Të Dhëna Shqetësuese për Homofobinë në Kosovë

Shoqata për të drejtat e komunitetit LGBT (Lezbike, Gej, Biseksual dhe Transgjinor) “Libertas” dhe Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” prezantuan të premten hulumtimin mbi qëndrimet e shoqërisë kosovare ndaj homoseksualitetit.

Të pranishëm në këtë prezantim, që u mbajt në restorant “Pjata” ishin përfaqësues të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Suedisë, Holandës, përfaqësues të shoqërisë civile, Avokati i Popullit dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës.

Hulumtimi është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe jep një pasqyrë të qëndrimeve të shoqërisë kosovare ndaj homoseksualitetit. Hulumtimi nxjerr rezultate mjaft shqetësuese sidomos lidhur me shkallën e homofobisë në Kosovë.

Në njërën nga pyetjet e këtij hulumtimi “si do të ndjeheshit nëse do ta kuptonit që një koleg i punës është homoseksual?”, 74 për qind e të anketuarve janë shprehur si tejet homofob, ose homofob. Vetëm 13.3 janë shprehur si johomofob, ose tejet johomofob. Mes tjerash, hulumtimi konludon se shkalla e homofobisë bëhet më e lartë sa më shumë që i afrohet rrethit shoqëror dhe familjes. Praktikisht, çdo i 20-i i anketuar është johomofob, kurse 19 të tjerë shfaqin simptome të homofobisë së shkallëve të ndryshme, shumica të homofobisë ekstreme.

Si do të ndjeheshit nëse do të kuptonit se një koleg i punës është homoseksual?

Në seksionin e homofobisë dhe partive politike në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës ka përqindjen më të lartë – 64 % të përgjigjeve pozitive në pyetjen nëse homoseksualët duhet t’i kenë të gjitha drejtat si të tjerët. Ndërsa të anketuarit nga Lidhja Demokratike e Kosovës në përgjithësi mbajnë qëndrim 50/50, njëherit më i ulëti krahasuar me katër partitë kryesore në vend.
 
Hulumtimi përmban mbi 30 anketa të ndryshme të cilat ndërlidhen me qëndrimet e shoqërisë kosovare ndaj homoseksualitetit.

Prezantimin e hulumtimit e bëri Shkelzen Maliqi, ndërsa A. M. nga shoqata “Libertas” foli për rëndësinë e këtij hulumtimi. “Është me rëndësi të dimë se cila është gjendja në teren dhe tani për herë të parë e kemi një hulumtim i cili flet mbi këtë”, tha A. M.

Kurse, C. D. foli për rëndësinë e një hulumtimi si ky. “Një hulumtim i tillë vjen në kohën më të mirë sidomos pas sulmeve ndaj stafit të Kosovo 2.0”. C. D. gjithashtu shtoi se komunitetit LGBT do të vazhdojë të luftojë për drejtat tyre.

Pas prezantimit, foli edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili premtoi se institucioni i tij gjithnjë do të jetë në mbështetje të komunitetit LGBT, ndërsa tha se është koha të dalin haptas të gjithë ata që fshehin orientimin seksual. “Personalisht jam ndalur dhe maltretuar me dhjetëra herë nga policia serbe, megjithatë asnjëherë nuk kam pushuar se luftuari për t’i arritur qëllimet e mija”, shtoi Kurteshi.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, gjithashtu iu drejtua të pranishmëve duke thënë se hulumtimi është i nevojshëm dhe se respektimi i të drejtave të çdo komuniteti është i rëndësishëm për Kosovën. “Hulumtimi tregon se libri nuk është mbyllur dhe që ne duhet të punojmë më shumë, sepse kjo nuk është një luftë e pashpresë”, shoti Bosch.

Në pyetjen e Gazetës Jeta në Kosovë nëse janë të kënaqur me reagimin e policisë dhe hetuesisë që nga incidenti me “Kosovo 2.0” dhe “Libertas”, ambasadori holandez shprehu bindjen se së shpejt do të ketë “rezultate”.

Në lidhje me këto incidente A. M. nga shoqata për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, “Libertas” tha se numri është shtuar numri i anëtarëve vullnetarë të kësaj shoqate. “Kemi pranuar shumë telefonata dhe shume njerëz na janë ofruar të na ndihmojnë pas incidenteve të dhunës ndaj nesh. Jemi mjaft të motivuar dhe të vendosur t’i mbrojmë drejtat tona”. A. M. sheh ndryshimin e perceptimeve ndaj komunitetit LGBT duke me anë të informimit dhe mbështetjes institucionale.

“Shumica e njerëzve nuk kanë informacion lidhur me orientimet e tjera seksuale si rezultat kemi shumë paragjykime. Edhe Qeveria duhet të bëjë kampanja publike të ngritje së vetëdijes për ketë çështje” përfundoi A. M.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar disa herë mbi dhunën që ushtrohet mbi komunitetin LGBT e sidomos pas incidentit me Kosovo 2.0. Megjithatë asnjë person nuk është arrestuar apo shpallur fajtor deri më tani lidhur me dhunën e ushtruar me rastin e promovim të gazetës “Kosovo 2.0”.