Synuesit E Fronit

Gjenerali i Urdhëruar

Agim H. Çeku, 53, PDK

Gjenerali i lindur në Qyshk të Pejës e përshkruan veten si njeri që zakonisht ka punuar nën urdhëra. Me kërkesë të të tjerëve kishte marrë përgjegjësi si shef i shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, kryeministër i vendit dhe aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.  

Ngjashëm ka vepruar edhe kur pranoi të zyrtarizohej më 3 shtator si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, sipas kërkesës së Hashim Thaçit kryeministër i vendit dhe kryetar i kësaj partie ku Çeku është anëtar.

Gjenerali ende nuk ka një strategji se si do ta qeverisë Prishtinën. Nuk e kishte menduar asnjëherë se do të kandidohej për kryetar të kryeqytetit, por është i bindur që do të jetë i suksesshëm. 

“Unë gjithkund kam bërë ndryshime dhe çdo detyrë e marr si mision. E kam një qasje ushtarake që misioni duhet të përfundojë dhe mandej duhet të raportohet që është përfunduar”. 

E ka pranuar këtë detyrë pasi operon me logjikë ushtaraku që nënkupton “shërbim dhe kryerje të të gjitha detyrave derisa i përket një strukture”. 

Partia Demokratike e Kosovës nuk është dashuria e tij e parë politike. 

Ai përgjatë karrierës shëtiti në disa parti dhe përfitoi postin e kryeministrit më 2006 deri më 2008, pas dorëheqjes së Bajram Kosumit, derisa ishte ende anëtar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe atë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës më 2011, derisa ishte me Partinë Social Demokrate të Kosovës që hyri në koalicion me Aleancën Kosova e Re të Bexhet Pacollit më 2010, gjatë qeverisë Thaçi 2.

Gjatë 2012-ës ai braktisi PSDK-në dhe iu bashkua PDK-së, por nuk braktisi postin e ministrit që e mori derisa ishte socialdemokrat, duke e lënë kështu këtë parti pa ministri. 

Nga 2006-ta deri në 2008-ën, ai ishte në kulmin e karrierës së tij politike. Ishte kryeministër dhe kishte marrë pjesë në Vjenë në negociatat për statusin e Kosovës. Çeku thoshte atëkohë se kishte korrur suksese dhe kritikuesit e tij i kishte quajtur cinikë. 

“Kryeministri Çeku dhe njerëzit nga kabineti i tij do duhej të kuptonin se cinizmi më i madh që po i bëhet një populli të tërë është vazhdimi i mohimit të realitetit tepër brutal, përsa i përket kualitetit të dobët të jetës së kosovarit dhe të folurit për sukseset që nuk shihen askund”, thuhej në një kumtesë të organizatës Çohu të vitit 2008.

Tash janë bashkëpartiakë, por në kohën sa Çeku ishte kryeministër, qe kritikuar edhe nga Bajram Rexhepi nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK-së së asaj kohe. 

Rexhepi pati deklaruar më 14 korrik 2006 derisa diskutohej 100 ditëshi i qeverisjes Çeku se perspektiva e Kosovës është në rrezik dhe në krizë për shkak të keqqeverisjes dhe dështimit të qeverisë së Çekut. 

Shkollimin ushtarak e kishte nisur në Beograd më 1974. Kishte përfunduar gjimnazin ushtarak në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, duke vazhduar më pas me studimet në akademinë ushtarake në Zarë të Kroacisë. Aty ishte punësuar më 1984 në shkollën e artilerisë ku njohu Dragicën, me të cilën u martua dhe ka dy djem e një vajzë. 

Çeku jeton në lagjen Veternik në Prishtinë dhe posedon tri shtëpi dhe tri banesa, sipas deklaratës së pasurisë për 2013. Përveç pagës së ministrit, ai merr edhe pension të ish-pjesëtarit të TMK-së nga Qeveria e Kosovës dhe pension ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë. 

Në të kaluarën Çeku ka qenë edhe pjesëmarrës aktiv i luftërave për çlirim e Kroacisë,  Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. Ai ishte arrestuar dy herë në Ljubljanë më 2003 e 2004 nën dyshimin për krime lufte të kryera në Kosovë, në bazë të një fletarresti nga Serbia. Ai ishte liruar pas kërkesës së autoriteteve të vendit. 

Kuptimi i hyjneshës në fron Është simbol i lashtësisë. 

Libri i fundit i lexuar Darka e Gabuar, Ismail Kadare.

