanë qenë të parët në fushëbetejë me COVID-19, kanë rrëfyer për Prishtina Insight përjetimet e tyre.

Ndërkohë që situata është qetësuar, ka ende raste të infektimeve dhe vdekjeve. Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, rreth 3 mijë e 250 persona kanë vdekur nga COVID-19.

Në retroperspektivën e infektologut

Në një mëngjes pune në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare, infektologu Izet Sadiku kishte dëgjuar kakofoni zërash, ‘fjalë nëpër vesh’, takime me drejtoreshën në pritje që do të ndodhë diçka gjatë ditës. Po atë ditë ishte regjistruar rasti i parë pozitiv.

Pas një ore, ishte njoftuar që stafi i Klinikës Infektive janë të dyshuar me COVID-19, pasi që infektologia që e ka kontrolluar rastin e parë wshtw e dyshimtë, e cila më pas kishte qenë e pranishme në mbledhjen e stafit.

“Ne të gjithë kemi pas kontakt me infektologen, gjysma e kolegëve tonë edhe drejtori i Infektivës Naser Ramadani dhe ministri Arben Vitia. Domethënë krejt sistemi kemi qenë të dyshimtë që jemi të infektuar me COVD-19 në ditën e parë,” rrëfeu ai.

Nga frika se mos po e bartin virusin në familje atë ditë deri pas mesnatës të gjithë kishin qëndruar në Infektivë derisa dolën rezultatet.

Në dy fronte, edhe si infektolog edhe si zëvëndësministër që gjatë kohës ishte në kontakt me COVID-19, Sadiku frikën më të madhe e kishte ndier për familjen e tij, pasi vajza e vogël e tij ka qenë vetëm 6 muajshe.

“I thashë gruas mos hajde në shtëpi hiç me vajzën rri te vëllau. E kam thirrë vëllaun i kam thënë hajde merre djalin,” rrëfente Sadiku.

Pas tri-katër ditësh, Sadiku ishte lajmëruar që do e bënin zëvendësministër të Shëndetësisë. Në të njëjtën kohë kishte punuar edhe infektolog.

“Jam me fat që mua ka dhënë mundësia në të dy fushat të kontribuoj, edhe më pas drejtor i Infektivës. Pak mjekëve gjatë jetës së tyre iu ipet kjo mundësi – që ta tregojnë veten në betimin e Hipokratit. Për mua ka qenë më dinjitioze që kam punu në klinikë vazhimisht se ka qenë ndihma më e madhe,” tregoi Sadiku.

Pothuajse një numër i madh i njerëzve pandeminë e kanë krahasuar me luftën, përderisa kanë vdekur shumë njerëz brenda ditës. Në anën tjetër në luftë mund të dezertosh apo te ikësh jashtë shtetit, në pandemi në secilin shtet ka pasur ‘luftë’.

“Ka pasur raste kur kanë vdekur nga pesë pacientë që në Intenzivë që në kushte normale nuk ndodh. Me i pa pesë pacientë duke vdekur brenda orarit të punës është tmerr,” shtoi ai.

Në Klinikën Infektive dhomat janë të dizajnuara për vetëm nga dy shtretër. Por, gjatë valëve të pandemisë,  Sadiku tha që nga 120 shtretër rreth 110 kanë qenë me oksigjen-terapi.

Tmerri më i madh ka qenë frika që e ka parë në sytë e njerëzve.

“Në atë kohë kur vdisnin njerëzit në Itali, ka qenë një  student 19 vjeçar që u kthy prej prej Italisë. Ata u dashtë me testu, ose me qëndru në Qendër të Studentëve, ose me izolu në shtëpi. Ai djali kish qef me shku në shtëpi, baba i vet i tha jo fartë shpie rri në spital. Aty e kam pa çfarë instikti ka pas nga frika se mos po infektohet pjesa tjetër,” rrëfeu ai.

Sadiku thotë që gjatë asaj kohe ka pasur kolegë të cilët kanë paguar banesa në Prishtinë ku kanë jetuar vetëm, vetëm që mos të rrezikojnë familjet e tyre.

“Kur shkoja drejt në banesë, direkt shkoja në banjo me i heq teshat edhe me u pastru. U frikësojsha për familjen,” tha ai, duke treguar që sa ka qenë drejtor i Infektivës për tre muaj nuk ka dalë jashtë Prishtinës.

Klinika Infektive ka bartur barrën më të madhe gjatë pandemisë. Mes jetës dhe vdekjes, çdo ditë raportoheshin raste të rënda dhe vdekje sikur asnjëherë në historinë e Klinikës.

