Asambleja Komunale e Obiliqit. Foto: KALLXO.com

Sulltan Murati Përçan Asamblenë e Obiliqit

Përpara ngrihet një oxhak gjigant. Afër tij një edhe më i trashë. Tymi dhe avujt që derdhen prej tyre ta japin ndjenjën e të ngulfaturit. Është vetëm psikologjike ngulfatja, por ama për të ndotur ndotin shumë, nëse merren për bazë raportet nga shoqëria civile dhe ankesat e banorëve.

Sa më shumë afrohesh aq më të mëdha bëhen oxhaqet. Pastaj shfaqet një ndërtesë e stërmadhe, e cila nga jashtë vërehet që është e papërdorshme. Xhama të thyer në disa anë të saj. Të thuash “e harruar” nuk është se e tepron me letrarizim. Vërtet, duket si e veshur me ç’ti ketë qëlluar.

Ekipi ynë kishte mbërritur më herët. Kësisoj, koha premtonte për një shëtitje të vogël. Asistenti i kryetarit të Obiliqit që kishte një komunikim të mirë me të gjithë, përfshirë monitoruesin tonë dhe stafin e kameramanëve që përgatisnin sallën, më ofroi një shëtitje.

Me të dalë nga ndërtesa ngrihet përpara një xhami nga këto modernet, që janë disi si dyqane me xhama reflektues, por që për t’u bërë xhami, u shtojnë minaret.

Kërkoja të dija në cilën anë të shkonim pasi koha nuk lejonte një shëtitje të plotë në të dy anët e qytetit. Plot siguri, asistenti na priu djathtas duke shpjeguar që në anën e majtë s’gjen gjë interesante veç disa kafeneve që frekuentohen nga “gjinia mashkullore”.

Me fjalë të tjera, ato ishin çajtore ku rrinë burra të moshës së pjekur dhe natyrisht, gratë s’para lejohen në të tilla ambiente.

Shumë shpejt përpara nesh ndodhej kafeneja “Sleep”, ku ajri ishte mbytës nga tymi, i cigareve jo i termocentralit. Vërtetë ishte përplot “gjini mashkullore” veçse më e re në moshë. Këtu m’u shpjeguan disa gjëra domethënëse për Obiliqin.

Zyrtarët prisnin që së shpejti të aprovohej Ligji për Obiliqin e i cili do ta përmirësonte jetën e qytetarëve të kësaj qyteze industriale. Energjia elektrike, vjen si shembull, do të jetë 50% më e lirë në këtë komunë.

Pastaj 20% të taksave që merren nga termocentrali do t’i shkojnë kësaj komune. Prioritet për punësimet në industrinë e prodhimit të energjisë elektrike do të jetë vendbanimi në Obiliq. Madje edhe kontrollet mjekësore të të gjithë qytetarëve të komunës do të jenë rutinore.

Këto dhe shumë të tjera do t’i shpjegonte me sy që shkëlqenin asistenti po të mos bëhej koha për nisjen e debatit në asamblenë e komunës.

Kryetari i komunës Xhaferr Gashi vjen nga AAK, e cila e qeveris këtë komunë për herë të parë. LDK që është në opozitë ka 5 asamblistë, AAK ka 4 asamblistë, PDK 4, LB po ashtu 4, VV, PD, DI dhe Srpska nga 1 asamblist.

Në sallë nisi debati dhe u paraqitën premtimet për ndërtimin e urave të cilat as që ia kishin nisur, e kryetari Gashi nuk pranonte të jepte datën e përfundimit të urave. Flitet këtu për ura të vogla që do të mund të ishin kryer për dy vjet.

A është kjo njëfarë strategjie që po e përdorin kryetarët, që disa projekte t’i lënë për fund me qëllim që qytetarët t’i kenë të freskëta kujtimet para dhe pas, apo është mosorganizim i punës?

Pothuajse në çdo komunë ka projekte të tilla që diskutohen ashpër mes pozitës e opozitës.

Por opozita këtu akuzoi për nepotizëm, po ashtu. Thanë se drejtori i Arsimit ka të punësuara 2 vajza, një në shkollë, një në komunë.

E drejtoresha e kulturës e akuzuar po ashtu për nepotizëm, sikur për të dhënë arsye, tha se është e vërtetë që i ishte punësuar kunata, porse ajo ka edhe 4 motra e 3 vëllezër të papunë.

Kjo çështje është ngritur disa herë nëpër komuna të ndryshme, dhe të shtyn të mendosh, e sidomos për komuna të vogla si këto.

A është moralisht (dhe ligjërisht) korrekte që dikush të punësohet gjatë mandatit të të atit a ndonjë tjetër të afërmi nëpër pozita publike?

Papunësia në vend prej 45% dhe pamundësia për t’u punësuar në sektori privat nëpër këto komuna të vogla ‘legjitimon’ punësimet. Por diskutimet, gjithsesi që vazhdojnë, a ndikojnë edhe që të përmirësohet sistemi?

Një tjetër akuzë interesante ishte për mosndërtimin e shtëpisë së kulturës. Në fakt, Ambasada Turke, siç u tha nga vet kryetari Gashi, kishte ofruar një donacion për ta ndërtuar një shtëpi kulture, por paskësh shprehur dëshirën që ajo ta mbante emrin Sulltan Murati. Është fjala për Sulltanin që shkruhet se u vra në vitin 1389 në Betejën e Kosovës nga Millosh Obiliqi.

A është kjo një tentativë për ta rikthyer Muratin e vrarë në Obiliq si triumfues? Këtë s’e kishte thënë ambasada, por në debat merrej vesh se projekti ishte refuzuar, e si rrjedhim Obiliqi ishte pa shtëpi të kulturës.

Për LDK-në kjo ishte budallallëk pasi ata mendonin se duhej shfrytëzuar fondi, por kryetari ua ktheu prerë duke thënë se nuk do të lejonte të kthehej Murati në Obiliq.

Murati nuk do të kthehet në Obiliq me siguri, por ajo që mbetet e pasigurt është a do të ketë Obiliqi shtëpi të kulturës, ashtu siç kryetari kishte premtuar gjatë zgjedhjeve?

Kur u pyet dha një përgjigje që ma ktheu ndërmend filmin “Inception”. Tha se premton që do t’i mbajë premtimet. Tingëlloi sikur në ato ëndrrat, kur sapo zgjohesh merr vesh se prapë je në një ëndërr, prapë në një tjetër, deri në rizgjimin përfundimtar.