SMS Falas për Raportime të Manipulimeve në Zgjedhje

“Demokracia në Veprim”, prej muajit korrik ka filluar trajnimin e 1,600 vëzhguesve, të cilët do të jenë në vendvotime, tha të mërkurën, Petrit Zogaj, drejtori i Lëvizjes FOL dhe anëtari i Bordit të Demokracisë në Veprim që është rrjet bashkëpunimi i 10 organizatave joqeveritare.
 
“Demokracia në Veprim, për dallim nga herët tjera, kësaj radhe do të dërgojë vëzhgues edhe në pjesën veriore të Kosovës”, tha Zogaj, në një takim me media që u mbajt të mërkurën në Prishtinë.

Ai tha se Demokracia në Veprim ka marrë një numër telefoni (50088) ku qytetarët e Kosovës do mund të dërgojnë SMS falas në ditën e votimeve. për të raportuar manipulimet dhe parregullsitë eventuale.

Rrjetin e përkrahën edhe ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Norvegjisë.

Ian Cliff tha se arsyeja pse ambasada britanike e mbështetë këtë vëzhgim të Demokracisë në Veprim”, është se “zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i një shoqërie të mirëfilltë demokratike”.

“Ne mendojmë që në zgjedhjet e fundit qendrore, vota e lirë e qytetarit është manipuluar, kurse manipulimi i zgjedhjeve çon në prishje të sistemeve demokratike dhe në përkeqësime të situatës politike në vend, prandaj ne jemi të interesuar të mbështesim ‘Demokracinë në Veprim’ për monitorimin e zgjedhjeve lokale”, tha Cliff.

Ndërsa ambasadori i  Mbretërisë së Norvegjisë, Jan Braathu porositi qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Unë e kuptoj që ndonjëherë qytetarëve nuk u pëlqejnë zgjedhjet, ose partitë politike, por ata duhet të votojnë, të zgjedhin alternativën. Më mirë, sesa t’i bojkotojnë zgjedhjet”, tha  Braathu.

Ai po ashtu vlerësoi se qytetarët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësi mbi supet e tyre dhe të vëzhgojnë zgjedhjet vetë.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në nëntor të vitit 2009, ndërsa qenë bojkotuar nga serbët që jetojnë në veriun e vendit . Zgjedhjet e 3 nëntorit do të jenë të parat në të cilat pritet të dalin edhe serbët veriorë që nga viti 1999, kur Kosova hyri nën protektoratin e OKB-së.

Përveç 1 mijë e 600 vëzhguesve të “Demokracisë në Veprim”, zgjedhjet  e 3 nëntorit do t’i monitorojnë edhe 100 vëzhgues nga vendet e BE-së. Edhe organizata tjera monitoruese pritet të marrin pjesë në këtë proces.

Zgjedhjet e lira dhe të drejta mund ta shpejtojnë rrugën europiane të Kosovës.