Këngëtari i preferuar Kastriot Tusha.

Koncertet e mëdha që keni ndjekur Atë kohë në trend kanë qenë Llepa Brena dhe Zdravko Çolliq. Të gjithë shkonin, shkoja edhe unë. 

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Saving Private Ryan & Shekulli Madhështor [Sulltani, seriali turk]

Mediat Sociale Nuk i përdor në jetën private, por do t’i përdor gjatë fushatës. 

A do të fitoni Nuk mendoj që do të fitoj, por e di sigurt që do të fitoj. 

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Ndërtimet pa standarde, por do të gjejmë një mënyrë alternative si t’i rregullojmë. 

Tentuesi 

Besnik R. Tahiri, 38, AAK 

Katër vjet pas humbjes së garës për kryetar të komunës së Prishtinës më 2009, ku ai kishte fituar vetëm 5. 47 për qind të votave në kryeqytet, ai sivjet do të tentojë përsëri udhëheqjen e Prishtinës. 

“Herën e kaluar i kam hyrë garës i papërgatitur, sikurse po bëjnë disa nga kundërkandidatët e mi tani”, thotë Tahiri, i nominuari për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Tash kur po u afrohet të katërdhjetave, Besnik Tahiri thotë se Prishtina po lëngon prej problemeve shpirtërore, më shumë sesa prej atyre infrastrukturore.

“Qytetarit të Prishtinës i ka humbur besimi. Njerëzit i fusin krejt partitë në një thes dhe krejt politikanët i shohin si të korruptuar. Këtë dua ta ndryshoj. Me i ba qytetarët më aktiv dhe me i ba me besu në qytetin dhe liderin e tyre. Mandej ata e ndryshojnë vetë qytetin”, thotë ai. 

Për kundërshtarë ai ka ish-shefin e tij Agim Çekun, të cilin e këshillonte për reforma në qeverisjen lokale, derisa ishte kryeministër. Të njëjtën pozitë mbante edhe në kabinetet e kryeministrave të mëhershëm të AAK-së, Bajram Kosumit e Ramush Haradinajt. 

Tahiri ka nëntë vjet që i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe tash e sfidon për herë të dytë Isa Mustafën që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilën Tahiri e votoi deri më 2004.

Ai është edhe drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, një organizate joqeveritare ku ka “dy muaj që i ka pushuar aktivitetet”. 

Organizata joqeveritare që për nga emri tregon se duhet të jetë e pavarur nga politika, i ka “ndihmuar” Tahirit të krijojë bashkëpunim të mirë me të gjithë kryetarët e komunave, me të cilët ai ka punar gjatë projekteve të institutit. 

“Një koleg i imi më pati thënë se nuk mundesh me punu në organizatë [jo-qeveritare], ngase je njeri politik. Por, unë gjithmonë kam thënë se ana politike dhe profesionale janë të ndara. Unë konsideroj që pjesa ime politike nuk ka ndërhyrë asgjë në organizatë”, thotë Tahiri.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës tregon se e ka kaluar fëmijërinë në lagjen “Dardania” dhe se e ka për zemër pjesën e qytetit të njohur si “Kurrizi”.

“Aty është çel byrektorja e parë, aty janë çel kafiqat e parë, aty kam fillu me nis simpati, dashni ndaj jetës dhe qytetit në përgjithësi”, thotë ai. 

Tregon se vetë ishte një qytetar aktiv që në fëmijëri, duke organizuar protesta kundër helmimeve të vitit 1990, si nxënës i shkollës fillore në lagjen Dardania në Prishtinë.

Shkollën e mesme e kreu në  “Ali Sokoli”. “Unë jam “vëlla” medicinal”, thotë Tahiri.  Nisi të studionte fakultetin e gjuhës gjermane, por e la në gjysmë. Diplomoi në programin akademik për zyrtarë të lartë, të ofruar nga OSBE. 

Ka magjsitruar në Angli në shkencat e qeverisjes lokale dhe zhvillimit ndërkombëtare. “Nga përvojat e studentëve që kam takuar, kam kuptuar që bota nuk sillet rreth Kosovës, por Kosova është një pjesë e vogël e botës”, shpjegon Tahiri.  

Tahiri  tash jeton në lagjen Ulpiana të Prishtinës dhe është i martuar me Nora Luzhën, me të cilën kanë lindur dy djem. Thotë se ka një banesë dydhomëshe në të cilën jeton, një banesë të trashëguar nga prindërit dhe shtëpi të përbashkët në fshatin Bradash. Ai ka edhe një veturë personale.  

