Monumenti 'Heroinat' në Prishtinë. Foto: Kallxo

Të mbijetuarat e përdhunimeve në luftë presin ende dënimet e para

Dy serbë janë akuzuar së fundi për dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Akuzat ndaj tyre tregojnë se si gjykatat në Kosovë për më shumë se dy dekada dështuan të sjellin ndonjë dënim për dhunë seksuale gjatë luftës.

 

Kur Zoran Vukotiq, një ish polic serb i Kosovës, u akuzua këtë muaj për dhunimin e një 16 vjeçareje gjatë luftës, zyrtarët në Prishtinë e mirëpritën aktakuzën.

“Kriminelët duhet të sillen para drejtësisë,” tha në një postim në Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Por Vukotiq, një serb nga Vushtrria është ende një prej të paktëve që akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës që nga fundi i mizorive në qershor të vitit 1999.

Ai u arrestua në Nikshiq të Malit të Zi dhe u ekstradua në nëntor të vitit 2016 bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga autoritetet në Kosovë.

Vukotiq ishte një polic rezervist në Vushtrri, por në maj dhe qershor 1999 duke punuar roje burgu në  burgun e Smekovnicës ai mori pjesë në ndalimin dhe torturimin e shumë civilëve të burgosur shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe të burgosurit i ishin nënshtruar rrahjeve dhe torturave të kryera nga Vukotiq.

Në maj 2018, ai u dënua me 6 vjet e gjysmë burgim për keqtrajtim dhe torturë të të burgosurve në Smekovnicë dhe një vit më vonë Gjykata e Apelit vërtetoi këtë dënim.

Por aktakuza fillestare nuk përfshinte akuzën për dhunim. Megjithatë Prokuroria Speciale e Kosovës  gjeti ndërkohë se Vukotiq kishte dhunuar një 16 vjeçare në regjionin e Mitrovicës.

Drita Hajdari, udhëheqëse e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale dhe prokurore në këtë rast, thotë se “Vukotiq qëllimisht dhe dhunshëm sulmoi viktimën”.

Hajdari ka shpjeguar për kompleksitetin dhe vështirësitë e  hetimit të këtij rasti, problem qëështë tipik për ndjeshmërinë e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Viktima është shumë e brishtë. Më është dashur ta intervistoj në një vend të veçantë dhe në prezencë të psikologut,” tregon ajo.

Dënimet vështirë të arritshme

Misioni i OKB-së dhe ai i BE-së që ishin përgjegjës për ndjekjen e krimeve të luftës për më shumë se dy dekada dështuan të sjellin ndonjë dënim për dhunë seksuale gjatë luftës.

Në vitin 2013, Gjykata Themelore në Mitrovicë dënoi Jovica Dejanoviqin dhe  Gjorgje Bojkoviqin me 12 dhe 10 vjet burgim për dhunimin e një të miture në prill 1999.

Pasi Apeli vërtetoi dënimet në vitin 2014, Gjykata Supreme e Kosovës i liroi nga akuza që të dy.

Viktimë në këtë rast ishte Vasfije Krasniqi Goodman, e cila që nga atëherë është bërë një nga të paktat të mbijetuara të dhunës seksuale në Kosovë që lufton stigmën që është ende e përhapur në shoqëri dhe  flet publikisht për tmerrin që kishte përjetuar.

Vasfije Krasniqi – Foto: KALLXO.com

Krasniqi Goodman ka thënë për BIRN se tani është më optimiste se rasti i Vukotiq  të rezultojë me dënim. “Një nga dështimet e misioneve të OKB-së dhe BE-së ishte edhe rasti im. Sidoqoftë, mendojë që ky rast jep më shumë shpresë dhe kurajo për ta rikthyer ndjenjën e zbehur për drejtësi”, thotë ajo.

“Bazuar në atë që më është thënë, ka edhe raste të tjera në proces dhe i inkurajoj dhe mbështes viktimat tjera që të flasin dhe të kërkojnë drejtësi”, thotë ajo.

Jashtë Kosovës, Tribunali Penal për ish Jugosllavi në Hagë ka trajtuar disa raste ku krahas krimeve të tjera të luftësishin përfshirë edhe akuzat për dhunë seksuale.

Pretendimet për përgjegjësi për dhunë seksuale ishin pjesë e aktakuzave ndaj 6 zyrtarëve të lartë të regjimit të Slobodan Millosheviqit:zëvendëskryeministrit  jugosllav, Nikolla Shainoviq, ministrit të Brendshëm, Streten Llukiq, zëvendësministrit të Brendshëm, Vllastimir Gjorgjeviq, komandantit të Ushtrisë së Tretë, Nebojsha Pavkoviq, shefit të stafit të ushtrisë jugosllave Dragolub Ojdaniq, dhe komandantit tëushtrisë jugosllave, përkatësisht Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq.

Pavkoviq ishte dënuar pasi Tribunali i Hagës gjeti se rangu i tij komandues ka mundur të parandalojë dhunimet në fshatin Beleg të Deçanit dhe fshatin Qirez të Drenasit. Megjithatë, gjykata e Hagës liroi atë nga akuzat mos parandalimin e tri rasteve të dhunimit në Prishtinë.

