Të Bashkuara në Feminizëm, të Ndara në Politikë (TV)

Shtatë gra politikane të Kosovës, kandidate për kryetare dhe asambliste nëpër komuna, thanë fjalët e tyre për problemet me të cilat ballafaqohet gjinia e bukur e Kosovës, në debatin  e drejtuar Nga Jeta Xharra, të martën mbrëma.

Donika Kada-Bujupi, kandidate e AAK-së për komunën e Istogut, Kaqusha Jashari, kandidate e PSD-së për Prishtinën, Ajnishahe Halimi, e LVV-së për Skënderaj, Labinota Murtezi që garon për kreun e Gjilanit, Teuta Hasani për atë të Istogut dhe dy kandidatet për asamble të Prishtinës e Prizrenit Laura Zherka e Mybera Shala-Mustafa, akuzuan shoqërinë patriarkale për shkeljen e të drejtave të tyre.

Sipas një hulumtimi të organizatave UNFPA dhe Alter Habitus nga të gjitha gratë e moshës së punës në Kosovë, vetëm 11 për qind janë të punësuara.

Organizatat kanë vlerësuar rreth 600 mijë gra të afta për punë, ndërsa nga ky numër të punësuara janë vetëm 66 mijë.

UNFPA-ja është një mekanizëm i Kombeve të Bashkuara që promovon të drejtat e secilës grua, burrë ose fëmijë, ndërsa Alter Habitus, është një organizatë e krijuar nga femrat profesioniste të disa fushave në Kosovë.

“Nga 208 punonjës që ka komuna Skënderaj vetëm 28  janë gra, asnjëra në post udhëheqës. Në shkolla janë 3 drejtoresha nga 30 shkolla sa ka komuna e Skënderajt, pohoi Ajnishahe Halimi kandidate e Vetëvendosjes për këtë komunë.

Pabarazinë që nuk vërehet vetëm në Skënderaj, gratë politikane të debatit provuan ta tejkalojnë nëpërmjet ideve të ndryshme duke kërkuar zbatim të Ligjit të punës, përkrahje nga familja, më shumë çerdhe që nënat të jenë më të lira për t’iu kushtuar profesionit.

Edhe Labinota Murtezi, kandidate e Partisë së Drejtësisë për kryetare të Gjilanit, tha se në komunën e saj vetëm një grua është në post udhëheqës, derisa hulumtimi i UNFPA-së dhe Alter Habitusit tregon se pronare biznesesh janë vetëm 6 për qind e femrave.

Donika Kada-Bujupi, deputete për tri mandate dhe kandidate për kryetare të Istogut politikën e sheh si një proces, nga cili merr rezultate për kontributin e dhënë.

“Kur je brenda një procesi jep kontributin dhe pret ndryshimin”, tha Kada-Bujupi. 

Ajnishahe Halimi thotë se është në politikë, ngase mendon se në shoqërinë civile nuk iu dëgjua sa duhet zëri.

Dëgjimin e zërit të saj e përmendi edhe kandidatja e PSD-së për Prishtinën, Kaqusha Jashari.

“Politika më ka falur suksese e kënaqësi, njëra prej tyre firmosja e deklaratës së pavarësisë, ashtu sikurse shpeshherë ka bërë që të dëgjohet zëri im me çdo kusht, rasti kur kam goditur me grusht tavolinën”, tha Jashari.

Teuta Hasani, Mybera Shala e Laura Zherka, hyrjen në politikë më tepër ia atribuuan aftësive personale e suksesit, duke mos harruar se në punët e tyre përfaqësojnë gjithmonë edhe gratë.

“Besoj se femrat kanë aftësitë dhe guximin për t’ia dalë secilës sfidë”, tha Teuta Hasani, kandidate e AKR-së për kryetare të Istogut.

Gratë kërkuan kuota të veçanta për to nëpër konkurse e arsim publik dhe zbritje taksash për ato që synojnë biznesin, pasi pavarësia materiale e femrave, i liron ato nga shumë padrejtësi me të cilat përballen.

Hulumtimi i Alter Habitusit dhe UNFPA-së përmend edhe ngacmimet seksuale të profesorëve ndaj studenteve, në këmbim të notave për to.

Shumica e grave në studio kërkuan dënime të rënda për ata që kryejnë këto veprime, ndërsa inkurajuan ato që kanë përjetuar ngacmim, ose dhunim të tillë, që të gjejnë forcë për të treguar.

“Ky fenomen nuk është dukuri. Një shembull i mirë në çdo profesion bën që të kalohen stereotipat. Më pengon fakti kur gratë kandidohen për simbole, kjo e rrit stereotipin”, tha Donika Kada-Bujupi, kur foli për këtë problem.

30 për qind nga deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të gjinisë së bukur.

Në debat u fol edhe për vetëdijesimin e femrave për mbrojtje nga shtatzënësitë e padëshiruara dhe planifikim të familjes.

Politikanet e pranishme thanë se për këto çështje duhet diskutuar me nxënësit që në klasën e nëntë të fillores, që nëpër qendrat e mjekësisë familjare të jepen këshilla për këto punë dhe që të rinjtë të kenë informata për sëmundjet seksualisht të transmetueshme.