Të dënuarit për terrorizëm me programe brenda burgjeve për deradikalizim

Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës përfunduan në konfliktin në Siri e Irak e dhjetëra prej tyre humbën jetën dhe nuk u kthyen më kurrë.

Të shumtë janë të kthyerit të cilët, u hetuan, gjykuan e u dënuan për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ende edhe sot nuk është zbardhur misteri se, kush i planifikoi, organizoi e financioi shkuarjet e kosovarëve të rinj në konfliktin në Siri.

Kosova edhe sot mbetet vendi i vetëm që pranoi të rikthej kosovarët të cilët ndoqën rrugën në mënyra të ndryshme ilegale dhe u bënë pjesë të konfliktit në Siri.

Gjithashtu shteti i vogël  kosovar është i vetmi në rajon që riktheu numrin më të madh të qytetarëve të tij në Kosovë ani pse trajtimi i tyre pritej të ishte sfidues.

Nga gjithsej 11 qendra korrektuese/ burgje, në dy prej tyre po vuajnë dënimin të burgosurit për terrorizëm.

Disa nga kosovarët me qëllime për të kryer krime e të tjerë me qëllime ende të paqarta, të cilët u bënë pjesë e luftërave të huaja në Siri e Irak e që u kthyen më pas në Kosovë e u dënuan po qëndrojnë në Burgun e Dubravës dhe në atë të Dyzit (Burgu i Sigurisë së Lartë).

Institucionet e Kosovës me anë të programeve të ndryshme po punojnë në deradikalizëm edhe për të burgosurit për terrorizëm por edhe për gratë e fëmijët që u rikthyen në prill të vitit të kaluar (2019).

Shërbimi Korrektues i Kosovës për KALLXO.com ka thënë se përmes plan programeve të saja rehabilituese dhe ri-socializuese për të burgosurit e kësaj kategorie, duke u bazuar edhe në strategjinë e hartuar në zhvillimin e programeve specifike në trajtimin e të burgosurve për terrorizëm, aplikon programe të përgjithshme dhe ato të veçanta specifike.

“Programet që janë zhvilluar deri në fillim të shfaqjes së pandemisë COVID-19 kanë qenë shkollimi i mesëm profesional në Qendrën Korrektuese në Dubravë, Arsimimi dhe edukimi për të kundërshtuar ideologjinë dhe për të zhvilluan të menduarit kritik, ushtrimin e vetëkontrollit, aftësimin dhe trajnimin profesional si zdrukthtrari, ujësjellës, axhustator, klimatizim etj, Intervenimi i punës sociale për të krijuar vizion të qartë dhe të ardhme me të mirë, Sjelljet njohëse kognitive në BSL të mbajtura me nga 25 sesione, Trajtim të shëndetit mendor, Aktivitete sportive e rekreative për të zhvilluar punën ekipore, mirëbesimin dhe vet përmbushjen pa iu nevojitur dhuna, Aktivitete ne procese pune si në: pastrim dhe mirëmbajtje të hapësirave, shpërndarje të shujtave, kopshtar, berber dhe artizanat, etj.”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës për KALLXO.com.

Muajin e kaluar pra në gusht, një trajnim njëmujor është mbajtur në Burgun e Dubravës ku pjesëmarrës kanë qenë 14 të burgosur për terrorizëm e ku tema e këtij trajnimi ishte menaxhimi i zemërimit.

“Të gjithë pjesëmarrësit në këtë trajnim janë certifikuar”, ka thënë Shërbimi Korrektues i Kosovës për KALLXO.com.

Në përgjigjet e SHKK-së drejtuar KALLXO.com janë dhënë detaje edhe në lidhje me programet ku janë të involvuar të dënuarit për terrorizëm.

Sipas SHKK shkollimin e mesëm profesional pra vitin shkollor 2020/2021 në drejtimin për axhustator, hidroinstalim dhe mekanik në Burgun në Dubravë, kanë filluar ta mbajnë pesë të dënuar për terrorizëm.

Tutje thuhet se për shkak të planit operativ kundër COVID-19 është ndërprerë programi për aftësim dhe trajnim në zdrukthëtari, ujësjellës, axhustator, klimatizim.

“Programi Sjelljet njohëse kognitive në Burgun e Sigurisë së Lartë ka filluar me 31 Tetor 2019, pjesëmarrës janë 3 të dënuar me vepra që ndërlidhën me Terrorizmin, program ky i cili mbahet ne 25 seanca”, vazhdojnë përgjigjet e SHKK-së për KALLXO.com.

