'Të nënvlerësuarit' nga Kosova e pushtojnë botën me suksesin e tyre në sportet elektronike

Një grup të rinjsh nga Kosova pa para apo pa asnjë organizim të madh pas tyre, e kanë bërë krenar vendin e tyre, duke e vendosur papritur ekipin e tyre në vendin e ekipeve më të mëdha në botë.

Ndërkohë që Kosova vazhdon të gjenerojë tituj të zymtë për çështje që janë të ndërlidhur politikisht, megjithatë ka pasur një perspektive pozitive, në mënyrën se si Kosova përfaqësohet në sport: në sportet elektronike, më të njohura si e-sports.

Tani një industri miliarda dollarëshe që tërheq qindra miliona shikues çdo vit, sportet elektronike janë bërë një aktivitet i njohur konkurrues i bazuar në videolojëra, qoftë në kompjuter ose përmes konzollave të tilla si PlayStation ose Xbox.

Në Kosovë, internet kafenetë shpesh frekuentohen nga adoleshentët dhe të rinjtë që luajnë e-sport, shpesh deri në orët e hershme të mëngjesit. Do t’i shihni të ulur në karriget e lojërave me kufje, me shpinë të përkulur drejt ekranit të kompjuterit ndërkohë që luajnë lojën më të njohur e-sport në Kosovë dhe jashtë saj – Counter-Strike: Global Offensive – shkurt CS:GO.

CS: GO është një lojë me të shtëna me shumë lojtarë në vetën e parë në të cilën lojtarët ndahen në dy ekipe, “terroristë” dhe “kundër-terroristë”, të cilët duhet të përdorin disa strategji dhe taktika për të përfunduar objektiva të ndryshëm në lojë.

Loja është bërë një tjetër burim krenarie në Kosovë falë suksesit të ekipit shqiptar të Kosovës CS:GO e-sports, Bad News Eagles.

E përbërë nga lojtarë të e-sporteve nga Kosova, Bad News Eagles u formua në fillim të vitit 2022 nga Sener Mahmuti, Flatron Halimi, Genc Kolgeci, Dionis Budeci dhe Rigon Gashi, pasi u ndanë nga organizata e tyre e-sporteve, BLINK, për shkak të mosmarrëveshjeve me menaxhmentin dhe mbi rinovimin e kontratave.

“Duam të vazhdojmë me listën që kemi aktualisht sepse besojmë në njëri-tjetrin dhe e dimë nëse punojmë shumë, mund të arrijmë gjëra të mëdha dhe për të ardhmen, mund të punojmë më shumë dhe jo vetëm të marrim pjesë në turne; synimi ynë është t’i fitojmë disa prej tyre dhe t’u tregojmë të gjithëve se mund t’ia dalim”, tha Kolgeci.

Të njohur në botën e e-sporteve nga etiketat e tyre të lojtarëve, (gamer tags) Halimi (juanflatroo), Mahmuti (SENER1), Kolgeci (gxx-), Gashi (rigoN) dhe Budeci (sinnopsyy) e kanë pushtuar industrinë dhe kanë pushtuar skenën botërore të e-sportive në më pak se një vit, nën udhëheqjen e menaxherit të tyre, James Banks, një mikpritës dhe komentues britanik i sporteve elektronike, i cili vendosi ta merrte rolin e menaxherit pa pagesë.

Nga të nënvlerësuar në kampionë të botës

“Lojtarët tanë e dinë se kemi të bëjmë me një histori të nënvlerësuarish, por ata asnjëherë nuk e shohin veten si të nënvlerësuar, edhe kur unë e i shoh si të tillë “, tha Banks. “Në histori, në të gjitha sportet, njerëzit e duan një të nënvlerësuar, mendoj se njerëzit mund ta shohin veten si të nënvlerësuar, kjo është arsyeja pse u dashurova me ekipin në fillim – atë pasion të papërpunuar dhe urinë për të pasur sukses, për të përfaqësuar vendin dhe popullin e tyre në skenën botërore. Është e mrekullueshme!”.

Duke filluar me pak mbështetje financiare dhe pa ndonjë organizim për t’i përfaqësuar ata që do t’i ndihmonte të zhvilloheshin, ekipi i tejkaloi shanset që në fillim, duke arritur rezultate të mëdha në turne në të gjithë Evropën. Kjo i hapi rrugën Bad News Eagles për t’u kualifikuar në kampionatin botëror në CS:GO, në maj të vitit 2022 në Antwerp, Belgjikë.

Gjatë kësaj kohe, titujt në mediat në gjuhën shqipe filluan të shfaqeeshin si “Nga kafenetë LAN në PGL Major Antwerp 2022”.

Madje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka postuar një fotografi në Instagram, ku shihet duke e veshur fanellën e Bad News Eagles teksa shikonte një transmetim të drejtpërdrejtë të garës së ekipit. Kurtit iu dhurua fanella pasi e vizitoi kampin e tyre para turneut, për t’i uruar fat ekpit.

Përfaqësimi i Kosovës në skenën botërore nënkuptonte që Bad News Eagles do të ishte gjithashtu ekipi i parë në tetë vjet që do të arrinte në atë nivel pa përfaqësuar një organizatë e-sports – një arritje e jashtëzakonshme duke marrë parasysh zhvillimin dhe financimin që vjen me përfshirjen në një organizatë. 

Megjithatë, ekipi Bad News Eagle kishte mbështetjen e një sponsori, gjigantit të teknologjisë kosovare Gjirafa50, dhe sigurisht që e gjithë Kosova e i ofronte përkrahjen e vet.

Të ngazëllyer nga mbështetja e të gjithë Kosovës 

“Ta kesh gjithë vendin prapa është diçka që nuk e prisja; morëm përkrahje njëkohësisht nga kryeministri dhe presidenti, gjë që ishte e mahnitshme”, tha Kolgeci.

“Mirëpo  mbështetja që kishim edhe nga komuniteti [Kosovar] ishte diçka që nuk besoja se mund të ishte kaq e madhe; Të gjithë flisnin për ne, na shikonin, na përkrahnin, jepnin gjithçka që mundnin për të na inkurajuar”.

Të qenurit të dobët, pa organizim, me një ekip të formuar vetëm rreth tre muaj më parë, duke konkurruar pa rroga dhe duke u mbështetur në fitimet e turneut për mbështetje financiare, fati i Bad News Eagles në kampionatin më prestigjioz botëror në sportet elektronike do të përfundonte keq, ishin parashikimet e shumë analistëve dhe entuziastëve të sporteve elektronike.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Bad News Eagles i sfidoi të gjitha shanset për t’u kualifikuar dhe për t’u ngjitur në fazën më prestigjioze të turneut, “Legends”, pasi i eliminoi ekipet e lartrenditura nga Turqia dhe Brazili në fazën “Changers”.

Kjo nënkuptonte se ekipi nga Kosova do të luante me ekipet më të mira në botë. Fatkeqësisht, ata nuk arritën të shkonin tutje pas tri përballjeve, ku përfshiheshin edhe kampionët, FaZe, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, arritjet e tyre i kishin vendosur ata në një rrugë suksesi që përmbushte pjesën e fundit të vitit.

“Mbaj mend që djemtë u kthyen në shtëpi pas Antwerp-it dhe u përshëndetën. Çdo person nga Kosova apo Shqipëria është kaq mbështetës për ekipin, ne i takojmë në të gjithë botën, ata u thonë lojtarëve se janë shumë të lumtur që i shohin teksa performojnë mirë dhe ndjehen krenarë që ata i përfaqësojnë vendet e tyre”, tha Banks.

Pas suksesit në Antëerp, gjetja e një organizate për t’u bashkuar u bë e pashmangshme për ekipin. Suksesi i mëtejshëm gjatë verës bëri që ekipi aë shpallte të ardhmen e tyre përpara turneut të ardhshëm. Pengesat të tilla si bastet dhe bixhozi që ishin të paligjshme në Kosovë dhe buxhetet e kufizuara të marketingut në vendet e Ballkanit gjithashtu u bënë pengesë në rrugëtimin e ekipit për të bërë zgjedhjen e nevojshme.

“Sot, ne arritëm në vendimin që do të vazhdojmë me Bad News Eagles, si organizatë në vete e në të cilën kemi kontroll të plotë”, njoftoi ekipi në Twitter, duke përmendur arsye të tilla si zhvillimi dhe vizat si faktorë përcaktues në vendimin e tyre për ta  shtyrë nënshkrimin me ndonjë organizatë.

Më shumë sukses në Brazil

Pas udhëtimit në Çeki dhe fitimit të një konkursi tjetër, Bad News Eagles mori pjesë në kualifikueset për kampionatin e ardhshëm botëror në nëntor të vitit 2022, të zhvilluar në Rio de Zhaneiro. Atje ekipi e tronditi botën e e-sports edhe një herë, duke mundur ekipin danez, Astralis, i cili mban rekordin për më shumë fitore të mëdha botërore CS:GO, dhe duke e forcuar pozicionin e tyre në Brazil.

Në përgatitjet për Rio, ekipi Bad News Eagle u përball me probleme me vizat që rrezikuan mundësinë e pjesëmarrjes, e ku ata duhej të kërkonin ndihmë nga autoritetet e Kosovës për t’u siguruar se do të mund të udhëtonin vetëm disa ditë para garës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka ndërhyrë në procesin e aplikimit për viza për ta parandaluar çdo pengesë të mëtejshme.

“Uroj fat për djemtë e Bad News Eagles. Asgjë nuk mund t’i pengojë të rinjtë tanë të talentuar të realizojnë potencialin e tyre”, ka shkruar Çeku në rrjetet sociale, pasi Sener Mahmuti ka shkruar në Twitter duke falënderuar ministrin për angazhimin e tij në sigurimin e miratimit të vizave. Duke u nisur vetëm pak ditë më vonë për në Brazil, Kosova i doli në mbështetje lojtarëve të saj të e-sporteve nëpër kafene, bare dhe nëpër shtëpi.

“Bad News Eagles, por Bad News (Lajme të Këqija) vetëm për kundërshtarët e tyre. Pas suksesit në Turneun e fundit dhe më të rëndësishëm në Antwerp dhe kualifikimit të tyre në #IEM Rio Major 2022, sot ata filluan garën e tyre të parë, duke shënuar një fitore 16:3 ndaj 00Nation. Suksese në përballjen e sotme!” ka shkruar kryeministri Kurti me fjalë inkurajuese.

“Është një ndjenjë fantastike që nuk mund ta përshkruash as me fjalë kur ke gjithë vendin prapa vetes, sidomos kur e ke mbështetjen e kryeministrit, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe njerëzit pas tyre, artistët dhe të gjithë të tjerët”, tha Dionis Budeci. “Dëshiroj t’i falënderoj shqiptarët dhe të gjithë njerëzit që po na mbështesin në ditët e mira dhe të këqija – do të bëjmë edhe më mirë se kemi bërë më parë”.

Organizatorët e turneut i mirëpritën me një letër ku shkruhej: “Çfarëdo që të ndodhë, tanimë ju mund të jeni krenarë për vitin tuaj; Keni bërë shumë gjëra që konsiderohen të pamundura në fillim të vitit 2022 dhe e keni ngulitur flamurin e Kosovës si në Belgjikë ashtu edhe në Brazil”.

Në Brazil, ata e mahnitën botën edhe një herë me një paraqitje dominuese kundër kampionëve në fuqi, FaZe, i cili i kishte përjashtuar ata më parë nga turneu i mëparshëm në fillim të atij viti.

Ndonëse nuk arritën t’i korrnin rezultatet që i kishin synuar, pasi u eliminuan më vonë, populli i Kosovës mbetet i emocionuar të shohë se çfarë do të sjellë viti për të nënvlerësuarit që kanë lënë emër në skenën botërore.

“Është e rëndësishme ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme pasi jemi një vend i ri plot pasion, emocione pozitive dhe njerëz të mirë në përgjithësi; ne të rinjtë duhet t’i tregojmë botës se populli i Kosovës ka shumë për t’i dhënë botës”, tha Flatron Halimi.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight

Përgatiti: Nuhi Shala