“Ka pas raste që për tri orë pacientit iu ka përkeqësu gjendja edhe në ato raste e ke pa duke vdekur po nuk ke pas çfarë të bësh. E sheh veten të vogël në ato momente. Edhe pse intervenonim me të gjitha mundësitë që i kishim,” rrëfeu Sadiku.

‘Në laboratorin e mikrobiologut’

Në Institutin e Shëndetësisë Publike veçse ishin pritur mostrat e para dhe plani ishte bërë paraprakisht kur kishin filluar të shënoheshin rastet e para në rajon.

Në laborator binte edhe barra e madhe. Aty analizohej mostra dhe ipej rezultati që atë kohë ishte lajmi më i keq.

Në atë kohë pritej vetëm një lajm i ditës – lajmi i orës 3 p.m kur IKSHPK publikonte raportin ditor të COVID-19.

“Pjesa e parë gjithmonë ka qenë më e rënda. Njerëzit kur e kanë marr informatën që janë pozitiv me COVID ka qenë si me i rënë bombë e jo COVID-19,” mikrobiologu i IKSHPK-së Lul Raka në intervistë për Prishtina Insight.

Raka tha që fillimi ka qenë më i vështiri pasi që frika dhe paniku janë përhapur më shpejt se virusi.

“Ndonjëherë kjo frikë është e arsyeshme se bëhet fjalë për frikën e prindërve për  fëmijët e tyre, fëmijëve për prindërit e moshuar. Frika është më e madhe kur kemi të bëjmë me armik të panjohur,” tregoi Raka.

Sipas tij, sfidat kryesore të pandemisë kanë qenë diagnostika, informimi i drejtë i popullatës, menaxhimi dhe izolimi i pacienetëve, aspekti logjistik furnizim per pajisje e me barna, teste,e pastaj me vaksina.

“Në fillim nuk kemi mujtë me dhënë mesazhe pesimiste që mos me shkaktu panikë edhe pse është fakt që në shëndetësi nuk ëshë investu që 20 vite. Edhe pse të gjitha qeveritë kanë thënë që shëndetësia është prioritet, kur është nda torta e buxhetit, shëndetësisë i janë dhënë troshat. Duke nisur nga laboratori ku nuk ka pas investime të mjaftueshme e nuk ka pas as kapacitete,” tha ai.

Në anën tjetër, një numër i qytetarëve i kundërshtonin masat që kufizonin lëvizjen dhe fajin ia hudhnin përpiluesve të masave. Qytetet ishin mbyllur, shkollat, kafiteritë, restorantet, klubet dhe gjithçka tjetër ku mund të takoheshin njerëzit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raka thotë që e drejta për jetë është më e madhe se drejta për qarkullim të lirë të njerëzve sepse ka kufizime si karantina që janë të pashmangshme. 

Sipas tij, atë kohë pjesa më e vështirë ka qenë komunikimi me publikun, pasi që atë kohë pranon që ka parë realitete të reja “njerëz me botëkuptime, pikëpamje, mendime e synime të ndryshme dhe ata që duhet si me përçu si mesazh, një pjesë e merr krejt ndryshe.”

“Për shkak të mbylljes ka pas sulme nga një pjesë e njerëzve sepse mjedisi i komunikimit është i tillë në Kosovë. Por, edhe kërcënimin edhe lëvdatën i kam marr njëjtë,” shtoi Raka.

Edhe pse virusi ‘takimin’ e parë e kishte pasur në laboratorin e Institutit, Raka thotë që në asnjë moment nuk ka pasur frikë për veten.

“Unë e kam djalin e dytë 21 vjeçar me fibrozë cistike edhe shumë familje ka pas familjarë me sëmundje shoqëruese. Unë e kam pas frikën për të se mos po ketë pasoja, qysh po e kalon e qysh po e përballon. Kjo ka qenë frika ime më e madhe se për veten nuk jam frikësu,” rrëfeu ai.

‘Në duart e pulmologut’

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Çdo ditë ka pasur nga 2-3 raste raste të vdekjeve. Kemi pasur raste tragjike ku në një dhomë kanë qenë baba dhe nana dhe djali. Iu thojsha bil djalin largojeni që mos t’i sheh këtë gjendje. Por fati ka dashtë që baba ka vdekur, nana ka shpëtuar e djali ka shpëtuar,” nisi rrëfimin pulmologu Skender Baca.

Menjëherë pas Infektivës, barra është ndarë me Klinikën e Pulmologjisë ku trajtoheshin pasojat e COVID-19.

Tmerrin më të madh Baca e konsideron që nuk e kanë ditur kush po shpëton “se nuk kemi mundur ta parashikojmë një prognozë a shpëton a jo se ka pasur shumë faktorë, përshirë edhe ata gjenetikë.”

Për 365 ditë të vitit, Baca vetëm një natë ka pushuar në Valbonë për shkak se iu kishin ndaluar pushimet vjetore, ka punuar edhe pas orarit në Klinikë dhe në spital privat.

“Disa prej neve kanë punuar deri në ora 11. Unë për shkak të moshës nuk mundesha më shumë se edhe unë vet e kam pas katër herë COVID-in. Por, një vit me qenë në kontakt me COVID-19, paradite, mbasdite e në kujdestari është e pamundur mos me u infektu,” thotë ai, duke treguar që frikën më të madhe e kishte ndier kur u shtua numri i të vdekurve të stafit shëndetësor.

Që nga fillimi i pandemisë deri më tani janë të infektuar me COVID-19 mbi 3300 punëtorë shëndetësor, ku 1168 prej tyre janë mjekë. 21 mjekë kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Për këtë arsye gjatë kohës së pandemisë e sidomos karantinimit nuk ka pas fare kontakt as edhe me vajzën e tij.

“Nuk u frikësojsha se gjithë ditën në punë e në mbrëmje u takojshim vetëm pesë minuta, Natën e mirë. Kontakti ka qenë 0. Në atë kohë nuk kemi mendu hiç se veç flejshim dhe punojshim. Ndonjëherë kur flejsha mu doke që cdo qelizë po e ndjej,” tregoi Baca.

Njerëz në gjendje vdekje e të vdekur Baca thotë që ka parë vetëm kur ka punuar për ‘Mjekët pa Kufi’, ku kishte parë njerëz të vdekur nga masakrat.

“Në ato familje që nuk ka pas tragjedi vec e harrojnë pandeminë. E atyre që iu ka vdekë dikush e përkujtojnë keq këtë kohë,” tha ai.

65 vjeçari do të pensionohet në muajin Gusht dhe gjatë asaj kohe ka planifikuar ta shkruaj një libër për pandeminë.

“COVID-19 është tregim tjetër,” përfundoi Baca.

‘Brenda përjetimit të pacientit’

 

Katër- pesë ditë të jetës së tij, Faik Ahmeti nga Gjilani nuk i mban mend fare.

I infektuar me COVID-19, për më shumë se dy muaj gjendja e tij ishte rënduar ku për 11 ditë kishte qëndruar i shtrirë në spital.

“Jam shtri në Spital të Gjilanit, ndërsa të shoqen nuk e kanë shtri sepse nuk ka pasur vend në Spital. Ma mirë ish kanë mos me më pranu as mu në Spital.  Nuk e di çfarë ka ndodh me mua. Te koka më kanë ndejtë vajzat dhe djali,” rrëfeu Ahmeti.

Përpos dhimbjeve që i ka shkaktuar COVID-19, Ahmeti i fajëson mjekët për shkak se thotë që në momentin që ia kanë dhënë bocën e oksigjenit që sipas tij nuk ka qenë adekuate gjendja i është keqësuar shumë.

“Kam pas aq shumë dhimbje të mëdha në çdo pjesë të trupit, sa që në çdo qelizë kam ndje dhimbje. Mendët  dojshin me më dalë prej kreje prej dhimbjeve të mëdha. Nuk mujsha me i duru. Mbas 5-6 ditësh ma kanë sjellë aparatin edhe menjëherë i kam hap sytë,” rrëfeu ai.

Kur ia kanë ndërruar bocën e oksigjenit në spital, ai thotë që iu kishte përkeqsuar gjendje sa që rrobat vajza e tij ia ka ndërruar tri herë brenda ditës.

“Kur kam dalë prej spitali kam qenë në gjendje të shkatërruar, as dorën nuk kam mujtë me qu. Kur e kam qu dorën si me i qu 100 kilogramë. Dy muaj kam qenë në atë gjendje, pastaj më ka kalu,” tregoi Ahmeti.

91 kilogramë sa i ka pasur para COVID-19, kur ka dalë nga Spitali ka peshuar  79 kilogramë.

Atij më së shumti i kanë penguar vizitat e shpeshta në spital.

“Kur ardhshin njerëzit që i kam dashtë më shumë në vizitë, jam frikësuar që nuk munden me i përballu dhimbjet që i kam përjetu unë,” tha ai.

Mbi të gjitha, Ahmeti fajin kryesor ia lë sistemit shëndetësor që e konsideron të mjerueshëm për shkak se nuk kanë pasur përkujdesje të duhur, banjotë kanë qenë në gjendje të mjerueshme, ujë të nxehtë nuk ka pasur, banjotë e papastruara dhe pa mjete higjienike.