Të ndryshkura e jashtë përdorimit, antenat satelitore në Prishtinë janë bërë pjesë e kujtesës kolektive

Autoritetet në kryeqytetin e Kosovës duan që ato të largohen, por disa në Prishtinë hezitojnë të heqin dorë nga antenat satelitore të cilat e patën thyer bllokadën mediatike në vitet 1990.

Ato mund të jenë të vjetra, të ndryshkura dhe, në shumicën e rasteve, të mos përdoren më, por zemra e Ismetit ende ruan një vend për antenat satelitore që i mbulojnë çatitë, ballkonet dhe fasadat nëpër vendlindjen e tij, kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

“Ishte një gëzim jo vetëm për familjen time, por edhe për shumë nga fqinjët e mi kur e instalova atë,” tha Ismeti, i cili nuk pranoi ta jepte mbiemrin e tij, për antenën satelitore të cilën ai e montoi në ballkonin e tij në fillim të viteve 1990, pasi autoritetet serbe, nën sundimin e Sllobodan Millosheviqit i patën mbyllur mediat në gjuhën shqipe në Kosovë.

Televizioni satelitor ishte mënyra e vetme për shqiptarët e Kosovës për t’i shpëtuar territ mediatik të imponuar si pjesë e një goditjeje në fund të viteve ’80 dhe ’90 në Kosovë, atëkohë një krahinë jugore e Serbisë e populluar kryesisht me shqiptarë.

Kosova përfundimisht u shkëput në vitet 1998-99 dhe në fillim të viteve 2000 operatorët kabllorë erdhën për ta marrë dominimin mbi transmetimin televiziv, duke i bërë antenat satelitore të dalin nga përdorimi.

Në mars, komuna e Prishtinës u bëri thirrje pronarëve të shtëpive që t’i heqin ato, por ndërkohë që disa prej pronarëve iu përmbajtën afatit tre mujor, shumë prej tyre nuk e bënë një gjë të tillë. Autoritetet lokale thonë se nuk do të dorëzohen përballë kërkesës së tyre, mirëpo janë disa artistë dhe arkitektë vendas të cilët po bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje më kreative.

“Komuna duhet të koordinohet me të gjitha institucionet relevante që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për t’i ruajtur dy ose tre objekte që i mbajnë satelitët më të mëdhenj në lagjet më emblematike, si Ulpiana, Dardania apo Bregu i Diellit”, tha arkitekti Arianit Bytyqi.

“Komuna e Prishtinës duhet ta ketë parasysh mesazhin që kanë transmetuar këto antena satelitore gjatë viteve 1990, për rezistencë, luftë çlirimtare dhe liri.

Thyerja e bllokadës mediatike

Pasi e rrënoi autonominë e Kosovës në vitin 1989, në korrik 1990 policia e bastisi transmetuesin publik lokal, Radio Televizionin e Prishtinës, duke e shkëputur atë nga transmetimi; kur transmetimi u kthye përsëri, programet në gjuhën shqipe u kufizuan thjesht duke i imituar lajmet kryesore serbe. Një muaj më vonë, autoritetet serbe e mbyllën të vetmen gazetë të përditshme publike, Rilindja, dhe i pushuan nga puna punonjësit e saj.

Ishte një periudhë e “rezistencës pasive” në Kosovë nga shumica etnike shqiptare. Më pas, në vitin 1993, transmetuesi shtetëror në Shqipërinë fqinje nisi dy orë programe të përditshme satelitore, të përshtatura për një audiencë shqiptare të Kosovës.

Antenat satelitore “u shfaqën si kërpudhat pas shiut”, kujton Ismeti, i cili tani është 71 vjeç.

“Më kujtohet kur e instalova për herë të parë,” tha ai për BIRN. “Ishte viti 1994 dhe jo shumë në Prishtinë kishin një antenë satelitore, kështu që shumë fqinjë vinin në shtëpinë time çdo natë për të parë dy orë televizion shqiptar.

Arkitektja Eliza Hoxha, e cila i bëri homazhe antenave satelitore me një instalacion në Universitetin e Prishtinës dhe Bienalen e Venecias, tha se ato siguruan ushqim për shqiptarët e Kosovës në aspektin e kulturës dhe informacionit, por edhe si një “mburojë” kundër bllokadës së mediave të imponuara nga Serbia. 

“Antena  satelitore u bë një element përcaktues i peizazhit urban,” dhe luajti një rol në luftën e shqiptarëve të Kosovës për mbijetesë, tha Hoxha, tani deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së në opozitë.

“Komuna duhet të krijojë një mundësi për t’i mbledhur antenat satelitore dhe të jetë e hapur ndaj ideve kreative të komunitetit artistik për t’i kthyer ato në një vepër arti,” tha ajo për BIRN. “Unë do të punoja me kënaqësi për diçka të tillë.”

Komuna, megjithatë, tha se nuk ka plane për t’i ruajtur antenat satelitore duke shtuar se banorët kanë treguar “një vullnet të madh” për t’i larguar ato.

“Disa prej tyre nuk janë në lartësinë e duhur; ndërtimi i tyre nuk është i saktë, ndaj paraqesin rrezik për qytetarët kur ka erë të fortë apo stuhi”, thuhet nga komuna. “Për më tepër, shumica e tyre nuk janë më në përdorim. Ato do të largohen sipas afateve të përcaktuara nga inspektorati komunal.”

Largojini, por mos i harroni

Në përgjithësi, kryeqytetasit duket se e mbështesin nismën për largimin e antenave satelitore që nuk janë në përdorim.

“Ashtu siç janë tani, po e shkatërrojnë estetikën e objekteve dhe të qytetit”, thotë Xhavit Miftari, banor i lagjes Dardania. “Unë besoj se shumica e tyre nuk janë më në përdorim.”

“Unë di disa raste kur banorët i kanë larguar vetë antenat satelitore. Por nëse nuk mund t’i largojnë, sepse janë vendosur në vende të papërshtatshme, ndihma nga komuna do të ishte më se e mirëseardhur.”

Në lagjen Ulpiana, një grua e moshuar, e cila na e dha emrin e saj si Feride, ka kërkuar që ato të largohen.

“Ato nuk i shërbejnë askujt tani,” tha ajo. “Mund të ruhen në një vend të veçantë, jo domosdoshmërisht në ndërtesa.”

“Mirëpo komuna duhet t’i ndihmojë qytetarët t’i largojnë ato,” tha ajo për BIRN. “Ka njerëz të moshuar që nuk mund t’i largojnë ato.”

Për Ismetin, antenat satelitore janë emblematike e një epoke tjetër, jo vetëm në kuptimin politik.

“Para se ta instaloja, shkova te një fqinj tjetër për ta parë programin. Ishte solidaritet për hir të informacionit”, tha ai.

“Tani më mungojnë ndeja të tilla. As që i njoh fqinjët e mi. Gjeneratat kanë ndryshuar… edhe zakonet.”

Antenat satelitore duhet të largohen, tha ai, por jo pa një plan për t’a ruajtur disi kujtesën për to.

“Ato nuk shërbejnë për asnjë qëllim tani,” tha ai, por “ne duhet ta kemi një kujtim të tyre.”

“Shteti duhet të bëjë diçka. Ato tashmë janë pjesë e kujtesës sonë; antenat satelitore janë pjesë e historisë sonë të re.”

Shkrimi fillimisht është publikuar në Balkan Insight