Subvencionimi i biznesit nga xhepi i qytetarit: Si të parandalohet shtrenjtimi i rrymës?

“Mos na raftë me harrue” – është një thënie popullore që përdoret kur ka ndonjë fatkeqësi apo krizë nëpër familjet tona. E kam shumë për zemër si thënie sepse flet shumë e ka një domethënie që të bën të meditosh saherë që e dëgjon.

Të njëjtën e kam thënë me vete derisa e lexoja raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës që tregon se çmimet e konsumit në vitin 2021 ishin rritur për 6.7%, një prej inflacioneve më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë. 

Fatkeqësisht, nuk ka shkuar gjatë kur e kam zënë veten duke thënë se “kemi me harru vitin 2021, çka ka me qenë viti 2022 për qytetarët e Kosovës”, kur e kam kuptu kërkesën e KEDS-it dhe KESCO-s për dyfishim të çmimit të energjisë elektrike. Si një gazetar që e kam përcjellë procesin e vendosjes së tarifave të energjisë tash e 15 vjet, isha i vetëdijshëm që kërkesat e këtyre dy kompanieve nuk do të miratohen në plotëni. Por, po ashtu jam i vetëdijshëm që disa prej arsyeve pse është kërkuar shtrenjtimi i energjisë janë të qëndrueshme.

Tashmë e kemi propozimin e parë të ekspërtëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin 2022, të cilat do të sigurojnë për KESCO-n të hyra prej 446 milionë euro për këtë vit. KESCO me këto mjete do të blejë energjinë e prodhuar nga KEK-u dhe gjithë energjinë e ripërtritshme si dhe do të importojnë energjinë e nevojshme për të mbuluar kërkesën për energjinë.

Përveç kësaj, KESCO do të paguajë KOSTT-in dhe KEDS-in për shfrytëzim të aseteve të tyre, pra telave dhe pajisjeve të tjera që mundësojnë furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Këto mjete do të grumbullohen nga qytetarët e Republikës së Kosovës që janë konsumatorë të KESCO-s, në përjashtim të qytetarëve që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe. Pra, kryeministri Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se dikush duhet të paguajë në mënyrë që t’i sigurohen të hyrat e lejuara KESCO-s, që sistemi energjetik të vazhdojë të funksionojë. 

Më shumë se sa rritja e buxhetit të KESCO-s, zhurmë ka krijuar ndryshimi i propozuar nga ZRrE-ja për kthim të bllok-tarifave. Propozimi i ri i Rregullatorit do të thotë që secili do të paguajë për koston që i shkakton sistemit energjetik. Pra, ai që konsumon shumë, paguan me çmimet e importit të energjisë. Të paktën ky është synimi i tyre i proklamuar. 

Subvencionimi i bizneseve

Në propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë janë disa konkludime që bien në kundërshtim me njëra tjetrën. Po ashtu janë disa të dhëna që në parim nuk janë duke dhënë rezultatin e proklamuar.

Fillimisht duhet thënë se subvencioni nga Qeveria e Kosovës i një pjese të importit të energjisë është gjë e mirë. Shtrenjtimi eventual i tarifave për bizneset do të shkaktonte një rritje zinxhirore të çmimeve të produkteve tëë tjera. E dyta, bizneset ndër vite kanë paguar tarifa më të larta se sa amvisëria. Shembull, deri më tash një konsumator shtëpiak që ka shpenzuar 2,000 kilovatë në muaj: 800 kilovatë me të lirë dhe 1,200 të tjera me tarifën e shtrenjtë, ka paguar një faturë prej 114 euro në muaj.

Ndërsa, për të njëjtat shpenzime, një biznes ka paguar një faturë prej 187 euro. Deri më tash, bizneset kanë paguar më shtrenjtë rrjedhimisht ato e kanë paguar një pjesë të kostos së energjisë që është shpenzuar nga konsumatorët shtëpiakë.

Por, kjo do të ndryshojë nëse bllok-tarifat miratohen siç janë propozuar nga ZRrE-ja. Tashmë, do të jenë konsumatorët shtëpiakë, pra familjet kosovare që do të paguajnë një pjesë të energjisë elektrike që shpenzohen nga bizneset. Bizneset edhe me propozimin e ri do të vazhdojnë të paguajnë 187 euro nëse i konsumojnë 2,000 kilovatë. Por, konsumatorët shtëpiakë që kanë të njëjtin shpenzim do të paguajnë hiq më pak se 199 euro.

Diferenca rritet edhe më shumë nëse shpenzimi i konsumatorëve shtëpiakë është më i lartë. Nëse supozojmë që një biznes shpenzon 4,000 kilovatë, ai do të paguajë një faturë prej 372 euro. Ndërsa, një konsumator shtëpiak për të njëjtin shpenzim do të paguajë hiç më pak se 434 euro.

