Spote propagandistike në peizazhin mediatik të Kosovës

Për tabloidet serbe dihet pothuajse gjithçka – çka dhe si shkruajnë, për kë shkruajnë, madje edhe çfarë veprimesh pritet të ndërmarrë qeveria në periudhën e ardhshme.

Raportimi i tyre është shembull shkollor i përdorimit të propagandës – nga përcaktimi i agjendës, përmes teknikave standarde të propagandës dhe manipulimit të opinionit publik, si mashtrimi i pastër (bardh e zi), gënjeshtrat e mëdha, demonizimi i armikut, dezinformimi, ekzagjerimi, akuzat e rreme, përhapja e frikës, shkaktimi i krizës dhe panikut, valëvitja e flamujve patriotikë, gjysmë të vërtetat, etiketimi, ngarkimi, emërtimi, stereotipizimi….

Të themi të vërtetën, ata vetëm elaborojnë në mënyrë më të vrazhdë dhe më brutale atë që autoritetet serbe tashmë e kanë shpallur me kujdes me të njëjtat teknika, ose shërbejnë si pararendës të tyre për të krijuar, së bashku me kanalet e tjera, një “tub të përkryer të gënjeshtrës”.

Fakti që këto media kanë qenë në qendër të vëmendjes prej vitesh nuk do të thotë se shtëpitë e tjera mediatike dhe skena mediatike në përgjithësi në rajon janë shembuj pa të meta të raportimit profesional – objektiv, të saktë dhe të pavarur; dhe në përgjithësi qëllimmirë. Është e kundërta e kësaj.

Një rrjetë gënjeshtrash, gjysmë të vërtetash, dezinformatash dhe propagande, e ndërtuar në bodrume plot me skelete të së shkuarës, është endur dhe gërshetuar mbi kamaret, korridoret dhe dhomat e shtëpisë sonë të përbashkët rajonale.

Për qëllime të këtij teksti do t’i referohem vetëm vështrimeve të përmbajtjeve të tilla mediatike në Kosovë.

Raportimi i mediave lokale në serbisht mund të klasifikohet përafërsisht në dy grupe – të ashtuquajturat media tradicionale, të cilat kanë ekzistuar me dekada dhe janë trashëgimi e ish-Jugosllavisë, të cilat më pas u shndërruan në media shtetërore serbe në vitet 1990; në thelb në gazeta që në të dyja kohët prodhonin propagandë me të njëjtin zell – fillimisht komuniste dhe më pas nacionaliste, me një krah të shtrirë luftënxitës. Ato edhe pas luftës mbetën de fakto media shtetërore serbe, pa marrë parasysh se arritën të mbijetojnë në sistemin e Kosovës duke u regjistruar si shtëpi apo biznese private mediatike. Ato vazhduan të ekzistojnë, duke ushqyer ende politikën editoriale të mbështetjes së pakushtëzuar të qeverisë, pavarësisht se kush e mbante pushtetin.

Konsideroj se është qasje e gabuar dhe kundërproduktive që këto media në Kosovë ngarkohen me faktin se ende shihen si media shtetërore serbe; ashtu siç besoj se qasja uniforme që ushqehet me kaq këmbëngulje nga brenda është e gabuar, domethënë se është detyrë ekskluzive e këtyre redaksive që të mbrojnë qeverinë gjithmonë dhe me çdo kusht, pavarësisht se çfarë mjeti manipulimi dhe propagande duhet përdorur; me maksimën se të mbrosh partinë në pushtet është njësoj si të mbrosh Serbinë.

Këtyre të ashtuquajturve media pro-regjimit, ndërkohë i janë bashkëngjitur mediat e reja hibride me të njëjtën politikë editoriale, të cila e fshehin mbështetjen aktive të pakushtëzuar për partinë në pushtet ose për ndonjë pjese të qeverisë dhe qendrave të pushtetit, duke imituar pluralizmin mediatik, lirinë e shprehjes dhe raportimin objektiv.

Dhe ndërsa degët që çojnë në të njëjtën qendër editoriale fshihen relativisht me sukses, është po aq e lehtë të përcaktohet ngjashmëria e tyre duke analizuar përmbajtjen mediatike.

Grupi i dytë përbëhet nga media të vogla, të cilat përpiqen të punojnë në mënyrë të pavarur. Formalisht, këto janë më së shpeshti organizata joqeveritare që merren me veprimtari gazetareske dhe mediatike; jo me biznes, sepse për komunitetin serb në Kosovë nuk ka treg ekonomik e aq më pak mediatik.

Ndërsa këto media varen plotësisht nga donacionet, ato përgjithësisht përpiqen të mbajnë politikën e tyre editoriale sa më të pavarur që të jetë e mundur, jo domosdoshmërisht nga vetë donatori, duke qenë se përdorin grante, qëllimi i proklamuar të cilëve është raportimi i paanshëm dhe i pavarur, por pikërisht në raport me pushtetin – si atë serb ashtu edhe atë kosovar si dhe qendrat e pushtetit që shkojnë me to. Si kërcënimin më të madh për gazetarinë e pavarur në këto redaksi, përveç burimeve jostabile të financimit, e shoh autocensurën e herëpashershme, mungesën e kuadrove dhe kolapsin e përgjithshëm socio-ekonomik-politik dhe intelektual të komunitetit serb në Kosovë.

Kështu, edhe në këto mediume përvidhen gabime profesionale si e vërteta gjysmake, informacionet e njëanshme, përgjithësisht raportimi jomjaftueshëm profesional.

Nuk do të ishte shumë gabim nëse këto media do të shiheshin si gazetari guerile.

Mediat në shqip sigurisht që nuk i kanë vështirësitë objektive me të cilat ballafaqohen redaksitë e vogla në serbisht, ose të paktën jo në një masë të tillë. Gjithashtu, skena mediatike e Kosovës në thelb nuk ka asnjë gjurmë të një grupi të tillë tabloidesh të krijuar në mënyrë të qartë, i cili në Serbi shërben si armë e fuqishme propagandistike e pushtetit dhe që, sipas ndikimit që ka dhe dëmit që ka shkaktuar me vite e dekada, së pari ndaj të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Serbisë si shtet, ajo duket si një kështjellë e pathyeshme.

Ndonëse në skenën mediatike të Kosovës jashtëzakonisht të gjallë, të degëzuar, të hapur dhe pluraliste në shqip, në Kosovë nuk ekziston një tub i vazhdueshëm i gënjeshtrave, siç janë tabloidet serbe, prapëseprapë në të ka një bollëk dezinformatash, propagandash dhe manipulimesh.

Një ndikim i tillë mbi opinionin publik në median në gjuhën shqipe vihet re përmes tri tendencave: Qerimhesapet ndërpartiake, përkatësisht qerimhesapet e brendshme të qendrave dhe klaneve të ndryshme të pushtetit; korrektësia e padiskutueshme e çdo veprimi dhe qëndrimi të etnosit shqiptar ndaj armikut të përbashkët serb nga njëra anë dhe miqve e aleatëve rajonalë e perëndimorë nga ana tjetër; dhe në fund i kemi raportimet që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara profesionale.

Këto anomali gazetareske vazhdojnë kryesisht jashtë fokusit të opinionit publik rajonal dhe ndërkombëtar. Disa nga arsyet e mungesës së vëmendjes së vazhdueshme ndaj këtyre përmbajtjeve janë sigurisht barriera gjuhësore dhe fakti se anijes kozmike propagandistike pro-qeveritare në Serbi vështirë se mund t’i afrohen mediat në pjesën tjetër të rajonit.

Ndryshe nga skena mediatike në Serbi, ku, përkundër makinerisë më të fuqishme të propagandës tabloide në rajon, ekzistojnë njëkohësisht edhe redaksi hulumtuese dhe objektive të njohura dhe të pranuara në botë, dhe në raportimin e të cilave nuk mund të “përvidhen” lajmet apo propaganda e rreme, në Kosovë është e mundur që të përzihen përmbajtje të tilla.