Kuptimi i hyjneshës në fron Tregon për vjetërsinë e Prishtinës. 

Libri i fundit i lexuar Zakonisht lexoj libra profesionalë. 

Këngëtari i preferuar Lyrical Son, Hana Cakuli & Tuna. 

Filmi që mund ta shihni çdo ditë The Godfather. 

Mediat Sociale I përdor, do të më ndihmojnë edhe gjatë fushatës zgjedhore. 

A do të fitoni Sipas matjes së fundit interne unë jam shumë afër dyshit dhe do të fitoj në balotazh. 

Mbajtësi i fronit 

Isa J. Mustafa, 62, LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa që synon mandatin e tretë të kryetarit të Prishtinës dhe postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është i vetmi kandidat që nuk pranoi të intervistohej nga gazeta. 

“Ka tre muaj që ai [Isa Mustafa] nuk pranon me jap intervistë për një gazetë tjetër, e po ju jep juve” tha zëdhënësi i komunës së Prishtinës Asdren Osaj gazetës derisa gazeta po bënte kërkesë për të intervistuar Mustafën.

Mustafa nuk u shfaq në konferencën e shtypit, kur sekretari i partisë Ismet Beqiri bëri publik emrin e tij për kryetar komune. “Disa njerëz janë vetëm për të dalë në TV, e disa të tjerë bëjnë punë në terren”, tha Beqiri, duke arsyetuar mungesën e Mustafës në konferencë. 

Kritikat për mungesë të theksuar të transparencës, e kanë përcjellë Mustafën përgjatë mandatit të tij. Komuna shpesh ka vonuar përgjigjet ndaj Gazetës Jeta në Kosovë dhe zyrtarët e saj kanë qenë vështirë të qasshëm. Ata njiheshin për përgjigjen “nuk kam kohë”, sa herë që kërkohej qasje në dosjet e kontratave publike në komunë. 

Pas dy mandatesh menaxhim të kryeqytetit, ai kritikohet për ngecje në zhvillimin e komunës dhe projekte të papërfunduara. 

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në qershor se një raport i publikuar nga Iniciativa për Progres (INPO) për monitorimin e komunës së Prishtinës, vlerëson se komuna ka bartur rreth 21 milionë euro buxhet nga viti 2011 dhe 12 milionë e gjysmë nga 2012-ta në këtë vit, kur edhe pritej të mbaheshin zgjedhjet.

Disa nga projektet që kanë qenë të parapara në vitin 2012 e janë bartur për vitin 2013, sipas kësaj organizate, janë ndërtimi i rrethrrotullimit në rrugën magjistrale në fund të Veternikut, vazhdimi i rrugës “Enver Maloku”, ndërtimi i rrugës “Ndue Përlleshi”, wc-të publike e trafiku urban dhe parkingjet publike. 

Në muajin mars të këtij viti, Preportr publikoi një hulumtim që përfshinte analizimin e mbi 280 tenderëve që nga viti 2007 deri në fund të 2012-ës, sipas së cilit “afro 35 për qind e tenderëve, nga vlera totale prej afro 100 milionë eurosh që janë hulumtuar, Komuna e Prishtinës i ka ndarë për kompani që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të. Komuna ka vazhduar për t’u dhënë tenderë kompanive, për të cilat u nisën hetime për korrupsion në këtë komunë”.   

Preportr raportoi po ashtu se kishte vështirësi t’u qasej dokumenteve publike të komunës së Prishtinës.

Prishtina llogaritet si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sekretari i partisë Beqiri ka replikuar shpeshherë me kryeministrin Thaçi, duke i rikujtuar se nuk ka gjasa që ta merrte Prishtinën. 

Mustafa nisi karrierën e tij politike para 34 vjetësh, më 1980. Kishte mbajtur postin e kryetarit të komunës së Prishtinës prej vitit 1984 e deri në 1988-ën, ndërsa dy vjet më pas  ishte larguar nga Kosova duke shërbyer si ministër i Ekonomisë dhe Financave, në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit. 

Pas kthimit në Kosovë më 2006, ai u bë këshilltar politik i presidentit Fatmir Sejdiu që në atë kohë ishte kryetar i LDK-së. Katër vjet më vonë, në nëntor të vitit 2010, ai rrëzoi ish-shefin e tij nga pozita e kryetarit të partisë në zgjedhjet e brendshme. 

