Të bombarduar nga qielli, të masakruar në tokë

21 vjet nga Masakra e Dubravës, të mbijetuarit mbajnë të gjallë në kujtesë tmerrin që panë  me sy, përderisa të afërmit e atyre që nuk arritën të mbijetojnë mbesin të  zhgënjyer për mungesë të drejtësisë për më shumë se dy dekada.

Rrugët e zbrazura për shkak të pandemisë së coronavirusit, Enver Dugollit ia kujtojnë fundin e prillit të vitit 1999, derisa si i burgosur politik po bartej nga burgu i Mitrovicës së Sremit të Serbisë në drejtim të burgut të Dubravës, në Istog. Nga dritaret e autobusit kishte vështruar rrugët e zbrazura të Kosovës në gjendje lufte. 

Në Kosovë, Dugolli po kthehej pas më shumë se një viti qëndrimi në burgun e Serbisë e cila në atë periudhë po bombardohej nga NATO-ja. Dugolli kishte vuajtur në burgjet serbe pas pjesëmarrjes në protestat studentore të vitin 1981 në Kosovë. Në vitin 1997 ai ishte dënuar me 10 vite burgim si njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

 Me të ardhur në Dubravë, për Dugollin kishte qenë e habitshme sjellja më e butë e gardianëve ndaj të burgosurve në krahasim me torturat që përjetonte prapa grilave në Mitrovicën e Sremit.

Enver Dugolli, ish- i burgosur politik që i mbijetoi Masakrës së Dubravës

“Teksa në Srem na rrahnin katër-pesë herë në ditë, këtu ndryshoi sjellja disi. Por edhe mënyra se si na dërguan në Dubravë pak na bënte kurreshtar, sepse gjatë bombardimeve ata rrezikonin edhe veten. Por më vonë filluam të kuptojmë këtë sjellje, kur filluan të sillnin çdo ditë të burgosur tjerë”, kujton Dugolli. 

Mirëpo Dugolli dhe  rreth 1,000 të burgosur shqiptarë që u transferuan nga burgjet e Serbisë në burgut e Dubravës shpejt filluan ta kuptojnë se këtu kishte rreziqe tjera e  kjo u bë e qartë kur forcat e NATO-s me 19 maj kishin filluar të hedhnin bomba mbi ndërtesat e burgut, ku mbetën të vdekur tre të burgosur dhe ishin plagosur rreth 15 sosh. 

Sipas Dugollit, NATO kishte rënë ne grackën e serbëve sepse gjatë periudhës 98-99 sa këta të burgosur nuk ishin aty, Dubrava ishte shfrytëzuar si bazë ushtarake dhe kishte instaluar mjete ushtarake që sinjalizojnë që ai vend po shfrytëzohej nga ushtria Jugosllave–për tu bërë cak i sulmeve ajrore të NATO-s. 

Kjo u konfirmua edhe në gjykimin e Slobodan Millosheviç nga dy dëshmitarët Jusuf Krasniqi dhe Gani Baqaj që pohuan se armatim i ndryshëm ishte përqendruar përreth burgut.

Një gjë të tillë e kishte deklaruar edhe zëdhënësi i NATO’s në atë kohë Jamie Shea, i cili e konsideronte si sulm legjitim ushtarak sepse sipas tij bëhej fjalë për “baraka ushtarake”. 

Me të filluar bombat e para, stafi mirëmbajtës i burgut dhe të burgosurit serb kishin dalur jashtë perimetrit të mureve të burgut, duke i lënë shumicën e të burgosurve shqiptarë të mbyllur në qeli dhe caqe të bombave që vinin nga qielli i hapur. Por, siç kujton Dugolli, gjatë bombardimeve, lirimi i tyre nga dhomat e qelisë u bë falë të burgosurve ordiner shqiptar, të cilët me mjete që punonin në kopshtin e burgut kishin arritur të nxirrnin nga qelitë  të  burgosurit e ngujuar brenda grilave të  tyre.

Pas tre orëve sa kishin zgjatur bombardimet, autoritetet e burgut së bashku me të burgosurit serb ishin kthyer brenda, mirëpo kësaj radhe, përveç stafit zyrtar të burgut, të armatosur ishin edhe të burgosurit serb. 

