Pallati i Drejtësisë

Statistikat dëshmojnë dështimin e departamentit administrativ, 70% e lëndëve të pazgjidhura

Autore: Leonita Bajrami

Vetëm njëmbëdhjetë gjyqtarë në tërë territorin e Kosovë janë të ngarkuar për t’u dhënë zgjidhje mijëra kontesteve administrative që pranohen brenda një viti nga Gjykata e Prishtinës, konkretisht, departamenti i vetëm në vend për çështje administrative.

Në pesë vitet e fundit, ky departament ka pranuar mbi 50 mijë lëndë, prej të cilave ka arritur të zgjidhë vetëm 14,718, duke i lënë kështu të pazgjidhura rreth 70% të rasteve. Në vitin 2021 sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, këta dymbëdhjetë gjyqtarë kanë trajtuar 9,163 lëndë të kësaj natyre, çka i bie që secili prej tyre, ndarë proporcionalisht, brenda një viti të ketë trajtuar 833 lëndë. Derisa, vetëm 2,951 prej tyre iu kanë dhënë një verdikt, sipas llogaritjeve, del se për një muaj secili nga këta gjyqtarë ka nxjerrë rreth 22 vendime mbi kontestet administrative brenda vitit 2021, kështu atyre gjatë kësaj periudhe ju kanë mbetur pa vendim përfundimtar të shkallës së parë 6,212 lëndë të kësaj natyre.

Bazuar në punën dhe efikasitetin e gjyqtarëve të këtij departamenti, për t’u dhënë një vendim të shkallës së parë 6,212 lëndëve që kanë mbetur pa zgjidhje gjatë vitit 2021, këtyre 11 gjyqtarëve u duhen edhe të paktën dy vjet për t’i përfunduar.

Numri i ulët i gjyqtarëve dhe i lartë i lëndëve kanë shkaktuar telashe të shumta sa i përket zgjidhjes së çështjeve administrative, një prej tyre edhe bartja e lëndëve nga viti në vit.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Bazuar në të dhënat nga databaza, për një periudhë pesë vjeçare janë mesatarisht 5,800 lëndë që barten çdo vit.

Në 2020-n, pa zgjidhur kishin mbetur 6,338 lëndë nga 8,285 sa ishin pranuar nga departamenti për çështje administrative. Në vitin 2019 ishin 6,315 lëndë që nuk u zgjidhën. Edhe në vitin 2018, numri i lëndëve të pazgjidhura arrin në 6,039. Derisa në 2017, ky numër ishte dukshëm më i ulët, brenda këtij viti mbetën pa epilog 5,304 lëndë. Po ashtu edhe në vitin 2016, numri i lëndëve të pazgjidhura ishte 5,192.

Bazuar në këto të dhëna, efikasiteti në punë i këtij departamenti ka rënë. Çdo vit, më shumë se gjysma e lëndëve të pranuara mbesin të pazgjidhura. Derisa në vitin 2016, 32% e lëndëve të pranuara zgjidheshin, në vitin pasues efikasiteti ra në 30%, në 2018-ën vetëm 27% e lëndëve u përfunduan, ndërkohë në 2019 pati një rritje të zgjidhjes së rasteve administrative deri në 32% të lëndëve të zgjidhura. Ndërkaq, në vitin 2020, lëndë të shumta mbetën pa zgjidhje, nga 8,285 lëndë që u pranuan, 24% e lëndëve morën një epilog.

Ndonëse në vitin 2021 ka pasur një rritje të efikasitetit në punën e këtij departamenti, ku janë zgjidhur 32% e lëndëve të pranuar, përsëri shkalla e efikasitetit përgjatë pesë vjetëve të fundit mbetet vetëm 29%. Kjo nënkupton që vetëm 14,718 lëndë nga 50,172 sa janë trajtuar gjatë kësaj gjysmë dekade, kanë marrë një epilog në shkallë të parë.

Në kuadër të departamentit për çështje administrative është edhe divizioni fiskal, që ka për detyrë të gjykoj të gjitha paditë të ushtruara kundër vendimeve përfundimtare të administratës kompetente fiskale, doganore ose administratës komunale lidhur me taksat, detyrimet doganore dhe çdo kontribut tjetër.

Sipas statistikave që ka publikuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2021 ky divizion ka pranuar 1,012 lëndë, prej tyre, janë zgjidhur 242 e pa zgjidhur kanë mbetur 770. Ky divizion përfshihet në kuadër të departamentit për çështje administrative dhe sipas Planit Vjetor të Gjykatës së Prishtinës janë katër gjyqtarë që trajtojnë lëndët e kësaj natyre.

Për dallim nga shkalla e parë, në departamenti administrativ të Gjykatës së Apelit janë vetëm tre gjyqtarë. Të dhënat tregojnë se edhe në shkalla e dytë gjyqësore përballet me të njëjtin problem. Prej 1,901 lëndëve që kishin në shqyrtim për vitin 2021, vendim nxorrën vetëm për 877 prej tyre. Sipas statistikave secili prej këtyre gjyqtarëve, për një muaj, nxori rreth 24 vendime, duke i lënë edhe 1,024 lëndë të tjera që të provohen për t’u zgjidhur në vitin 2022.

Apeli këtë efikasitet e ka pasur edhe në vitet paraprake. Prej 1,341 sa shqyrtoi departamenti administrativ i Apelit në vitin 2020, u zgjidhën vetëm 620 lëndë. Megjithatë, në vitin 2019, gjyqtarët e këtij departamenti ishin më efikas. Prej 1,369 lëndëve, përfundim morën 825 dhe pa zgjidhur mbetën vetëm 544. Nga 1,083 lëndët që shqyrtoheshin në 2018-n, pa zgjidhur mbetën 335. Në 2017, gjyqtaret nuk arritën të nxjerrin vendim të shkallës së dytë për 418 raste nga 890 sa shqyrtonin gjithsej atë vit dhe gjatë vitit 2016 ishin shqyrtuar 760 lëndë e papërfunduar kishin mbetur vetëm 334.

Nga këto të dhëna del se përgjatë pesë vjetëve të fundit numri i lëndëve administrative që shkon dhe apelohen në shkallën e dytë është rritur dukshëm, çka i ka ngulfatur edhe katër gjyqtarët që merren me rastet.

Këta gjyqtarë janë të ndarë në dy kolegje në bazë të planprogramit të gjykatës ka njoftuar kryetari i kësaj gjykate Valon Totaj.

“Kolegji i parë përbëhet nga Delushe Halimi-kryetare; Ramiz Kuqi-antarë; Hajriz Hoti-antarë dhe kolegji i dytë nga Ramiz Kuqi-kryetar; Delushe Halimi-antarë; Mehmet Ndrecaj-antarë”, ka thënë kryetari i Apelit.

Ai shton se nga 30 maji 2022, lëndët mes gjyqtarëve ndahen automatikisht.

Të dhënat për pesë vjet (2015 – 2020) evidentohet se mbi 50% e lëndëve që trajtohen nga Gjykata Themelore e Prishtinë i përkasin departamentit të çështjeve administrative. Derisa numri i lëndëve rritet çdo vit, numri i gjyqtarëve mbetet pothuajse i njëjtë.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.