Skema e zhvatjes përmes blerjes së llambave dhe shtyllave elektrike

Komuna e Novobërdës ka nënshkruar një kontratë në vlerë rreth 50 mijë euro për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik në të cilën janë listuar 43 lloje të pajisjeve si shtylla, kabllo, llamba, bazamente, njehsorë, prizma e pjesë të tjera teknike.

Prej 43 pozicioneve të kontraktuara, Komuna e Novobërdës nuk i ka porositur fare 15 pozicione të gjitha të kontraktuara me çmime jo-normalisht të ulëta. Pjesa më e madhe e kontratës është konsumuar duke porositur vetëm 4 pozicionet më të shtrenjta.

KALLXO.com dhe Demokracia Plus kanë analizuar dosjen e tenderit, kontratën dhe faturat që janë paguar nga Komuna e Novobërdës për këtë kontratë.

Komuna në hapjen e tenderit kishte publikuar listën përshkruese për 43 lloje të furnizimit, duke kërkuar nga kompanitë konkurruese të vendosin çmimin e tyre për një njësi të llojit të mjetit që kompania e propozonte, pa treguar sasinë apo vlerën indikative.

Në fund, do të bëhet llogaria e të gjitha çmimeve të vendosura për një njësi dhe do të fitonte biznesi më çmimin më të ulët të peshuar.

KALLXO.com ka hulumtuar dhe gjetur se Komuna nuk kishte porositur 15 nga 43 produktet që kishte kërkuar gjatë ekzekutimit të kontratës. Përkthyer në përqindje, Komuna nuk ka blerë rreth 30% të produkteve që ka kërkuar oferta nga kompanitë ofertuese.

Të gjitha produktet që nuk i ka porositur nga Komuna rezultojnë që janë ofertuar nga kompania me çmime jo-normalisht të ulëta, pasi kanë pasur çmime prej 10 centë për produkt, përveç njërës që ka qenë me një çmim prej 6 centë.

Këto produkte të ofertuara me çmime shumë të ulëta i kanë ndihmuar kompanisë të dalë me çmim më të lirë me rastin e vlerësimit të ofertave.

Çmimi i përgjithshëm, që në gjuhën e prokurimit quhen si “çmimi i përgjithshëm i peshuar”, i kompanisë fituese ka dalë të jetë 149 euro e 78 centë.

Por, zbatimi i kontratës ka treguar se shumë prej produkteve të kontraktuara kanë qenë të panevojshme, por kanë ndihmuar që ofertuesit të dalë me çmimin më të lirë.

KALLXO.com e Demokracia Plus kanë analizuar zbatimin e kontratës dhe ka rezultuar se zbatimi i kontratës është bërë në atë mënyrë që janë porositur vetëm produktet e shtrenjta.

Komuna e Novobërdës i ka kontraktuar tri lloje të shtyllave elektrike. Vetëm njëra prej tyre është ofertuar me çmim të lartë, kurse dy të tjera janë me çmime jo-normalisht të ulëta. Një shtyllë druri, me lartësi 8 metra është kontraktuar nga Komuna me një çmim 1 euro e 18 centë. Në fund, Komuna ka blerë 43 shtylla druri, me lartësi 8 metra për vetëm për 50.74 euro. Derisa, sot një metër dru për djegie shitet në treg me çmim nga 35 deri në 45 euro.

Por, shtylla të betonit të kontraktuara me një çmim prej 88.5 euro janë porositur më shumë nga Komuna.

Komuna e Novobërdës i ka porositur 69 shtylla të betonit me çmim 88.5 euro për shtyllë. Totali ka qenë 6 mijë e 106 euro.

Nga lista me çmime referente të publikuar nga Komisioni Rregullativ për Prokurimi Publik, një shtyllë metalike e galvanizuar me gjatësi 7m ka çmim 96.67 euro.

Ndërsa, në po të njëjtën kontratë, Komuna e Novobërdes ka paguar 1 euro e 18 centë për një shtyllë e cila ka qenë e gjitha e zhytur në zink dhe e gjatë 7 metra. Por, përkundër çmimit të lirë, Komuna e Novobërdës i ka porositur vetëm 2 shtylla të tilla. Për dy shtylla të larta 7 metra, e që janë të zhytura të gjitha në zink, Komuna ka paguar vetëm 2 e 36 centë.

Pra, kompania fituese ka aplikuar me 1 euro 18 centë për këtë lloj shtylle dhe kjo i ka ndihmuar të ketë çmimin total në fund si më të ulëtin të ofertuar.

Në fund, Komuna është furnizuar vetëm më dy lloj shtyllash të këtij lloji.

Një pjesë tjetër me çmime të çuditshme në ofertën e kompanisë fituese dhe kontratën me Komunën është furnizimi ma kabllo.

Kanë qenë 3 lloje të kabllos që Komuna i ka listuar në këtë aplikim tenderi dhe që janë futur në kontratë.