Tash dikush mund të thoshte që nuk ka familje që shpenzon kaq shumë. Edhe mund të jetë e vërtetë, por e vërteta është se ka shumë biznese që shpenzojnë shumë më shumë se sa 4,000 kilovatë në muaj. Ka biznese që kanë fatura deri në 10 mijë e 20 mijë euro në muaj. Pyetja logjike do të ishte, pse familjet kosovare duhet të penalizohen duke paguar 14 centë kilovatin nëse shpenzojnë mbi 600 kilovatë, e për bizneset nuk ka një asnjë limit. Kjo është shqetësuese sidomos kur dihet që  KESCO ka të njëjtën kosto për furnzim të konsumatorëve shtëpiakë dhe bizneseve.

Çështja bëhet edhe më problematike kur dihet që një pjesë e bizneseve, nëse do të ishte respektuar ligji do të duhej të ishin në tregun e lirë. Në bazë të udhëzuesit për liberalizim të tregut të ZRRE-së, një pjesë e madhe e bizneseve do të duhej të ishin në tregun e lirë në fund të vitit 2017 dhe 2018. Sikur këto biznese të ishin në tregun e lirë, ky shtrenjtim i energjisë nuk do të ndodhte sepse do të kishte më pak nevojë për të importuar rrymë për furnizim të konsumatorëve shtëpiakë.

Në asnjë kalkulim, fatura e konsumatorëve shtëpiakë nuk duhet të jetë më e lartë se fatura e një biznesi, sidomos nëse kosto për furnizim më rrymë është e njëjtë për dy konsumatorët. Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të tolerojnë që konsumatorët shtëpiakë t’i subvencionojnë bizneset, një pjesë e të cilëve i kanë rritë çmimet e tyre në vitin e kaluar shpeshherë pa argumente të mjaftueshme se ato reflektojnë rritjen e shpenzimeve të operimit të tyre. ZRrE-ja dhe Qeveria duhet të sigurojnë mjete të mjaftueshme në mënyrë që çmimi që paguajnë bizneset dhe qytetarët të jetë i njëjtë.

Një gjë e palogjikëshme që është pjesë e raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është shtrenjtimi i energjisë që konsumohet gjatë natës. Ky propozim përveç grumbullimit të disa milionave më shumë nuk i kontribon asgjë sistemit. Politikat e proklamuara të Rregullatorit janë që konsumatorët shtëpiakë të kursejnë sa më shumë dhe që energjia elektrike të mos përdoret për ngrohje kur ka alternativa tjera. 

Por, në rastet kur dikush nuk ka alternativë, a nuk do të ishte e udhës që ata konsumatorë të stimulohen që të shpenzojnë energjinë gjatë natës. Shpenzimi gjatë natës ka disa të mira: 1. Në shumë raste prodhojmë më shumë se sa që shpenzojmë rrymë. 2. Edhe në rastet kur duhet të importohet rrymë, çmimi i rrymës pas mesnatës është dukshëm ma i lirë se sa në kohë të pikut. 3. Sistemi energjetik është shumë ma i lirë; qoftë transmisioni apo distribucioni. Pse, Rregullatori nuk i ka stimuluar ata konsumatorë që s’kanë zgjidhje tjetër për ngrohje që t’i lëshojnë kaldajat e tyre natën?

Rregullatori i Energjisë përveç mbulimit të kostove të sistemit të energjisë e ka për obligim që të analizojë nëse konsumatorët mund t’i mbulojë faturat e energjisë.

Propozimi për caktimin e tarifave për dy blloqe është i duhuri sidomos duke marrë parasysh trendin që edhe shtëpi prej 200-300 m2 që janë nëpër fshatra të ngrohen me rrymë. Por, Rregullatori është dashur që të dijë që një pjesë e madhe e konsumatorëve që jetojnë nëpër ndërtesa kolektive nuk kanë opsion tjetër të ngrohjes përveç rrymës.

E nëpër ato banesa fatkeqësisht janë vendosur kaldaja tepër jo-eficiente, përkundër faktit që qeveria e Kosovës tash e disa vjet është e njoftuar me rëndësinë e eficencës së energjisë. Pra, është faj i qeverisë që i ka lejuar ndërtuesit që të vendosin kaldaja jo-eficiente, kur ka pasur opsione që të obligojë dhe stimulojë ndërtuesit që të përdorin kaldaja që prodhojnë më shumë energji termale duke shpenzuar më pak energji elektrike.

Para se të vendosen blloqet tarifore është dashur të ketë një analizë të saktë të shpenzimeve që bëjnë qytetarët që janë nëpër ndërtesa kolektive dhe që ngrohen me rrymë. Kjo analizë ka qenë dashur të na tregojë se sa shpenzon një familje mesatare në një banesë me sipërfaqe mesatare.

E kur të kemi këtë analizë, Rregullatori duhet t’i caktojë blloqet duke i marrë parasysh këta konsumatorë, në mënyrë që fatura e tyre në asnjë rrethanë të mos rritet më shumë se 15%. Ndërsa, jam plotësisht me Rregullatorin kur është fjala për konsumatorët që janë nëpër shtëpi dhe kanë opsione për ngrohje, por kanë vendosur që ta përdorin rrymën për ngrohje; atyre duhet t’u shtrenjtohet rryma.

Nuk është koha që Qeveria e Kosovës të fajësojë qeveritë e 20 viteve të kaluara, e as ta drejtojë gishtin kah KEDS-i apo Zyra e Rregullatorit të Energjisë për këtë krizë. Vetëm pas analizave sa i përket eliminimit të ndër-subvencionimit dhe uljes së tarifave për konsumatorët që ngrohen me rrymë nëpër banesa, Qeveria e Kosovës duhet t’i kryejë detyrat e saj dhe të përdorë secilin instrument që ka në dorë për të neutralizuar sa më shumë rritjen eventuale të çmimit të energjisë.

Tatimi në vlerën e shtuar 

Instrumenti i parë që duhet të përdoret është heqja e tatimit në vlerën e shtuar për energjinë elektrike që aktualisht është 8%. Tatimi në vlerën e shtuar është tatim që paguhet nga konsumatori i fundit, pra qytetari i Kosovës. Secili qytetar kur të paguan një faturë 100 euro, paguan rreth 7.5 euro TVSH e cila shkon në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë TVSH-në zero për energjinë elektrike deri në kalimin e krizës energjetike, përkatësisht deri në uljen e çmimeve të importit të energjisë që parashihet të jetë pranvera e vitit 2023. 

Tantiema

Korporata Energjetike e Kosovës është duke i jetuar vitet më të mira të saj, kryesisht për shkak të krizës së çmimeve. Kjo ndërmarrje, gjatë një pjese të vitit është duke eksportuar energji gjatë natës kur kërkesa për energji në Kosovë është më e vogël se prodhimi. KEK-u paguan rreth 25 milionë euro në Komisionin për Miniera dhe Minerale në emër të tantiemës në qymyr që është rreth 3 euro për ton.

Këto 25 milionë euro shkojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Në kohën kur Qeveria e Kosovës është deklaruar se ka arritur të mbedhë të hyra rekorde është më se e drejtë që këtë pjesë prej 25 milionë euro të mos e mbledhë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, 17% prej të cilëve konsiderohen të varfër. 

Nëse qeveria e Kosovës e heq tantiemën për një kohë të caktuar, atëherë çmimi me shumicë i energjisë elektrike që blihet nga KESCO do të duhet të ulet për atë kosto. E di që dikush mund të thotë, pse t’i ulet çmimi KESCO-s sepse mund të mos e kuptojë qysh funksionon tregu i rregulluar.

Por, ulja e cmimit të shitjes me shumicë nënkupton që ulen fitimet e KESCO-s dhe rrjedhimisht edhe çmimi i energjisë elektrike. Heqja e tantiemës është rreth 6% e tarifave të energjisë.

Fatura e Veriut 

E fundit, po jo më pak e rëndësishme është zgjidhja e problemit të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që nuk paguajnë energjinë e shpenzuar që nga përfundimi i luftës. Në prononcime të ndryshme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka thënë që faturimi i energjisë në atë pjesë mund të nisë në muajin shkurt.

Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria e Kosovës duhet ta vendosë këtë çështje si prioritet në mënyrë që qytetarët e varfër të Kosovës të mos obligohen t’ia paguajnë faturën e energjisë qytetarëve të tjerë e në masë të madhe disa personave që janë duke fituar përmes prodhimit të kryptovalutave me rrymë falas.

Aktualisht fatura e veriut nuk është pjesë e faturës të secili qytetar, mirëpo tash e disa vjet qytetarët e pagujanë atë energji në mënyrë indirekte: përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. 

Rritja enorme e çmimit të energjisë nuk është opsion. As ndërprerja e energjisë nuk është opsion.

Humbjet për shkak të ndërprerjeve të energjisë janë shumfish më të larta sesa kostoja e furnizimit të qytetarëve pandërprerë me energji elektrike.

Opsion janë edhe tri instrumentet e listova me lartë e që do të mund të zbusnin rritjen e çmimit të energjisë. Qeveria e Kosovës duhet të guxojë të veprojë tash në mënyrë që të mos përsëritet fundviti i kaluar kur u kthyen reduktimet.