Nga fillimi i muajit shtator pra këtij muaji, në pavijonin e tetë të Burgut të Dubravës ka filluar projekti me pajisje sito-shtyp me të cilat planifikohet te fillohet puna artizanale me të burgosurit aktual të këtij pavioni, që janë të dënuar për terrorizëm.

Përveç aktiviteteve e trajnimeve, të burgosurit që janë të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm janë të angazhuar edhe në punë.

19 nga gjithsej 30 të dënuarit për terrorizëm kryejnë punë brenda burgjeve ku mbahen për pastrim, mirëmbajtje të hapësirave, shpërndarje të shujtave si dhe kopshtari.

Ani pse SHKK thotë se po aplikohen programe të shumta te të dënuarit për terrorizëm, Qendra kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se nuk ka pasur ndonjë përparim apo ndikim të theksuar të këtyre programe,

“Të dënuarit për terrorizëm kanë shprehur pakënaqësitë ndaj tyre dhe këto programe i kane vlerësuar si të panevojshme për ta. Në perceptimin e përgjithshëm duket se këto programe nuk u bëjnë shumë përshtypje të dënuarve. Në mesin e vitit 2019 në këto programe kanë qenë të përfshirë vetëm 8 të dënuar të kësaj kategorie. Fillimisht të dënuarit i kanë mirëpritur këto programe, por ndërkohë disa prej tyre janë tërhequr”, thuhet në përgjigjet e QKRMT-së për KALLXO.com.

QKRMT thotë se programet për të dënuarit për terrorizëm më shumë janë të fokusuara në aspektin e sigurisë së sa në rehabilitim apo ri-socializmi të të dënuarve.

“QKRMT nuk ka përcjellë për së afërmi projektet apo programet e rehabilitim. Është raportuar se një numër i konsiderueshëm i stafit korrektues trajnohet në vazhdimësi për aspekte/ programe të trajnimit për këtë kategori. Këto programe më shumë janë fokusuar në aspetet e sigurisë duke lënë më pak hapësirë për rehabilitim dhe si-socializim të të dënuarve”, thuhet tutje në përgjigjet për KALLXO.com.

Madje QKRMT thotë se ka pasur ankesa nga ana e të dënuarve për terrorizëm ndaj qasjes së sistemit korrektues për nevojat dhe kërkesat e të dënuarve.

“Disa të dënuar për terrorizëm të intervistuar nga ekipet e QKRMT kanë deklaruar se mungon komunikimi me ta dhe qasja mirëkuptuese nga ana e Shërbimit Korrektues. Sipas tyre, shteti vetëm i ka mbyllur aty dhe u shkel disa beneficione që parashihen me Ligj (si: e drejta për vizita familjare, lirimi me kusht etj.). Ata janë ankuar për këtë qasje diskriminuese ne raport me te dënuarit e tjerë, të cilët përfitojnë nga këto beneficione”, ka thënë QKRMT për KALLXO.com.

Sipas tyre disa të dënuar edhe pse me burgime afatshkurta nuk mund t’i gëzojnë këto të drejta dhe janë te kategorizuar me rrezikshmëri, vetëm për shkak të natyrës së veprës penale të kryer.

“Burgu i Sigurisë së Lartë ka shprehur brengën se për shkak të dënuar të kësaj kategorie lirohen vazhdimisht (për shkak të dënimeve afatshkurtra) mekanizmat e jashtëm mbikëqyrës dhe të sigurisë nuk janë aq të gatshëm t’iu përgjigjen nevojave te tyre. Kjo edhe për faktin se programet rehabilituese janë vështirë të zbatueshme dhe nuk mund të kenë efektet e pritshme për të dënuar me dënime afatshkurta”, thotë Qendra kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Vitin e kaluar, Kosova riatdhesoi kontingjentin më të madh të kosovarëve që u kthyen nga Siria.

110 kosovar prej tyre, tre burra një i mitur, 32 gra e 74 fëmijë  arritën pak para mesnatës së 20 prillit në tokën kosovare. Një jetesë krejt ndryshe nga ajo që kishin parë në Siri e Irak priteshin ta përjetonin fëmijët e rikthyer 9 nga ta pa asnjërin prind pasi që kishin vdekur në frontin e luftës.

Me fëmijë në krah e me burka të zeza, gratë fillimisht ishin vendosur që Qendrën e Azilit në fshatin Vranidoll për të kryer të gjitha kontrollet mjekësore për tu vëndosur më pas në lokacione të ndryshme në arrest shtëpiak deri sa të fillonte gjykimi ndaj tyre.

