Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti duke bërë homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur Foto: ZPRK
Skepticizmi mbështjell nismën e ripërtërirë për të vërtetën dhe pajtimin
Ekspertët druajnë se një komision “presidencial” për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë nuk do të gëzonte pavarësinë e nevojshme nga ndikimi politik a legjitimiteti në mesin e të gjitha komunitetet etnike.
Kosova pritet t’i japë një shtytje të re krijimit të një komisionit për të vërtetën dhe pajtimin që do të merrej me ngjarjet e luftës së viteve 1998-99, ama ekspertët paralajmërojnë se komisioni rrezikon të dështojë pa nisur mirë nëse nuk do t’i kishte duart të lira prej ndikimit politik.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pari e kishte shqyrtuar idenë e një komisioni të së vërtetës dhe pajtimit më 2018, duke e quajtur mundësi për adresimin e “disa paqartësive dhe padrejtësive të caktuara të vazhdueshme”. Por nisma ngeci pas dorëheqjes së tij më 2021 që të përballej në Hagë me akuzat për krime lufte, që lidheshin me rolin e tij si komandant gueriljeje gjatë kohës së luftës. Tani, pasrendësja e Thaçit si presidenti, Vjosa Osmani, ka marrë stafetën, bazuar në Strategjinë qeveritare për Drejtësi Transicionale, të përshtatur sivjet dhe e cila bën thirrje për krijimin e një “Komisioni Presidencial për të Vërtetën dhe Pajtimin”.
“Të gjitha këto do të përcaktohen me aktin juridik që do ta themelojë Komisioni. Aty përcaktohet edhe mandati edhe qëllimi. Akti është në hartim e sipër”, ka deklaruar për BIRN-in zëdhënësi i presidentes, Bekim Kupina.
Ai ka thënë se nisma “do të adresonte trashëgiminë e së kaluarës dhe do të ndihmonte paqen dhe pajtimin” në mesin e komuniteteve, dhe do të fillonte brenda mandatit aktual të Osmanit, që përfundon në mars 2026.
Megjithatë, ekspertët thonë se qasja tashmë është cenuar. Tipikisht, komisionet e ngjashme janë trupa investigativë që operojnë jashtë ndikimit institucional dhe politik, megjithëse krijohen nga shteti. Pa një pavarësi të tillë, zor se mund të fitojnë besimin e të gjitha komuniteteve në Kosovës, sidomos të serbëve minoritarë.
Në Strategjinë qeveritare të Drejtësisë Transnacionale, “nuk është shpjeguar si duhet çfarë mandati do të kishte ky komision”, ka thënë Bekim Blakaj, drejtor i Qendrës të së Drejtës Humanitare për Kosovë, që për vite me radhë është marrë me dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Mekanizmat e tillë kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe institucional, ka thënë ai, gjë që shpesh është provuar si paarritshme në Kosovë pas ndarjes nga Serbia më 1999 kur bombardimet ajrore të NATO-s i detyruan të largoheshin forcat serbe, të akuzuar nga për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të Kosovës.
“Presidentja e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme gjatë procesit të krijimit të Komisionit dhe duhet të bëjë përpjekje maksimale për të fituar besimin e të gjitha komuniteteve”, ka thënë Blakaj. “Nëse nuk ndodhë kjo, minimale janë mundësitë për sukses të Komisionit”.
Kupina ka thënë se presidenca “do të ofrojë të gjithë kontributin e nevojshëm për ta arritur një konsensus të tillë”.
Rreziqet e qasjes “nga lart-poshtë”
Rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës vdiqën dhe pothuajse një milionë të tjerë u detyruan forcërisht të largoheshin prej shtëpive të tyre gjatë luftës kundërguerile, të ndërmarrë prej forcave në kohën e liderit të gjithëfuqishëm Slobodan Milosheviq më 1998-99. Kur bombardimet e NATO-s i dëbuan forcat e Milosheviqit dhe Kosova ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, minoriteti serb u përball me sulme hakmarrëse, dhe kryengritësit shqiptarë të Kosovës nisën t’i qëronin hesapet me rivalët e tyre politikë.
