Skema e zhvatjes së buxhetit në kontratën për mirëmbajtje të rrugëve

Në një kontratë të komunës së Gjakovës për mirëmbajtje të rrugëve është aplikuar një skemë që ka mundësuar zhvatjen e buxhetit të Komunës. Kontrata dy vjeçare për “Mirëmbajtja e Autorrugëve” e nënshkruar në vitin 2018 me kompanitë “N.N.T.SH Drini Company & N.P.T Berisha Com” përmbante gjithsejtë tri pozicione. Dy nga pozicionet ishin kontraktuar me çmime jo-normalisht të ulëta, ndërsa vetëm njëri pozicion ishte kontraktuar me një çmim dukshëm më të lartë.

KALLXO.com dhe Demokraci Plus kanë gjetur se Komuna e Gjakovës kishte porositur dukshëm më shumë pozicionin që ishte më i shtrenjtë, duke tejkaluar edhe vlerën e kontratës në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Kontrata kornizë ishte paraparë që t’i kushtonte Komunës së Gjakovës 47 mijë euro, e në fund janë shpenzuar plotë 67 mijë euro. Kjo ka ndodhur si rezultat i kontraktimit të çmimeve të ndryshme në tre pozicione të kontratës.

Në pozicionin në të cilën ishte paraparë pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli ishte kontraktuar çmimi prej 80 euro për një kilometër, ndërsa në dy pozicionet e tjera ishin kontraktuar me çmime shumë herë me të ulëta.

Pozicioni në të cilin përveç pastrimit të rrugëve nga bora dhe akulli është kërkuar që të bëhet edhe hedhja e kripës është kontraktuar për vetëm 5 euro për kilometër. Edhe pozicioni i fundit në të cilin ishte kërkuar vetëm hedhja e kripës ishte kontraktuar me çmim prej 5 eurosh për kilometër.

Pra pozicioni në të cilin është paraparë “Pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli dhe  hedhja e kripës” është kontraktuar me 5 euro ndërsa pozicioni në të cilën ishte paraparë vetëm “Pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli” ishte kontraktuar me çmim prej 80 euro, pra 75 euro më shtrenjtë se sa pozicioni i cekur më lartë ku janë paraparë edhe hedhja e kripës shtesë.

Të dhënat nga dosja e tenderit tregojnë se pozicioni më i shtrenjtë ku është  paraparë që të bëhet vetëm “Pastrimi i borës dhe akullit” janë paraqitur më së shumti kërkesa nga Komuna.

Në dosje të tenderit janë kërkuar që të pastrohen 650 kilometra rrugë, por sipas pagesave të bëra dhe deklaratave të Komunës së Gjakovës kërkesat e Komunës kishin kaluar parashikimet.

Për pastrim nga bora dhe akullin që kushton 80 euro për kilometër  është kërkuar që të pastrohen plotë 883 kilometra rrugë, ndërsa 266 kilometra të tjera janë porositur vetëm për hedhje të kripës me çmimin prej 5 euro.

Kur të llogaritet totali nga çmimet e vendosua më lartë, del se komuna ka shpenzuar 66 mijë e 640 euro për pastrim nga bora dhe akulli dhe 1 mijë e 330 euro për hedhje të kripës.

Ndërsa, pozicioni që parashihte “Pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli dhe hedhja e kripës” i kontraktuar për vetëm 5 euro/kilometër nuk është porositur fare edhe pse ishte për 75 euro më i lirë se pozicioni për “pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli”.

Demokraci Plus dhe KALLXO.com kanë analizuar faturat e pagesave për këto shërbime dhe ka gjetur se vetëm për tri ditë në muajin janar 2018, komuna ka shpenzuar 27 mijë e 780 euro në total. Gjatë këtyre tri ditëve janë bërë 20 euro pagesë për hedhje të kripës për 4 kilometra rrugë, ndërsa 27 mijë 760 euro pagesë për pastrim nga bora dhe akulli.

Nëse do të porositej pozicioni që parashihte pastrimin e rrugëve dhe akulli dhe hedhja e kripës që kushtonte vetëm 5 euro atëherë me 4,165 euro do të mund të pastroheshin 833 kilometra rrugë.

Ndërsa, duke porositur vetëm shërbimin e shtrenjtë janë shpenzuar 67 mijë e 970 euro brenda vetëm një sezoni dimëror. Ndërsa gjithë kontrata ka qenë e nënshkruar për 24 muaj, që përfshijnë dy sezone dimërorë, dhe ishte paraparë të shpenzoheshin vetëm 47 mijë euro.

Sipas rregullave të prokurimit, në kontratat kornizë mund të tejkalohet deri në 30 % të çmimit total të kontratës. Ndërsa në këtë rast, Komuna e Gjakovës e ka tejkaluar vlerën tentative të kontratës për 47.3%, që është në kundërshtim me ligjin e Prokurimit.

Në bazë të ligjit të Prokurimit në momentin që shpenzohet 30% më shumë se vlera e kontratës kornizë, kontrata ndërpritet në mënyrë automatike. Komuna e Gjakovës nuk e ka ndërprerë kontratë, siç parashihet me ligjin e Prokurimit.

Përveç që ka porositur shërbimin me çmimin më të shtrenjtë, Komuna ka shpenzuar të gjitha paratë  e paraparë për 2 vite, brenda vetëm një sezoni dimëror.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sahit Berisha pronar i kompanisë “NPT Berisha Com” ka thënë se ata e kanë fituar tenderin meqë kanë qenë më të lirët në tenderë. Ai ka thënë se i kanë kryer pozicionet dhe punët që i ka kërkuar komuna e Gjakovës.

