Ilustrim

Strategjia kundër terrorizmit bazohet në financimin e donatorëve 

Për më shumë se një vit e gjysmë qeveria e Kosovës nuk ka arritur të përmbushë nismën për miratimin e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Në mungesë të kësaj strategjie institucionet nuk kanë bërë kërkesa të veçanta buxhetore për të implementuar aktivitete nga kjo strategji.

Draft dokumenti i cili pritet të miratohet në muajt në vijim parasheh një mori aktivitetesh mirëpo një pjesë e tyre nuk do mund të realizohen për shkak se nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2023.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar para disa ditësh buxhetin ndërsa aktivitetet investive të parapara në strategjinë e re të terrorizmit nuk janë të reflektuara në buxhet. Në mungesë të përcaktimit strategjik institucionet përkatëse nuk i kanë buxhetuar disa prej aktiviteteve ndërsa përfshirja në buxhet gjatë rishikimit do jetë problematike sidomos për pjesën e shtimit të stafit.

Si rrjedhojë financimi i një pjese të aktiviteteve do varet nga donatorët ndërsa të tjerat do mbesin pa u realizuar.

“Në  buxhetin për vitin 2023 dhe strategjinë, nuk ka ndonjë specifike apo ndarje specifike të buxhetit për zbatimin e strategjisë kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit’ thotë Skënder Perteshi nga QKSS.

Sipas tij për momentin përkrahja është e fokusuar në fondet e donatorëve

“Ndoshta një pengesë e vogël është tek e institucionet më të specializuara  që merren direkt ose indirekt në zbatim të kësaj strategjie me fokus, ri- integrim dhe rehabilitim, psh, Shërbimi Korrektues, Shërbimi Sprovues ose divizioni për ri- integrim. Këto institucione mund të kenë ë aktivitete  specifike që nuk i mbulojnë donatorët dhe në mungesë të buxhetit këta nuk i realizojnë”- thotë Perteshi.

Afërdita Syla nga CBM Mitrovica mendon se buxhetimi do jetë problem për të garantuar implementimin e strategjisë. “ Patjetër që vetëm mund ta konfirmojë se çdo dokument, plan apo strategji qe nuk është e përcjellë edhe me buxhetin do ngelet vetëm ne letër dhe do ketë vështirësi në implementim” thotë Syla..

Nga Shërbimi Sprovues konfirmojnë që pjesa më e madhe e obligimeve planifikohen të realizohen nga donatorët.

“Secili aktivitet i shërbimit sprovues që është paraparë në këtë strategji është i mbuluar nga donacionet “- thuhet në përgjigjen e këtij shërbimi.

Sipas të njëjtëve shërbimi sprovues e mirëpret secilin buxhet që ndahet qoftë nga institucionet e republikës së Kosovë ose qoftë nga donacionet e jashtme e cila shkon në kuadër të forcimit të kapaciteteve të shërbimit sprovues dhe ngritjen profesionale karshi procesit të reintegrimit dhe risocializimit të personave që u shqiptohen masa apo sanksione alternative.

Procesi i ri- integrimit dhe rehabilitimit për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, ka qenë fenomen i ri me të cilin është përballur Kosova, fillimisht disa vite më parë. Trajtimi i të rikthyerve nga zonat e konfliktit, ata që janë të dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm, rehabilitimi dhe ri- integrimi i tyre mbetet ende sfidë për shumë institucione në Kosovë, specifikisht edhe për Shërbimin Sprovues.

Hulumtimet e KALLXO.com kanë treguar se mungesa e vizioni të prokurorëve e gjykatësve të cilët i kanë trajtuar rastet e personave të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak llogaritet të ketë krijuar një pasojë sistematike në procesin e risocializimit të tyre.

Në shumicën e rasteve prokurorët nuk u kujdesën që të kërkonin nga gjykata shqiptimin e dënimeve të cilat përpos burgut i obligojnë të rikthyerit ti ndjekin programet e risocializimit dhe ri integrimit.

Mbi 100 persona të arrestuar me akuzat për terrorizëm dhe pjesëmarrjet në luftërat e huaja u burgosën në Kosovë dhe zotimi i institucioneve ishte që të njëjtit do kalonin në programe rehabilitimi dhe risocializimi.

Një hulumtim i realizuar nga BIRN tregon se programi brenda burgjeve ka hasur në problem pasi të dënuarit nuk pranuan ti ndjekin programet.  Si rrjedhojë një pjesë e tyre u liruan nga burgu pa ndjekur asnjë program.

Në të njëjtin hulumtim BIRN ka shpjeguar edhe qasjen e institucioneve ndaj strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Të dhënat tregojnë që mbi 63% e të dënuarve refuzuan programet e risocializimit brenda burgjeve ndërsa gjykatësit kur shqiptuan dënimet nuk u kujdesën që të kushtëzonin lirimin e të burgosurve me ndjekjen e programeve të risocializimit. Sipas kodit penal gjykata mund të obligoj të dënuarit të ndjekin programe të caktuara përfshirë ato të edukimit dhe kjo bazë ligjore është përdorur vetëm në rastet e dënimit të grave të rikthyera të cilat mbajnë dënime të kushtëzuara për ti ndjekur programet.

Operacionet e arrestimeve për terrorizëm nisën në vitin 2014 dhe në atëkohë nuk ishte menduar se si do rridhte procesi I risocializimit.

Tutje KALLXO.com kishte raportuar edhe se si të dhënat e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës tregojnë se 61% e të dënuarve janë liruar nga burgu pa qënë pjesë e programeve të aftësimit profesional.

Në statistika tregohet se vetëm 28 të dënuar për vepra të terrorizmit kanë ndjekur kurse brenda burgjeve ndërsa 44 të tjerë nuk kanë ndjekur asnjë program.

“Kjo tregon se programi brenda burgjeve ka pasur mangësi të mëdha, që prej mënyrës se qysh është dizajnuar në fillim e deri te mënyra se qysh janë matur rezultatet përfundimtare”, kishte thënë Kreshnik Gashi, ekspert i fushës.

Sipas Gashit, procesi do të duhej të kishte një qasje më serioze, e cila do t’i motivonte të dënuarit që të ndiqnin programet e aftësimit profesional.

Ish- Këshilltari i ministrit të Brendëshëm, Ferdinand Nikolla kishte thënë në atë kohë se qasja tek këto programe ka qenë e vështirë pasi disa nga të dënuarit nuk kanë pranuar të përfshihen në programet e ShKK-së

“Ka njerëz të caktuar të përfshirë edhe këta që janë në burgje, të cilët thonë që unë nuk du mu marrë me ty hiç, e kryej dënimin 5 vjet do të rri në burg, nuk du me mësu as elektricist as ujësjellës as kurrgjë. Nuk mundesh me ua imponu duhet me pas shumë kujdes është kompleks sepse secila prej tyre është natyrë individuale”, kishte thënë Nikolla.

Nikolla kishte shtuar se në strategjinë e re kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, pritej që të rishikohen edhe programet e reja të aftësimit.