Llazareviq, Shainoviq dhe Llukiq u gjetën fajtorë nga Dhoma e Apelit në Hagë për përgjegjësi për rastet e dhunës seksuale tëtrupave serbe në Beleg dhe Qirez si pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Apeli nuk rriti dënimin e tyre por vërtetoi dënimet e shkallës së parë.

Ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq, që  të dy ishin liruar nga përgjegjësitë për dhunë seksuale në Kosovë.

Pretendimet për dhunë seksuale ishin gjithashtu pjesë e aktakuzës  kundër ish komandantit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinajt dhe  dy ish pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së Idriz Balaj e Lahi Ibrahimaj.

Balaj u akuzua  për dhunimin e një gruaje rome, por megjithëse gjykata vërtetoi se dhunimi seksual kishte ndodhur në këtë zonë të UÇK-së, viktima nuk kishte mundur ta identifikonte plotësisht Idriz Balajn si dhunuesin e saj. Dhe ai u lirua nga akuza për dhunim.

Dhuna seksuale gjithashtu ka qenë në qendër të akuzave në gjykimet e ish  pjesëtarëve të trupave jugosllave të akuzuar për krime lufte që përfshijnë  vrasjen e të paktën 100  civilëve në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq e Lubeniq të Pejës në prill dhe maj të vitit 1999.

Në gjykimin në Beograd, 11 pjesëtarë të Brigadës 177 të Ushtrisë Jugosllave, të njohur si “Çakejtë” në vitin 2014 u dënuan nga shkalla e parë  me gjithsejtë 106 vjet burgim.

Gjatë gjykimit, Shehrije Balaj, një grua rome nga Kosova dhe dy gra të tjera shqiptare dëshmuan për dhunimin e tyre. Megjithatë Gjykata serbe e Apelit  vendosi që rastin ta kthejë në rigjykim.

“Viktimat duhet ta ngrenë zërin për krimet”

Pas aktakuzës së Zoran Vukotiqit, detaje të tjera për akuzat tjera për dhunime u shfaqën javën e kaluar pasi autoritet hungareze arrestuan një tjetër serbtë Kosovës në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga autoritet kosovare.

Gjykata në Budapest njoftoi se i arrestuari akuzohet se në fillim të qershorit 1999 rrahu dhe dhunoi një grua shtatzënë  në fshatin Videjë të Klinës. Prokurorët në Kosovë kanë konfirmuar arrestimin dhe kërkesën për ekstradim, por kanë refuzuar të japin detaje të tjera për rastin.

Drita Hajdari thotë se prokuroria në Kosovë ka një strategji të veçantë për ndjekjen e krimeve të luftës.

“Kam vendosur që rastet e dhunimeve seksuale të trajtohen nga gratë prokurore”, thotë Hajdari.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës në Prishtinë, një organizatë që ofron përkrahje shëndetësore, ligjore sociale për të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë  ka ndihmuar gjithashtu viktimën gjatë procesit hetues ndaj Vukotiq.

Rushiti thotë se beson që ky rast do  t’i nxisë viktimat tjera për të kërkuar drejtësi.

“Ne inkurajojmë viktimat që të ngritin zërin e tyre për krimet që përjetuan. Krimet monstruoze që u kryen ndaj tyre duhet që të dokumentohen dhe prezantohen, dhe rrjedhimisht të dënohen dhe nuk do të ketë më hapësirë për mohimin”, thotë Rushti për BIRN.

Maxine Marcus, drejtoreshë e Qendrës për Drejtësi Tranzicionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një ish prokurore e Tribunalit të Hagës, thotë se nevojitet mbështetja politike për të siguruar më shumë resurse për këtë çështje.

“Është një mal me raste që prokuroria po punon në zgjidhjen e tyre, një rrëmujë e vërtetë e trashëguar nga misionet ndërkombëtare në mënyrë që përfundimisht të sjellë drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës së Kosovës”, thotë Marcus për BIRN.

Misioni i BE-së për sundim të ligjit – EULEX u ka dorëzuar prokurorëve vendorë në fund të vitit 2018  mbi nëntëqind raste të krimeve të luftës.

“Koha po kalon dhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë vetëm tre prokurorë që po merren me krime të luftës. Në të njëjtën kohë ata ende duhet të merren me lëndë të tjera”, shton ajo.

Marcus thotë se Kosovës i nevojitet një ekip prej së paku pesë prokurorësh që punojnë vazhdimisht në hetimin e krimeve të luftës.

“Kjo është e mundur të bëhet, edhe pse jo çdo rast do të ndiqet penalisht, por shumë prej tyre po kuptohet nëse burimet dhe provat do të jenë të disponueshme”, thotë ajo.

Krasniqi Goodman thotë se më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova duhet të hartojë një strategji efektive për të ndjekur rastet e dhunës seksuale.

“Është koha që Kosova forcojë sistemin e drejtësisë dhe të merret më efektivisht me krimet e luftës”, thotë ajo.