“Na kemi qenë më të lirë në ofertë. Pozicionet e kërkuara nga Komuna, na i kemi kryer. Na kemi punuar ne bazë të asaj çka është kërkuar me u punu në teren”, ka thënë Berisha.

Në tetor të vitit 2018, komuna përsëri nënshkroi kontratë me kompanitë e njëjta, me vlerë 260 mijë euro për tri vite. Në kontratën e dytë, nuk është përsërit gabimi për të kontraktuar shërbime që dallojnë shumë në çmim. Në tenderin e dytë të nënshkruar nga Komuna e Gjakovës me të njëjtit operatorë del se kemi ngritje të çmimit në dy pozicione krahasuar me kontratën e parë.

Në kontratën e parë, hedhja e kripës kishte kushtuar 5 euro, ndërsa në kontratën e dytë ajo është ngritur për 21 euro e 24 cent për kilometër.

Në kontratën e dytë, e cila është nënshkruar në tetor 2018, shërbimi për pastrim nga bora dhe akulli kishte kushtuar 34.22 euro për kilometër. Pastrimi nga bora dhe akulli dhe hedhja e kripës është kontraktuar 14.16 euro për kilometër.

Ndërsa vetëm hedhja e kripës për një kilometër kishte kushtuar 21 euro e 24 cent. Përkundër që kanë dallime më të vogla në çmime, Komuna e Gjakovës sërish nuk e ka porositur shpesh pozicionin që parashihte pastrimin e rrugëve nga bora dhe hedhjen e kripës që ishte për 20 euro më i lirë se pozicioni i parë në të cilin ishte paraparë vetëm pastrimi i rrugëve nga bora.

Me një faturë të datës 13 dhjetor 2018 që kap vlerën 1 mijë e 984 euro, është porositur vetëm shërbimi i parë, që ka çmimin 34.22 euro. Shërbimi I parë ka pasur të bëjë me pastrimin e borës dhe akullit. Rrugët që janë “pastruar nga bora dhe akulli” sipas faturës përfshijnë disa rrugë të rajonit të Dushkajës dhe Rekës së Mirë, por jo të gjitha rrugët janë pastruar. Rrugë që janë shumë afër njëra tjetrës, siç është rruga Cërmjan – Rakovinë, nuk është pastruar, ndërsa rruga Cërmjan – Meqe është pastruar.

Në faturat që komuna na ka dhënë, për pastrim të borës dhe akullit që kushton 34.22 euro janë shpenzuar 44,527 euro, për shërbimin pastrim nga bora dhe akulli dhe hedhje të kripës që kushton 14.16 euro janë shpenzuar 38,203 euro, ndërsa vetëm hedhje të kripës 50,285 euro.

KALLXO.com dhe Demokracy Plus kanë kërkuar sqarime nga Komuna e Gjakovës për mënyrën e shpenzimit të parasë për tenderin e parë dhe të dytë për mirëmbajtje të rrugëve, si dhe për arsyet pse nuk është porositur pozicioni që ka qenë më i lirë.

Komuna e Gjakovës nuk është përgjigjur pse nuk është porositur fare pozicioni që ishte më i lirë, në të cilin përveç pastrimit të borës ishte edhe hedhja e kripës. Komuna ka dhënë sqarime duke krahasuar dy pozicionet e lira.

“Në praktikë kemi situata që nuk kanë nevojë për të dyja shërbimet, në këtë rast për pastrim nga bora dhe akulli plus hedhja e kripës. Kemi raste kur nevojitet ndërhyrje vetëm me hudhje të kripës për shkak të ngricave, dmth pozicion që nuk kërkon pastrim të rrugës, andaj obligohemi që të porosisim shërbimin vetëm për hedhje të kripës, ndonëse është pozicion që ka kosto më të lartë”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Gjakovës.

Ata kanë dhënë një shpjegim tjetër pse nuk e kanë porositur njërin nga pozicionet e lira.

“Ne vlerësojmë që nëse do të bënim porosi të shërbimit “Pastrimi nga bora dhe akulli plus hedhja e kripës” edhe pse janë më çmim më të lirë, praktikisht do të na sjellin kosto më të lartë sepse nëse një rrugë nuk ka nevojë për pastrim por vetëm për kripë, do të mund të kemi pasoja në dëmtimin e rrugëve”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Komuna e Gjakovës më 16 tetor 2019 publikoi një tender të ri për mirëmbajtje dimërore të rrugëve urbane, e ku vërtetohet se paramasa në dy tenderët paraprakë për mirëmbajtje të rrugëve rurale ka qenë e gabuar.

Në paramasën për mirëmbajtje dimërore të rrugëve urbane komuna ka paraparë vetëm dy pozicione: Pastrimi nga bora dhe akulli plus hedhja e kripës si dhe vetëm hedhja e kripës. Siç mund të vërehet shërbimi ku ka vetëm pastrim nga bora dhe akulli është hequr dhe kanë mbetur vetëm dy shërbimet tjera, ashtu siç duhej të ishte në të dy tenderët tjerë.

Teksti është ndryshuar me datën 15 janar në ora 15:39, duke u shtuar vetëm përgjigja e Komunës së Gjakovës.