“Na urdhëruan të rreshtohemi para pavijoneve. Meqë isha ka rendi i parë e dëgjova njëfarë Brako Kovatina, ka qenë si mbikëqyrës, ai e porositi një të burgosur serb ta shikoj si është gjendja e pavijoneve. Por meqë ishin qelitë e dëmtuara, na urdhëruan dilnim nga to por të qëndrojmë brenda objektit të burgut”, rrëfen Dugolli.

Siguria mbi të burgosurit filloi të kanosej në përmasa shumë më të mëdha në paraditen e 21 majit, kur filluan të intensifikohen bombardimet nga NATO-ja, ku mbetën të vrarë 16 shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Përveç të vrarëve nga bombardimet, të burgosurit e tjerë vriteshin edhe nga forcat serbe të cilët futeshin brenda mureve herë pas here për të kryer ndonjë ekzekutim mbi të burgosurit brenda.

“Unë fillimisht e kam pasë një hezitim se çka të bëj, se ke pa trupa njerëzish pa gjysmën e kokës, pa gjysmën e gjymtyrve edhe ka qenë bukur njëfarë sfide si me vepru. Por u dashke me ua dhanë ndihmë atyre që ishin të plagosur dhe shumë shpejt e kalova këtë ankth, sepse ajo pamje filloi me u bë njëfarë normaliteti”, kujton Dugolli.

Një raport nga organizata Human Rights Watch nënvizonte që 19 të burgosur mbetën të vrarë në sulmin e dytë dhe shumë të tjerë u vranë nga forcat serbe po atë ditë, të cilët në mënyrë sporadike hynin në qelitë e të burgosurve dhe i ekzekutonin ata.

22 maji

Pas një nate në qiellin e hapur dhe duke u përkujdesur për të plagosurit, pas orës pesë së mëngjesit, përmes një zëri që vinte nga kulla e vrojtimit të burgut, të burgosurit ishin urdhëruar që të bëhen rresht afër murit të burgut gjoja se po i përgatisnin për t’i dërguar në Serbi, meqenëse në Dubravë nuk kishte më kushte qëndrimi.

Mirëpo, gjersa afër 1,000 të burgosur shqiptarë formuan një rresht jo të rregullt, forcat serbe të hipur mbi muret e burgut filluan me breshëri sulmet mbi të burgosurit duke i sulmuar me granata dore, snajper, mitraloz e altileri të ndryshme armësh mbi trupat e tyre, ku si pasojë u lanë të vrarë rreth 100 civilë të burgosur shqiptarë. 

“Kemi fillu me ik të shpërndarë si kemi mundur, shumica jemi strehu në bodrumin e kuzhinës së burgut, ku tashmë kishim dy frika, edhe nga serbët që do të vinin të na vrisnin, edhe nga bombardimet e NATO-s”, tregon Dugolli, që ende e ka të  paqartë  se si arriti t’i shpëtojë gjithë  atij arsenali armësh që u shkrep mbi të dhe të burgosurit e tjerë. 

“Kur filluam të bëhemi rresht, ne grupi që ishim prej Mitrovicës së Sremit ishim 45 veta, por  përgjatë rreshtimit u ndamë sepse na hynë disa të burgosur tjerë në mes dhe u ç’rregulluam ngaqë donim të ishim prapë bashkë ata që ishim. Më pas unë u thashë që ne të burgosurit e Sremit po dalim në fillim të rreshtit. Fillimi ishte bukur larg por kemi dalë. Por, për fatin e keq të atyre që e mbuluan atë vend ku isha unë me shokët, po aty kanë goditur granatat e para dhe kanë qenë 13 të vrarë dhe veç një ka shpëtu, ai ka shpëtu sepse ka ra i pari në tokë dhe kufomat e kanë mbulu”.

Në mesin e të burgosurve ishte edhe i burgosuri Defrim Rifaj nga Prizreni, i cili për shkak të organizimit të protestave të Unionit të studentëve të Shkollës së Lartë në Prizren ishte i burgosur nga regjimi serb në atë kohë, dhe nga burgu i Nishit ai ishte transferuar në Dubravë në prill të 1999-tës.

