Syla - Figurë Qendrore e Grupit Kriminal

Ndonëse EULEX-i kishte njoftuar në fund të tetorit 2012 se ishin mbyllur hetimet kundër Azem Sylës, një aktgjykim që dënonte pesë të pandehur me 54 vjet burg e që tash e posedon gazeta, thotë se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte figurë qendrore dhe drejtuese e një grupi kriminal përgjegjës për vrasje dhe eliminime.

Sipas aktgjykimit, arma për vrasjen e një personi ishte marrë nga vetura e Sylës, urdhri për likuidimin e një tjetri ishte marrë prej tij dhe po ashtu ai ishte në dijeni të plagosjes së një personi tjetër nga grupi.

Në aktgjykim, duke e ndërlidhur Sylën me organizatën që drejtohej nga zëvendëskryetari i tashëm i Partisë Demokratike të Kosovës aktualisht në pushtet, thuhet edhe se ai ishte komandant i UÇK-së dhe si i tillë ishte komandant i ZKZ/G2, që u pasuan nga ShIK-u.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 17 dhjetor 2012, pati shpallur aktgjykimin kundër Sadik Abazit, Shaban Sylës, Driton Hjdarit, Bekim Sylës, dhe Shpresim Ukës. Tre të fundit ende gjenden në arrati që nga ajo datë kur nuk ishin paraqitur as në gjykatë.

Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla akuzoheshin që në bashkëkryerje me dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca kishin vrarë Ibush Kllokoqin. Për këtë pikë të aktakuzës gjykata të tre të pandehurit i pati shpallë fajtorë dhe u pat shqiptuar dënim me burg.

“Sipas aktgjykimit, arma për vrasjen e një personi ishte marrë nga vetura e Sylës, urdhri për likuidimin e një tjetri ishte marrë prej tij dhe po ashtu ai ishte në dijeni të plagosjes së një personi tjetër nga grupi.

Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla akuzoheshin po ashtu edhe për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit në bashkëkryerje me Nazim Bllacën. Gjykata e kishte ri-kualifikuar veprën penale në tentim-rrëmbim të personit e cila vepër ishte parashkruar dhe akuza për pikën dy qe refuzuar.

Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla në bashkëpunim me Nazim Bllacën akuzoheshin edhe për vrasjen e rëndë të mbetur në tentativë të Adem Salihajt ish kryetarit të Ferizajt nga radhët e LDK-së. Secili ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burg.

Të pandehurit morën një dënim total prej 54 vitesh burg.

Dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca ishte bazë e aktgjykimit.

Aktgjykimi, në pjesën arsyetuese, teksa flet për veprimet kriminale të të pandehurve, përmend edhe lidhjen që të pandehurit kishin me ShIK-un (Shërbimin Informativ të Kosovës), shef i së cilës ishte Kadri Veseli, tani zëvendëskryetar i PDK-së në pushtet.

Syla në krye

Në aktgjykim, trupi gjykues i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe gjykatës vendas përmend numrin një të UÇK-së, Azem Sylën, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend dhe lidhjet e tij me grupin.

Trupi gjykues thotë se ka vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se: “Pas monitorimit paraprak të Ibush Kllokoqit, Nazim Bllaca së bashku me Fahredin Gashin, Sadik Abazin dhe Shpresim Ukën, në mbrëmjen e datës 6 gusht 1999, në Prishtinë afër hotelit Victory, morën një armë të vogël zjarri, të tipit Skorpion, nga një makinë ku, në mes të tjerëve, ishte i ulur edhe Azem Syla”.

Fahredin Gashi i kishte sjellë pistoletën Nazim Bllacës. Më pas ata së bashku kishin shkuar tek shtëpia e Ibush Kllokoqit, ku Nazim Bllaca me skorpion e kishte ekzekutuar.

