Targa Civile Për Veturën Zyrtare Të Kuçit

Lëvizjet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, me veturën zyrtare të tipit Audi, janë bërë më të padukshme prej qershorit të këtij viti. 

Vetura zyrtare e Kuçit është pajisur me targa civile.

Kolegu i tij partiak Bajram Rexhepi, që njëkohësisht është edhe ministër i Punëve të Brendshme, vendosi më 21 qershor të këtij viti për këto targa, bazuar në kërkesën e kabinetit të ministrit të Drejtësisë bërë një javë më herët.

Rexhepi deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se është e lejueshme që veturat zyrtare të funksionarëve të lartë shtetërorë të pajisen edhe me targa civile. Por, ministri i MPB-së mori këtë vendim për veturën e Kuçit, pas anulimit të disa vendimeve të ngjashme.

Vendimi bazohet në rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, e cila nuk përmban ndonjë nen që shpjegon lejimin e përdorimit të dy targave.

Ndërkohë kërkesa e kabinetit të ministrit Kuçi, për pajisje me targa civile, nuk përmban arsye specifike se pse kërkohet mundësimi i ndërrimit të tabelave të veturës zyrtare.

“Me anë të kësaj shkrese ne emër të zvkm [zëvendës kryeministri] dhe ministrit të Drejtësisë prof. Hajredin Kuçi, ju lutem që të mundësohet ndërrimi i tabelave të veturës personale AUDI të ministrit, nga tabelat zyrtare në tabela civile” , thuhet në shkresën e datës 14 qershor të këtij viti, drejtuar MPB-së nga Laura Zherka, shefe e Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë. 

“Nuk po më kujtohet arsyeja, po e di që ka qenë një arsye shumë e madhe që e kemi kërkuar këtë” ka thënë Zherka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë Kuçi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë dha një shpjegim tjetër për procedurën e pajisjes me targa civile të veturës së tij zyrtare. 

Shpjegimi i Kuçit është në kundërshtim me dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se autoritetet policore që bëjnë sigurimin e tij vendosin për tabelat e veturës së tij zyrtare.

“Përcjellësit e mi janë policë të Kosovës dhe ata merren me këtë çështje”, deklaroi Kuçi.

Sipas tij, policia e bën vlerësimin se si duhet vepruar në këso raste. 

“Në çdo vend të botës disa personalitete ruhen ndryshe dhe kjo është punë specifike e policisë që neve as nuk na japin shpjegime. Por çdo gjë është me ligj”, ka thënë Kuçi. 

Ministri Kuçi deklaroi se gjatë punës zyrtare përcillet nga policia, ndërsa pasdite dhe vikendeve vozit vetë veturën zyrtare. 

Ndërkaq Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, nuk deshi të komentojë deklaratën e Kuçit se “përcjellësit policorë merren me çështjen e ndërrimit të tabelave të veturës së tij”. 

Sipas tij i takon MPB-së që të flasë lidhur me këtë rast.

MPB-ja lejoi Kuçin pas anulimit të vendimeve të ngjashme 

Rexhepi, ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme që mbikëqyr Policinë e Kosovës, nënshkroi vendimin që lejon pajisjen e veturës së Kuçit me targa civile, një muaj pas anulimit të disa vendimeve të ngjashme. 

Ai më 7 maj 2013 vendosi që të shfuqizojë vendimet e mëhershme dhe aprovimet me leje të veçanta që mundësonin pajisjen e veturave zyrtare me targa të rëndomta/civile. 

“Të gjitha institucionet të cilave u është lejuiar pajisja me targa civile me vendimet nga pika 1 e këtij vendimi, në afat prej 5 ditëve duhet t’i dorëzojnë targat e rëndomta/civile në Agjencinë e Regjistrimit Civil/ MPB”, thuhet në vendimin e Rexhepit të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Ministri Rexhepi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se vendimi për pajisjen me targa civile të veturës së Kuçit është marrë në pajtim me rregulloret në fuqi. 

Sipas tij rregullorja në fuqi lejon që veturat zyrtare të funksionarëve të lartë shtetërorë të pajisen me dy lloje targash-civile dhe zyrtare. 

Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme deklaroi se një gjë e tillë  parashihet me Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e automjeteve, neni 33. “Personat të cilët kanë të drejtë t’i kenë dy palë targa për automjetin e njëjtë, do të përcaktohet me vendim të ministrit të MPB-së”, thuhet në këtë nen.

Më 15 prill të vitit 2013, bazuar në këtë udhëzim, Ministri i MPB-së morri vendimin që lejon pajisjen me dy palë targa të veturave të disa zyrtarëve të lartë shtetëror.

Vendimi lejon pajisjen me dy palë targa të veturës së presidentit, kryeministrit dhe zv/kryeministrave, kryeparlamentarit, kryetarit të gjykatës kushtetuese, kryetarit të supremes, kryeprokurorit të shtetit, ministrit të punëve të brendshme, ministrit të forcës së sigurisë dhe komandantit të FSK-së.