Të qenit shtatzënë gjatë pandemisë dhe ndikimi në anën psikologjike nga raportimi mediatik

Shtatzënia mund të jetë një periudhë emocionuese, por edhe një nga fazat që përcillet me shumë pasiguri. Pandemia e COVID-19 në mënyrë të kuptueshme ka ndikuar në shtimin stresit dhe ankthit te shumë shtatzëna.

Siç edhe është raportuar në vazhdimësi që prej përhapjes së kësaj epidemie, personat të cilët kanë qenë më të rrezikuar janë personat e moshuar dhe gratë shtatzëna.

Gratë shtatzëna janë grup i cenueshëm lehtë dhe çdo pasojë është e dyfishtë, duke marrë parasysh edhe faktin që Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për strategji të veçanta.

Përveç kujdesit që duhet ta marrin nga institucionet shëndetësore edhe roli i shoqërisë është shumë i rëndësishëm, sidomos gjatë kësaj periudhe.

Lajme të pabazuara

Në shumë media është paraqitur se gratë shtatzëna që preken me coronavirus janë shumë më të rrezikuara dhe se infeksioni mund të bartet nga nëna te fetusi.

Qeveria e Britanisë së Madhe pati këshilluar që gratë shtatzëna të marrin masa shtesë paraprake ndaj izolimit prej coronavirusit, por më vonë në një udhëzim administrativ u tha se nuk ka ndonjë evidencë që gratë shtatzëna të jenë më të ndjeshme sesa popullata e përgjithshme ndaj C0VID-19

Kolegji i gjinekologëve dhe obstetërve në Londër qartësuan këtë deklaratë për t’i siguruar gratë shtatzëna.

“Ata ritheksojnë se aktualisht nuk ka prova të reja që sugjerojnë se gratë shtatzëna janë në rrezik më të madh nga coronavirusi (COVID-19) sesa individët e tjerë të shëndetshëm, ose se ato mund ta kalojnë infeksionin tek fëmija i tyre gjatë shtatzënisë”.

Dr. Edward Morris, president i kolegjiumit të gjinekologëve, tha: “Ne e mirëpresim këtë qasje paraprake pasi COVID-19 është një virus i ri, por dua të siguroj gratë shtatzëna që, siç qëndrojnë gjërat, asnjë provë e re nuk ka dalë në dritë duke sugjeruar se ato janë në rrezik më të lartë nga ky virus”.

Profesori Russell Viner, tha: “Wshtë normale që derisa e kuptojmë më mirë këtë virus, ne vazhdimisht i rishikojmë dhe krahasojmë provat. Ne e dimë se kjo është një kohë e vështirë për shumë njerëz, jo vetëm prindërit e shqetësuar. Ndërsa udhëzimet për gratë shtatzëna janë rregulluar, ato mbeten të njëjta për nënat dhe foshnjat e reja. Ne nuk duam t’i shohim nënën dhe foshnjën të ndara, edhe kur nëna teston pozitive për coronavirus. Në mënyrë të ngjashme, këshilla jonë është që ta ushqeni me gji”.

Çfarë është edhe më shqetësuese është vdekja e disa grave shtatzëna të prekura me COVID-19, por sipas Dr. Fehmi Ahmeti kjo ka ndodhur kryesisht në rastet kur nëna ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Gratë shtatzëna me sëmundje shoqëruese, si sëmundjet kardiake, hipertensioni dhe sëmundjet e mushkërive duhet të kontaktojnë obstetrin e tyre para lindjes dhe të konsultohen në lidhje me rrezikun e gjendjes së tyre lidhur me COVID-19 dhe duhet të merren masa paraprake për të parandaluar ekspozimin e mundshëm, në përputhje me rrethanat. Në mungesë të sëmundjeve shoqëruese, nuk ka nevojë të merren masa të posaçme parandaluese”, u shpreh Ahmeti.