Trupi gjykues, në krye me gjykatësin e EULEX-it Tore Thomassen, thotë se “gjykata ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se arma / pistoleta Skorpion e përdorur në lidhje me vrasjen e Ibush Kllokoqit iu dha Fahredin Gashit nga një person në veturë ku ndodhej edhe Azem Syla, … ajo iu dorëzua Nazim Bllacës”.

Gjykata flet edhe për urdhrin për eliminimin e Adem Salihajt, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës. “Gjykata gjeti përtej dyshimit të arsyeshëm se urdhri për të vrarë Adem Salihajn erdhi nga Azem Syla”.

Më 12 qershor 2000, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla në bashkëpunim me Nazim Bllaën kanë tentuar ta vrasin Adem Salihaj.  Atë ditë Driton Hajdari kishte vozitur një Opel Omega, duke e ndjekur makinën e Adem Salihajt.

Shaban Syla ishte i ulur në Opel Omega i armatosur me armë të dorës. Shpresim Uka dhe Nazim Bllaca kishin qenë në një BMW përpara Salihajt për ta ngadalësuar lëvizjen e tij. “Kur erdhi momenti i duhur, makina Omega kaloi pranë makinës së Salihajt dhe Shaban Syla ia drejtoi revoëln viktimës. Adem Salihaj menjëherë reagoi duke ia drejtuara armën e tij Shaban Sylës”, konstaton trupi gjykues.

“Gjykata gjeti përtej dyshimit të arsyeshëm se urdhri për të vrarë Adem Salihajn erdhi nga Azem Syla.

Atë ditë Shaban Sylës nuk i kishte shkrepur arma “sepse i ishte bllokuar dhe/apo për shkak të reagimit të viktimës”.

Trupi gjykues konstaton se Azem Syla kishte qenë në dijeni edhe për plagosjen e Driton Hajdarit, anëtarit të grupit, në një aksion tjetër të mëhershëm. Gjatë atij aksioni,
Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, në bashkëpunim me Nazim Bllacën, më 3 nëntor 1999, kishin tentuar ta kidnapojnë Ismet Arifin, një anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK.

Ata kishin shkuar në banesën e Arifit. Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla kishin shkua në derë dhe i kishin kërkuar Arifit të shkonte me ta. Në shkallë qëndronte Shpresim Uka dhe Nazim Bllaca ndërsa në hyrje të ndërtesës ishte Fahredin Gashi.

“Pas refuzimit të tij, viktima ishte goditur një herë në qafë dhe në këmbën e djathtë”. Kishte pasur edhe disa gjuajtje armësh në momentin që Ismet Arifi ia kishte dolë të vraponte shkallëve. Aty kishte mbetur i plagosur Driton Hajdari.

Për trupin gjykues, dëshmia e Nazim Bllacës lidhur me Azem Sylën është “e qëndrueshme, e detajuar, logjike, pa kundërthënie të mëdha dhe bindëse”.

Trupi gjykues thotë se “Nazim Bllaca po e tregon të vërtetën për Azem Sylën në lidhje me ngjarjet në aktakuzë”.

“Gjykata gjen se Azem Syla ishte figurë qendrore dhe drejtuese – një funksion komandues në grupin e të pandehurve”, thuhet në arsyetim.

Lidhja e Azem Sylës me të pandehurit për gjykatën vërtetohet edhe përmes dëshmitarit Fatmir Prapashtica.

Dëshmitari Prapashtica, pronar i kafiterisë “Flur” në Bregun e Diellit Prishtinë, gjykatës i kishte treguar se si Azem Syla ulej në një tavolinë në lokalin e tij dhe thërriste personin e grupit të të pandehurve me të cilin donte të bisedonte. “Para se të fliste ky person duhej t’i dorëzonte mobilin e tij shoferit të Azem Sylës”, përshkruhet në arsyetim.

Hetimi i mbyllur

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës nga radhët e EULEX-it, Emma Rizzato, nëpërmes një letre e kishte njoftuar mbrojtësin e Azem Sylës, avokatin Tomë Gashi, sipas këtij të fundit, se kishte mbyllur hetimet ndaj Azem Sylës, i njohur me nofkën e luftës “Daja”.

Sipas letrës, mbrojtja ishte informuar se që nga data 25 tetor 2012 Syla nuk ishte nën hetime.

Me kodin e procedurës penale, prokuroria ka në dispozicion deri në dy vjet për hetime. Sipas avokatit Tomë Gashi, hetimet ndaj Sylës kishin nisur në tetor 2010 pas deklaratave të dëshmitarit Nazim Bllaca. Nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur ndaj tij.

EULEX-i pati thënë se nuk komenton nëse dikush është nën hetime ose jo.

Vetë Azem Syla, para gazetarëve, mbylljen e hetimeve e kishte quajtur “një e mirë e përgjithshme”.

Në gusht 2012, Azem Syla kishte dhënë dorëheqje prej detyrës së kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në mars, po atë vit, Syla ishte urdhëruar të lëshonte Zvicrën.

Një gjykatë e këtij shteti kishte lëshuar urdhër dëbimi pasi kishte gjetur se Syla kishte bërë shkelje të rënda të ligjeve të Zvicrës.

“Vetë Azem Syla, para gazetarëve, mbylljen e hetimeve e kishte quajtur “një e mirë e përgjithshme”.

Gjatë vitit 2011 dhe 2012, sipas Swiss.info, Syla kishte marrë një shumë të konsiderueshme të të hollave – rreth 450,000 franga zvicerane – i vlerësuar se nuk kishte mundësi të punojë.

Pagesat ndaj tij janë ndaluar kur autoritetet zvicerane kuptuan se Syla punon si deputet në Kuvendin e  Kosovës.

Përveç kësaj, Syla kishte punuar edhe si ish-Ministër mbrojtje në Qeverinë e Përkohshme të ngritur nga UÇK-ja më 1999 dhe kishte marrë pjesë atë vit në Konferencën e Rambujesë si anëtar delegacioni nga Kosova.

Syla, në një intervistë për RTK-në, atë vit kishte insistuar se të gjitha ndihmat që i kishte marrë nga shteti zviceran, i kishte marrë “në mënyrë të rregullt”.

Përfshirja e ShIK-ut

Në aktgjykimin e trupit gjykues tek pjesa “Motivi, Azem Syla dhe përfshirja e ShIK-ut”, gjykata, ndër të tjera për Nazim Bllacën dhe lidhjen e tij me ShIK-un, thotë: “Aktivitetet filluan nga korriku i vitit 1999 dhe përbëheshin nga kërcënime, rrahje, vrasje të personave që ishin kundër ShIK-ut, eliminimi i ish-bashkëpunëtorëve dhe dëshmitarëve të Hagës”.

“Zinxhiri komandues i Nazim Bllacës ishte Fahredin Gashi, Shpresim Uka dhe Azem Syla. Urdhrat e përditshëm i merrte nga Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka”.

“Nazim Bllaca nuk ishte në gjendje t’ju përgjigjej pyetjeve të detajuara mbi strukturat më të larta ose mbi organizimin e ShIK-ut … mosdija e strukturës deklarohet nga vetë Nazim Bllaca. Ai ishte vetëm ‘një person i vogël”, thuhet në arsyetimin e trupit gjykues.

Por, trupi gjykues vazhdon me arsyetimin duke thënë se “deklarata e Nazim Bllacës duket të lidhet me ShIK-un…”.

Gjykata përmend edhe fakte tjera në lidhje me këtë.

Për shembull, plagosja e të pandehurit Driton Hajdari kishte bërë që grupi të lajmëronte Fatmir Xhelilin (deputet aktual i PDK-së), i cili nga Kadri Veseli në dëshminë e tij ishte përmendur si udhëheqës i sektorit të luftimit të krimit të organizuar. Këtë e kishte mbështetur edhe vetë Xhelili në deklaratën e dhënë para trupit gjykues.

“Kur Driton Hajdari u plagos në incidentin e përshkruar në pikën 2 të aktakuzës, ishte e rëndësishme të kontaktohej Fatmir Xhelili për shkak të pozicionit të tij në ShIK, krahas funksionit të tij si mjek”, shkruan në aktgjykim.

Në arsyetim gjykata përmend edhe dëshminë e Kadri Veselit ku ai kishte treguar për funksionimin e ShIK-ut – se kishte pasur katër drejtori dhe se ai vetë i kishte raportuar direkt Hashim Thaçit, gjatë kohës së qeverisë së përkohshme.

“Zinxhiri komandues i Nazim Bllacës ishte Fahredin Gashi, Shpresim Uka dhe Azem Syla. Urdhrat e përditshëm i merrte nga Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka.

Mirëpo Veseli kishte mohuar që Azem Syla ose ndonjëri nga të pandehurit, përfshirë edhe Nazim Bllacën, të kenë qenë anëtarë të strukturave të ShIK-ut. Këtë deklarim ia kishte mbështetur edhe Fatmir Xhelili.

Sa i përket mohimit nga Kadri Veselit se Azem Syla nuk ishte anëtar i ShIK-ut, gjykata thotë se prej dëshmisë së tij “asnjë përgjigje definitive nuk mund të nxirret”.

Por gjykata shton se “dëshmia e Nazim Bllacës e lidh Azem Sylën me ShIK-un”.

Kadri Veseli kishte mohuar çdo aktivitet kriminal të ShIK-ut, por për gjykatën kjo pritej dhe se “asnjë përfundim nuk mund të nxirret nga mohimi i tij”.

Tutje, gjykata thotë se “Azem Syla ishte komandanti i UÇK-së dhe si i tillë ishte komandant i ZKZ/G2, që u pasuan nga ShIK-u kur mbaroi lufta dhe që punësoi shumicën e personelit të ZKZ/G2, sipas dëshmisë së Naim Miftarit”.

Naim Miftari, ishte një agjent tjetër i vetëshpallur i ShIK-ut, i cili para gjykatës kishte thënë se ai kishte punuar në atë organizatë.

Konkludimi i fundit i gjykatës ishte se Azem Syla urdhëroi dhe organizoi veprimet që të pandehurit po akuzohen por shtoi se gjykata nuk e ka kaluar dyshimin e arsyeshëm që edhe ShIK-u ishte i përfshirë në këto ngjarje duke thënë se kjo ka qenë e mundur.

“Gjykata konkludon se, megjithëse incidentet e përshkruara në aktakuzë u organizuan dhe u urdhëruan nën ombrellën e Azem Sylës, nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ShIK- ishte përfshirë, megjithëse kjo është e mundshme”.

Mbrojtja e të pandehurve në këtë çështje është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit pritet të sjell vendim lidhur me fatin e këtij aktgjykimi.

ShIK-u, anëtarët dhe biznesi

Mbyllja e SHIK-ut ishte deklaruar më 14 qershor 2008.

Më 20 qershor 2012, gjatë një dëshmie në rastin “Bllaca II” në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i ftuar nga prokuroria, Kadri Veseli kishte thënë se para të merrte detyrën si shef i SHIK-ut në mars të 1999-ës kishte qenë shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas Veselit, Shërbimi Informativ i Kosovës kishte nisur të funksiononte në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës deri në janar të vitit 2000.

Nazim Bllaca, vrasësi i vetë-deklaruar dhe tani dëshmitar, pohon se ka kryer vrasje në emër të SHIK-ut dhe se ka qenë anëtar i kësaj organizate. Veseli i ka mohuar në gjykatë të gjitha akuzat e Nazim Bllacës që e ndërlidhin SHIK-un duke e quajtur gënjeshtar dhe po ashtu ka mohuar që Bllaca ka qenë anëtar i kësaj organizate. Të njëjtën gjë, Veseli në gjykatë e ka bërë edhe për Naim Miftarin — një person tjetër që është deklaruar si pjesëtar i SHIK-ut dhe që ka dhënë deklarata në cilësinë e dëshmitarit në rastin “Bllaca II”.

Sipas një skeme që Veseli ia kishte dorëzuar gjykatës, ai ishte numri një i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe pasohej nga Elmi Reqica si zëvendësshef i SHIK-ut. Reqica tani është deputetet në Parlamentin e Kosovës nga PDK. Latif Gashi, po ashtu tash deputet i PDK-së, ishte Drejtor i Përgjithshëm e deputeti tjetër i kësaj partie Fatmir Xhelili udhëhiqte Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në SHIK. Po ashtu një deputet tjetër i PDK-së Fadil Demaku udhëhiqte drejtorinë kundër terrorizmit e ish-drejtori i Trepçës Ferat Shala udhëhiqte drejtorinë e Intelegjencës, ndërsa Ilmi Ramadani udhëhiqte Drejtorinë e Informimit e Analizave.

Sipas Veselit, SHIK-u kishte 32 anëtarë kur ishte ngritur ndërsa 92 më 2008.

Më 6 gusht 2012, kryetari i komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Florin Krasniqi, kishte bërë të ditur se kishte mbledhur 27 nënshkrime të deputetëve për të ngritur një komision për hetimin e aktiviteteve të Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK). Duheshin 40 nënshkrime për ngritjen e tij.

“Sipas Veselit, Shërbimi Informativ i Kosovës kishte nisur të funksiononte në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës deri në janar të vitit 2000.

Ndërkohë, Gazeta Jeta në Kosovë kishte zbuluar në muajin mars 2012 se Kadri Veseli më parë kishte në bashkëpronësi një kompani në Zvicër që merrej me tregtinë e kompjuterëve me emrin “FK Computers” ndërsa kishte shërbyer për vite edhe si shef ekzekutiv i kompanisë “Kobit PC” në Kosovë.

Në shtator 2012, gazeta ka zbuluar edhe se kompania “Kobit PC”, kishte kontrata për furnizim me pajisje teknologjike me Zyrën e Kryeministrit dhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Ndër konsumatorët privatë të Kobit PC ndërkohë, sipas faqes së saj në internet, ishte edhe “Kosova Petrol”, pronë e Bedri Selmanit, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK-ja dhe ish-këshilltar i Hashim Thaçit. Selmani po ashtu është pronar i “Hotel Victory”, ku është mbledhur partia e Kryeministrit aktual në kuvendet e saj dhe që sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) është ndërtuar kundërligjshëm në pronë shoqërore. Hotel Victory përmendet në aktgjykimin në fjalë.

Në muajin prill 2012, gazeta po ashtu kishte raportuar se Bedri Selmani ka përfituar nga shfrytëzimi i më shumë se 20 pompave të naftës që i takonin ndërmarrjes shoqërore “INA” pa paguar asgjë për dhjetë vjet, duke i dëmtuar kështu institucionet e Kosovës me mbi katër milionë euro.

Më 25 qershor 2012 Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar një hulumtim që zbulonte se një kompani në Drenas “Trasing Group” që këshillohej nga Ferat Shala, ish-drejtor kundërzbulimi në SHIK, dhe që kishte për menaxher të kompanisë një deputet të PDK-së në asamblenë e komunës, kishte fituar 15 tenderë publikë nga komuna, disa prej të cilave ishin kritikuar nga autoritetet relevante. Shala kishte dhënë dorëheqje nga “Trepça” më 13 korrik 2012.

Prokurime publike nga komuna e udhëhequr prej të vëllait të tij kishte fituar edhe një kompani tjetër që këshillohet nga deputeti Fadil Demaku, “Ada Consulting Group”. Fadil Demaku ishte drejtor i kundër-terrorizmit në SHIK.