Studentë nga mbarë bota gjurmojnë lashtësinë në Dresnik të Klinës (VIDEO)

Ka disa ditë që studentë të shteteve të ndryshme të botës po punojnë vullnetarisht në fshatin Dresnik të Klinës për pasurimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

 

Në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane”, 14 vullnetarë nga 12 shtete së bashku me ekspertë po gërmojnë tokën dhe po restaurojnë mozaikun romak në lokalitetin arkeologjik në Dresnik.

Përveç studentëve vullnetarë nga Kosova e Shqipëria ky projekt ndërkombëtar ka sjellë edhe studentë nga Australia, Franca, Polonia, Shqipëria, Meksika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kosova, Gjermania, India, Maqedonia e Veriut, Kili e Belgjika.

“Studentët e huaj kanë aplikuar direkt në European Heritage Voulenteers, ndërsa studentët kosovarë janë zgjedhur nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore” tha Argjenda Kojqini, koordinatore e projektit nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore.

Projekti po zhvillohet në dy pjesë. Pjesa e parë bëjnë gërmime arkeologjike të cilat udhëhiqen nga Elvis Shala nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ndërsa pjesa e tjetër janë duke bërë konservimin dhe restaurimin i një pjese të mozaikut nga instruktori nga Maqedonia e Veriut, Tome Filov.

“Çka po bëjmë në këtu është konservimi preventiv i mozaikut. Arsyeja e punës tonë është që ta bëjmë këtë mozaik të jetë i qëndrueshëm dhe të jetë i hapur për publikun në mënyrë që të tërheqë më shumë turistë. E mira e këtij projekti është socializmi i njerëzve prej anëve të ndryshme”, tha Filov.

Me maskë në fytyrë, studentja indiane Monali Thakur është akomoduar këmbëkryq në një pjesë të mozaikut dhe bën punën e vet pa u penguar.

“Drejtimi im mbështetet në baza kërkimore kështu që aplikova sepse  mendova që ky projekt do të më jap eksperiencë në punën time. Dhe thashë pse jo në Kosovë. Kosova është një vend i ri dhe ndryshe. Më duhet ta vizitoj. Tash jam duke punuar në mozaik, duke mësuar teknika të reja prej të cilave mund të mësoj shumë. Gjërat janë duke shkuar shumë shumë mirë”, rrëfeu Thakur përderisa punonte në mozaik.

Vullnetarja nga Australia u shpreh e fascinuar për përshtypjet e mira që i ka dhënë trashëgimia kulturore e Kosovës duke shpresuar që të zbulojë sa më shumë gjurmë të banorëve rezidentë të asaj kohe.

“Ende ka shumë gjëra për t’i zbuluar, por ne jemi duke shpresuar të gjejmë se çka ka mbetur e pazbuluar në këtë pjesë të jashtëzakonshme. Duam të jemi pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, që sa e kemi parë është intensivisht dramatike dhe ka një histori të gjatë”, u shpreh e emocionuar studentja australiane.

“Projekti është i ndarë në dy pjesë në gërmime dhe në restaurimin dhe konservimin e mozaikut. Jemi në gjashtë grupe të ndarë. Unë fillimisht jam në restaurimin dhe konservimin e mozaikut, jemi duke mësuar teknika të reja se si me restaurojmë mozaikun”, thotë Arjeta Dodaj, studente nga Kosova.

Një pjesë e mozaikut po konservohet duke përdorur materiale të ngjashme origjinale në mënyrë që të ruhet origjinaliteti.

Arkitekti Elvis Shala i cili merret me pjesën e gërmimeve tha se ky lokalitet i takon periudhës romake dhe se mozaiku dhe pallatet e Dresnikut kanë shumë ngjashmëri me mozaikët dhe pallatet e perandorëve në shtete të ndryshme të botës.

Ky kamp është organizuar nga European Heritage Volunteers me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Instituti Arkeologjik i Kosovës  dhe Komunën e Klinës dhe do zgjasë deri me 27 shtator. Vitin e kaluar Këshilli kishte përkrahur financiarisht 10 studentë të Kosovës për të marr pjesë në projektet vullnetare të mbajtura në Evropë.