Defrim Rifaj, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës

Rifaj ende kujton vrapimin e pakontrolluar për t’i shmangur rafalëve të armëve teksa shihte shokët e tij të burgut që binin në tokë të vrarë nga plumbat që vinin nga sipër murit të burgut.  

“Mua ma ka shpu plumbi xhemperin dhe nuk më ka goditur në trup,  imagjino çfarë fati”, thotë Rifaj, i cili e kujton edhe një rast tjetër fati gjatë atyre momenteve. 

“Kanë qenë dy vëllëzër të burgosur, vëllai më i madh e mbuloi me trup vëllanë e vogël që mos ta rrokin plumbat, por shkoj një pjesë e granatës dhe e goditi vëllanë përfundi, ai fatkeqësisht vdes ndërsa ky tjetri është ende gjallë.”

Gjatë asaj dite shumë të burgosur ishin fshehur në pjesë të ndryshme të burgut, teksa disa prej tyre, në mesin e të cilëve edhe Rifaj e kishin thyer spitalin e burgut për t’i ofruar ndihmë shumë të plagosurve.’

“Ka qenë ndihmë sa me iu ndal gjakderdhjen, ndoshta disa prej tyre jetojnë edhe falë asaj ndihme që kemi mundur ta ofrojmë”, tregon ai. 

Sikurse rrëfen Rifaj, jo të gjithë mund t’i përballonin ato pamje, pasi ka pasur persona edhe që e kanë varë vetën sepse nuk kanë mundur me përballu situatën e  rëndë.

Një gjë të tillë pak a shumë e kishte menduar edhe Defrimi. “Unë për vete e mbaja një brisk rroje me vete, se në rast që plagosem e bie në dorën e tyre, mos me i lanë me më maskaru”.

Përveç frikës që forcat serbe do ta vazhdojnë ekzekutimin, të burgosurit tashmë qëndronin edhe me ankthin që do të fillojnë përsëri bombardimet e NATO-s. 

Mirëpo, siç tregon Enver Dugolli, njërit nga të burgosuri i kishte rënë në mend një ide kreative se si ta informonte NATO-n se brenda burgut ka të burgosur.

“Një i burgosur i kishte hequr llampat e gjata të dritave të neonit dhe në pjesët e gjelbëruara të burgut me to e kishte shkruar ‘help’. Nuk e di a ka ndiku ajo, por më nuk ka pasur bombardime”, thotë ai. 

Pasdite, dhjetëra paramilitarë të maskuar kishin hyrë brenda hapësirave të burgut duke vazhduar të vrisnin me gjakftohtësi pengje të pambrojtura dhe të maltretonin qindra prej tyre, para se të fillonin t’i largonin nga aty për t’i nisur fillimisht në burgun e Lipjanit pastaj për në burgjet në Serbi.

Drejtësia e munguar  

Për dallim nga Dugolli e Rifaj, rreshtit të ekzekutimit nuk kishte mundur t’i shpëtonte edhe Kadri Morina nga Reshtani i Suharekës. Atëbotë 35 vjeçar, Morina kishte punuar si automekanik në fshatin e tij dhe profesionin e tij e kishte aktivizuar në mirëmbajtjen e mjeteve të UÇK-së duke u aktivizuar kështu edhe vet pastaj në Brigadën 123 e cila ishte stacionuar tek shtëpia e tij pasi që konsiderohej pikë strategjike nga UÇK-ja. 

Për shkak të aktivitetit të tij, atij iu kishte organizuar një pritë nga forcat serbe në tetor të 1998-ës duke e arrestuar për ta dërguar fillimisht në Burgun e Prizrenit ku ishte dënuar me 14 vite burg,  për ta transferuar pastaj në Burgun e Dubravës ku mbeti i vrarë në ekzekutimin e 22 majit. 

