Takimi i mësuesit me fëmijët Kosovarë të kthyer nga Siria e Iraku

Ikja nga kampi në kamp, rreziku për mbijetesë, bombat, granatat, armët e tanket, nuk ua kanë humbur fëmijëve të rikthyer ndjesinë për të dhënë dashuri.

Kështu i përshkruan nxënësit njëri nga mësuesit i cili që dy muaj po zhvillon mësimet intensive me 7 nga 74 fëmijë të cilët u kthyen në prill të këtij viti nga Siria dhe Iraku.

Në një nga shkollat e Prishtinës, në një klasë zhvillojnë mësimet shtatë nxënës nga mosha 9 deri në 14 vjeç.

Pesë vajza e dy djem mësojnë nga tri orë e gjysmë në ditë, për të lexuar, kuptuar e mbledhur numrat që i paraqiten në detyrat e tyre.

Në prill të këtij viti, Kosova riatdhesoi 110 persona, nga ta 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë. Nëntë nga 74 fëmijët u rikthyer pa asnjërin prind ndërsa ju dorëzuan familjarëve të vajzave e djemve të vrarë në luftërat e huaja.

Për ri integrimin e këtyre fëmijëve, institucionet e Kosovës përgatitën aktivitete të cila do të u ndihmonin fëmijëve të kuptonin një jetë tjetër, atë të cilën në Siri e Irak nuk kishin arritur ta bënin.

Nga gjithsej 74 fëmijët e rikthyer, 10 nga ta i takonin nivelit të kopshteve, pesë i takonin nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit.

Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Mësuesi i shtatë nxënësve të rikthyer në Kosovë emri i të cilit nuk publikohet me qëllim që të ruhet identiteti i fëmijëve  përshkruan për ‘Gazetën Jeta në Kosovë’ reagimet e para që fëmijët i patën me botën e re.

“Mundem me thanë lirisht se kanë bërë një hap mjaft të mirë, nëse them shumë mirë gabohemi por janë duke u ambientuar me një hap shumë të mirë, këtë po e vërejmë çdo ditë, tash sa do të ketë sukses në të ardhmen nuk mundem me ditë saktësisht por deri këtu jam i kënaqur”-thotë ai.

Mësuesi tregon për traumat dhe sfidat profesionale të tij.

“Duke pasur parasysh se ka prej tyre që kanë edhe trauma, paraprakisht duhet ti lirojmë që të shoqërohemi e më pas të zhvillojmë mësime.  Një orë mësimore zhvillohet duke pasur parasysh mangësitë e tyre, duke filluar së pari në gjuhë, matematike, shkrim, lëndë bazë për arsye se ata kanë kaluar prej një gjuhe komplet ndryshe se që e flasin tash. Vazhdojmë duke e parë se si do të jetë ardhmen do të vazhdojmë edhe me lëndë të tjera”, tregon tutje i njëjti.

Ai tregon tutje se mësimi është i rregullt deri sa shton se deri më tani është zhvilluar një sukses sa i përket integrimit dhe risocializimit të fëmijëve.

“Sfida kanë me kanë të ndryshme, duke nisur nga ngacmimeve të ndryshme, me sharje të ndryshme, për arsye se kanë qenë me familjet e tyre në një vend, në luftë që vazhdon ende të jetë, ka me pas sfida edhe të ardhmen por duke pasur parasysh se ata kanë filluar të integrohen në shoqëri s’besoj se kanë me pas problem por gjithsesi do të kenë sfida”, tregon ai për Gazetën JNK.

Ndonëse fillimi për të dhe fëmijët ka qenë i vështirë, mësuesi tregon se merret me ta në mënyrë shoqërore që të mos bëj ata të ndihen keq.

Mësuesi i shtatë fëmijëve të rikthyer nga vatrat e luftës, tregon se fëmijët kanë filluar shenjat e risocializimit.

“Po shumë duke e ditur se edhe çfarë moshe kanë, por për ta në të ardhmen ka me mbet një kujtim i hidhur por këta fëmijë do të ecin përpara”, tha ai.

E në lidhje me aktivitetet e verës, para se fëmijët të inkuadrohen në shkolla, mësuesi thotë se duhet të ketë më shumë aktivitete të tilla sepse janë ndihmë e madhe e tyre.