Kosova e shpalli Pavarësinë më 2008, por nuk njihet nga Serbia; biseidmet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që për synim kishin “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet dy vendeve, janë zvarritur për vite me radhë me sukses të kufizuar. Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë ashpërsuar edhe më shumë viteve të fundit nën presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçi, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, aleat i Osmanit.
Gëzim Visoka, profesor kosovar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit në Irlandë, ka thënë se çfarëdo komisioni për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë nuk duhet të shfrytëzohet nga njerëzit në pushtet.
“Duhet të sigurohet se komisioni operon në pajtim me mandatin e vet ligjor dhe i lirë prej ndërhyrjes politike dhe nuk duhet të duket një mekanizëm nga lart-poshtë”, ka thënë Visoka për BIRN-in. “Përndryshe, mund t’i kontribuojë më shumë pajtimit brendaetnik se atij ndëretnik, sidomos në këtë kohë të dezinformimit, ku e kaluara është e stërpolitizuar dhe përdoret për delegjitimim të kundërshtarëve”.
“Nëse ky Komision do të ishte krijuar prej Kuvendit të Kosovës, prapë do të shihnim kontestim politik brenda dhe ndërmjet grupeve etnike në Kosovë”.
Denisa Kostovicova, asistent-profesoreshë e Politikës Globale në Shkollën Londineze të Shkencave Politike dhe Ekonomike, gjithashtu ka vënë në pah rëndësinë e legjitimitetit.
“Është e paqartë si është konsideruar dhe siguruar mbështetja e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, ka thënë Kostovicova, autore e librit “Reconciliation by Stealth” për pajtimin në vendet e ish-Jugosllavisë.
Nëse mekanizmat e tillë nuk janë të pavarur dhe të paanshëm, “dështojnë edhe para se të themelohen”, ka thënë ajo për BIRN-in. “Ky është rreziku më i madh për përpjekjet aktuale në Kosovë”.
“Ne e dimë, duke marrë shkas nga Komisionet e dështuara të së Vërtetës dhe Pajtimit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi se këto projekte të drejtësisë transnacionale mund të kthehen në instrumente të nacionalizmit dhe ndarjes në vend të ekzaminimit kritik të së kaluarës dhe pajtimit”, ka thënë Kostovicova.
“Një tjetër mekanizëm i dështuar i drejtësisë transnacionale do të ishte dështim i njëllojtë për të gjitha viktimat e komuniteteve”.
Nisma tashmë është pritur me spekticizëm në mesin e serbëve të Kosovës.
Duke iu referuar Strategjisë qeveritare të Drejtësisë Transnacionale, Milica Radovaneviq, hulumtuese në Nismën e Re Sociale në Mitrovicën Veriore, ka thënë: “Krimet e kryera prej pjesëtarëve të UÇK-së, në mesin e viktimave të të cilëve nuk ishin vetëm minoritetet, por edhe anëtarët e komunitetit shqiptar, janë injoruar krejtësisht”.
Pajtimi, ka theksuar ajo, përmendet vetëm njëherë në strategji.
“Unë besoj se Komisioni Presidencial për të Vërtetën dhe Pajtimin me gjasë do të pasqyrojë qasjen etnocentrike të qeverisë, duke shërbyer më shumë si mjet propagande sesa si fokusim i sinqertë në pajtimin”, ka theksuar Radovanoviq për BIRN-in. “Aktualisht, duket se nuk ka qëllim që të përfshijë përnjëmend minoritetin serb në këto procese. Në vend të kësaj, ato më fort po përdoren si fasadë për të paraqitur një imazh të rrejshëm të multietnicitetit”.
Visoka ka spikatur gjithashtu nevojën për mbështetje ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka thënë ai, “nuk duhet të rrinë të heshtur për të vërtetën dhe drejtësinë, sikur se kanë bërë shpesh në emër të stabilitetit dhe kalkulimeve gjeopolitike”.
Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight