Të diplomuarit në kolegjet private ndihen të diskriminuar nga Komuna e Prishtinës në konkursin për mësimdhënës

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit më 3 korrik të këtij viti kishte hapur konkurs për mësimdhënës për disa lëndë të ndryshme në shkolla.

Ndër të tjera, ishte hapur konkursi edhe për mësimdhënës të edukatës fizike, për plotësimin e 4 pozitave për shkollat fillore dhe 1 pozitë për shkollat e mesme të ulta.

E të diplomuarit në kolegjet private në vend po ndihen të diskriminuar nga konkursi, pasi nuk po u pranohen diplomat në këtë rast.

Kujtim Berisha kishte aplikuar për njërën nga këto pozita.

Ai ka diplomuar në vitin 2020 në Kolegjin privat ‘AAB’ në drejtimin Kulturë Fizike dhe Sport, niveli Bachelor.

Por, në konkursin e shpallur të Komunës së Prishtinës ai është refuzuar, me arsyetimin se diploma e kolegjit privat nuk vlen.

Arsyetimi i Komunës së Prishtinës, sipas Berishës, është bazuar në Udhëzimin administrativ nr.02/2017 për vlefshmërinë e programeve studimore të bartësve privat të arsimit të lartë (BPrAL).

“Jam refuzuar nga Komuna për shkak se më kanë thënë se drejtimi i këtij kolegji privat nuk është i akredituar. Gjoja se prej vitit 2011 asnjë student nuk mund të aplikojë dhe nuk mund të jetë pjesë e konkursit, nëse është diplomuar në kolegj privat”, ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Neni 2 ‘Kushtet dhe kriteret’ të Udhëzimit Administrativ nr.02/2017, e përcakton se si do të trajtohen të diplomuarit në kolegjet private.

“Bartësve privatë të arsimit të lartë, që iu sigurohet vlefshmëria e programeve studimore të cilat çojnë në kualifikim për mësimdhënës, programe që kanë qenë të akredituara dhe licencuara para hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, datë 9 shtator 2011”, thuhet në nenin 2 të këtij Udhëzimi administrativ.

“Të gjithë të diplomuarit në programet studimore që kanë qenë të rilicencuara dhe riakredituara sipas nenit 2 të këtij Udhëzimi, konsiderohen të barabartë me të diplomuarit në institucione publike”, thuhet në nenin 3.

Sipas dokumenteve që ka ofruar Berisha, drejtimi Kulturë Fizike dhe Sport në Kolegjin AAB ka qenë i akredituar edhe para vitit 2011.

Berisha i është drejtuar dekanit të këtij Fakulteti në Kolegjin AAB, Fatmir Pirevës, për të kërkuar dëshmi se drejtimi ka qenë i akredituar.

“Një problem të tillë nuk e kemi me komunat e tjera, të cilat pa kurrfarë problemi i njohin diplomat e Kolegjit AAB dhe kemi plot raste kur edhe ish-studentët tanë janë pranuar në punë dhe janë licencuar si mësimdhënës. Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit për herë të parë është licencuar dhe akredituar programi Bachelor 3-vjeçar në vitin 2007 dhe Master në vitin 2009”, thuhet në përgjigjen e dekanit Pireva, drejtuar Berishës.

KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, të datës 5 shtator 2016, ku aty i riakreditohet programi i studimit për periudhën 5-vjeçare Kolegjit AAB, ndër të tjera, edhe drejtimi Kulturë Fizike dhe Sport.

Gjithashtu, KALLXO.com ka kontaktuar zyrën për media në Komunën e Prishtinës dhe Drejtorinë e Arsimit, për të pyetur rreth këtij problemi.

Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit, është përgjigjur duke thënë që t’i drejtohemi Zyrës së Burimeve Njerëzore, pasi ata i bëjnë procedurat e rekrutimit. Ndërsa Zyra për Media dhe Zyra e Burimeve Njerëzore të Komunës së Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me problemin, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

KALLXO.com në muajin gusht kishte raportuar për një tjetër rast ku Komuna e Prishtinës kishte diskualifikuar një kandidate në konkursin për mësimdhënës, e cila ishte e diplomuar në një kolegj privat.

Komuna e Prishtinës diskualifikoi kandidaten për mësimdhënëse pasi ka nivelin Bachelor në kolegj privat