Propaganda, dezinformata dhe me fjalë të tjera gazetaria e keqe në mediat në gjuhën shqipe mund të gjenden si në portale të hapura ad hok që janë ‘incognito’, ashtu edhe në mediat e njohura dhe me renome rajonale nga Prishtina. Sidomos kur bëhet fjalë për narrativën bardh e zi që portretizon marrëdhënien Kosovë-Serbi, shqiptarë-serbë/Serbi: e drejta, të mirët, drejtesia dhe e vërteta është ekskluzivisht në anën shqiptare, kriminaliteti, krimet, gënjeshtrat, propaganda, janë të rezervuara për Serbinë dhe serbët. Madje, shpesh në përmbajtje të tilla mediatike është i dukshëm një kontekst edhe më i thellë – Shqiptarët, pra “Arbëria”, si një superkomb.

Efekti pasues i një narrative të tillë është barazimi me gazetarinë serbe, vetëm me tabloidet serbe dhe propagandën shtetërore. Me kalimin e kohës, mediat në gjuhën shqipe (me përjashtime) kanë zhvilluar qëndrim nënvlerësues dhe injorues ndaj mediave në gjuhën serbe në Kosovë.

Ka disa ilustrime që mund të mbështesin një marrëdhënie të tillë. Nisur nga fati se për një ngjarje rreth 40 a 15 kilometra larg Prishtinës, mediat në Prishtinë më shume e preferojnë të marrin raportin e një agjencie nga Beogradi, sesa të përcjellin përmbajtjen e kolegëve të tyre, të cilave shpesh herë i referoheshin si agjencitë e Beogradit. Ose krejt e kundërta e kësaj, ku thjesht do të shkarkojnë përmbajtjen e mediave lokale në gjuhën serbe, së bashku me një foto dhe video, të cilat nuk do t’i përshkruajnë siç duhet, por për më tepër do t’i paraqesin si njohuri ekskluzive të tyre. Kjo e fundit është karakteristike kur ndodhin ngjarje negative në zonat me shumicë serbe, veçanërisht në veri, pjesë e cila me dekada ka qenë në kuadër të një mjedisi të kriminalizuar, të pasigurt dhe të paarritshëm për shqiptarët, prandaj është e rëndësishme që materiali qoftë me video apo fotografik nga atje të paraqitet si pronë autentike e redaksive në shqip të cilat kanë arritur të sigurojnë ekskluzivitetin e vilajetit të errët.

Gjatë tetë viteve të ekzistencës së saj, mediumi i vogël në të cilin unë jam redaktore, ka pasur përvojë shumë të keqe jo vetëm me adresa pseudogazetareske, por mbi të gjitha me redaksi serioze mediatike në Prishtinë. Çka është vjedhja e përmbajtjes mediatike, përfshirë përmbajtjes ekskluzive nga vendi i ngjarjes – përveç hajdutërisë mediatike – nëse jo edhe një lloj dezinformimi, raportimi dhe propagande tendencioze, si dhe mashtrim i lexuesve të vet?!

Pasojat që dalin dhe mbeten nga ky lloj raportimi nga të dyja anët janë të rënda – afatgjata dhe me mundësi shumëfishimi. Një përmbajtje e tillë mund të harrohet shpejt, por konteksti dhe narrativa mbijetojnë, pasojat mbeten, përkatësisht: mungesa e profesionalizmit dhe tolerancës, dëshira për të vërtetën, mirëkuptimi, bashkëjetesa, vetëmashtrimi, radikalizmi, dhuna, thellimi dhe shpeshherë vazhdimi i konfliktit.

Së fundi, ndonëse nuk ishte temë e këtij teksti, ka redaksi profesionale si në gjuhën serbe ashtu edhe në atë shqipe që nuk i përkasin këtij pazarllëku të pistë mediatik dhe që punojnë ekskluzivisht për publikun dhe të vërtetën. Ato janë fokusi ynë më i madh.