Arritja e anijes Vlora në gusht 1991 në portin e Barit

‘Sono persone – Janë njerëz’, monumenti që përkujton eksodin me anijen Vlora

Eksodi i 20 mijë shqiptarëve me anijen Vlora në gusht të vitit 1991 drejt Barit dhe përpjekja e ish-krybashkiaut të qytetit italian për t ‘i trajtuar ata njerëzisht është përjetësuar në një monument në Durrës.

Dielli i mbrëmjes e ndriçon më mirë monumentin e përuruar në shëtitoren bregdetare të Durrësit.

Sapo ka përfunduar ceremonia zyrtare e përurimit të monumentit, ku bashkë me autoritetet kanë folur edhe artistët realizues të tij.

30 vjet pas ngjarjes së shumëpërfolur të gushtit 1991 në të dy brigjet e Adriatikut, Durrësi dhe Bari do të kenë një simbol të përbashkët me logon “Deti që na bashkon”.

Janë dy skulptura së bashku aty ku nis shëtitorja e Durrësit, të cilat nga perëndimi duken si bashi i një anijeje gati për lundrim.

Monumenti ‘Janë njerëz’ i vendosur në shëtitoren bregdetare në Durrës Foto: Gëzim Kabashi BIRN

Artistja Jasmine Pignatelli, autore e veprës, tregon për BIRN se ka punuar tre vjet radhazi për zgjidhjen artistike të monumentit me titull “Sono persone – Janë njerëz”.

“Këto fjalë të thëna 30 vjet më parë nga kryetari i bashkisë së Barit, Enrico Dalfino, i dëgjova në një nga intervistat e bashkëshortes së tij dhe sipas meje janë çelësi i qëndrimit të qytetarëve ndaj ngjarjes,” thotë Jasmine.

“Janë njerëz. Jemi shpresa e tyre e vetme,” përsëriste në ato ditë të vështira kryebashkiaku kur vinte në shtëpi.

Sipas autores së veprës, që u instalua në Durrës, pak metra larg detit, “në këtë rast është arti ai që e zbulon fjalën dhe më pas e bën atë publike”.

Jasmine Pignatelli, vëren se megjithëse ka qenë e vogël kur anija “Vlora” plot me njerëz mbërriti në Bari, ka kuptuar se qytetarët dhe populli e kanë mbështetur trajtimin njerëzor që kërkonte kryebashkiaku Dalfino përballë politikave qeveritare”.

Nismën konkrete për një shenjë qytetare tre dekada më pas e ka ndërmarrë qyteti i Barit, ndërsa për vite me radhë kanë mbetur në letër e në bocete përpjekjet e skulptorëve durrsakë për një monument që artistikisht duhet të dëshmojë jo vetëm për ikjen e shqiptarëve përmes detit, por edhe për rikthimin e tyre nga vendet ku jetojnë e punojnë me dinjitet.

Eksodi i ambasadave në korrik 1990 dhe ai i marsit 1991 shërbyen si rënia e murit të Berlinit për rininë dhe popullin shqiptar në përgjithësi.

Bocetet për vepra që mund të vendoseshin edhe në sheshin e trageteve në port, atje nga ku u larguan drejt lirisë dhe ku hyjnë e dalin tashmë lirisht mijëra shqiptarë dhe të huaj, vazhdojnë të mbeten ide të parealizuara.

Në fillim të gushtit 1991, pas dy eksodeve të para nga ambasadat në korrik 1990 dhe mars 1991 me anije nga Durrësi në Brindizi, mbi 20 mijë vetë tentuan të zbresin në Bari.

Artistja Jasmine Pignatelli, autore e veprës me titull “Sono persone – Janë njerëz”

Artistja Jasmine Pignatelli, autore e veprës me titull “Sono persone – Janë njerëz

Ata ndeshën në rezistencën e forcave italiane të rendit dhe pas një izolimi disa ditor në stadiumin e vjetër të qytetit dhe në portin tregtar u rikthyen drejt Shqipërisë me tragete ose avionë.

Bajram Iljazi, një prej udhëtarëve që u ngjitën plot shpresë për të ardhmen në anijen “Vlora” kërkon ti harrojë ato ditë të nxehta gushti në portin e Barit.

“Vlora u mbush në Durrës plot me njerëz të të gjitha moshave brenda paradites, por shumica ishin të rinj,” kujton ai.

Barjami, i cili në atë kohë kishte gjysmën e moshës që ka sot, kujton se kur arritën në Itali autoritet gjysmën e njerëzve që zbritën në kalatë e i mbajtën aty ndërsa pjesën tjetër e dërguan në stadiumin e vjetër të Barit.

“Ka qenë një javë ferri dhe ishim krejt të izoluar në një sipërfaqe shumë të vogël,” thotë mesoburri për BIRN, i cili shton se bllokimi i lëvizjes nga ushtarakët italianë të sigurisë rëndohej nga sjellja çnjerëzore e disa prej shqiptarëve që zbritën nga anija.

Bajrami, thotë se kurrë nuk do ta kuptojë se përse u toleruan nga pala italiane sjelljet e këtyre “burgaxhinjve”, siç i quan ai bashkëatdhetarët, që humbën çdo lloj humanizmi.

Sipas Bajram Iljazit shumica e shqiptarëve që u kthyen në shtëpitë e tyre tentuan me çdo mjet që  të largohen përsëri. Një pjesë ia dolën dhe tani kanë jetën e tyre në Itali, apo në vende të tjera.

Në anën tjetër të detit, ne Bari, Giuseppe Dalfino, e ka vuajtur familjarisht ngjarjen e fillimgushtit në qytetin që drejtonte babai i tij, Enrico.

Duke folur për BIRN, Dalfino tregon se i ati, kryebashkiak i Barit në vitin 1991, i bënte thirrje politikës dhe bashkëqytetarëve të tij që ti mirëkuptonin të ardhurit, duke qenë sa më njerëzorë.

“Momenti i konfliktit institucional me politikën qendrore për çështjen e mikpritjes së shqiptarëve në Bari e rëndoi gjendjen e babait, dhe familja ime, sidomos nëna dhe motra e kanë lidhur sëmundjen dhe vdekjen e tij të parakohshme me këtë situatë,” tregon Giuseppe, i cili punon si avokat.

Ai shton se e vërteta mbi ngjarjen e gushtit 1991 në Bari ende nuk ka dalë në dritë.

Monumenti i vendosur në Bari, por edhe ai që sapo u përurua në Durrës, kërkon të rikthejë gjestin e kryebashkiakut Enrico Dalfino, me qëndrimin e tij.

Florian Vlashi, i cili ka ardhur në Durrës për Bienalen muzikore që organizon në vendlindje çdo dy vjet, thekson se një përkujtimore duhet dhe për viktimat që kanë humbur jetën në Adriatik, në përpjekje për të ndërtuar një jetë më mirë në perëndim.

“Bashkë me monumentet në Durrës dhe në Bari duhet ndërtuar edhe një tjetër në fund të detit,” tha ai ndërsa shtoi se “aty ka shumë ëndrra të mbytura që duhet të nderohen.”

“Ndoshta një herë në vit duhet hedhur një kurorë për ti thënë atyre engjëjve se nuk i harrojmë,” sugjeroi violinisti, që është larguar drejt Spanjës në vitin 1992.

Ngjarjet e javës së dytë të gushtit 1991 janë trajtuar gjerësisht nga mediat dhe kultura italiane.

Dy filma dokumentarë dhe artistikë kanë në qendër atë që ndodhi në portin dhe stadiumin e Barit të vjetër.

Dramatizimi i njërit prej tyre erdhi mbrëmjen e kaluar në amfiteatrin antik të qytetit të Durrësit, si një monodramë e shkruar nga Daniela Nicosia dhe interpretuar nga aktori Massimiliano di Corato.

Në vendin ku tashmë ngrihet monumenti “Sono Persone”, autorja Jasmine Pignatelli vazhdon të bisedojë me të rinj apo qytetarë durrsakë që e kanë kaluar detin 30 vjet më parë.

Edhe pse për herë të parë në Shqipëri, ajo e kupton se sa i rëndësishëm është arti për ti bashkuar njerëzit.

“Edhe një histori e vogël artistike mund të shërbejë për ti përmirësuar njerëzit dhe vendin,” përfundon bisedën skulptorja nga Bari./Reporter.al

Arritja e anijes Vlora në gusht 1991 në portin e Barit