Suspendohet Gjyqtari- Akuzohet për Deklarim të Rrejshëm

Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore të Gjilanit ka konfimuar suspendimin e gjyqtarit Berat Spahiu.

“ Prokuroria e Pizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit Berat Spahiu nën dyshimin se ka kryer veprën penale deklarim i rrejshëm. Për këtë kam marrë vendim mbi suspendim”, tha Haziri.

Sipas Hazirit  ishte Komisioni Disiplinor i KGJK-së që ka rekomanduar suspendimin me pagesë derisa lënda penale të kryhej.

Haziri tha se gjyqtari ka qenë i mirë dhe profesional gjatë kryerjes së detyrës së tij.

“Tash të gjitha gjykimet në emër të tij janë shtyrë në kohë të pacaktuar”,tha Haziri.

Ndërkohë gjyqtari Berat Spahiu, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, tha se bëhet fjalë për një keqkuptim .

“ Besoj që ky  keqkuptim do të sqarohet  në gjykatë “, deklaroi Spahiu.

Ai tha se në aktakuzën kundër tij përmendet se vetura e blerë ka vlerën prej 5 mijë e 600 eurosh dhe shuma e përmendur bazohet në katalogun doganor.

Spahiu thotë se aktakuza është ngritur bazuar në kallëzimin penal nga Agjencia Kundër Korrupsion. Sipas tij AKK-ja pretendon se nuk është deklaruar saktë vlera e veturës në deklarimin e pasurisë për vitin 2012.

Por Spahiu thotë se vetura e tij ka vlerë më të vogël dhe se nuk ishte ai që e ka bërë zhdoganimin e saj.

 “ Ata kanë theksuar se unë e kam bërë doganimin e tij, kurse Dokumenti Unik Doganor tregon se tjetërkush e ka bërë doganimin, këtu qëndron moskuptimi” tha gjyqtari Spahiu.

“Unë e kam kontratën që i kam dhënë 2 mijë e 500 euro dhe  një Golf 2 të vitit 1987 me vlerë afër 1 mijë e 200 euro”, tha Spahiu.

 Berat Spahiu është emëruar gjyqtar në vitin 2010 dhe ka gjykuar lëndët nga lëmia civile.