Të besosh apo të mos besosh? Kjo është çështja

Shkruan Dibran Istrefi

Në një raport të publikuar së fundmi nga “Demokracia për Zhvillim” vihej në pah se për të nxjerrë të dhëna për raportimin e lajmeve nga portalet online janë monitoruar plot 76 portale në gjuhën shqipe, si dhe 55 të tjera në gjuhën serbe.

Në gjithë këtë numër të madh të mediave online domosodoshmërisht në pikëpyetje vihet edhe cilësia e raportimit. Për profesionistët e medias mungesa e cilësisë në raportim është fakt evident. Pavarësisht kësaj një gjë e tillë vazhdon të jetë prezente në pothuajse të gjitha mediat online, por shpesh herë nuk bëjnë përjashtime as mediat televizivie.

Se ka probleme të tilla është e pamohueshme, por ajo se me çfarë merremi më pak janë arsyet të cilat çojnë tek raportimi jocilësor.

Aq më pak merremi me dëmin që e shkakton raportimi jo cilësor në media.

Të ndalemi pak tek arsyet që çojnë në raportim jocilësor nga ana e mediave online kryesisht, por edhe nga ato televizive.

Parimisht nuk do të duhej të kishte ndonjë arsye që e legjitimon raportimin gazetaresk nën standarde të preferuara. Por, ja që nganjëherë krijohen situata të cilat thuajse pashmangshëm “obligojnë” mediat të raportojnë për një çështje të caktuar.

Një prej aryseve bazë që shpesh herë e dëmton cilësinë e raportimit në media është mostransparenca e institucioneve publike.

Si ndodh kjo?

Nuk është shumë e vështirë për ta kuptuar në esencë. Institucionet të cilat kanë përgjegjësi publike shpesh herë janë jotransparente në raport me mediat dhe mënyra se si ndodh një gjë e tillë i vonon përgjigjet për një temë të caktuar. Rrjedhimisht, një përgjigje zyrtare e munguar në një tekst gazetaresk në një formë apo një tjetër mund ta dëmtojë cilësinë e raportimit dhe të cojë në raportim të pa-saktë.

Një arsye tjetër që më së shpeshti çon në raportim jo cilësor është edhe dinamika e madhe e punës që është kryesisht në mediat online. Lufta për të arritur publikimin premierë të lajmit shumë shpesh sjell mungesë cilësie në një raportim.

Kjo mungesë cilësie dëshmohet kur lexohen tekste të ndryshme të cilat shpesh herë nuk i kanë përgjigjet nga të gjitha burimet e nevojshme që do të duhet t’i kishin në një tekst.

Në gjithë këtë konglomerat arsyesh të cilat janë faktorë që shpeshherë të ketë cilësi të dobët të raportimit nuk mund të përjashtojmë edhe raportimet e qëllimshme që ndodh të bëhen e të cilat nuk plotësojnë kriteret gazetareske.

Kjo është forma që më së shumti dëmton cilësisht gazetarinë, ndërsa arsyet pse bëhen raportime të tilla është ndjekja e agjendave të ndryshme të cilat mund të jenë politike, apo të natyrave të tjera.

Ndikimin negativ në cilësinë e raportimit kohëve të fundit pashmangshëm e ka shtuar edhe ajo çfarë po ngjan në Ukrainë. Kur kemi parasysh që atje ka një luftë dhe ballafaqimin me propagandën që në masë të madhe vjen nga Rusia nuk është gjë e lehtë dhe domosdoshmërisht e cenon raportimin e mirëfilltë gazetaresk. Se kjo ka pasur ndikim negativ e dëshmon edhe fakti i dedektimit të lajmeve të rreme që bëhet nga Kallxo.com në përditshmëri.

Rastet të tilla domosdoshmërisht prekin në thelb cilësinë e raportimit medial, por për më tepër kjo situatë prodhon edhe një pasojë tjetër për sistemin medial. E dëmton besueshmërinë e publikut në mediat kosovare dhe kjo është kryegjëja më e keqe që mund t’i ndodhë sistemit medial në Kosovë.

Se ka një lloj cenimi të besueshmërisë tek mediat tani për tani është goxha evidente, por është interesante se si ndikojnë në opinionin publik informacionet të cilat plasohen si lajme e të cilat mund të jenë nën standardet profesionale të gazetarisë.

Pra, problematika e kësaj cështje qëndron në faktin se edhe me lajme të cilat nuk janë në standardet e kërkuara profesionale krijohet opinion që mund të ketë impakt negativ për një person apo proces të caktuar.

Plasimi i informacioneve të cilat cilësisht në kuptim të standardeve profesionale kanë defekte mund të shkaktojnë dëme të pariparusheme, kryesisht kjo për persona fizikë. Kjo duke pasë parasysh edhe faktin e mosfunksionimit e mirë të sistemit gjyqësor.

Cila është zgjidhja?

Është e nevojshme që për të ngritur nivelin e cilësisë së raportimit medial të funksionojë zinxhiri i  përgjegjësisë, duke u nisur nga përgjegjësia personale e autorëve të shkrimeve të ndryshme, redaksia e deri tek përgjegjësia publike e organeve kompetente që kanë për obligim ligjor komunikimin me mediat.

Transparenca e institucioneve është e domosdoshme – gjë që është larg nivelit të kënaqshëm në Kosovë. Përgjegjësia e institucioneve para publikut, në këtë rast përmes mediave, domosdoshmërisht i krijon mundësi avancimi në një gazetari cilësore dhe i eliminon në masë të madhe gabimet e mundshme.

Por, kjo nuk mjafton! Është e domosdoshme që i gjithë spektri medial në Kosovë dhe punonjësit e këtij segmenti jashtëzakonisht të rëndësishëm të shoqërisë të ruajnë etikën profesionale dhe pikënisje të çdo shkrimi t’i kenë parimet bazike të gazetarisë.

Krejt në fund: kritika e mësipërme duhet të shërbejë vetëm si element drejt përmirësimit të nivelit të raportimit në mediat kosovare. Por, kjo nuk nënkupton në asnjë formë që i gjithë sistemi medial në Kosovë është i papërshtatshëm me standardet gazetareske. Kur flasim për mediat duhet të kemi parasysh gjithmonë se mediat në Kosovë qëndrojnë bindshëm në nivel më të lartë sesa në vendet e rajonit, kjo në kuptimin profesional.