Standardet Para Heqjes së Barrikadës

Shefi i misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se nuk janë plotësuar kushtet për të hequr barrikadën në urën kryesore në qytetin verior të Mitrovicës, që e ndan qytetin në zonën shqiptare dhe serbe.

Gjenerali Erhard Drews tha se suksesi i një operacioni të tillë varet nga zhvillimi politik, dhe jo nga lëvizjet ushtarake.

“Mendoj se nuk ka ardhur momenti i duhur dhe se për të marrë këtë veprim disa kushte duhen plotësuar”, tha ai, gjatë një vizite në Malishevë.

Veriu i Kosovës, që është në kufi me Serbinë, dhe përfshin gjysmën veriore të Mitrovicës, është i banuar kryesisht nga serbë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ose qeverinë në Prishtinë.

Zona është nën kontroll de-facto të të ashtuquajturave institucione paralele që financohen nga Beogradi. Këto institucione paralele përfshijnë këshilla komunalë, autoritete shëndetësore, zyra postare dhe shkolla.

Sipas raportit të qeverisë së Kosovës në vitin 2011, strukturat e sigurisë serbe kanë vepruar vazhdimisht në veri që nga viti 1999.

Për një vit, serbët kanë bllokuar rrugët në veri, në shenjë proteste për praninë e policisë dhe të doganave të qeverisë së Kosovës në kufirin me Ssrbinë.

Dy javë më parë, gjeneral Drews, gjatë vizitës në Mitrovicë, tha se barrikadat janë të turpshme për të gjithë popullsinë.

Por, ai shtoi se zgjidhja për largimin e tyre duhet të gjendet nëpërmjet politikës dhe jo përmes aksioneve ushtarake, siç kanë kërkuar autoritetet në Prishtinë.

Sidoqoftë, të enjten KFOR-i mori nën kontroll një barrikadë në Zupç, në komunën e Zubin Potokut.

Për muaj barrikada me rërë dhe dru bllokoi mjetet për t’iu afruar pikës kufitare me Serbinë, të njohuri si Porta 31, në Bërnjak.

Për shkak të situatës së tensionuar në veri,NATO-ja po dërgon 700 trupa të tjerë paqeruajtës në Kosovë, që pritet të vendosen në veri.

Trupat, pjesë e Forcave Rezervë Operacionale, do të vijnë në tetor.