Smajl Latifi përballë premtimeve të dhëna për Rahovecin 

Edhe Komuna e Rahovecit ishte nën llupën e hulumtimeve të radhës së ekipit të KALLXO.com. Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po shënon, mandatin e dytë në Rahovec e problemet me infrastrukturën, ndriçimin, arsimin, mbesin ende të pazgjidhura për qytetarët e kësaj komune.

Në emisionin “Jeta në Komunë” ai u ballafaqua me ankesa të banorëve, me kritikat e opozitës e punët e pakryera në Rahovec.

Ku e “kapi” në rrenë Krypometri kryetarin e Rahovecit?

Latifi i AAK-së fitoi zgjedhjet komunale në vitin 2021, duke dhënë një mori premtimesh, për të cilat tha se do t’i realizonte brenda këtij mandati të tij qeverisës. Rubrika “Fack Chek” në emisionin “Jeta në Komunë”, verifikoi se jo të gjitha premtimet e Latifit u përmbushën.

Në vitin 2021, Latifi premtonte ndriçimin e të gjitha lokaliteteve në Rahovec.

“Ne po besojmë që deri në fund të dhjetorit të këtij viti, të gjitha lokalitetet do të përfshihen në ndriçim… edhe fshatrat”- kishte premtuar Latifi.

Ndërkaq, Krypometri verifikoi se sot, ka ende lokalitete, të cilat nuk kanë ndriçim publik në Rahovec.

Në përgjigjen e komunës thuhet se të gjitha vendbanimet në Rahovec kanë ndriçim publik, në përjashtim vetëm të disa lokaliteteve.

“Të gjitha vendbanimet e komunës sonë kanë ndriçim publik, përjashtim bëjnë disa lagje në disa vendbanime që ka nevojë të shtrihet rrjeti i ndriçimit publik si: Brestovc, Hoçë e Vogël, Ratkoc, në disa rrugë të Krushës së Madhe”- thuhet në përgjigjen e komunës.

Latifi kishte premtuar edhe mësimin gjithëditor në Rahovec.

Por, në emisionin “Jeta në Komunë”, ai vetë e konfirmoi se aktualisht nuk ka asnjë shkollë në Rahovec që ka mësim gjithëditor. 

“Është e vërtetë që nuk ka mësim gjithëditor në Rahovec. Unë nuk e kam kuptu deri në detaje se çfarë do të thotë mësimi gjithëditor dhe nuk e kam kuptu çfarë kosto ka, a jam për mësimin gjithëditor, jam por a ka në Rahovec aktualisht, jo nuk ka”- tha Latifi.

Edhe premtimi për shpalljen  e Komunës së Rahovecit si zonë bujqësore, mbeti vetëm “në letër”.

Për këtë, Latifi fajin jua lë institucioneve qendrore, pasi thotë se nuk ka marrur përgjigje as nga ministri i Bujqësisë dhe as nga kryeministri Kurti për këtë çështje, ndonëse u ka dërguar atyre kërkesa.

“I kam dy shkresa që një i shkon kryeministrit dhe një ministrit që jua kam dërguar në 2022-tën.  Nuk ka përgjigje me shkrim. Ka fjalë mirë,  por nuk ka veprime. Nuk kemi përgjigje nga Qeveria Kurti. Rahoveci e meriton me e pas Ligjin që e shpall zonë të veçantë për bujqësi. Ideja është që Rahoveci përmes këtij ligji fiton identitet të ri”- tha ai.

Smajl Latifi i AAK-së thotë se për këtë çështje nuk ka kontakte as me kryeministrin Kurti as me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për çka thotë se “neglizhenca e ministrit Peci, u ka shkaktuar dëme bujqve të Rahovecit”.

“Ky erifi tash, kryeministri, vjen në Rahovec me disa lidhje të shkurtra, mirëpo Zyrën e kryetarit nuk e viziton. Nuk është që më ka marr malli mua për ministrin Peci, edhe qytetarët e dijnë, por ministrit Peci ne ja kemi nxjerrë me argumente, me fakte edhe refuzimin e ankesave për dëmet të cilat ju kanë shkaktuar bujqve, madje edhe avokat kam gjetë”- deklaroi Latifi.

Ndaj kësaj deklarate të Latifit ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu, i cili tha se “vullneti nuk matet me dy shkresa”.

“Edhe ne si LVV pajtohemi për këtë ligj që është shumë i nevojshëm por vullneti nuk matet me dy shkresa të dërguara. Kryetari i Komunës është njëkohësisht edhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ku e ka pas mundësinë e botës me e propozu një projektligj për këtë çështje”- tha Kafexhiu.

Zvarritjet në kompleksin sportiv përplasin partitë në Asamble 

Në debatin e zhvilluar në Asamblenë Komunale të Rahovecit, Smajl Latifi u gjend përballë kritikave e akuzave për mos përmbushjen e premtimit për ndërtimin e kompleksit sportiv tek Epopeja e Ushtrisë  Çlirimtare  të Kosovës. 

Kur po garonte për kryetar komune, Latifi premtoi ndërtimin e kompleksit sportiv te Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec.

“Për kompleksin sportiv, unë e kam nënshkru  kontratën që do të bëhet te Epopeja e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… është nënshkru para pak ditëve… është kontratë dy vjeçare”- kishte thënë ai në debatin e vitit 2021 në Debat përnime.

Tri vite më vonë, Ekipi i KALLXO.com gjeti se në kompleksin sportiv ende nuk kishin përfunduar punimet.

Kryetari Latifi,  tash në vitin 2024, thotë se gjatë ndërtimit të kompleksit sportiv janë dashur punë shtesë të cilat edhe kanë pasur kosto shtesë.

“Ju më 24.09.2024 e kishit bërë xhirimin ndërkohë që janë duke u bërë punët përfundimtare. Kanë dalur disa punë që nuk i kemi parashiku për shkak të terrenit shkëmbor është dashur të bëhet minimi po besoj që kompleksi sportiv shumë shpejt do të përfundohet. Ka dhe pagesa shtesë sepse është bërë minimi, diku rreth 4 mijë kilogram eksploziv janë përdorur”- tha Latifi.

Ndërkaq asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu tha se kryetari Latifi kishte premtuar disa data se kur do të përfundonte ndërtimi i Kompleksit Sportiv.

“Ky projekt ka qenë i premtuar për në shtator të vitit 2023 më pas kanë qenë edhe tri data të tjera që është premtu. Data tjetër që ka mundësi për me u përfundu në afat, ka qenë prilli i vitit 2024 edhe kjo nuk ka ndodh. Në maj të këtij viti ka fillu rrënimi i stadiumit që ka qenë premtim, pa u përfundu kompleksi sportiv nuk rrënohet stadium i qytetit për shkak që KF Rahoveci tash po i zhvillon ndeshjet në Malishevë”- tha Kafexhiu.

“Rrënimi i stadiumit ka të bëjë me nevojat e ndërtimit të sheshit qendror është paraparë ndërtimi i sheshit qendror”- iu kundërpërgjigj kryetari.

Gjatë debatit, asamblisti tjetër nga AAK, Hasan Përboqi, akuzoi Vetëvendosjen se kanë larguar nga projektbuxheti kodin për ndërtimin e Stadiumit të qytetit.

“Lëvizja Vetëvendosje shumë mirë që po interesohet për kompleksin sportiv. Vetëvendosja do të ishte mirë që në qendër të mos e largonte nga projektbuxheti projektin e stadiumit qendror mos me e lënë këtë qytet pa stadium qendror. Është larguar projekti i ndërtimit të stadiumit të Rahovecit, kodi për këtë është larguar nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Nëse nuk gaboj prej vitit të kaluar nuk figuron ky kod”- tha Përboqi.

Me deklaratën e Përboqit nuk u pajtua asamblisti i pavarur, Ilir Pallqa i cili tha se projekti për ndërtimin e stadiumit është në fazën e projektimit ndërsa 150 mijë euro janë nda “Stadiumi është në fazën e projektimit, nuk është heq. Është në fazën e projektimit tash janë procedurat e riprojektimit për shkak që nuk i ka përmbush kushtet. 150 mijë euro janë nda në kodin për projektimin e stadiumit prej Ministrisë”- tha Pallqa.

“Ne kemi pas në kode nga Qeveria Hoti e tutje, Stadiumin në Rahovec; Palestrën e Sporteve në Krushë të Madhe, Stadiumin në Krushë të Madhe dhe Stadiumin në Ratkoc, katër projekteve veç bashkë më të edhe Stadiumi i Qytetit. Çka ka ndodh, ka ndodh një procedurë tjetër që kemi gjet një lokacion tjetër tash në pronat që i ka shfrytëzim ‘Stone Castle’ të cilat kanë hy në planin zhvillimor komunal, mirë e ka asamblisti Pallqa që tash është në fazën e riprojektimit, por katër vite i kemi humb”- tha kryetari, Smajl Latifi.

Edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu tha se paratë për projektin janë ndarë, por vetëm ka ndryshuar forma.

Sipas Kafexhiut kodi të cilin e përmendi kryetari Latifi është që nga viti 2016 dhe se janë ndërruar edhe dy ministra jo të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se projekti nuk ka përfunduar.

“Kodi i stadiumit është e vërtetë që u hoq në vitin 2022 por kjo nuk i ka pamundësu për shkak që ministria i ka nda mjetet për projektim të stadiumit vetëm forma ka ndryshu. Kodi për të cilin po fol kryetari i komunës që është vendos është prej vitit 2016, prej këtij viti janë ndërru dy ministra të tjerë përveç Vetëvendosjes edhe nuk është kry deri më 2022. Ndërsa tash me ndryshimin e lokacionit Qeveria është e gatshme që me i nda mjetet, projektimi është duke u kryer edhe ka me u finalizu”- tha Kafexhiu.

“Asnjë projekt  i përfunduar me kohë në Rahovec” 

Kritika kundër kryetarit ka pasur edhe nga partia tjetër opozitare në Rahovec, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Asamblisti nga kjo parti, Burim Krasniqi, tha se në Komunën e Rahovecit asnjë projekt nuk përfundon në afatin kohor të përcaktuar sipas kontratës. 

Krasniqi thotë se në këtë komunë ka mungesë të mbulimit financiar të projekteve.

“Deri më sot Komuna e Rahovecit asnjë projekt nuk e ka përfundu në afatin kohor të kontratave të lidhura, të gjitha zvarriten, për të gjitha shtohet kosto. Asnjë projekt deri më sot nuk ka pranim teknik, sepse  bëhet presion te kompanitë, kompanitë e kryejnë de-fakto punën, juridikisht nuk kryhet puna, mbesin pezull me arsyetimin se pozicioni i fundit është një lloj pranimi teknik, nuk qëndron ajo, ligji për ndërtim e parasheh ndryshe”- tha Krasniqi.

I pari i Rahovecit i pranoi vonesat në projektet e komunës, por thotë se janë qindra projekte që janë përuruar në mandatin e tij.

“Sa i përket vonesave të projekteve jam dakord, sepse ka, mirëpo po harrojnë se projektet të cilat ndodhin në Komunën e Rahovecit bëhen për të gjithë qytetarët në interes të tyre. Edhe këta duhet me marrë pjesë në përurim të projekteve, a e dini sa projektet i përurojmë ne, nuk marrin këta pjesë hiç… janë me qindra projekte që në këtë mandat janë përuruar”- tha Latifi.

Tutje, asamblisti i LDK-së, Burim Krasniqi kritika pati edhe për buxhetin e Komunës së Rahovecit për vitin 2025.

Ai vetë thotë se nuk e ka votuar këtë buxhet të komunës pasi sipas tij, nuk ka pasur specifikime në buxhet.

“Ka shumë argumente që nuk votohet buxheti. Nuk mundet me një kod buxhetor me thënë, ‘Ndërtimi i rrugëve të Rahovecit’, duhet me u specifiku secila rrugë, secila ka emër sot. Sot në projektbuxhet nuk janë”- tha ai.

Këtë e kundërshtoi  kryetari Latifi, i cili tha se kodet në Ministrinë e Financave nuk mund t’i ndërrojë.

“Këta e kanë kërku një listë të projekteve që ua kemi dërgu por kodet në Ministrinë e Financave nuk mundem me ua ndërru. Pra të gjitha kodet e përgjithshme kanë qenë të specifikuara dhe kjo është e vërtetë. Të pavërtetat Smajl Latifit, tana i duron por shpifjet, inskenimet dhe të pavërtetat nuk i duron”- tha ai.

“Gjema një projekt, i cili ka fillu në mandatin e fundit të kryetarit Latifi edhe që ja ka pre shiritin deri sot, unë jap përgjegjësi”- ka vazhduar tutje Krasniqi.

Nuk ka kode buxhetore nuk është e vërtetë që thash nuk ka ardh lista. Nuk ka rrugë të specifikuara. Nuk qëndron që sistemi nuk i lejon me i specifiku”- shtoi asamblisti Krasniqi.

Projektet u kryen, funksionalizimi “askund”

“Sukseseve” të promovuara të Smajl Latifit në rrjete sociale, ekipi i KALLXO.com në Rahovec i gjeti mangësi në teren.

Përmes rubrikës “Shiriti”, gjatë emisionit “Jeta në Komunë”, u shpërfaqën projektet që kishte kryer Smajl Latifi gjate tri viteve të qeverisjes së tij në Rahovec.

Në dhjetor të vitit 2023, ai kishte njoftuar për vendosjen e dy vendndalimeve në Rahovec.

Anipse nuk kanë kaluar ende një vit prej kur ai i kishte promovuar, KALLXO.com gjeti se xhamat në të dy vendndalimet ishin thyer dhe krisur.

Ndërkaq, sipas qytetarëve, vendndalimi i vendosur “Te Rrasat” është i vendosur në kah të kundërt për qytetarët që presin autobusin për Prishtinë.

“Po bre, janë vendosë pritoret, xhamat janë thy, unë nuk e di a është në përputhje me standardet e ekspertizës, por ekspertiza e ka vendosë që aty duhet të jete një pritore… e kemi raportu rastin në Polici”- tha Latifi.

Projekt tjetër që promovoi kryetari ishte hapja e shtëpisë së të moshuarve për qëndrim ditor.

Një vit pas, kjo qendër edhe pse u ndërtua, ende nuk ishte hapur për të moshuarit dhe nuk ishte funksionale. 

Për këtë kryetari Smajl Latifi ka thënë se ka ndodhur për shkak të mos aplikimit të kompanive për transport të të moshuarve.

“Nuk konkurronin firmat. Pesë herë ka dështu tenderi, hiç, hiç kurrkush s’ka konkuru”- tha Latifi.

Tutje, në vitin 2022, komunarët e Rahovecit kishin njoftuar për fillimin e disa ndërhyrjeve që do të përmirësonin kushtet në stadiumin “Jahja Danuza”, por ende pa kaluar dy vite, komuna kishte ndryshuar mendje për këtë stadium.

Në maj të këtij viti, makineritë kishin rrënuar fushën e stadiumit që do të bëhet shesh.

“Ne kemi komuniku me klubin edhe në pajtim me federatën, ata për me luajt në atë fushë, është dashur t’i bëjmë  ato përmirësime madje i kemi bërë bashkë me Federatën. Edhe atëherë e kemi ditë që është për shesh, por ne për mos me lanë klubin tonë me shku me luajt në një komunë tjetër, i kemi ba disa përmirësime me qëllim që me u harmonizu me kriteret që vendosë Federata e Futbollit për me u luajt ndeshjet në vend”- u arsyetua kryetari.

Performanca e Rahovecit

Raporti i performancës i nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), thotë se Rahoveci, në fushën e barazisë në punësim dhe shërbimeve sociale shënohet si komuna e dytë në Kosovë.

Në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike është në vendin e tetë në Kosovë.

Ndërkaq është e renditur si komuna e parë në fushën e transportit publik, vendin e tretë e zë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ndërsa në kujdesin primar shëndetësor, zë vendin e shtatë në mesin e komunave të vendit.

Komuna e Rahovecit ndonëse dëshiron të bëhet komunë bujqësore, në anën tjetër në bazë të të dhënave të këtij raporti ka vetëm 28 % të hapësirave të gjelbra për kokë banori.

Po ashtu, kjo komunë nuk ka arritur as të plotësoj standardin për punësimin e personave me nevoja të veçanta.

Kryetari i Rahovecit,  përballë këtyre gjetjeve tha se megjithatë Komuna e Rahovecit është ndër komunat e para në vend për përmbushjen e standardeve të caktuara nga MAPL.

Megjithatë ai e pranon se kjo komunë ka sfida në fusha të caktuara të matjes së performancës.

“Kemi sfida me këshilla lokal, kemi sfida me punësimin e njerëzve me nevoja të veçanta me kontrata të përhershme, e kemi sfidë edhe barazinë gjinore në vendet udhëheqëse”- tha Latifi.