Të Akuzuarit për Prerje Pyjesh Nuk Paraqiten në Gjykatë (TV)

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën nga 10 seanca që kanë qenë të parapara të mbahen vetëm paradite, asnjë prej tyre nuk është zhvilluar, sepse nuk është paraqitur asnjë i akuzuar.

Për të gjithë këta të pandehur rëndon akuza për dëmtimin e pyjeve, e Komuna e Ferizajt edhe ashtu njihet si zona më e dëmtuar në Kosovë.

Sipas Planit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës në malet e kësaj komune nga prerjet në periudhën qershor 2012-shkurt 2013 ishte paraparë një dëm prej 257 mijë eurosh, ndërsa dëmi i shkaktuar në terren është vlerësuar në 950 mijë euro, rreth trefish më shumë se parashikimi.

 Mosardhja e të akuzuarve në seancat e përcaktuara, detyroi gjyqtarin Adem Shabani që të përgatisë edhe urdhërarreste për sjellje me dhunë në gjykatë të disave prej tyre nga Policia e Kosovës.

Nga ora 09:00 e mëngjesit deri në ora 13:30 asnjë nga të akuzuarit nuk është paraqitur në seancë, përkundër që sipas gjykatës të gjithë kanë pranuar fletëparaqitjet, sepse kjo është dëshmar edhe në fletëkthesat që posedon gjykata.

Xhevdet Ramolli, përfaqësues ligjor në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Ferizajt kërkoi që dëmtuesit e pyjeve të sillen para drejtësisë.

“Nga 20 lëndë që kemi pasur sot 10 të akuzuar nuk janë paraqitur, ndërsa kërkojmë si nga prokuroria ashtu edhe nga gjykata që ndaj tyre të shqiptohen dënime të merituara për dëmin që i kanë shaktuar komunës”, tha Ramolli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ramolli tha se edhe ruajtësit e pyjeve nuk po vijnë për të dëshmuar nëpër seancat kundër dëmtuesve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar gjatë vitit të kaluar për një sulm që u është bërë dy rojave të pyjeve në rajonin e Kamenicës, nga një grup i prerësve illegalë të pyjeve në këtë komunë.