INTERPOL

Skepticizmi për pranimin e Kosovës në INTERPOL

Ndonëse kishte dështuar të jetë pjesë e INTERPOL-it në nëntor të vitit të kaluar, në janar të këtij viti Kosova prapë ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim.

Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it në tetor të këtij viti, e për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, njohës të çështjeve politike shprehën skeptik nëse kësaj radhe do të ketë sukses, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme ‘hesht’ për të treguar për fushatën lobuese.

E në anën tjetër si krerët shtetëror ashtu edhe ekspertët e sigurisë janë të mendimit të Policia e Kosovës plotëson të gjitha kriteret për të qenë pjesë e kësaj organizate.

‘Klima’ e zgjedhjeve, nuk i kontribuon lobimit

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar që të marrë informacione nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, për fushatën lobuese të vendit për pranimin në INTERPOL, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

E në anën tjetër ish-ministri i Punëve të Jashtme , Skënder Hyseni, ka thënë që MPJ nuk është duke punuar sa duhet në këtë drejtim.

“Gjasat janë të vogla, sepse nuk është bërë punë e duhur nga Ministria e Punëve të Jashtme, që të animohen vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Hyseni për Jnk.

Sipas tij, stafi i MPJ-së, janë më shumë të fokusuar në fushatën zgjedhore sesa në fushatën lobuese për anëtarësim.

“Tani është periudha kur do të duhej i gjithë stafi i MPJ-së, të ishte në lëvizje për të lobuar për fitim të votave,  Ndërkohë që ministria më shumë janë të përqendruar në fushatë zgjedhore sesa në punët e veta të cilat aktualisht i kanë”, tha ai.

Sipas Hysenit një problem të madh paraqet edhe fakti se pranimi në Interpol është politizuar ndërsa punimet e asamblesë do ta gjejnë Kosovën pa qeveri të konsoliduar.

“Policia e Kosovës është më e përgatitur se  policisë e 40% të vendeve anëtare të INTERPOL-it. Anëtarësimi në Interpol është politizuar nga vendet kundërshtare të Kosovës”, tha Hyseni.

 

Rreziku i Kosovës për përsëritje të dështimit


Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se MPJ duhet të angazhohet më shumë për fushatë lobuese, sidomos duke marrë parasysh fushatën e vazhdueshme të Serbisë kundër pranimit të Kosovës.

“Herën e kaluar e kemi parë që Kosova nuk është bërë pjesë e INTERPOL-it edhe për shkak të lobimit të vazhdueshëm nga shteti i Serbisë tek shtetet anëtare që të mos votohet pro Kosovës. Kjo gjë mund të përsëritet sërish, duke i parë deklaratat e zyrtarëve serb të cilët janë zotuar se do të bëjnë të pamundurën për mos anëtarësimin e Kosovës”, tha Haxholli.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën është shprehur optimist se kësaj here Policia e Kosovës do të jetë pjesë e kësaj organizate, sepse sipas tij ajo posedon përgatitjet e duhura.

“Diplomacia serbe edhe vjet ka patur suksese në pengimin e anëtarësimit të Policisë në INTERPOL. Kësaj radhe trupi veprues i institucioneve të Kosovës është duke punuar në atë drejtim që ne tetor Kosova të mos dështoj që të anëtarësohet në këtë organizatë”, tha ai.

Sipas Violeta Haxhollit, pavarësisht, procesit zgjedhor në Kosovë, kori diplomatik duhet të aktivizohet sa më shumë për të lobuar.

“Edhe pse jemi në proces zgjedhor ne kemi ambasada funksionale në shumë shtete, mendoj që përfaqësuesit tanë diplomatik ti rrisin përpjekjet në lobim sidomos te shtete që herën e kaluar kanë votuar kundër. Serbia do të kryej pjesën e saj, por edhe ne duhet të kryejmë pjesën tonë”, tha Haxholli.

‘Betejat’ e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL

Policia e shtetit që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, nuk ka mundur të bëhet anëtare e familjes së madhe të policive botërore, edhe përkundër përpjekjeve gati nëntë vjeçare.

Dy vite pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010, Kosova nisi procesin e anëtarësimin në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- INTERPOL. Krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2010 patën aplikuar për herë të parë për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë. Atë kohë INTERPOL pati kërkuar nga Kosova plotësimin e një pyetësori por që komunikimi i ishte ndërprerë ndërkohë dhe nuk kishte vazhduar më tej. Në muajin prill të vitit 2015 ishte bërë kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësimin në INTERPOL.

Aplikacioni ishte nënshkruar nga ish- kryeministri Isa Mustafa ndërsa përcjellja e këtij aplikacioni ishte dorëzuar nga misioni i UNMIK-ut. Krerët e Policisë së Kosovës patën synuar që viti 2015 të jetë ai vit që Kosova të kishte përmbushur të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Në raportin e Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë, raport ky i publikuar në vitin 2016, thuhet se Kosova ishte e gatshme për anëtarësim sa i përket aspektit teknik dhe operativ, por janë pengesat politike të cilat e sfidojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të sigurisë. Më 2 gusht të vitit 2017, Qeveria pati miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.

Shtatori i vitit 2017 ishte muaji ku do të vendosej se a do të jetë Kosova në INTERPOL apo jo. Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale së bashku me shtete si Ishujt Solomon dhe Palestina pati pasur rrezik për dështim në anëtarësim. Më 21 shtator 2017, 5 ditë para se të vendosej për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dalë me një deklaratë ku thoshte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

2017 ishte viti ku Kosova prapë dështoi që të anëtarësohej në organizatën më të madhe INTERPOL.

E tentimin e fundit, Kosova e pati në nëntor të vitit 2018, e cila pas një fushate të Serbisë dështoi të anëtarësohet.