Burrave të rikthyer ku bënin pjesë tre të rritur dhe një i mitur, ishin dërguar menjëherë në paraburgim për të vazhduar më pas pjesën e gjykimit.

E gjitha kishte nisur në pranverën e 2011-s. Në Siri në atë kohë nisën protestat për rrëzimin e diktatorit sirian Bashar Al Asad, protest këto që eskaluan në një konflikt e të të cilin kanë humbur jetën gati gjysmë milioni njerëz, ndërsa në konflikt janë përfshirë disa shtete si ShBA, Rusia, Turqia dhe Irani.

Duke e parë distancën me Sirinë e Irakun ku më pas u zgjerua konflikti dhe duke ditur që ky konflikt nuk ndërlidhej apo nuk kishte ndonjë relevancë për Kosovën, pak kush do të mund të mendonte se në këtë konflikt do të përfshiheshin mbi 400 shtetas të Kosovës, afër 80 prej të cilëve nuk do të ktheheshin kurrë në vendlindje duke humbur jetën.

Mbi 400  burra, gra e fëmijë disa prej të cilëve lindën në fushëbetejat e Sirisë, u përfshinë në njërin nga konfliktet më tragjike të shekullit XXI.

Hovi i shtetasve të Kosovës që t’i bashkëngjiten luftës në Siri filloi në vitin 2012 ndërsa para kësaj periudhe në Kosovë qëndroi edhe një delegacion i Ushtrisë së Lirë Siriane.

Viti 2013 shënoi kohën kur situata në Siri eskaloi në përmasa drastike ndërsa në mesin e shumë formacioneve ushtarake, vëmendje dhe territor nisi të fitoj organizata ISIS e cila shumë shpejt u cilësua si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë bota demokratike perëndimore.

Pikërisht për këtë organizatë mizore terroriste dyshohet se luftuan pjesa më e madhe e kosovarëve që përfunduan në Siri ku disa prej tyre si Lavdrim Muhaxheri arritën të tmerronin botën me veprimet e tyre makrabre.

Të gjendur para një situate kaq të rrezikshme, autoritet e Kosovës për të parandaluar fluksin e të rinjve kosovarë që kishin mësyrë Sirinë filloi me ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe në gusht të vitit 2014 u arrestuan grupi prej 40 të dyshuarve për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Ndërsa arrestimet dhe gjykimet e të dyshuarve të tjerë vazhdojnë edhe sot. Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një ligj të veçantë që ndalon pjesëmarrjen në luftërat e huaja me qëllimin e vetëm ndalimin e fluksit të të rinjve që po i bashkoheshin organizatave terroriste.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë ngritur aktakuza për më shumë se 120 persona.

Pjesa dërmuese e rasteve për të cilat është ngritur aktakuzë tani veç ka marrë epilog nëpër gjykatat e Kosovës, ndërsa dhjetëra prej të dënuarve gjenden në vuajtje të dënimit.

Megjithatë, me gjithë punën e organeve ndjekëse, policisë dhe prokurorisë dhe gjykatave,  shumica absolute e personave të akuzuar për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut u akuzuan dhe u dënuan për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Por kemi vetëm disa raste që dikush është dënuar për rekrutimin  apo nxitjen/shtytjen e këtyre të rinjve për t’ju bashkangjitur konfliktit në Siri dhe Irak, duke ngjallë shqetësim se ata që rekrutuan, financuan, organizuan shkuarjen në Siri, mbetën pa u ndëshkuar.

Prej rasteve të pakta gjyqësore për rekrutim në terrorizëm, është rasti i ish-imamit nga Gjilani, Zeqirja Qazimi.

Në maj të vitit 2016, Gjykata në Ferizaj kishte dënuar, Zeqirja Qazimin, Ilir Berishën, Sadat Topojanin, Burim Ballazhin dhe Jetmir Kyqykun me akuzën e rekrutimit për terrorizëm.

Qazimi ishte dënuar me dënim unik prej 10 viteve, Berisha ishte dënuar me 8 vite burg, Topojani me dënim prej 7 vite e 6 muaj burg, Burim Ballazhi me 4  vjet e 6 muaj burg ndërsa Jetmir Kyqyku me 4 vjet burg.

Po për rekrutim për terrorizëm, në shtator të vitit 2016, Gjykata në Ferizaj kishte dënuar edhe Musa Ademin i cili ishte dënuar me 5 vjet burg.

Blerim Heta, sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, më datë 24 mars 2014 kishte kryer akt vetëvrasës ku kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Pjesëmarrësit e konfliktit në Siri e Irak u gjykuan e u dënuan, rekrutuesit mbeten mister