Të Rritesh dhe Argëtohesh

“Nëse te gjithë do të bënin punën e tyre me dashuri, bota do të dukej më bukur”, thotë ajo.

Mund të punosh si një ushtar, me orar dhe me rregulla strikte, vazhdon Jehona Xhaferi, por ajo preferon dashurinë.

“Dashuria jep gjithmonë rezultate pozitive”, thotë ajo. “Sidomos kur punon me fëmijët”.

Jehona Xhaferi ka studiuar gjuhën angleze në Universitetin e Prishtinës. Merrej me çështje të arsimit të moshave të reja fillimisht në Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe më pas në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC).

“Gjatë trajnimeve të shumta që kam bërë në këto dy organizata, më është shtuar kërshëria që të bëj diçka më shumë për gjeneratat e reja të shekullit 21”, tha Jehona.

Dhe kështu ajo u bë pjesë e Qendrës Kreative, ku tani është drejtoreshë ekzekutive.

Kjo qendër është hapur në shtator 2012 dhe aktualisht ka më shumë se 70 fëmijë nga mosha 3 deri në 15 vjeç. Ka rreth 400 metra katrorë, 15 punëtorë të cilët kujdesen për kërkesat e fëmijëve dhe ndodhet shumë afër shkollës fillore “Faik Konica”, në qendër të Prishtinës.

Fëmijët nga mosha 3 deri 5 vjeç e ndjekin çerdhen në këtë qendër, nga 5 deri në 6 vjeç ata bëhen pjesë e parashkollorëve, derisa moshat më të mëdha mund të ndjekin kurse të matematikës, muzikës, artit, gjuhës angleze si dhe aktivitete tjera.

Sipas Xhaferit, fëmijët mund t’i ndjekin mësimet kurdo që ata dhe prindërit e tyre mendojnë se është koha më e përshtatshme, që nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 20 të mbrëmjes.

Përveç këtij kreativiteti të organizimit, ajo thotë se çmimet në këtë qendër nuk janë të larta edhe pse shumica e prindërve të fëmijëve aktual të qendrës janë të punësuar.

Por, shton ajo, secili duhet të ketë shans në jetë.

Me këtë disponim, në qendrën kreative dita fillon me argëtim me synimin që këta fëmijë ta vazhdojnë argëtimin në gjithë pjesën e mbetur të jetës së tyre.

“Argëtohemi duke mësuar dhe mësojmë duke u argëtuar”, thotë Xhaferi, ndërkohë që nënvizon dallimet me gjeneratave aktuale dhe atyre kur ajo ishte rritur. Atëherë, edhe me shenja mund të kuptohej se ç’donte të thoshte prindi. “Me fëmijët duhet të flasim lirshëm, tu japim hapësirë të shprehen, sepse kjo u ndihmon edhe në komunikimin e mëvonshëm”.

“Ata duhet të mendojnë vetë, nuk duhet të ndikohen nga mendimet tona, sepse logjika e tyre shpeshherë funksionon më mirë se ajo e të rriturve”.

Pastaj, sipas Xhaferit, dikur fëmijët kishin vetëm një burim informimi, mësuesin, e tash shumë më tepër se kaq me gjithë teknologjinë që i rrethon.

Për këtë arsye, kjo detyrë është tash edhe më e vështirë për mësuesit. Prandaj, dashuria nuk është vetëm vlerë shtesë, është edhe kusht për suksesin e tyre. 

E pyetja që mbetet është: ç’jetë do të krijojnë këta fëmijë që rriten me dashuri, argëtim dhe komunikim intensiv? Duket, në të vërtetë intriguese…