Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Statistika të frikshme: Mbi 14 mijë raste të dhunës në familje për 5 vite 

Rastet e dhunës në familje po shtohen çdo ditë e më tepër gjë e cila ndikon në krijimin apo ndërtimin e një shoqërie jo të shëndoshë dhe krijimin e një klime jo të mirë në ambientin familjar.

Dhuna në familje është dukuri e cila sipas ligjit duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e vendit pasi praktika ka treguar se sa të rrezikshme dinë të jenë këto raste në rast se nuk e  marrin trajtimin e duhur institucional.

Ndjeshmëria e këtyre rasteve ka bërë që proceset gjyqësore të këtij lloji të jenë të mbyllura për publikun.

Viktimë e dhunës në familje mund të jetë çdo pjesëtar i një familje, mirëpo të dhënat tregojnë që në shumicën e rasteve viktima paraqiten gratë.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat nga databaza, të grumbulluara për 5 vite, ku përfshihen  vitet 2016-2020, tregojnë se dera e parë e viktimave është çdo herë Policia e Kosovës. Ky institucion gjatë pesë viteve ka paraqitur gati 7,800 raste të dhunës në familje tek institucioni i Prokurorit të Shtetit.  

Numri i viktimave që parashtrojnë kallëzime penale direkt në Prokurori është i vogël. Sipas të dhënave gjatë kësaj periudhe në këtë institucion janë paraqitur vetëm 66 raste të dhunës në familje. 

Derisa për këto pesë vite drejtëpërdrejtë nga Prokuroria janë nisur sipas detyrës zyrtare  32 raste.

Institucionet e sistemit të drejtësisë me qëllim të rritjes së efikasitetit të procedurave penale iu ka dhënë prioritet trajtimit të rasteve të dhunës në familje. 

Vërtetimi qoftë i dyshimit të bazuar apo edhe i gjendjes faktike të veprat penale të dhunës në familje ështe mjaft i vështirë duke marrë parasysh faktin se e gjithë procedura bazohet në dëshminë e viktimës dhe eventualisht ekspertizën mjeko-ligjore në rastet kur konstatohen lëndime trupore. 

Të dhënat e grumbulluara për pesë vite, tregojnë së për veprat penale të dhunës në damilje organi ndjekës i Prokurorisë në vend se të kishte përparime, ka pasur rënie të efikasitetit.

Këto të dhëna tregojnë se Prokuroria e shtetit ishte më efikase kur kishte mbi 4,000 lëndë në punë se sa në vitin kur restet nuk e kalonin numrin 2,500. 

Sipas këtyre të dhënave në vitin 2016 Prokuroria kishte efikasitet të lartë në trajtimin e dhunës në familje i cili shkonte deri në 76% të zgjidhjes së rasteve, përderisa në vitin 2020 ky efikasitet kishte rënë në 61%.

Sipas këtyre të dhënave, numri total i rasteve të dhunës në familje gjatë 5 viteve në Kosovë ishte rreth 14 mijë, ndërsa prej tyre rreth 30 % kanë mbetur të pazgjidhura. 

Analiza e të dhënave tregon se mënyrat më të shpeshta të zgjidhjes së kallëzimeve penale gjatë periudhes 2016 – 2020, sipas statistikave janë aktakuza e drejtëpërdrejtë, hedhja e kallëzimit penal dhe aktakuza me kërkesë për urdhër ndëshkimor.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se pjesa më e madhe e kallzimeve penale për dhunë në familje ka përfunduar me aktakuza të drejtëpërdrejta. Kjo pasi për 5 vite Prokuroria e Shtetit ka paraqitur plot 5,820 aktakuza të drejtëpërdrejta në gjykatë kompetente. 

Ajo çka vërehet ndër vite është trendi i rënies së aktakuzave të drejtëpërdrejta. Në vitin 2016 kishte dyfish më shumë aktakuza të drejtëpërdrejta se sa në vitin 2020.

Mënyra e dytë e zgjidhjes për nga numri është hedhja e kallëzimeve penale e cila nënkupton numrin e rasteve në të cilat Policia nuk ka arritur ta bindë Prokurorinë se ka pasur vepër penale. 

Në këtë formë janë zgjidhur 2,385 raste në periudhen 5 vjeçare. 

Të dhënat e paraqitura në tabelë tregojnë se kallëzimet penale të paraqitura nga Policia kanë qenë me të argumentuara ndër vite. Kjo pasi numri i atyre që janë hedhur poshtë nga prokuroria ka pasur rënie ndër vite. Nga 838 raste sa ishin hedhur poshtë në vitin 2016, në vitin 2020 ky numër kishte rënë në 281. 

Formë tjeter e zgjidhjes së kallëzimeve penale e cila në praktikë ishte e shpeshtë ka qenë edhe aktakuza me kërkesën për shqiptimin e urdhërit ndëshkimor. 

Kjo kërkesë nënkupton se të akuzuarit nuk dërgohen në burg mirëpo ndaj tyre mund të shqiptohet gjoba, vërejtja gjyqësore dhe konfiskohet ndonjë send që ka shërbyer për kryerjen e veprës penale. 

Të dhënat nga tabela e mësipërme tregon se për pesë vite Prokuroria kishte kërkuar në 1,050 raste shqiptimin e urdhërit ndëshkimor. Ajo çka bije në sy ndër vite është rënia drastike e këtyre kërkesave, pasi nga 813 sa ishin në vitin 2016 në vitet 2018, 2019 dhe 2020 numri i kërkesave të tilla nuk e tejkalonte numrin 50. 

Gjykimi i rasteve të dhunës në familje 

Statistikat nga databaza e të dhënave tregojnë natyrën e vendimeve të cilat i marrin institucionet e drejtësisë tek rastet e dhunës në familje.

Nga analizimi i  të dhënave për gjykimin e dhunës në familje del se në 93.80 % të rasteve aktakuzat e prokurorëve janë të bazuara. Të dhënat tregojnë se nga 4,907 raste, 3,995 prej tyre kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese, 608 kanë përfunduar me aktgjykim me urdhër ndëshkimor ndërsa janë nxjerrë 270 aktgjykime refuzuese.

Pra për pesë vite, sipas të dhënave gjykatët në nivel vendi kanë liruar nga akuza vetëm 34 nga mbi 4,000 persona sa janë gjykuar gjatë kësaj periudhe. 

Të dhënat tregojnë se ka pasur raste kur dhuna në familje nuk është trajtuar brenda kohës e çka për pasojë pati vjetërsimin e rasteve. Të tilla kanë qenë gjatë vitit 2016 kur janë parashkruar 14 raste. 

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.