Shtatorja e Skënderbeut. Foto: Facebook/Gëzim Muriqi.
Skënderbeu po përjetësohet në Horë, arbëreshët do të përurojnë dhuratën e çmuar të diasporës shqiptare
Shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi është vendosur në qendër të qytetit, Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili të Italisë.
Kjo shtatore, dhuratë e Shoqatës “Hora e Skënderbeut“ nga Cyrihu i Zvicrës, do të përurohet nesër, më 30.08. 2024, në Sheshin para Bashkisë së Horës.
Shtatorja e Skënderbeut është dhuratë nga mërgimtarët shqiptarë për Arbëreshët e Horës në shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqipe, por edhe kontributin që kanë dhënë arbëreshet e Italisë për Kosovën gjatë luftës së fundit (1998/99).
Bashkia e Horës tashmë ka bërë përgatitjen e sheshit ku do të vendoset shtatorja për t’u zbuluar publikisht ditën e nesërme (30.08.2024).
Rosario Petta, kryetar i Bashkisë së Horës së Arbëreshëve ka konfirmuar për KALLXO.com, se shtatorja e Skënderbeut tashmë ka mbërritur në Horë dhe përurimi i saj do të bëhet nesër pasdite.
“Statuja tashmë ka mbërritur dhe është pozicionuar në sheshin ‘Skënderbej’, sheshi kryesor përballë bashkisë. Inaugurimi do të bëhet në 30 (gusht 2024) pasdite në orën 17:00”- tha kryebashkiaku Petta për KALLXO.com.
Statuja- mirënjohje për arbëreshët
Adnan Asllani, sekretar i shoqatës “Hora e Skënderbeut“, tha në një prononcim për KALLXO.com se iniciativa për realizimin e shtatores së Skënderbeut është e njërit prej anëtarëve të kryesisë se shoqatës.
“Iniciativa për ngritjen e shtatores së Skënderbeut ka ardhur nga anëtari i kryesisë së shoqatës sonë Veli Berisha, i cili njëkohësisht është edhe kontribuuesi më i madh financiar i këtij projekti. Që nga themelimi i shoqatës sonë më 2023, ne kemi qenë të bindur se kjo shtatore e ka vendin tek arbëreshët. Ideja e shoqatës sonë ‘Hora e Skënderbeut’ që arbëreshëve t’u dhurohet kjo shtatore u përqafua menjëherë”- ka thënë ai.
Asllani ka thënë se vendosja e shtatores në Horën e Arbëreshëve e cila është edhe kryeqendra e identitetit arbëror i jep kësaj vepre një dimension edhe më të fuqishëm. “Shekuj me radhë, arbëreshët, krahas kontributit për kulturën e shtetin italian, ata kanë qenë zë i fuqishëm në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Është kënaqësi të shohësh se si edhe fëmijët e vegjël flasin arbërisht, se si vajzat e reja e djemtë e ri e ruajnë me krenari veshjen e tyre karakteristike dhe traditat e vjetra”- thënë ai, duke shtuar se anëtarë të shoqatës kanë mbetur të impresionuar gjatë vizitave që kanë bërë në Horë.
“Andaj ideja që kemi ndjekur për ta vendosur këtë shtatore pikërisht në Horën e Arbëreshëve, më duket tejet e qëlluar. Jemi të bindur se kjo do të ndikojë që ne si shqiptarë apo arbëreshë, si pjesë e pandashme e një identiteti të përbashkët të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin. Pas kësaj ne presim një shkëmbim më të madh kulturor e turistik me vendet ku jetojnë arbëreshët, gjithsesi i dëshirueshëm nga arbëreshët e i nevojshëm për ta e për ne”- tha Asllani.
Realizmi i shtatores së Skënderbeut që inaugurohet në Horë, është mundësuar nga kontributi i mërgimtarët. Fillimisht, ka pasur ide që kanë qarkulluar edhe në opinion se kjo shtatore mund të vendosej edhe në Zvicër. Por, Asllani ka thënë se pas themelimit të shoqatës “Hora e Skënderbeut“, nuk është ndjekur më kjo ide edhe për shkak të procedurave që mund të sillnin “vonesa të panevojshme”, e ndoshta edhe do ta pamundësonin vendosjen e kësaj shtatoreje në Zvicër.
Historiku i Horës së Arbëreshëve
Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) është një qytezë arbëresh me 6.427 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali.
Hora është një nga bashkësitë më të madha të komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë.
Gjuha shqipe (arbërishtja) përdoret krahas asaj italiane në dokumentet zyrtare të Bashkisë, për banorët e saj.
Hora e Arbëreshëve u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh që u larguar nga Arbëria (Shqipëria) për shkak të pushtimit osman.
Hora është vendlindja e shumë personaliteteve të njohura të kulturës arbëreshe, si: Lekë Matranga (1567 – 1619), At Gjergji Guxeta (1682 – 1756), Gjergj Nikollë Brankati (1675 – 1741), Imzot Zef Skiro (1690 – 1769), e shumë e shumë të tjetra që dhanë një kontribut për ruajtjen e gjuhës traditave dhe kulturës arbëreshe.
Shtatorja e Skënderbeut. Foto: Facebook/Gëzim Muriqi.