Në dy nga to, kompania ka ofertuar me 12 centë metrin, ndërsa në një tjetër ka ofertuar me 2 euro e 36 metrin.

Në fund, Komuna ka blerë nga kompania 6 mijë e 85 metra kabllo të çmimit 2 euro e 36, me çmim total prej 14 mijë e 360 euro.

Ndërsa njërën kabllo e kontraktuar për 12 centë metri, Komuna nuk ka porositur as edhe një metër të vetëm.

Ndërsa, ka blerë 200 metra kabllo të llojit tjetër që ishte ofertuar 12 centë metri, që ka shpenzuar 23 euro e 60 centë.

Lloji i kabllos që Komuna e ka paguar 2 euro e 36 centë metrin është “Kabllo X00-A /  4*16 mm²”, ndërsa e ka blerë me 12 centë metrin e kabllos së llojit “kabllos X00/A: 4*35mm²”

Një produkt tjetër që ngre dyshime është edhe furnizimi me llamba apo drita.

Kompania fituese në një lloj të dritave kishte ofertuar 12 centë, ndërsa në tjetrën 47 euro e 20 centë.

Në atë lloj të llambës që është ofertuar me 12 centë copa, Komuna e Novobërdës nuk ka blerë asnjë. Por, Komuna i ka blerë 173 llampa me një çmim prej 47 euro e 20 centë copa, e të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 8 mijë e 165 euro.

Furnizimi dhe montimi i llampës led tip “LU2 street lights, me fuqi 56w, fluks 5000lm, me shtëpizë alumini dhe dimenzione 540*315*90mm,IP65, jetëgjatësi 50,000h” – ishte kontraktuar për 47 euro e 20 centë për copë.

Kjo lloj llambe është ofertuar me çmim 12 centë për copë, por nuk është blerë asnjë nga Komuna.

Në listën me çmime referente të publikuar nga KRPP, çmimet referente për llampa apo drita ndryshojnë nga 30 deri në 35 euro, ndërsa komuna i ka blerë me një çmim prej 47.20 euro. Kompania ka dhënë për një lloj llambe çmim shumë të lartë e për tjetrën çmim jo-normalisht të ulët.

Në po këtë tender, Komuna e Novobërdes kishte kërkuar nga kompania edhe angazhimin e një kamionete, e cila do të bënte vendosjen e dritave në shtyllat elektrike.

Për këtë Komuna ka shpenzuar 11 mijë e 97 euro. Llogaritja e shërbimit të këtij kamioni është bërë me orë.

Për një orë shërbim me kamionetë, Komuna ka paguar 53 euro e 10 centë, ndërsa është llogaritur shfrytëzimi i saj për 209 orë.

Komuna ka shpenzuar 3 mijë e 752 euro për blerjen e 106 shkarkuesve të mbitensionit. Për një copë ka paguar 35 euro e 40 centë.

Produktet që u kërkuan por nuk u blenë nga Komuna

Janë 15 produkte në listën prej 43 produkteve që Komuna u kishte prezantuar kompanive tenderuese për të vendosur çmimet për copë, në mënyrë që gjejë kompaninë me ofertën më të ulët.

Në këtë listë janë 15 produkte që Komuna i kishte kërkuar, por në fund s’e kishte blerë asnjë prej tyre. Të gjithë këto produkte çmimin total e kanë pasur 1 euro 74 centë.

Kompania në fjalë e kishte fituar tenderin prej Komunës së Novobërdës, pasi që në fund kishte qenë më e lira në çmimin total të 43 produkteve, ku 15 prej tyre kishin kushtuar vetëm 1 euro 74 centë. Në fund asnjë prej tyre nuk ishte blerë fare.

Por ka pasur edhe produkte të tjera që kompania i ka vlerësuar me vetëm 12 centë copën, e që në fund janë blerë nga Komuna vetëm disa prej tyre

Kompania kishte ofertuar me 12 centë një bazament siguresash. E që në fund Komuna e kishte blerë vetëm një prej tyre.

KALLXO.com dhe Demokracia Plus kanë dërguar pyetje në Komunën e Novobërdës për këtë kontratë dhe zbatimin e saj, mirëpo deri në publikim të artikullit nuk kanë pranuar përgjigje. Të vetmen përgjigje e ka kthyer nënkryetari për komunitete i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.

“Fatkeqësisht tash e shtatë vite edhe pse jam në pozitën e nënkryetarit të Komunës unë nuk kam qasje e as edhe një informatë jo vetëm me këtë shqetësim tuajin por edhe në shumë çështje tjera, andaj ju kërkoj falje që nuk kam mundësi të ju kthejë përgjigje në këto pyetjet e juaja”, ka shkruar Ymeri, duke shtuar se gjatë kohës sa e drejtonte komunën kishte transparencë.

Hulumtimi është realizuar në bashkëpunim me organizatën Demokracia Plus.