“I kanë ndihmuar shumë, veçse kur kam ardhur këtu fëmijët gjërat e para që më kanë treguar kanë qenë aktivitetet që i kanë zhvilluar paraprakisht para se me ardh në shkollë, kish me qenë mirë me vazhdu aktivitetet duke e ditur se kanë nevojë dhe ti harrojnë të gjitha ato sene dhe definitivisht këta janë qenie e pafajshme që kanë përjetuar diçka dhe ne duhet me u marr me ta në mënyrë më të mirë”, tregon ai për gazetën JNK.

Duke pasur parasysh se fëmijët kanë ardhur nga një vend krejt ndryshe nga Kosova, aktivitetet kanë qenë të domosdoshme, në mënyrë që ata të mësoheshin me jetën e re.

Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Qendrat e rekreacionit në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj, parku i Gërmisë ishin disa prej vendeve në të cilat u mbajtën aktivitetet për fëmijët e rikthyer nga luftërat e huaja.

Institucionet të cilat po merren me fëmijët e rikthyer, thonë se këto aktivitete kanë qenë të suksesshme, madje ata shtojnë se kanë pritur që të jetë sfidë e madhe kjo çështje.

Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministri të Punëve të Brendshme, tregoi se sa kishin pasur sukses aktivitetet e verës të cilët u bënë për fëmijët e rikthyer nga vatrat e luftës të cilat sipas programit do të mund të u ndihmonin në riintegrim.

“Këto aktivitete kanë qenë të suksesshme ashtu siç janë planifikuar, kanë dhënë rezultatin e pritur, i cili është vetëm një rezultat i suksesit i pjesshëm sepse ka qenë një plan me disa aktivitete të ndryshme”, tha Hoti.

Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Ai tregoi se qëllimi kryesor ishte risocializimi i fëmijëve dhe ambientimi në Kosovë.

“Në bazë të krejt asaj çka dimë, një rol të rëndësishëm në këtë proces e ka e kaluara e tyre, ata kanë jetuar në zona të luftës në kushte jashtëzakonisht të këqija në kohët e fundit, trauma, plagë, kushte të këqija të jetesës, humbja e familjarëve dhe kjo do të jetë elementi kryesor që mund të paraqes problem në riintegrim”, shtoi Hoti.

Hoti tha edhe se ende nuk ka ndonjë projekt kulturor ku janë të përfshirë edhe fëmijët e rikthyer.

Se fëmijët po identifikohen në shkolla si të rikthyer, një gjë të tillë thotë Hoti se ende nuk e kanë identifikuar si problem pasi që nuk kanë marrë raporte të tilla nga mësuesit ku vijojnë mësimet fëmijët e rikthyer.

Në çështje tjetër e cila nuk duhet të hidhet poshtë, por duhet të trajtohet me shumë seriozitet është edhe ajo se çfarë do të ndodh me fëmijët e rikthyer nëse ndaj nënave të tyre të rikthyera merret vendim për dënim me burg për shkak të shkuarjes në Siri e Irak.

Për një gjë të tillë, Hoti thotë se është menduar edhe ky rast.

E kemi menduar edhe këtë gjë. Zgjidhjet këtu janë ligjore në një situatë të tillë. Nëse fëmija mbetet pa përkujdesje i kemi punëtorët social që janë persona kyç në këtë proces dhe varësisht nga ligjet do të vazhdohet tutje edhe me ta, në raste specifike do të ketë ndonjë i afërm që dëshiron të kujdeset për të, në rast më të keq edhe qendrat e caktuara për përkujdesjen e fëmijëve”, tha Hoti.

Në vazhdën e emisioneve dhe hulumtimeve për fëmijët e rikthyer dhe deradikalizmin, gazeta Jeta në Kosovë ka marrë informacion se një grua e cila po mbikëqyr nipin dhe mbesën e saj, ka problem t’i dërgoj ata në çerdhe.

Kjo pasi që e njëjta i ka treguar gazetës se, për mbesën nuk ka vend në çerdhe ndërsa për nipin duhet të pritet një vendim për të vazhduar të shkojë në çerdhe.

Në lidhje me këtë rast, Mensur Hoti ka një përgjigje.

“Elementi kryesor obligativ për ne ka qenë që këta fëmijë të rikthyer të shkojnë në shkollë i cili është obligativ dhe kjo ka ndodhur. Parashkollorët nuk janë obligaive as për prind as për ne që të mundësojmë një gjë të tillë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk merremi me këtë proces, ne kemi evidentuar të gjithë ata që kanë nevojë të shkojnë në kopshte dhe në varësi se ku kemi hasur kësi lloj rastesh kemi asistuar por ka raste ku ende nuk ka përfunduar procesi”, tregon ai.