I lindur më 15 maj 1951 në Prapashticë të Prishtinës ai është edhe profesor në Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës. Ka studiuar e magjistruar në Prishtinë për ekonomi dhe ka doktoruar në fushën e lidershipit të ekonomisë.

Në formularin e pasurisë të vitit 2013, Mustafa ka deklaruar se ka një shtëpi të trashëguar, në të cilën jeton dhe 2.43 hektarë tokë. Ai ka deklaruar se merr pagë rreth 12 mijë euro në vit nga Komuna e Prishtinës, honorar nga Universiteti i Prishtinës rreth 8 mijë e 300 euro dhe rreth 10 mijë euro nga Akademia e Shkencave, ku edhe është anëtar me korrespodencë. Mustafa është pronar i gjashtë për qind të aksioneve në institutin Riinvest bazuar në deklarimin e pasurisë që ka dorëzuar në agjencinë kundër korrupsion.Më 2012 ai deklaroi se vlera e dividentës që merr nga kjo përqindje aksionesh është 4 mijë e 533 euro në vit.

Ndërtimtarja Politike

Kaqusha H. Jashari, 67, PSDK

Kaqusha Jashari, nënkryetarja socialdemokrate, është e vetmja grua-“hyjneshë” që konkurron për “fronin” e Prishtinës. Nuk e frikësojnë shtatë kandidatët meshkuj që ka përballë për kryeqytetin, pasi përvojat politike, profesionale e jetësore mendon se i ka armë të forta. 

“Unë kam eksperiencë dhe nuk e kam frikën e karrierës”, thotë ajo. 

Inxhinierja e ndërtimit, nuk ka zgjidhje magjike për ndërtimet pa leje të Prishtinës. Thotë se do të bëjë diçka për këtë problem, nëse fiton besimin e kryeqytetasve. 

“Aty [te ndërtimet e larta] është kaos. Por, do të mundohemi të bëjmë një intervenim sipas standardeve, në mënyrë që të kemi një ambient pak më ndryshe dhe të përshtatshëm për jetën normale” thotë ajo. 

Ndërtimet e larta si problem të (pa)zgjidhshëm kryeqyteti, i përmendi edhe Agim Çeku. 

Kaqusha Jashari, në garën për Prishtinën, do ta ketë kundërkandidat edhe Çekun, njeriun që ia lëshoi kreun e Partisë Social-Demokrate në vitin 2008. Çeku katër vjet më pas kaloi në PDK, bashkë me postin e ministrit të FSK-së që e fitoi si socialdemokrat, pjesë e koalicionit “Kosova e re”. 

Jashari që deri në vitin 2008, për dhjetë vjet drejtoi këtë parti, ndërsa u nominua nga PSD-ja për kryetare të Prishtinës, premton se do të koncentrohet në ndërtimin e qytetit sipas kritereve urbanistike dhe se do të bëjë më të organizuar transportin urban. 

Gruaja e lindur në Skënderaj në vitin 1946 që kreu studimet për ndërtimtari në Fakultetin Teknik të Beogradit, duke qenë prej vitit 1971 deri në 1975-ën drejtoreshë teknike e ndërmarrjes ndërtimore “Ndërtimi” në Ferizaj dhe duke ushtruar para dhe pas luftës (1989-90 dhe 2000-2007) pozitën e drejtoreshës së Fondit të Rrugëve të Kosovës, normalisht që fushatën pritet ta përqendrojë te ato gjëra për të cilat ka njohuri-rrugët dhe ndërtimet. 

Jasharin, më së shumti për Prishtinën e lidh qendra e saj, por po të mundtte, do të donte ta ruante edhe aritekrurën e vjetër të kryeqytetit. 

“Është bërë -, çka është bërë, por unë po të isha faktor do ta kisha ruajtur atë pjesën e vjetër të qytetit”, flet me nostalgji ajo. 

Sikur të kthehej koha prapa, e kaluara do t’i ndihmonte shumë për të fituar në kryeqytet, politikanes që kreu detyra të larta politike e publike në Kosovën e paraluftës. 

Për trembëdhjetë vjet, deri në vitin 1988, Kaqusha Jashari ishte funksionare e lartë e ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. 

Në tubimet masovike të punëtorëve dhe qytetarëve kosovarë në nëntorin e vitit 1988, kur Serbia dëshironte të bënte ndryshime në Kushtetutën e vitit 1974 që do t’i jepnin fund autonomisë së atëhershme, ndër emrat më të brohoritur nga të mbledhurit, ishte edhe ai i Kaqusha Jasharit. 

Kaqusha Jashari deri në majin e vitit 1989 ishte kryetare e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, një post i ngjashëm për nga rëndësia me atë të drejtuesit të qeverisë(kryeministrit). 

Jashari jeton me bashkëshortin e saj dhe dy vajzat që ka me të. Thotë se ka një banesë tridhomëshe në Prishtinë dhe një tjetër banesë të trashëguar në Tiranë. 

Politikanja që flet për rrugët, ndërtimet dhe arkitekturën e vjetër, merret për qejf edhe me pikturim. 

“[Pikturën] nuk e kam profesion, por relaksohem me të. Në ekspozitën për 100 vjetorin e pavarësisë, e kam pas temën e kullave që iu ka përshtatur kësaj periudhe”, përfundon Jashari. 

Hyjnesha në fron Tregon trashëgiminë e qytetit.

Libri i fundit i lexuar I përcjell më shumë librat e politikës.

Këngëtarja e preferuar Eli Fara, Rita Ora & Dafina Zeqiri. 

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Jam më pak e orientur nga filmat.

Mediat Sociale I përdor rrjetet dhe do t’i përdor edhe për fushatën elektorale.

A do të fitoni Nëse zhvillohen drejt [zgjedhjet], mendoj që do t’i sfidoj.

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Ndërtesat shumëkatëshe pa kritere nuk mund të ndryshohen në tërësi, por do të mundohemi të bëjmë një intervenim.

Avokati i Kontestuar 

Korab R. Sejdiu, 36, AKR

Sejdiu ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar komune, dy muaj pasi deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë, se nuk do të kandidojë për arsye financiare. 

“Nuk ma merr mendja që do të kandidohem për kryetar të Prishtinës. Nuk mund të jetoj me 800-900 euro sa paguhet kryetari i komunës”, tha atëherë ai. 

Mirëpo pengesa financiare u venit, kur ai pranoi kërkesën e miliarderit Behxhet Pacollit që të kandidojë në emër të Koalicionit Kosova e Re për kryetar komune. Pacollin thotë se e takoi rastësisht. 

Më 4 shtator ai u shfaq përkrah liderit të AKR-së që e nominoi, duke treguar që i ka bashkuar vizioni i njëjtë. “Korabi është vizionar dhe i është bashkuar vizionit të AKR-së”, deklaroi për të Pacolli. 

Transferi i tij në AKR nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku shërbente si anëtar i Këshillit Drejtues, ndodhi brenda javësh. 

Emri i tij ishte lakuar si kandidat i mundshëm i LDK-së për kreun e Prishtinës. Sejdiu i druhej garës së brendshme me Mustafën. “Besoj që me cilindo brenda LDK-së mund të fitoj, përveç me Isa Mustafën” kishte deklaruar Sejdiu më 12  gusht.

Karriera prej profesori e avokati e Sejdiut është kontestuar së voni, kur u raportua se Ministria e Arsimit nuk ia njohu studimet e doktoraturës.

Gradën që ka fituar gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, MASHT-i e llogariti si “jurist i diplomuar” dhe jo si “doktor i jurisprundencës”. Grada “doktor shkence” ishte kriter ligjor për të ushtruar profesionin e profesorit dhe të avokatit, në rastin e Sejdiut.

Ai nuk aplikoi të rizgjedhej profesor, ani pse planifikonte të bënte një gjë të tillë, ndërsa Oda e Avokatëve aktualisht është duke e shqyrtuar licencën e tij dhe vendimi i saj pritet të merret në fund të shtatorit.  

Deklaron se është duke përgatitur planin e tij që përfshin ofrimin e zgjidhjeve për rininë, kulturën, arsimin dhe lirimin e presionit urban në kryeqytetet. 

Në Prishtinë, ai ka të preferuar përmendoren e dëshmorëve pasi aty ka lozur me shokët e lagjes.  Korabi ëshë lindur në Prishtinë, në Lagjen e Muhaxherëve, ku ka jetuar deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur është larguar nga Kosova për t’iu shmangur shërbimit ushtarak të ish-Jugosllavisë. 

Në ShBA qëndroi rreth trembëdhjetë vjet, ku kreu studimet dhe u kthye në Kosovë më 2007, për të  mbajtur pozita të rëndësishme – si këshilltar i Presidentit dhe profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. 

