Srebrenica, Reçaku dhe triumfi i gënjeshtrës

Forca përkujtimore e së vërtetës dhe e kujtesës mund të peshojë më shumë se një vit i ngritjes së ‘fakteve alternative’, argumenton Aidan Hehir.

Në qershor të këtij viti vizitova qendrën përkujtimore në Potoçari, në dalje të Srebrenicës. Ish-baza ushtarake e Kombeve të Bashkuara (OKB), tani është nikoqir i një ekspozite që përmes detajeve shfaq atë çfarë kishte ndodhur kur Srebrenica u pushtua nga forcat serbe në korrik të vitit 1995. Përgjatë rrugës nga baza gjendet varreza me mijëra viktima të varrosur në të.

Kam vizituar shumë vende ku kanë ndodhur mizori; ato janë gjithnjë, natyrisht, të bezdisshme dhe ndikuese. Megjithatë, kishte diçka unike të fuqishme në lidhje me Potoçarin. Shumë momente atje spikasin: duke parë ekspozitën e sendeve personale – furçat e dhëmbëve, unazat e dasmave, fotografitë e fëmijëve – të gjetura nga varret masive; duke dëgjuar dëshmitë e atyre që ishin dëshmitarë  teksa të dashurit e tyre po futeshin me forcë në autobusë; duke ecur nëpër strehimoret e përdorura nga trupat holandeze dhe duke lexuar mbishkrime nihiliste, herë-herë raciste që ata i kishin lënë  në mure.

Por, një prej përvojave ishte veçanërisht e jashtëzakonshme. Cicëroni im dhe unë u ulëm pas një grupi fëmijësh të shkollës ku na u shfaq një film i shkurtër. Ndërsa shikonim pamjet e një grupi djemsh të rinj, të cilët të lidhur dhe të përgjakur po dërgoheshin në male, dhe më pas u qëlluan nga “Shkorpionët”, fëmijët para nesh filluan të qajnë. Ndërkohë që qanin, shumë duar u kapën me njëra tjetrën.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se më shumë se 8,000 njerëz u vranë në Srebrenicë, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë zbuloi se krimet përbënin  gjenocid.

Këto fakte janë mohuar gjithmonë nga të dy ultra konservatorët e projektit “Serbia e Madhe” i ndjekur nga Millosheviq, duke i mashtruar qëllimisht “të majtët”, në sytë e të cilëve secili grup me të cilin përballet Perëndimi iu dukej si “anti-imperialistë të drejtë”. Dikur, këta zëra ishin zëra të margjinalizuar të mbyllur në skutat më të errëta të internetit. Ky nuk është më rasti.

Gënjeshtrat e drejtpërdrejta për atë që ndodhi gjatë shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë e kanë hapur shtegun e tyre përgjatë rrjedhës kryesore: në pajtueshmëri më mediat, zyrtarët qeveritarë në të gjithë rajonin tani avancojnë haptas teoritë e diskredituara të komplotit pasi kërkojnë ta rishkruajnë historinë fjalë për fjalë. Komentet e fundit të presidentit serb Vuçiq në lidhje me masakrën e Reçakut në Kosovë në janar të vitit 1999 janë vetëm një prej shembujve të fundit.

Faktet alternative

Kam qenë akademik për njëzet vjet i specializuar në krimet e barbarisë, veçanërisht ato të kryera në ish-Jugosllavi. Pjesa më e madhe e kësaj pune është dekurajuese, kryesisht sepse, përkundër të gjitha premtimeve solemne të bëra nga liderët botërorë dhe punëve të cilat sugjeronin mënyra për të përmirësuar reagimin ndërkombëtar, ka pasur një rritje në të gjithë botën sa u përket shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Duke pasur parasysh mungesën e ndonjë përmirësimi domethënës që ka të bëjë me kapacitetin e komunitetit ndërkombëtar dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur krizave të tilla, njerëzit si unë në mënyrë efektive lihen me vetëm një shpresë: që detajet e këtyre ngjarjeve dhe kujtimet e të mbijetuarve do të mblidhen dhe ruhen, dhe që një ditë kjo magazinë do të bëhet katalizatori për ndryshim kur pesha e provave jep si rekomandim një lloj vendosmërie.

