Foto-ilustrim

Të dhënat tregojnë dështimin e institucioneve në trajtimin e rasteve të krimeve seksuale

Dje opinioni publik u trondit nga rasti ku një 11-vjeçare dyshohet se u dhunua seksualisht nga 5 persona për orë të tëra me radhë.

Tashmë 5 të dyshuarit e ngjarjes që ka ndodhur më 27 gusht janë arrestuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, 11-vjeçarja ishte dhunuar seksualisht përderisa ishte duke ecur në njërin nga parqet e kryeqytetit. Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila po ecte e vetmuar.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prekte me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park e më pas e kishin dhunuar duke ia mbajtur duart e duke ia mbyllur gojën.

Opinioni publik u trondit edhe më tepër kur u mësua se 27-vjeçari, i cili dyshohet për dhunimin e të miturës, kishte të kaluar penale dhe atë për 9 raste të ndryshme kriminale.

Ky rast që fatkeqësisht nuk është i vetmi, tregon ‘dështimin’ e institucioneve të drejtësisë në vend.

Ngjashëm ndodhi edhe në këtë fillim vit kur një vajzë e re, Marigona Osmani, ishte dërguar pa shenja jete nga dy persona në Spitalin e Ferizajt.

Dosja hetimore e Prokurorisë përshkruante se e ndjera Marigona Osmani ishte dhunuar para se të vritej nga i akuzuari Dardan Krivaqa.

Dardan Krivaqa rezultoi të kishte të kaluar të errët kriminale pasi ishte i dënuar në 9 raste me vendim të formës së prerë për vepra të ndryshme penale.

Tronditje të ngjashme opinioni publik kishte pasur edhe në vitin 2020 kur mbi dyshimet për abuzim seksual me të miturën 16-vjeçare ishin arrestuar një mësues, një polic, një avokat dhe një doktor.

Në lidhje më këtë rast ishte ngritur edhe aktakuzë nga prokurorja e Prishtinës. Sipas aktakuzës abuzimi me të miturën kishte filluar me mësuesin e vazhdoi deri tek zyrtarët e Policisë dhe tek avokati.

Për rastin e të miturës nga Drenasi në dhjetor të vitit 2021 ishin dënuar 5 persona.

Mësimdhënësi Sh.Xh. ishte dënuar 4 vite e 6 muaj burgim, polici me 4 vite, avokati me 2 vite burgim ndërsa dy persona të tjerë me nga 2 vite burgim me kusht.

Dështimin institucional më së miri e tregon hulumtimi i KALLXO.com mbi dënimin me 8 muaj burgim ndaj të akuzuarit për dhunimin e të miturës 15-vjeçare.

E mitura 15-vjeçare sipas dosjes hetimore ishte dhunuar pasi kishte dalë nga spitali. Atë e kishin ndalë papritmas dy persona, të cilët i janë kanosur me thikë dhe e kanë dërguar në një shtëpi të braktisur, ku ishte dhunuar gjatë gjithë natës.

Ngjarja e cila kishte ndodhur në Gjakovë në janar të vitit 2012, ishte gjykuar gati një dekadë më vonë me një vendim skandaloz prej 8 muaj e 8 ditë burgim ndonëse dënimi parashihej të shqiptohej deri në 20 vite.

Ndonëse për vendimin e marrë, gjyqtarja Florije Zatriqi ishte suspenduar nga Këshilli Gjyqësor, ajo ishte rikthyer sërish në punë. Ndaj saj ishte shqiptuar vetëm masa e degradimit në pozitë, nga gjyqtarja për të mitur në gjyqtare për kundërvajtje.

Së fundmi një hulumtim i KALLXO.com tregoi për dështimin e sistemit të drejtësisë në  gjykimin e krimeve seksuale.

Analiza tregon se nga viti 2016 e deri në vitin 2019 janë parashkruar plot 197 raste të krimeve seksuale.

Më tragjikja është se 39 lëndë janë parashkruar për shkak të mosndërmarrjes së asnjë veprimi nga ana e gjykatës për një periudhe të gjatë kohore, e cila në zhargonin juridik quhet parashkrimi relativ i rasteve.

Të dhënat tregojnë që Gjykata e Prishtinës është vendi ku kanë ndodhur më së shumti vjetërsime të lëndëve.

Sipas kësaj analize, gjatë viteve 2017-2020, në të gjitha gjykatat e shkallës së parë janë trajtuar 181 raste të dhunimit, prej të cilave në 26 raste janë shqiptuar dënime me burgim, 20 raste dënime me gjobë dhe dënime me kusht, ndërsa 7 raste janë vjetërsuar për shkak të mostrajtimit me kohë.

Pra, më shumë ka pasur dënime me gjobë dhe me kusht se sa dënime me burgim efektiv për vepra penale të dhunimit.

Analiza e KALLXO.com tregon edhe për praktikën e gjykimit të keqtrajtimit seksual të të miturave. Rreth 47% të rasteve gjatë viteve 2017-2020 janë ndëshkuar me gjobë ose me kusht ndërsa 53% e tyre kanë përfunduar me dënime me burgim.

Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale