Fotografia e Ron Haviv e një prej luftëtgarëve të Arkanit duke shkelmuar trupat e viktimave të serbëve paraushtarakë në Bijeljina në prill 1992. Foto: Ron Haviv/VII.

Sundim terrori: Tigrat e Arkanit dhe fillimi i luftës së Bosnjës

Sulmet brutale nga paraushtarakët serbë të Arkanit ndaj civilëve të paarmatosur që jetonin në qytetin e Bijeljinës, të kapura në fotografi që tronditën botën, sinjalizuan fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë 30 vjet më parë.

Dzenita Mulabdiç dhe burri i saj Muhamedi po jetonin një jetë të kënaqur në qytetin verilindor të Bosnjës, Bijeljina, në vitin 1992, duke pritur me padurim ardhjen e një fëmije tjetër. Djali i tyre Adnani ishte dy vjeç e gjysmë dhe Dzenita ishte sërish shtatzënë.

Mulabdiç kujton momentin e saktë kur gjërat ndryshuan për ta pasi dëgjuan babain e Muhamedit të thoshte se ndjente një atmosferë të çuditshme në qytet dhe u tha atyre që “të shkonin në shtëpi sa më shpejt të ishte e mundur”.

Teksa ecnin nëpër qytet, ata dëgjuan të shtëna. “Ndjeva se Muhamedi im ishte shumë nervoz, por qëndruam në apartament. Gjithçka ishte normale, përveçse dëgjonim herë pas here të shtëna”, tha Mulabdiç.

Në fillim të prillit 1992, ata u transferuan në shtëpinë e prindërve të burrit të saj. Gjatë ezanit nga një xhami aty pranë më 2 prill, ushtarët trokitën në derën e tyre dhe në derën e fqinjëve të tyre Redzep dhe Tifa Sabanoviç. Teksa po dilnin nga shtëpia, Mulabdiç tha se djali i Sabanoviçëve Admiri doli para saj.

“E qëlluan me qytën e pushkës dhe e morën me vete. Teksa ecja nëpër korridor, pashë një pellg me gjak. Shkova automatikisht në hyrjen e tyre dhe kur hodha sytë përreth, pashë Redzepin të shtrirë me fytyrë poshtë në të djathtë, me kokën të mbuluar me gjak. Tifa donte të shkonte tek ai, por në atë moment pati një breshëri me armë nga xhamia matanë rrugës”, tha ajo.

Mulabdiçi priste që ushtarët ta qëllonin edhe atë, por ata e kthyen brenda kur ajo tha se ishte shtatzënë.

“Hyra në shtëpi dhe pashë që ishte plot me ushtarë. Ata nuk kishin maska, kështu që shihej qartë se ishin njerëzit e Arkanit”, kujton ajo.

Luftëtarët serbë – njerëzit e Arkanit, anëtarë të njësisë paraushtarake të kriminelit famëkeq serb Zeljko ‘Arkan’ Raznatoviç – e lanë atë dhe burrin e saj të dilnin jashtë, ku ajo pa fqinjët e saj Redzep dhe Tifa të shtrirë në trotuar.

Fotografia e fotografit Ron Haviv e Redzep dhe Tifa Sabanoviç të shtrirë aty teksa një nga njerëzit e Arkanit shkelmonte trupat e tyre do të bëhej më vonë një nga imazhet më të njohura të luftës në Bosnje.

“Dëgjova Tifën të qante, që do të thotë se ajo nuk kishte vdekur ende”, tha Mulabdiç. Më pas, luftëtarët e morën atë dhe disa gra të tjera dhe i futën në një shtëpi tjetër.

“Pas kësaj dëgjuam të shtëna. Ndoshta atëherë ata vranë Admirin dhe Muhamedin tim”, tha ajo.

Ajo tha se ka dhënë dëshmi për atë që ka parë tek hetuesit e Gjykatës së Hagës, por askush nuk është dënuar për vrasjen e burrit të saj. “Është e dhimbshme që askush nuk është dënuar ndonjëherë për këtë”, tha ajo.

Ashtu si shumë boshnjakë të tjerë që u dëbuan në vitin 1992, ajo nuk është kthyer më në shtëpinë që la pas.

“E vizitoj Bijeljinën, por gjërat atje kanë ndryshuar. Nuk është më i njëjti qytet. Vetëm pak njerëz janë kthyer atje, sepse rrugët madje janë emërtuar me emrat e njerëzve që kanë kryer krime gjatë luftës”, shpjegoi ajo.

“Prova e fundit për luftën”

Fotografia e Ron Haviv e një prej luftëtgarëve të Arkanit duke shkelmuar trupat e viktimave të serbëve paraushtarakë në Bijeljina në prill 1992. Foto: Ron Haviv/VII.

Dhuna në Bijeljina, afër kufirit të Bosnjës me Serbinë, shënoi fillimin e armiqësive në luftën në Bosnje. Rrethimi i Sarajevës filloi pak më vonë.

“Bijeljina ishte prova e fundit për luftën boshnjake. Ata bënë në Bijeljina atë që bënë më vonë në qytetet e tjera”, tha gazetari dhe autori Jusuf Trbiç, i cili ishte drejtor i Radio Bijeljina në atë kohë dhe libri i të cilit “Mjeshtrit e errësirës” u përdor më vonë si provë në gjyqin e Radovan Karaxhiçit.

Një nga rrugët më të gjata në Bijeljina, e cila kalon pranë vendit ku jetonte Dzenita Mulabdiç deri në zonën e qendrës së qytetit, që atëherë ka marrë emrin e njësisë së Arkanit, Garda Vullnetare Serbe.

Raznatoviçi u padit nga prokurorët në Hagë, por u vra në Beograd në vitin 2000 para se të dilte në gjyq. Vetëm një anëtar i njësisë së tij është dënuar.

Trbiç tha se emërtimi i një rruge me emrin e njësisë, të njohur gjithashtu si Tigrat e Arkanit, i kujton atij foton e trupave të pajetë të Ron Havivit përpara shtëpisë së familjes Sabanoviç. Trbiç i pa kufomat vetë atë ditë kur u dërgua me forcë në selinë e Arkanit.

“Kur i pashë ata njerëz teksa kaloja, m’u drodhën këmbët”, tha ai, duke treguar vendin ku Haviv bëri fotografinë. “Për shkak të asaj fotoje, e cila ishte një simbol i vërtetë i luftës kundër Bosnjës, rasti i Bijeljinës u bë i njohur gjerësisht.”

“Erdhën kamionë që të na largonin”

Pavarësisht ekzistencës së provave si fotografitë e Ron Haviv, Trbiç është i pakënaqur me faktin se pak njerëz janë ndjekur penalisht për krime lufte në zonën e Bijeljinës, veçanërisht ato të kryera në kampin e paraburgimit aty pranë Batkovic, i cili u krijua nga forcat serbe të Bosnjës më 1 prill 1992.

Sipas prokurorisë shtetërore të Bosnjës, 1700 civilë joserbë dhe robër lufte u mbajtën në kamp. Shoqata e të burgosurve nga kantoni i Tuzlës vlerëson se 80 prej tyre janë vrarë.

Midis atyre që u dërguan në kampin Batkovic në shtator 1994 ishte Mehmed Djeziç nga qyteti i Janjës, në periferi të Bijeljinës. Ai u nda nga gruaja dhe dy djemtë dhe kaloi gati 11 muaj i burgosur në kamp.

Para kësaj ai u mbajt fillimisht në një shkollë në Brijest, afër Pribojit: “Nuk kishte ujë. Kushtet ishin mizore. Shtatë ditë më vonë, kamionët erdhën për të na çuar në një vend tjetër, por ne nuk e dinim se ku”, kujton ai.

Ai dhe më shumë se 100 të burgosur të tjerë u dërguan më pas në Suho Polje, afër Bijeljinës, ku u mbajtën për pesë ditë. “Gjatë atyre pesë ditëve na dhanë vetëm një fetë bukë dhe dy-tre dardha të vogla. Na sollën vetëm ujë të pijshëm. Kemi fjetur në dyshemenë prej betoni”, tha Djeziç.

Më në fund ai u transferua në kampin e paraburgimit në Batkovic. “Kushtet e jetesës ishin të rënda, kishte minj që na kalonin sipër. Tualetet ishin katastrofë, racionet ushqimore ishin të pakta”, tha ai. “Njerëzit çoheshin çdo ditë për të bërë punë të detyruar. Vinte një kamion dhe thoshin se duheshin 20 veta. Ata zgjidhnin njerëzit. Ti, ti dhe ti. I çonin në vijën e parë të frontit.”

Gjykatat boshnjake kanë dënuar vetëm disa persona për kryerjen e krimeve në kampin e paraburgimit në Batkovic. Njëri prej tyre ishte ushtari serb i Bosnjës, Gligor Begoviç, i cili u shpall fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve dhe rrahje dhe abuzim seksual të të tjerëve. Gjykatësi tha se dëshmitarët e përshkruan Begoviçin si “më gjakatarin nga të gjithë rojet” në kamp.

Një gjykatë serbe dënoi tre ushtarë serbë të Bosnjës, Dragan Joviç, Zoran Djurdjeviç dhe Alen Ristiç për vrasjen, përdhunimin dhe grabitjen e boshnjakëve në Bijeljina në vitin 1992.

Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, krimet e kryera në Bijeljina u përfshinë në vendimet që dënonin zyrtarët serbë të Bosnjës të kohës së luftës Radovan Karaxhiç, Momçilo Krajisnik, Biljana Plavsiç dhe Mico Stanisiç.

Mirza Buljubasiç, asistent profesor në Departamentin e Kriminologjisë të Fakultetit të Drejtësisë Penale, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë të Universitetit të Sarajevës, tha se hetimet dhe vendimet e Gjykatës së Hagës përmbajnë prova që mund të përdoren ende nga zyrat e prokurorisë në Bosnje dhe Hercegovinë për të ngritur çështje për krimet e kryera në Bijeljina – nëse ka vullnet për ta bërë këtë.

“Nuk mund të thuhet se të gjitha rastet janë të pamundura për t’u zgjidhur për shkak të mungesës së provave, por për shkak të kufizimeve dhe vështirësive në dhënien e drejtësisë dhe mënyrës se si trajtohen përgjegjësit e krimeve – pasiviteti dhe refuzimi i tyre për t’i quajtur krimet me emrin e tyre të vërtetë dhe për të ofruar drejtësi për viktimat. Ekziston një paaftësi për t’u pajtuar me të kaluarën”, tha Buljubasiç.

“Kriminelët lavdërohen”

Ish i burgosuri Mehmed Djeziç në Bijeljina. Foto: BIRN.

Ish i burgosuri Mehmed Djeziç ishte një nga joserbët e parë që u kthye në qytetin e Janjës, afër Bijeljinës, pas përfundimit të luftës.

“Meqë isha një i burgosur i regjistruar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, mund të kisha shkuar diku tjetër, por nuk doja. Kam aspiruar gjithmonë të kthehem. U ktheva me ndërgjegje të pastër dhe duar të pastra, sepse nuk i bëra asnjë të keqe askujt. Ata që më kanë dëmtuar duhet të turpërohen, jo të nderohen”, tha ai.

Autoritetet lokale në Bijeljina, Garda Vullnetare Serbe e komandantit Arkan ka një rrugë që mban emrin e saj, por viktimat e luftës nuk kanë memorial dhe vuajtjet e tyre nuk përkujtohen zyrtarisht.

“Pikërisht e kundërta – krimet dhe kriminelët lavdërohen përmes revizionizmit historik, dhe traumat kolektive përjetësohen dhe trashëgohen te brezi i pasluftës”, tha Buljubasiç. “Në këtë mënyrë, Bijeljina nuk është shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe Hercegovinës, megjithëse ka karakteristikat e saj specifike.”

Djeziç tha se ndihet keq kur i duhet të ecë nëpër rrugën që mban emrin e Gardës Vullnetare Serbe: “Nuk është shumë e këndshme.”

Ai tha se gjëja më e keqe në lidhje me një sërë incidentesh me motive etnike në Janja vitin e kaluar, kur njerëzit hapën zjarr nga një kolonë makinash pranë xhamisë lokale dhe vandalët spërkatën një logo serbe mbi xhami, ishte se të rinjtë ishin të përfshirë në të, gjë e cila trgon se narrativat e urrejtjes janë ende gjallë.

“Më shumë se çdo gjë kam frikë për të rinjtë, për fëmijët dhe nipërit e mi”, shpjegoi ai.

Gazetari Jusuf Trbiç paralajmëroi se joserbët që janë kthyer në këtë qytet me shumicë serbe që nga përfundimi i luftës po largohen përsëri, pjesërisht për shkak se të dyshuarit për krime lufte ende jetojnë të lirë dhe nuk ka më besim tek autoritetet për t’i sjellë ata para drejtësisë.

“Sapo pashë një burrë në rrugë, i cili dikur ishte në Gardën Vullnetare Serbe të Arkanit dhe që kishte për detyrë të vriste civilët e kapur dhe të ndaluar”, tha Trbiç.

“Ai ishte ulur i qetë në qendër të qytetit, duke shijuar diellin.”