Por tani edhe kjo shpresë po zvogëlohet; rishfaqja e ideologjive të diskredituara më parë, dhe ngritja e populizmit dhe demagogëve, do të thotë se edhe vetë dëshmitë po degradohen. Nëse mjeti i vetëm me të cilin mund të përfitojmë nga ndryshimi janë faktet dhe kujtimet, atëherë karakteri i botës së re mund ta ketë si frymëzim vetëm frikën.

Sot, të vërtetat e papërshtatshme refuzohen në mënyrë rutinore në favor të “fakteve alternative”, ekspertët lihen mënjanë dhe nuk merren parasysh; dhe kujtesa e një individi nuk është e vërteta e tyre, është “lajm i rremë”. Përcaktimi i asaj që ka ndodhur nuk është çështje e vërtetimit, por e kundërshtimit të një historie bindëse. Ata që e tregojnë këtë histori në mënyrë më efektive – duke paraqitur versionin e tyre të ngjarjeve në mënyrën më tërheqëse, më të thjeshtuar dhe me një stil të zgjuar mediatik – vlerësohet se janë zërat autorizues. Kështu që, ajo që pranohet si një e vërtetë historike – ajo që ne e pranojmë si fakt – është bërë një funksion i fuqisë dhe i përshtatshmërisë.

Dhe kështu viktimat dhe të mbijetuarit bëhen viktima edhe një herë; përmes këtij ‘retraumatizimi’ përvojat e tyre mohohen, dhimbja e tyre hidhet poshtë dhe mungesa e fuqisë së tyre shfrytëzohet nga ata që kanë mjete për të përhapur gënjeshtra. Kjo natyrisht ka shkuar dorë për dore me një gatishmëri të re – në të gjithë botën – të flasë për identitetin në një mënyrë polarizuese të qëllimshme, me ç’rast tjetri është portretizuar si i degjeneruar, kriminel dhe i rrezikshëm.

Në vend që të mësojmë nga e kaluara – nga ngjarje si Srebrenica dhe fjalimet plot urrejtje të përhapura nga njerëz të tillë si Radovan Karaxhiq, i cili u parapriu atyre – ne jemi duke e toleruar shpërfaqjen e një ligjërimi politik i presupozuar për të paraqitur ndryshueshmërinë si një kërcënim ekzistencial që duhet të trajtohet në mënyrë agresive. Revizionizmi historik dhe nxitja e armiqësisë që ka si bazë identitetin – pikërisht këto çuan në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë – në fakt janë tipare gjithnjë e më dominuese të botës sonë bashkëkohore.

Handke dhe mohimi

Katër muaj pasi vizitova Srebrenicën, Peter Handkes iu dha çmimi Nobel për Letërsi. Handke mohon që 8,000 njerëz u vranë në Srebrenicë dhe vërteton se Millosheviqi dhe konspiracioni i tij vetëm ndonjëherë kanë kërkuar “mbrojtjen e territorit të vendit të tij”.

Sigurisht që njerëzit kanë të drejtë të sfidojnë ortodoksinë; artistët në veçanti duhet. Por rasti i Handke është ndryshe; është e pamundur të besohet se ata që vizituan Srebrenicën menjëherë pas masakrës – siç bëri ai – dhe shëtitën nëpër Jugosllavi duke e përkrahur Millosheviqin (Handke vizitoi Prishtinën në vitin 1996 në kulmin e sistemit të aparteidit atëherë në Kosovë) nuk ishte në dijeni të masës në të cilën një dhunë e madhe ishte kryer kundër individëve të pafajshëm nga një regjim i korruptuar, racist dhe i dhunshëm.