Është i martuar me Emma Gjemnica Sejdiun, më të cilën ka një vajzë dhe një djalë. Thotë se jeton në shtëpinë që është pronë e prindërve, ndërsa ka një veturë Audi A4. 

Së bashku me partnerin e tij, Artan Qerkinin ata kanë blerë me kredi zyrat ku gjendet shoqeria e avokateve “Sejdiu & Qerkini” dhe pas përfundimit të pagesës së kredisë, ata do të jenë bashkëpronarë të zyrave.

Kuptimi i hyjneshës në fron Simbol tipik i qytetarit të Prishtinës – një njeri me mburrje që përkundër sfidave të kohës mbijeton dhe vazhdon qëndrimin e tij/saj stoik. 

Libri i fundit i lexuar 100 Vitet e Ardhshme, George Friedman. 

Këngëtari i preferuar Troja & Metallica.

Koncertet e mëdha që keni ndjekur Rolling Stones, Dave Matthews Band, Creed, Phish. 

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Braveheart

Mediat Sociale Nuk jam përdorues shumë i madh i rrjeteve sociale, mirëpo do t’i përdor gjatë  zgjedhje.   

A do të fitoni Qytetarët e Prishtinës janë ata të cilët do të vleresojnë se kush e meriton të fitojë.  

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Nuk ka asnjë problem të pazgjidhshëm në Prishtinë kur ka vullnet dhe mundësi.

Ekonomisti nacionalist 

Shpend A. Ahmeti, 35, VV

Ahmeti është kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetvendosje. Ai për herë të dytë po e provon fatin e tij në politikë, pasi dështoi rreth tre vjet më herët, kur në tetor 2010  së bashku me Ilir Dedën krijuan partinë Fryma e Re (FER) që nuk arriti të kalonte pragun prej pesë për qind të votave për t’u bërë pjesë e Parlamentit të vendit. FER-i u shkri në Lëvizjen Vetëvevndosje rreth një vit pas themelimit.

Ahmeti thotë se me politikë filloi të merret sa ishte në studime, duke u angazhuar në qeverinë e studentëve. “…kam qenë edhe kryetar i studentëve”, tregon ai.  

Lokalin e sportit “Filikaqa” e hapi në Kosovë, në vitin 2009 pasi u kthye nga studimet që kishte bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shtyrë nga dashamirësia për sportin dhe i frymëzuar nga “sport`s bar”-et amerikane që frekuentonte gjatë qëndrimit atje. 

Ahmeti nga viti 2004 deri 2007 ka punuar si ekonomist për Bankën Botërore. Prej vitit 2007 deri në 2010 ai ka qenë aktiv në shoqërinë civile dhe ka krijuar institutin për studime të avancuara GAP.  

Ish-studenti i Harvard-it kaloi nga një ndërmarrës privat, në nënkryetar të një lëvizjeje me retorikë nacionaliste dhe kundër privatizimit të tanishëm në Kosovë. Kjo lëvizje që fillimisht u paraqit si radikale, më vonë hyri në parlament dhe vazhdon të njihet për protesta të llojllojshme nëpër rrugë. 

Filikaqa (bilbili) është një mjet presioni e fishkëllimi, i përdorur shpesh nga Lëvizja “Vetëvendosje”. 

Ahmeti iu bashkua partisë së tretë në vend për nga fuqia politike e votave në Kosovë, në mars të 2011-ës. Programi i tij, thotë ai, do të koncentrohet në problemet bazike të qytetarëve, në transparencë dhe  në ndërtimet pa leje. 

Ai është parë shumë herë në mesin e protestuesve të lëvizjes Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti. “Kur është fjala për protestë në VV, nuk ka lidhje a je nënkryetar ose deputet. Kur protestohet ndaj diçkaje, në radhë të parë duhet të jenë figurat më të larta të partisë”, thotë Ahmeti. 

Shpend Ahmeti bashkë me liderin e lëvizjes Albin Kurti vizituan SHBA-në në maj të këtij viti. 

Pas udhëtimit, Ahmeti u përfshi në një polemikë me ish-diplomatin amerikan Edward Joseph, profesor në universitetin John Hopkins. 

Joseph thoshte se VV-ja ka qasje të gabuar politike dhe se duhej ndaluar kritikat e saj për pavarësi të kufizuar të Kosovës dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel. Ai kritikonte për qasje të gabueshme të VV-në, edhe në raport me Shqipërinë. “Sado të bindur që jeni për vlerën e bashkimit me Shqipërinë, po e çoni veten drejt një turpërimi politik”, thoshte Joseph. 

