Foto: Hashim Thaçi/ Twitter

Takimet konsultative me partitë politike dhe roli ‘i kufizuar’ i presidentit drejt formimit të qeverisë së re

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që të mërkurën të nis takimet konsultative me liderë e partive politike parlamentare, si përpjekje për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit të Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës me 25 mars.

Albin Kurti, ka deklaruar dje se ai do të shkojë te presidenti në cilësinë e kryeministrit në detyrë.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga CoVid-19.

Ndërkaq, njohës të çështjeve juridike thonë se janë disa opsione të hapura për kreun e shtetit se si duhet vepruar tutje, por edhe se roli i tij është i kufizuar në këtë drejtim.

Pas një takimi me ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë të hënën, Thaçi ka thënë se do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës.

Ai ka shtuar se do t’i mbajë konsultimet me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur.

Thaçi citohet të ketë thënë se si president do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën është futur vendi.

“Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”, thuhet mes tjerash në njoftim të Zyrës së Presidentit.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se presidenti duhet të mendojë rreth datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke kundërshtuar formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Kurse, LDK-ja e Isa Mustafës sapo u rrëzua qeveria pjesë e së cilës është vet, është shprehur e gatshme të udhëheqë një qeveri të unitetit, me partnerët e mundshëm si AAK-ja e Ramush Haradinajt e Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

E PDK-ja e Kadri Veselit, është shprehur e vendosur të mbesë në opozitë, ashtu siç edhe iu përcaktua me rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, duke mos shprehur interesim të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

Lidhur me këto zhvillime, Florent Spahija zyrtar ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se takimi konsultativ i thirrur nga presidenti është obligim kushtetues në rastin aktual.

“Të gjitha opsionet konsideroj që janë të hapura për presidentin, përfshirë edhe dhënia e mundësisë për Lëvizjen Vetëvendosje që me e pa nëse mundet me formu qeveri të re me partnerë të tjerë të koalicionit, ashtu edhe siç parashihet edhe me Kushtetutë, pra me iu kthy fituesit të zgjedhjeve edhe një herë mundësia për formim të qeverisë së re”, tha ai.

Megjithatë, Spahija ka shtuar se Kushtetuta e obligon presidentin që të konsultohet me partitë politike ose koalicionin fitues.

“Ne nuk kemi pas koalicione që kanë fituar, kështu që e obligon me u taku me të gjitha subjektet politike kështu parashihet nga  Kushtetuta e interpretimi i saj nuk është bërë ende, po besoj që Gjykata Kushtetuese me sa po shihet prej palëve do të ketë rast për këtë çështje”, ka njohësi i çështjeve juridike.

Në anën tjetër, gazetari kosovar Agron Halitaj thekson se “sado bukur që tingëllon”propozimi i presidentit Thaçi, roli i tij është i kufizuar.

Sipas Halitajt, pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti i ka vetëm dy mundësi veprimi: ta shpërndajë Kuvendin me dekret, duke u mbështetur në nenin 82, pika 2 të Kushtetutës, ose, të konsultohet me Lëvizjen Vetëvendosje për një mandatar të ri të për të formuar Qeverinë e re, duke u mbështetur në nenin 95, pika 5 të aktit më të lartit juridik të shtetit.

“Nëse përcaktohet për nenin 82, atëherë mund ta shpërndajë Kuvendin në çdo moment- pa u konsultuar me askë. E nëse e zgjedh nenin 95, obligohet të konsultohet vetëm me LVV-në, si parti fituese e zgjedhjeve të tetorit 2019”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Halitaj ka shtuar se nëse LVV-së i jepet mundësia për të propozuar një mandatar të ri, atëherë është në vullnetin e saj të përcaktohet për një qeveri gjithëpërfshirëse, ose jo.

“Pra si parakusht për krijimin e Qeverisë së Unitetit, është koordinimi President-VV. Se a është i mundur një koordinim i tillë, e kaluara nuk lë hapësirë për optimizëm”, ka vlerësuar ai.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua me 25 mars 2020 nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, LDK. Mocioni u votua me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Pas kësaj, qeveria vazhdon punën në detyrë deri në formimin e ekzekutivit të ri.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.