Është e rëndësishme të kuptohet se nderimi i Handke, me gjithë pikëpamjet e tij tronditëse, nuk është bërë krejt kot; vendimi i Komitetit Nobel thotë shumë për botën tonë bashkëkohore. Ajo na tregon se e vetmja forcë që viktimat dhe të mbijetuarit kanë – pra kujtimet e tyre, përvojat e tyre – nuk janë mjaftueshëm të forta.

Vendimet bëhen gjithnjë e më shumë nga shtetet, nga organizatat ndërkombëtare, nga bizneset, thjesht mbi bazën e asaj që është e dobishme. Duke ndjekur interesat të tyre, këta njerëz janë gjithnjë e më të gatshëm të anashkalojnë të vërtetat e pakëndshme që viktimat dhe të mbijetuarit në shumë kontekste tani përfaqësojnë. Kjo, natyrisht, ka implikime ogurzeza për Kosovën.

Mund të jeni dëshmitarë të kohës së stërzgjatur që po i duhet BE-së për të lehtësuar integrimin e Serbisë me “Perëndimin” dhe se si Kosova është bërë gjithnjë e më pak sesa një bezdi në këtë përpjekje. Autoritarizmi i zhveshur i presidentit Vuçiq, përshkrimi i tij për Millosheviqin si “një udhëheqës i madh serb, i cili pa dyshim kishte synimet më të mira“, dhe refuzimi i tij i palëkundur për të shfajësuar dhunën e bërë nga qeveria e Millosheviqit – pjesë e së cilës ishte edhe ai vetë – nuk duket se në kuptim të plotë të jenë faktor në vendimet e marra në lidhje me mënyrën se si Serbia duhet të trajtohet nga BE.

Kur Vuçiq deklaroi se masakra në Raçak ishte “e gjitha e trilluar“, ose kur kryeministrija Brnabiq refuzoi të pranonte se Srebrenica ishte një veprim gjenocidal, ata e bënë këtë duke e ditur që këto gënjeshtra dëmtojnë viktimat dhe të mbijetuarit, por jo pozicionet e tyre të pushtetit.

Realiteti është se Serbia – me mbështetjen e BE – po heq dorë nga kontrolli i narracionit mbizotërues mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Kjo e lë Kosovën – dhe më e rëndësishmja viktimat dhe të mbijetuarit – në një pozitë shumë të cenueshme.

Nëse qeveria e re nuk kërkon drejtpërdrejt të korrigjojë këtë prirje, të paktën duke bërë një përpjekje më kuptimplote për krijimin e një qasje që ka në fokus viktimat për të ofruar fakte për krimet e kryera nga forcat serbe në vitet 1990, Kosova do të mbetet një çështje e dorës së dytë, dhe viktimat e krimeve të kryera në vitet 1990 do të margjinalizohen.

Në rast se harrojmë?

Përreth krejt vendit përkujtimor në Potoçari ka shenja që thonë: “Mos harro Srebrenicën”. Fillimisht mendova se sentimenti aty ishte fisnik, megjithatë edhe pak alarmant. Mbi të gjitha, mendova, kush mund ta harrojë Srebrenicën? Por meqenëse Handkes iu dha çmimi Nobel, mesazhi lexohet si një lutje që po injorohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa afrohet 25 vjetori i masakrës së Srebrenicës, jo vetëm që ne nuk kemi përmirësuar aftësinë tonë për të parandaluar ose ndaluar akte të tilla barbare, ne në të vërtetë duket se i kemi vënë në pikëpyetje nëse ato madje kanë ndodhur.

Nuk e besoj se kushdo që shkon në Srebrenicë – ose Raçak – nuk do ta ndiejë peshën e tragjedisë që duket e pasigurt dhe ta harrojë atë ashtu si unë. Pak kanë mundësinë që ta bëjnë këtë. Ata që e vizitojnë kanë një përgjegjësi të rrëfejnë përvojat e tyre, në mënyrë që të njihet forca e këtyre kujtimeve, dhe disa, të paktën, nuk i harrojnë.

(Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN)