Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.

Studiuesit rekomandojnë themelimin me ligj të muzeut të luftës

Dhjetëra masakra janë kryer e mijëra njerëz (civil) janë vrarë në Kosovës gjatë luftës 1998-1999 nga forca policore e ushtarake serbe. Shumë prej këtyre viktimave vazhdojnë të jenë në listat e të zhdukurve.

Pavarësisht premtimeve zyrtare, Kosova ende nuk ka mundur të krijojë një muze të luftës apo gjenocidit, për të dëshmuar për masakrat e kryera ndaj civilëve nga forcat serbe, në mbarë vendin.

Krejt ajo çfarë është bërë gjatë këtyre dy dekadave për të mbajtur gjallë memorien për viktimat janë disa memoriale pa kritere e me mangësi të dhënave, e disa muze të themeluar me iniciativa privat, e si ai i Shtëpisë Muze të Familjes Qerkezi në Gjakovë apo si ai i Familjes Berisha në Suharekë.

Më 2019, gjatë një vizite në Tulltoren e Prishtinës, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pati propozuar themelimin e muzeut të gjenocidit për përkujtimin e viktimave dhe krimeve të kryera nga shteti serb gjatë luftës së Kosovës. Por, që nga ajo kohë, nuk është thënë nga institucionet të jetë bërë ndonjë gjë për të realizuar një muze të tillë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com, lidhur me planet për themelimin e një muzeu të luftës (gjenocidit), deri në publikimin e artikullit.

Në anën tjetër studiuesit dhe historianët që janë marrë me hulumtimet rreth masakrave konsiderojnë se themelimi i një muzeu të luftës do të tregonte më së mirë të vërteten e civileve të vrarë gjatë luftës. Sipas tyre, një muze i luftës duhet të themelohet me ligj.

Avni Rudaku ka thënë për KALLXO.com se Muzeu i Luftës duhet të themelohet një ligj i ri për muzetë dhe të jetë top-prioritet për institucionet.

“Përveç objektit, duhet të ketë qasje kreative të mënyrës së prezantimit, përfshirë, foto, video, instalacione, etj. Duhet të ketë rrëfime të besueshme, jo folklorike, jo patetike. Edhe artistikisht, edhe shkencërisht bazuar në fakte dhe gjithashtu shqip dhe në gjuhë angleze, ose edhe më shumë gjuhë. Muzeu i Luftës do të duhej të përmblidhte të gjitha zonat, masakrat, të rregulluara kronologjikisht, ku do të përfshiheshin më shumë viktimat”- tha Rudaku.

Sipas tij, mungesa e një muzeu të tillë, lidhet më shumë me padituri profesionale rreth muzeve të tillë.  “Ka edhe një aspekt psikologjik: një Muze i Luftës, i bën protagonistë edhe disa politikanë të kohës, e të cilët pas luftës, mund të jenë figura që kanë qeverisur dhe janë në garë ndërpartiake, prandaj anashkalohet çdo gjë që vë ndonjë figurë si protagonist të kohës e faktor tjerë”- thotë ai.

Dan Ibrahimi, që ka hulumtuar dhe ka botime për masakra e kryera ndaj civilëve nga forcat serbe, thotë për KALLXO.com se Kosova duhet të ketë një muze të luftës.

“Duhet të kihet parasysh që muzetë e tillë nuk bëhen brenda natës, por është obligim shtetëror që të kihet një përkujdesje ndaj dëshmive të luftës çlirimtare, madje duke përfshirë jo vetëm luftën e fundit, por tërë përpjekjet çlirimtare gjatë periudhës jugosllave dhe serbe të pushtimit”- thotë ai.

Ai thotë se institucionet duhet të ndërtojnë infrastruktura përkatëse për një muze të tillë dhe pastaj edhe zbatimi në vepër.

Masakrat ndaj Familjes Jashari, Deliu, Qerkezi, Berisha, Bogujevci, e Mejës, Krushës e shumtë tjera, janë dëshmi e krimeve që kreu shteti serb gjatë luftës  1998-99 ndaj civilëve në Kosovë.