Takime të Shumta të Jahjagës në SHBA

Presidentja Jahjaga mori pjesë në konferencën “Frontiers in Development”, të organizuar nga USAID-i, që u mbajt në Universitetin Georgetown në Washington të SHBA-së.

Në panelin ku u diskutua për zhvillimin, sigurinë dhe demokracinë, Presidentja Jahjaga ishte së bashku me Presidenten e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, atë të Malawit, Joyce Banda, administratoren e UNDP-së, Helen Clark, dhe ish-presidenten e Irlandës, Mary Robinson.

Po kështu, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim në këtë konferencë, transmeton Zyra e Presidentes nëpërmes një njoftimi për shtyp.

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga u takua me administratorin e USAID-it, Rajiv Shah, pastaj me ambasadoren e SHBA-së për çështjet globale të grave, Melanne Verveer dhe me kongresisten dhe drejtuesen e Qendrës Woodrow Wilson, Janne Harman, me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen, me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, zonjën Christine Lagarde.

Gjatë vizitës në Iowa, Presidentja u prit nga gjenerali Timothy Orr, në Selinë e Forcave të Përbashkëta, në kampin ushtarak Dodge të Gardës Kombëtare të Iowa-s, si  dhe nga prefektja e qytetit Johnston, zonja Paula Dierenfeld, zhvilloi një takim me guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad, ndërsa u takua edhe me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Iowa.

Gjatë vizitës në SHBA, Presidentja Jahjaga u takua edhe me ish-të dërguarin e SHBA-së për statusin e Kosovës, ambasadorin Frank Wisner, si dhe me zëvendësshefen e misionit të SHBA-së në OKB, ambasadoren Rosemary DiCarlo.