Ilustrim

Subjektet Politike Serbe Nuk Aplikojnë në KQZ

Më shumë se një muaj që kur Presidentja e vendit Atifete Jahjaga shpalli 3 nëntorin për datën e zgjedhjeve të reja lokale (më 3 korrik 2013), asnjë subjekt politik që përfaqëson serbët e veriut nuk ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë për të marrë pjesë në to.

Sipas legjislacionit të zgjedhjeve në vend, subjektet politike duhet së pari të regjistrohen e pastaj të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje. Miradije Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se të gjitha subjektet politike “duhet të certifikohen 60 ditë para zgjedhjeve” në KQZ.

Mavriqi thotë se deri më tash asnjë nga partitë politike serbe të pjesës veriore të Kosovës nuk ka aplikuar për t’u certifikuar për zgjedhjet lokale të vjeshtës. “Ne i kemi njoftuar të gjitha subjektet politike të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale se afati i fundit për aplikim për certifikim është 4 shtatori 2013”, tha Mavriqi.

Megjithatë, përfaqësues subjekteve politike serbe në veri thonë për Gazetën Jeta në Kosovë se do të marrin pjesë në zgjedhjet kosovare, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Pjesëmarrja është rezultat i një marrëveshje të arritur në fillim të korrikut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si pjesë e bisedimeve për normalizim.  

 

 

“Por nëse kërkohet një gjë e tillë, do të certifikohemi. Kjo nuk paraqet problem për ne. Goran Bogdanoviq

 

Oliver Ivanoviq, lider i Aleancës Serbe për Demokraci dhe Drejtësi, thotë se banorët në katër komunat veriore të Kosovës nuk është se kanë vullnet të madh për të dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të organizuara nga Prishtina. Por, shtoi Ivanoviq, subjektet do të dalin në to sepse Qeveria e Serbisë e kërkon një gjë të tillë.

“Kryeministri i Daçiq po kërkon nga banorët serb të veriut të Kosovës të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit të organizuara nga Prishtina, sepse Qeveria e Serbisë është nënshkruese e marrëveshjes për zgjedhjet lokale në Kosovë”, thotë Ivanoviq.

Por Ivanoviq tha se nga Qeveria e Serbisë këtyre subjekteve nuk i është thënë paraprakisht se a duhet të aplikojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë për t’u regjistruar dhe certifikuar. 

“Me sa di unë, marrëveshja e arritur në Bruksel në mes së përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe Kosovës, nuk e obligon një gjë të tillë”, tha ai. “Partia ime është e regjistruar në Komisionin Qendror të Republikës në Serbi, kurse në Kosovë e kam regjistruar në OSBE në vitin 2006”. 

Edhe Goran Bogdanoviq, kryetar i Partisë Demokratike (Demokratska Stranka të Boris Tadiqit) për Kosovën, tha se nuk e di që duhet aplikuar në KQZ për regjistrim dhe certifikim.  

“Nuk na është thënë”, tha ish-ministri. “Por nëse kërkohet një gjë e tillë, do të certifikohemi. Kjo nuk paraqet problem për ne. Ne jemi duke u përgatitur  për të garuar në zgjedhjet lokale”.

Qeveria e Serbisë ishte e njoftuar me pyetjet e gazetës, por nuk është përgjigjur deri më tash. Në Kosovë, Qemajl Marmullakaj koordinator në dialog në Zyrën për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se marrëveshja për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor 2013 thekson se zgjedhjet do të  mbahen konform ligjeve të Kosovës.

“Asnjë subjekt politik (parti politike, iniciativë apo listë qytetare) nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk është e regjistruar dhe certifikuar nga KQZ paraprakisht”, shtoi Marmullakaj.

Edhe Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së e cila ka marrë pjesë në bisedimet në Bruksel për zgjedhjet lokale, tha se Presidentja e republikës i ka shpallur zgjedhjet lokale në bazë të ligjeve të Kosovës. “Prandaj, partitë politike serbe të pjesës veriore të Kosovës duhet regjistruar dhe certifikuar në KQZ, para se të fillojnë zgjedhjet lokale”, tha Daka.

 

 

“Prandaj, partitë politike serbe të pjesës veriore të Kosovës duhet regjistruar dhe certifikuar në KQZ, para se të fillojnë zgjedhjet lokale. Valdete Daka

 

Adriana Hoxhiq, kryesuese e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se liderët e partive politike serbe në komunat veriore të Kosovës shumë pak bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, por se prapë, në bazë të informatave të kësaj zyreje, subjektet politike serbe pritet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. “Partitë politike serbe të katër komunave veriore donë të regjistrohen në KQZ për certifikim nëpërmjet OSBE-së”, tha ajo. 

Nikola Gaon, zëdhënës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë misioni në Kosovë që pritet të lehtësojë organizimin e zgjedhjeve në veri, tha se “procedurat për ekzistim të subjekteve politike ekzistojnë, por OSBE është e gatshme të lehtësoj këtë proces të regjistrimit të subjekteve politike deri ne masën e nevojshme”.

“Për shembull, duke bartur kërkesat sipas nevojës”, tha Gaon. 

Por ndonëse pritet të dalin në zgjedhje sipas kërkesës së qeverisë serbe, subjektet politike në veri nuk do ta dëgjojnë kryeministrin serb Ivica Daçiq në tërësi.

Daçiq, më 15 korrik 2013, kishte propozuar që serbët e Kosovës, përfshirë edhe ata të katër komunave veriore, në zgjedhjet e ardhshme lokale të 3 nëntorit të garonin me një listë të përbashkët. 

“Ideja e Partisë Demokratike (Demokratska Stranka) është që të garojë me një listë të veçantë e jo me një listë unike”, thotë Goran Bogdanoviq. “Ne mendojmë se duhet të zhvillohet garë edhe ndërmjet partive serbe në veri të Kosovës, sepse edhe problemet janë të ndryshme në këto komuna”.