Takimi Me Natyrën

Takim me natyrën quhet pasditja e 14 marsit në Elbasan, dita kur dhjetëra mijëra qytetarë dalin në piknik për të festuar Ditën e Verës, këtë festë të rëndësishme në traditën e atij qyteti dhe të shqiptarëve përgjithësisht.

Përveç si praktikë simbolike, takimi me natyrën përmban edhe diçka poetike. Atë ditë bëhet piknik në natyrë, është festë, pushim, shpengim dhe shkarkim shpirtëror. Si praktikë simbolike, krahas faktit se lidhet me ekuinoksin pranveror dhe me traditën e vjetër të shënimit të ringjalljes së natyrës, takimi me natyrën ngjall një ndjenjë të veçantë e misterioze, sepse është takim me atë që e kemi shumë afër, e që e injorojmë; takim me atë që është tjetërfare, e që përmban edhe vetën tonë; takim me vet jetën, e të cilën e shkatrrojmë. Elbasani shquhet me traditë të lashtë kulturore e shpirtërore, andaj ky qytet do ta ketë kuptuar me kohë rëndësinë dhe magjinë e takimit me natyrën.

Sot, relacioni i njeriut me natyrën shtrohet e debatohet nga perspektiva të ndryshme teorike e filozofike. Përgjatë gjithë historisë së mendimit filozofik, filozofët dhe mendimtarët e ndryshëm kanë shpjeguar natyrën e njeriut, por edhe natyrën e vet natyrës. Fetë e mëdha si edhe ato të voglat, kanë definuar rolin dhe relacionin e njeriut me krijesën e Zotit që quhet natyrë. Kulturat dhe qytetërimet, si në rrafshin historik, ashtu edhe në atë gjeografik, kanë ndërtuar sisteme vlerash, modele sjelljesh, si dhe qëndrime e botëkuptime të ndryshme mbi natyrën. Nga perspektiva ekologjike, relacioni me natyrën nuk është vetëm fizik e biologjik, as vetëm praktik e pragmatik, as vetëm ligjor e racional, por është edhe etik e emocional.

Sa janë njerëzit të lidhur me natyrën në pikëpamje morale e emocionale, në Shqipëri dhe në Kosovë? Sa janë të përgjegjshëm mbi veprimet në mjedis? Sa ne në të vërtetë takohemi me natyrën dhe si bashkëveprojmë e bashkëjetojmë me të? Në të dy vendet, natyra ka qenë e shtypur dhe e shfrytëzuar si edhe vet njerëzit. Një lidhje solidariteti do të duhej të kishte ndërmjet të shtypurve të dikurshëm, por njerëzit, sa po e rikthyen lirinë e vet, jo që nuk u treguan solidarë e dashamirës ndaj natyrës,  por u bënë edhe më mizorë ndaj saj. Ata u bënë shtypës dhe  shfrytëzues të saj, sikur ajo t’iu kishte faj për vuajtjet e tyre.

Takimin me natyrën e gjejmë si në rutinat e jetës së përditshme, në festat, ritualet, aktivitetet publike, ashtu edhe në traditën letrare e artistike. Letërsia romantike pat ofruar përshkrime të bukura të natyrës për të forcuar lidhjen emocionale me të. Romantizmi e pat atdhetarizuar natyrën, me qëllim për ta bërë sa më të natyrshëm atdheun. Edhe letërsia e realizmit nuk ishte aspak realiste në raport me natyrën, sepse e fshehte një të vërtetë të madhe – të vërtetën se mbi të arriturat e njeriut, ngritej vet katastrofa e tij, katastrofa e natyrës. Letërsia bashkëkohore e përmend natyrën  në mënyrë sporadike, herë duke iu kthyer traditës gojore, herë asaj romantike, herë të vërtetave historike, e herë kredhjeve filozofike, por gjithnjë problemin e vendos në vet njeriun, në natyrën e tij, në kulturën dhe historinë e tij.

Takimet me natyrën që na i ofrojnë pamjet televizive në fushën e reklamës së turizmit, po ashtu nuk janë krejtësisht realistike. Ato na japin pamje të përzgjedhura të peisazheve dhe monumenteve, të cilat magjepsin me bukurinë, pastërtinë dhe shkëlqimin e tyre. Përdorimi i pamjeve të bukura të natyrës, për reklamë e përfitim, do të ishte gjë më pak e dhimbshme, po qe se gjendja reale do të ishte ashtu siq paraqitet në ekran. Mjerisht, në takimet e vërteta me natyrën, do të shohim se ndotja e ujit, e ajrit dhe e tokës, është pjesë e realitetit shqiptar dhe kosovar. Përveç se tek ne,  nuk di se ka vende në Evropë, ku midis qyteteve e fshatrave, skaj rrugëve e lumenjëve, lëndinave e maleve, detërave e liqejve, akoma hasen aq shumë mbeturina.

Grumbujt e mbeturinave, letrat e leckat e shpërndara gjithandej, pasqyrojnë mungesën e kulturës dhe të respektit tonë për natyrën, për jetën, për vetën dhe vendin ku jetojmë. Ato paraqesin shkelje jo vetëm të vlerave natyrore, por edhe të të gjitha vlerave me të cilat krenohemi e identifikohemi: të kulturës, historisë, gjeografisë dhe të qytetarisë sonë.

Këtë mungesë respekti po e tregojnë si subjektet individuale, ashtu edhe ata institucionale. Përgjegjësia  për gjendjen e mjedisit bie mbi të gjithë, si mbi ata që ndosin, ashtu edhe mbi ata që e durojnë ndotjen. Prandaj, ekologë e aktivistë, politikanë e ekonomistë, shkrimtarë e artistë, ekspertë e intelektualë, nxënës, studentë e punëtorë, dhe të gjith ju qytetarë, takojeni natyrën sa s’ju ka takuar ajo juve! Pastrojeni atë, sa nuk ju ka pastruar ajo juve! Përqafojeni atë, sa nuk ju ka përqafuar ajo juve! “Natyra është nënë, por edhe infanticide në të njëjtën kohë” – thot Edgar Morin.