Ahmeti replikonte duke thënë se nëse Lëzivja Vetëvendosje do të pranonte këshillat e Joseph-it,  atëherë nuk do të ishte zë i dallueshëm, por do të ishte pjesë e qeverisë Thaçi. 

I lindur në Prishtinë më 1978, Ahmeti mbaroi filloren në “Faik Konicë”, ndërsa gjimnazin në “Xhevdet Dodë”, në drejtimin matematiko-natyror. Ka studiuar në Universitetin Amerikan në Bullgari, për ekonomi dhe administrim biznesi, ndërsa studimet pasdiplomike i kreu në Universitetin e Harvardit në SHBA.

Ahmeti është martuar në vitin 2004 me Ardiana Gjinollin dhe kanë një djalë e një vajzë. Thotë se ka jetuar në banesën që i është dhënë prindërve në shfrytëzim. E tash pas vdekjes së babit jeton në shtëpi të nënës dhe ka një veturë.

Kuptimi i hyjneshës në fron Tregon vjetërsinë e Prishtinës.

Libri i fundit i lexuar Kohën e fundit jam duke lexuar më shumë libra që kanë të bëjnë me politikat ekonomike.

Këngëtari i preferuar Pearl Jam

Koncertet e mëdha që keni ndjekur Pearl Jam në Budapest & Hungari

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Përcjell shumë filma dhe serialet amerikane.

Mediat Sociale Pjesë e pashmangshme e debateve politike.

A do të fitoni Sondazhet tregojnë që do të shkoj në balotazh. 

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Nuk ka problem që nuk do të mund të zgjidhej brenda mandatit katërvjeçar.

Ilegali 

Valon R. Murati, 38, LB

Garës për të parin e kryeqytetit, nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, thotë se i hyri për shumë arsye. 

“E kam pranu këtë sfidë dhe i kam hy kësaj gare me vetëbesim edhe një optimizëm të madh, se do të arrijmë një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në këto zgjedhje”, thotë ai.

Për një qeverisje të mirë sipas tij duhet të zbatohet ligji, të punohet me ndershmëri dhe të bëhen përpjekje serioze për rregullimin e jetës në Prishtinë. 

“Kjo mund të tingëllojë qesharake, por thelbi i krejt defekteve që ka shoqëria jonë, është mosrespektimi i ligjit”, thotë Murati.

Murati shpjegon se nuk mund ta bëjë Paris Prishtinën, por do të mundohet ta shndërrojë në vend të jetueshëm. 

Muratin me Prishtinën e lidhin njerëzit. 

Për ta zbërthyer këtë, ai tregon momentin kur gjatë luftës ishte kthyer në Prishtinë natën dhe nuk kishte takuar asnjë njeri. Ishte shtangur që nuk shihte njerëz askund.  

“Në një moment kam dëgjuar disa zëra dhe kam parë një dritë të ndezur prapa roletave. Aty e kuptova se qytetin e dua për shkak të njerëzve”, thotë Murati. 

Ai u bë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që në moshën 18 vjeçare dhe e provoi shumë i ri edhe ilegalitetin. “Një vit ilegaliteti është sa dy vjet të jetës normale”, thotë një fjalë e urtë. 

“Ka qenë kohë e vështirë se ata që kanë qenë me idenë tonë ishin shumë të pakët”, shpjegon Murati.

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, njëjtë si kundërkandidati i tij Besnik Tahiri, rrëfen se ishte protestues që në shkollë fillore. 

Në përkrahje të minatorëve që ishin në grevë urie më 1989, ai kishte organizuar protestë dhe bojkot të mësimit. 

Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1999, Murati u zgjodh kryetar i LKÇK-së, ndërsa deri në vitin 2001 bashkë me subjektin e tij, ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke themeluar edhe Aleancën e të Rinjve të Kosovës(ARK).

I lindur në Prishtinë, në vitin 1975, ai studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës arriti t’i përfundojë vetëm në vitin 2001, për shkak të angazhimeve politike dhe ushtarake. 

Më pas vazhdoi ngritjen akademike, me studimet pasdiplomike në Sarajevë e Bolonjë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. 

Në vitin 2003 u martua me Nora Bakallin, një juriste me të cilën u njoh gjatë kontakteve me punonjës të OSBE-së. Nora punonte në këtë organizatë. Të dy “vitin e mjaltit” e kaluan në Sarajevë, në studime. 

