‘Të Lirë’, nga Lea Ypi: Doja që ky libër të ishte një pajtim i gjeneratave të ndryshme

Është muaji dhjetor i vitit 1990, dhe vajza e re Lea Ypi, është duke e përqafuar një statujë prej bronzi të Stalinit. Ajo fshihet nga protestuesit që brohorasin “liri” dhe “demokraci” – “huliganë” siç do t’i quante babai i saj – duke e evokuar fundin e sundimit komunist në Shqipëri. Teksa zhurmat e hapave të tyre zbehen tutjetehu, Lea ngrit shikimin diç më lart dhe vëren se Stalinit i mungon koka. “I kanë vjedhur kokën e Stalinit”, mendon ajo.

Gjatë asaj kohe, Lea nuk ishte në dijeni se garnitura komuniste e Evropës Lindore po shpërbëhej; statujat e ikonave socialiste po rrëzoheshin në të gjithë rajonin ndërsa pjesë të Murit të Berlinit shiteshin tashmë si suvenire. Megjithatë, ajo ditë ishte hera e parë që Lea e mori në konsideratë kuptimin e fjalës liri, siç shkruan ajo në hyrjen magjepsëse të librit të saj të kujtimeve të quajtur “Të Lirë: Të rritesh në fund të historisë”.

Lea lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1979, në një kohë kur Shqipëria ishte shkëputur nga pjesa më e madhe e botës komuniste nën sundimin shumëvjeçar të diktatorit Enver Hoxha. “Ne ishim ndarë nga jugosllavët, pastaj u ndamë nga sovjetikët dhe më pas nga kinezët,” më thotë ajo gjatë një bisede përmes platformës Zoom nga Hamburgu. “Kur u rrita, ne ishim plotësisht vetëm. Por ne e kishim këtë imazh për veten, si i vetmi vend në botë që u qëndronte përballë gjithë këtyre perandorive. Për fëmijët, kjo ishte vërtet fuqizuese dhe e kapi fort imagjinatën tonë. E gjithë bota ishte jashtë binarëve dhe ne ishim i vetmi vend në të cilin gjërat po funksiononin mjaft mirë”.

Prindërit e Lea Ypit në një kafe të Tiranës në vitet e 30’ta, Pamjet: Arkiva personale e Lea Ypi

Me pak fjalë, nuk kishte asnjë arsye që Lea të besonte se nuk ishim në binarët e duhur. Përtej idealizimit të revolucionarëve historikë nga babai i saj, prindërit e saj e anashkaluan politikën dhe mbronin Lean nga një pjesë e madhe e shtypjes dhe censurës që goditi Shqipërinë komuniste. Lea – e rritur kryesisht nga gjyshja e saj kozmopolite, frëngjisht-folëse, me origjinë otomane – u la të ndiqte jetën e një komunisteje të re e të zellshme: grumbulloi vlerësime, certifikata dhe medalje si Pioniere e Re (një organizatë rinore komuniste); mahniti një panel edukativ në Komitetin Qendror të Partisë duke e shqiptuar fjalën “kolektivizimin” botëror në një nga veprat e Hoxhës, pavarësisht se e shqiptoi gabim; Me rastin e varrimit të “xhaxhit Enver”, Lea e gjeti vetën të befasuar nga fytyrat pa lot të prindërve të saj. Ajo ishte një besimtare e vërtetë e çështjes komuniste shqiptare.

Megjithatë, Perëndimi ende vezullonte nga pas Perdes së Hekurt. “Në disa mënyra, ne idealizuam atë që po ndodhte në Perëndim”, thotë ajo. “Çamçakëzi, ëmbëlsirat, rrobat – këto i pamë tek fëmijët perëndimorë që vinin në Durrës dhe kishin gjithmonë këto gjëra qesharake si lodra me drita dhe krem dielli. Këto, padyshim, që ma rrëmbyen imagjinatën”.

Në vitin 1990, kur socializmi ia lëshoi vendin një shteti shumëpartiak, si një adoleshente e rrënuar dhe e hutuar, Lea e përshkruan të ashtuquajturën “liri” që u premtua si një “pjatë e servirur e ngrirë”. Në gjysmën e dytë të librit, Lea shkruan në mënyrë tronditëse për koston njerëzore të reformës strukturore: protestat, të shtënat, lufta civile, emigracioni masiv dhe përjashtimet e përhapura nga vendet e punës, të gjitha këto të mbikqyrura me plot hezitim nga babai nën udhëzimet e Bankës Botërore. “Terapia e shokut” që konsulentët kapitalistë kishin administruar për ta transformuar ekonominë e Shqipërisë ishte po aq traumatike sa nënkupton edhe vetë emri i saj.

Lea Ypi, Pamjet: Arkiva personale e Lea Ypi

Rrëfimi i Leas për këtë periudhë në objektivin e syve të saj – i evokuar përmes shënimeve në ditar, anekdotave dhe dialogut të mirëakorduar – ngjall përvojën marramendëse personale të kaosit politik. “Kur ka një revolucion, gjithçka ndryshon. Të gjitha kategoritë që janë të njohura për ju dhe që i përdorni për ta kuptuar realitetin shemben”, thotë ajo. Kur flluska e padepërtueshme e festës shpërtheu, po ashtu shpërtheu një e tillë më afër shtëpisë. Lea zbuloi se një prej kryeministrave shqiptarë, përgjegjës për transferimin e sovranitetit tek italianët në vitin 1939 – një burrë për të cilin, teksa po rritej besonte se ishte “kuislingu shqiptar” dhe një “tradhtar kombëtar” – ishte në fakt stërgjyshi i saj. Si e tillë, familja e saj u dënua me një jetë prej anonimati, persekutimi dhe një trashëgimi turpi që i dërgoi disa nga të afërmit e saj drejt vetëvrasjes.

Lea Ypi në moshë të vogël me prindërit e saj, Pamjet: Arkiva personale e Lea Ypi

‘Të Lirë’ është përzgjedhur kohët e fundit për çmimin prestigjioz Baillie Gifford për letërsinë jo-fiktive, por Lea – tani ligjëruese e teorisë politike dhe marksizmit në Shkollën Ekonomike të Londrës – fillimisht kishte vendosur të shkruante një libër teorik për lirinë përpara se të vendoste për këtë libër personal. Në fund të fundit, liria është një term i gjerë. “Vendosa që zërat e personazheve ta tregojnë historinë e tyre,” thotë ajo, “dhe të përpiqem sa më pak të ndërhyj në interpretimin tim për ta.” Për prindërit e saj, të cilët jetonin në “burgun e hapur” të Shqipërisë, socializmi nënkuptonte mohimin e identitetit dhe ngulfatjen e ëndrrave të tyre. Prandaj, nëna e saj nuk mund ta kuptojë se çfarë vlere ka analizimi i vazhdueshëm i teksteve marksiste nga e bija.

Lea, tani, nuk është as optimiste dhe as shumë kritike për të menduarit socialist. “Gjithmonë kam gjetur se kishte mendime vërtet interesante në këto tradita që duhej të shpëtoheshin disi,” thotë ajo. “Dhe gjithashtu sepse nuk jam e lumtur, mendoj, me botën në të cilën jetoj. Doja shumë që ky libër të ishte një pajtim i gjeneratave të ndryshme. Por unë gjithashtu doja që të ishte një libër lufte, sepse këta njerëz kanë luftuar dhe më e pakta që ata meritojnë është që lufta e tyre të vazhdojë”.

Matthew Janney është bashkëpunëtor për The Calvert Journal. I diplomuar në Oksford me një diplomë Master në Gjuhët Moderne, Matthew ka një fokus të veçantë në letërsinë ruse, i specializuar në veprat e Vladimir Nabokov. Matthew ka kaluar kohë duke jetuar në Rusi dhe Gjeorgji