Tutje ai shton se të gjithë fëmijët o të arrijnë të bëhen pjesë e institucioneve parashkollore.

Pamje të shumta të luftës, vdekjes së njerëzve në zonat e luftës, kanë bërë që fëmijët të përjetojnë trauma nga më të ndryshmet dhe se padyshim këto trauma do të duhej të trajtoheshin me kujdes.

Psikiatrja Valbona Tafilaj e cila është edhe koordinatore për të rikthyerit gra e fëmijë nga Siria, ka treguar procedurat mjekësore të ndërmarra që nga dita e rikthimit e deri më tani.

Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com

Ajo tregon se gjendja e fëmijëve në fillim nuk ka qenë e mirë.

“Prej kthimit të fëmijëve dhe grave ne jemi marrë në aspektin e shëndetit mendor. Gjegjësisht me trajtimin e fëmijëve është marrë reparti i psikiatrisë së fëmijëve por kanë punuar shumë psikiatra dhe psikolog”, tha Tafilaj.

Ajo tregon se në cfarë ambienti jetojnë fëmijët e rikthyer se sa e kanë të vështirë të risocializohen në ambiente jo të mira.

“Kjo ka qenë edhe një ndër pikat kryesore që kemi dashtë me ua ofru fëmijëve të rikthyer dhe e kemi mbrri që fëmijët me pas një ambient të mirë. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë telashe me ambientin të cilin jetojnë”, tregon ajo.

Ganimete Gërbovci, Zyrtare e ri-integrimit të personave të radikalizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka treguar se si ka ecur procedura e aktiviteteve me fëmijët e rikthyer

“Fillimisht ne kemi pasur, para se me përfundu ky operacion për rikthimin nga Siria, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre që kanë qenë këtu. Prej atëherë kemi pasur kontakte dhe kemi fitu një besueshmëri, nga i cili kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se edhe bashkëpunimi me nënat e fëmijëve të rikthyer nuk ka munguar.

“I gjithë procesi nuk është i lehtë aspak, pasi që siç jeni në dijeni nuk kanë dokumente personale nuk janë të regjistruar në regjistrat e gjendjen ciivile në Kosovë si shtetas të Kosovës, kështu që të gjitha këto të shfaqin sfida dhe ngarkesë, po falë bashkëpunimit me akterët tjerë, e kanë kryer këtë proces në afat rekord”, shtoi ajo.

Ajo tregoi edhe se aktivitetet do të vazhdojnë me fëmijët e rikthyer.

Pak para mesnatës së 20 prillit, një avion amerikan zbriti në hapësira e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në po të njëjtin avion, u rikthyen 110 persona nga vatrat e luftës nga ta 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Po atë natë, çdo hyrje e aeroportit të pjesës VIP, ishte e siguruar me njësi speciale të cilët nuk lejonin askënd të futej brenda hapësirave.

Familjarë, autoambulanca, autobusë, polic, mjekë, psikolog, zyrtarë të institucioneve shtetërore, ishin në vendin ku po zbritnin të rikthyerit nga Siria e Iraku.

Më pas ata u dërguan në Qendrën për Azil në Vranidoll ku aty kryen procedura mjekësore dhe morën veten pas udhëtimit, e më pas u dërguan në shtëpitë e tyre.

Ndaj grave të rikthyera dhe burrave të rikthyer në Kosovë, po zhvillohet një proces gjyqësor, ani pse ndaj disa grave procesi po zhvillohet deri sa ato nuk kanë ndonjë masë të sigurisë.

Ekipi i “Jeta në Kosovë”, ka takuar pjesën më të madhe të grave dhe fëmijëve të rikthyer në Kosovë.

Gjithashtu që nga periudha e rikthimit, në shumë hulumtime e emisione Gazeta Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë, ka vënë në pah problemet me të cilat ballafaqohen të rikthyerit nga vatrat e luftës.

Si po jetojnë gratë dhe fëmijët e rikthyer nga Siria

Si po jetojnë gratë dhe fëmijët e rikthyer nga Siria

Certifikata e të vdekurve i lë pa ndihma familjet e të vrarëve në Siri e Irak

Jeta e grave nga kampet e ISIS në burgun shtëpiak të Kosovës