Nga kjo martesë ky çift ka dy vajza të moshës 6 e 8 vjeçare. Valon Murati thotë se posedon edhe një shtëpi dhe makinë të tipit Citroen. 

Kuptimi i hyjneshës në fron Mund të lidhet me faktin se Prishtina është dashur që të shërbëjë  si një model i një hyjneshe në fron.

Libri i fundit i lexuar Verberia, José Saramago

Këngëtari i preferuar Pink Floyd, Black Sabbath & Adele

Filmi që mund ta shihni çdo ditë The Godfather, You’ve Got Mail, Dead Poets Society & Braveheart

Mediat Sociale Sa jemi në politikë do i shfrytëzojmë goxha shumë

A do të fitoni Shpresoj në fair play

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Jam në fazën e përgatitjes së projektit dhe e kam shumë problematike të them se çka nuk do të mund të bëj.

Lexhendari 

Visar I. Arifaj , 26, PF 

Visar Arifaj drejton subjektin më të ri në vend, Partinë e Fortë, e regjistruar më 20 qershor dhe e përbërë nga të rinj pa përvojë politike, që kritikojnë situatën aktuale në Kosovë përmes satirës. 

“Problemi nuk është pse 40 për qind janë të papunë, por pse ky 60 përqindëshi ende duhet të punojë”, është një prej deklarimeve të mëhershme të kryetarit të Partisë së Fortë. 

Ndërsa në një deklaratë tjetër PF-ja ankohet se “çmimi i votave për mendimin tonë është shumë i standardizuar dhe kjo është kundër rregullave të tregut të lirë”.

Kandidati për Prishtinën është 26 vjeçar dhe vetëquhet “kryetar lexhendar”. “Për dallim prej legjendarëve të tjerë unë jam me xh të fortë”, thotë ai.

“Partia e ka pa potencialin tek unë si njeri i duhur për ndryshime në Prishtinë dhe për t’i sjellë përfitime partisë”, vazhdon lexhendari. 

Thotë se zgjohet në orën 5 të mëngjesit për të lexuar gazetat, ndërsa pjesën tjetër të ditës e kalon duke i qajtur hallet e qytetarëve. 

Ai do të zbatojë tri projekte nëse zgjidhet kryetar komune. Do të ndërtojë autostradë që lidh lagjet Arbëria dhe Bregu i Diellit, do të ndërtojë shtëpinë e kryetarit si dhe do të mbyllë shkollat e mesme në Prishtinë, pasi që i sheh si të panevojshme për edukim. 

“Asnjë problem nuk e shohim si të hekurt, por edhe nëse është problem i hekurt, ai mundet me u shkri e me u laku” thotë ai.

Thotë se gjëja më e dashur në Prishtinë për të ka qenë një katror [i betonit] ku është tash statuja e Bill Clinton-it, afër të cilit e ka kaluar fëmijërinë. 

“Te katrori kemi nejt sa kemi qenë fëmijë dhe kemi luajtur aty. Tash aty është një statujë, por nuk mërzitem shumë, se për veti e kam mbaruar fëmijërinë. Nuk mërzitna shumë për brezat tjerë që po vijnë”, shton ai.

Arifaj ka lindur në Prishtinë dhe ka mbaruar shkollën fillore në lagjen e tij në Dardani. Ka vazhduar të mesmen në drejtimin matematikë-informatikë në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të prishtinës për dizajn grafik. Në vitin 2005 bashkëthemeloi kompaninë e dizajnit “Trembelat” dhe që prej atëherë punon në këtë kompani. 

Pasuria e Arifajt është biçikleta dhe një vizatim i klasës së parë që e vlerëson një miliard euro. Banesa në të cilën jeton është e nënës së tij, ndërsa është bashkëpronar në kompaninë Trembelat. 

Kuptimi i hyjneshës në fron Me duart te beli i bie që nuk ka çka me ba, veç me kqyr seri.

Libri i fundit i lexuar Jeta Nga Sfida në Sfidë, e Behxhet Pacollit. 

Këngëtari i preferuar Nuk po i përmend se u mbetet hatri

Filmi që mund ta shihni çdo ditë Braveheart dhe filmat e Halil Budakovës

Mediat Sociale Interneti mundëson që qytetarët të jenë të lidhur direkt me vendimmarrjen. 

A do të fitoni Është e padiskutueshme. 

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë S’do të ketë asnjë problem që Partia e Fortë nuk mund ta zgjidhë.

Ilustrimi: Avisti dhe Ardian Haxha