Vëllai, Haki Morina, thotë se për vdekjen e tij familja kishte kuptuar tek pas luftës nga disa familjarë të të burgosurve që përmes Kryqit të Kuq iu kishin mundësuar t’i vizitonin të afërmit e tyre në burgjet e Serbisë. 

Në qershor të 1999 duke e parë se NATO do të ndërhynte me forcat tokësore dhe ta çlironin përfundimisht Kosovën nga forcat serbe, mbi 2,000 të burgosur kryesisht politik u transferuan në Serbi, në mesin e tyre edhe Dugolli e Rifaj. 

Ndërkohë, familja Morina duke mos ditur për fatin e Kadriut, shpresonte se ai ishte në mesin e atyre që ishin transferuar në Serbi.

“Pas kësaj ndodhie ne nuk dinim asgjë, bile kemi ble edhe rroba për të, duke menduar që është gjallë diku në burgjet e Serbisë, por pastaj morëm vesh nga disa familjarë të të burgosurve tjerë që Kadriun e kishin vra”, tregon i pikëlluar ai. 

“Sa unë kam informacione vëllait ju kanë këputur disa pjesë të gjymtyrve, se s’kam mujtë me pa kur e kemi ri-varrosur, pra përveç që ka mbetur i vdekur ka qenë edhe shumë i dëmtuar fizikisht nga pjesët e granatave”.

Për vrasjen e Kadri Morinës dhe qindra të burgosurve tjerë deri më tani nuk është dënuar askush. Ndonëse ka patur dëshmitarë në gjykimin e Millosheviqit për masakrën e Dubravës,  askush nuk është dënuar lidhur me këto vrasje.

Ndërsa në vitin 2007 Shoqata e të Burgosurve Politik kishte bërë një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë por deri më tash nuk është arritur asgjë konkrete për të vënë ekzekutuesit e Kadriut dhe mbi 100 të burgosurve tjerë para drejtësisë.

Për mungesën e drejtësisë edhe pas 21 viteve, Haki Morina mbetet shumë i zhgënjyer se si për këtë rast sot e asaj dite ende nuk ka asnjë të dënuar. Ai thotë se është hera e parë që flet publikisht për këtë rast. 

Morina është edhe i befasuar pasi që ky krim nuk ishte një masakër e rëndomtë siç rëndomtë bënin forcat serbe në Kosovë ku autorët janë më vështirë të identifikueshëm, por kjo masakër kishte ndodhur brenda një institucioni korrektues dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve të Ministrisë së Drejtësisë të regjimit të Millosheviçit dhe siç thotë Morina kjo situatë i bën lehtë më të identifikueshëm autorët e krimit.

Të njëjtin mendim me Morinën ka edhe Enver Dugolli i cili është i zhgënjyer nga indiferenca vendore dhe ajo ndërkombëtare në lidhje me këtë rast. “Aushfici nuk ka qenë ndryshe, kamp përqendrimi që i grumbullojnë një nacionalitet tjetër dhe i vrasin”, thotë ai.

Përjetimet e rënda si dëshmi Dugolli i ka vendosur në librin e publikuar  në vitin 2019 “Qark i (pa) mbyllur burgjesh”, ku zënë vend edhe përjetimet gjatë masakrës së Dubravës e deri te lirimi i tij në vitin 2001.

Përveç mungesës së drejtësisë, për Dugollin është e befasishme edhe pranimi me aq lehtësi i politikanëve vendor që kishin pranuar vendimin e UNMIK-ut në vitin 2000 që Dubravën ta shndërrojnë përsëri në burg, duke zhdukur përfundimisht gjurmët e krimit.

“Jo të gjithë zyrtarët e UNMIK-ut kanë qenë disa burokratë që kanë qenë indiferent ndaj krimit, por njerëzit tanë nuk kanë mundur t’i bindin që ky vend duhet të mbetët muze”, shpjegon i zhgënjyer Dugolli.

Shqetësim të njëjte ndan edhe Defrim Rifaj, i cili ngjashëm me Dugollin rastin e Dubravës e quan Aushvic të fundshekullit 20.

“Unë besoj që kemi pasë me u ekzekutu të gjithë, por as vetë nuk e di çka ndodhi e si shpëtuam.”