Mediat po ashtu kanë një rol në këtë mes, si për mirë ashtu edhe për keq, kjo për arsye se në shumë prej tyre raportohet pa i menduar pasojat që mund të shkaktojë tek ana shpirtërore e këtyre grave që janë në pritje për tu bërë nëna.

Paniku te shumë prej tyre rritet edhe më shumë kur atyre u vjen koha për të lindur dhe ndjejnë frikë më të madhe për të shkuar në spital si shkak i rrezikut të infektimit nga coronavirusi.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Jakup Ismalji u shpreh se menaxhimi i grave shtatzëna në QKUK bëhet sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit kombëtar të shëndetësisë publike, duke përfshirë një repart të veçantë të izoluar si dhe masat mbrojtëse shtesë.

“Menaxhimi i shtatzënave me COVID-19 menaxhohet sipas protokolleve të OBSH-së dhe IKSHPK-së. Është repart i ndarë i izoluar nga repartet tjera, me hyrje të veçantë si dhe staf të veçantë për lindje normale po ashtu edhe me prerje cezariane. Stafi nga zyra e pranimit, salla e lindjes, salla e operacionit si dhe reparti i dedikuar për COVID-19 janë të pajisur me veshje të veçantë për lindje. Nuk ka ndonjë protokoll të veçantë. Bebja monitorohet me CTG ultrazë, analiza laboratorike. Pas lindjes bebja qëndron në të njëjtën hapësirë me lehonën. Ushqehet me qumësht të nënës por me kujdes, maska dhe doreza jepen edhe për lehonën,” u shpreh Ismajli.

Aspekti Psikologjik

Ana psikologjike e çdo gruaje ka shumë rëndësi gjatë kësaj periudhe e sidomos tani që ndihen të rrezikuara edhe nga pandemia COVID-19.

Dashamir Bërxulli, psikolog dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, u shpreh se kjo periudhë mbërthen ndjenja pozitive dhe negative ku përfshihen emocionet e të bërit nënë si dhe nga disponim i ulët si dhe ndjenja të ankthit. Gjatë kësaj periudhe këto ndjenja theksohen prandaj, sipas tij, është mirë që këto gra të mos përcjellin shumë raportimet e mediave sidomos në mëngjes dhe para gjumit.

“Periudha perinatale – e cila përfshin periudhën nga konceptimi deri në 1 vit pas lindjes – përfshin brenda saj si ndjenja pozitive, ashtu edhe negative. Në të parat përfshihet një gjallërim emocional për sjelljen në jetë të një foshnje dhe të bërit nënë, kur gruaja bëhet nënë për herë të parë. Ndërsa te të dytat bëhet fjalë për një disponim të ulët dhe ndjenja të ankthit.

Në periudhën e pandemisë COVID-19 është treguar, që disa nga këto ndjenja theksohen. Po ashtu, shtatzëna mund të ketë humbje të oreksit, probleme me përqendrimin, cilësi e ulët e gjumit dhe ndjenja të theksuara të frikës ndaj shtatzënisë dhe të lindjes.

Është e rëndësishme, që gruaja shtatzënë të mos ndjekë vazhdimisht të rejat lidhur me infektimet dhe situatën e pandemisë, veçanërisht në mëngjes dhe në mbrëmje para gjumit. Po ashtu, është e rëndësishme, që ushqimi të jetë sa më i shëndetshëm. Një aspekt i rëndësishëm i shëndetit në përgjithësi dhe atij mendor në veçanti është bërja e ushtrimeve fizike të rregullta, që përmirësojnë ndjesinë e një trupi të shëndetshëm, i cili ka një impakt edhe në aspekte të tjera”. u shpreh Bërxulli.

Tutje psikologu Bërxulli rekomandon që këto gra të ndjekin praktikën e meditimit sa më shumë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë gjumë të rregullt si dhe të kërkojnë ndihmë nga profesionistë të shëndetit mendor nëse e shohin të nevojshme.

“Do të rekomandoja fuqishëm zotërimin e teknikave të frymëmarrjes dhe relaksimit të muskujve, si dhe meditimin. Padyshim, që shtatzëna duhet të bëjë një gjumë të mirë në orare të rregullta. Shëndeti mendor në këtë fazë është i rëndësishëm dhe kërkimi i ndihmës në rastet kur kjo është e nevojshme e lehtëson tejkalimin e situatave të tilla.

Kjo ndihmë mund të kërkohet ose nga profesionistë të shëndetit mendor, ose nga linjat e ndihmës, që tashmë janë funksionale në Kosovë, në të cilat punojnë njerëz të trajnuar për këtë veprimtari profesionale. Mediat padyshim mund të luajnë rol të rëndësishëm, duke qenë burim informacioni korrekt dhe profesional për gratë në këtë drejtim.

Ndërsa rrethi shoqëror i shtatzënës duhet të luajë një rol mirëkuptues, mbështetës dhe referues, nëse shtatzëna kërkon ndihmën e tyre. Në fund, institucionet shëndetësore duhet të jenë të përgatitur për këshillimin profesional mjekësor dhe psikologjik për shtatzënat, duke treguar profesionalizëm dhe sens përgjegjësie në këtë drejtim,” u shpreh Bërxulli.

Aspekti Social

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për studime gjinore u shpreh se mediat duhet të kenë kujdes se si raportojnë pasi nuk duhet të publikojnë lajme pa marrë informata nga Instituti i Shëndetësisë Publike në mënyrë që qytetarët të mos vihen në panik. Gjithashtu sipas saj Ministria e Shëndetësisë duhet të realizojë fushata informuese për të rritur sigurinë te këto gra.

“Kategoritë e ndryshme të grave jo çdo herë e marrin lajmin nga mediat. Lajmi mund të transformohet dhe të krijojë panik te kategoritë më të ndjeshme siç janë edhe gratë shtatzëna. Mediat duhet të kenë kujdes se si raportojnë. Duhet të priten çdo herë informatat e sakta nga Instituti i shëndetësisë për të mos i vendosur qytetarët në panik. Ministria e Shëndetësisë duhet të realizojë kampanja informuese për këtë kategori në mënyrë që të mos jenë në panik se çka do të ndodhë me to.

Mediat duhet të raportojnë ashtu si raportojnë në mënyrë të saktë dhe informative por Ministria duhet të kujdeset që të bashkëpunojë me media duke ofruar informata shtesë për këtë kategori, dhe duhet t’i sigurojë gratë që ekipet që punojnë në spitalin e lindjes në QKUK në mënyrë të vazhdueshme janë të testuar dhe spitali duhet të jetë krejtësisht i mbrojtur për të funksionuar në mënyrë të saktë,” u shpreh Demolli.

Tutje Demolli shtoi se vizitat në spital duhet të ndalohen dhe përmes mediave gratë të informohen se aty ka siguri dhe nëse paraqiten raste në atë repart të ju mundësohet të lindin pa pagesë në spitale private.

“Duhet rreptësisht të ndalohen vizitat në këtë spital dhe të informohen gratë shtatzëna përmes mediumeve të ndryshme që aty është sigurt dhe nëse paraqiten raste me në repartin e gjinekologjisë grave duhet të ju mundësohet që të lindin në spitale private pa pagesë.

Të qenit shtatzënë në këtë periudhë është e vështirë por edhe një burim që duhet t’u japë forcë për t’ia dalë. Gratë shtatzëna duhet të kujdesen në maksimum për vete duke i respektuar masat e institutit në mënyrë të saktë dhe të presin pa panik. Nëse dikush nuk ndihet mirë duhet të thërras numrat që janë në dispozicion.

Roli ynë në këtë mes është që të jemi të kujdesshëm për grupet e ndjeshme ashtu siç janë gratë shtatzëna duke i respektuar masat por në asnjë mënyrë shtatzënia e një gruaje nuk duhet të shihet si sëmundje dhe si dikush që nuk është i barabartë me qytetarët e rëndomtë,” u shpreh Demolli.