Skandaloze: Laboratori në Vushtrri i bën datat e testeve për COVID-19 sipas kërkesës së qytetarit

Një skemë e cila është ndërtuar për të keqpërdorur testet për COVID-19 është zbuluar nga KALLXO.com në qytetin e Vushtrrisë.

Në korrik të këtij viti KALLXO.com ka pranuar informacion se një laborator në qytetin e Vushtrrisë është duke negociuar datat e testeve për COVID-19 me pacientët që janë duke i bërë ato.

Pas informacionit, KALLXO.com ka ndërtuar një skemë për të vërtetuar informatën.

Hulumtimi tregon se si gazetarja dakordohet me laboratorin për datën e testit për COVID-19.

Gazetarja kërkon që testi të mbajë datën 3 gusht.

“Data po të bënë përshtypje ty a po, me ta qit me datën e të martës, a po thu ?”, pyet doktoresha e laboratorit.

“Po, mua po më duhet për të martën me qenë data (3 gusht), por që të martën nuk mundem me qenë anej për me jep mostrën”, thotë gazetarja.

Për këtë bie dakord laboratori i cili pranon që data në test të jetë sipas kërkesës.

“Ne ua printojmë rezultatin me një datë të caktuar, kur të ju vyn juve na i shtijna në sistem. Të shtunën mundeni me ardh që me kanë ma afër me jep mostrën (31 korrik) tani masnej mundemi me ua bo datën. Nuk është problem për datë po pa e jep mostrën nuk mundemi”, dëgjohet në biseden në mes gazetarës dhe laboratorit.

Gazetarja jep mostrën të shtunën, më 31 korrik, ndërsa testi mban datën 3 gusht.

“Kam ardh me bo testin, keni folë bashkë më doktoreshën atë ditë? Tani rezultati me dal të martën”, thotë gazetarja kur shkon të jap mostrën në laborator.

Në test gjithashtu shkruhet që mostra është dhënë po atë ditë ndonësë gazetarja mostrën e ka dhënë më 31 korrik.

KALLXO.com ka kontaktuar laboratorin në Vushtrri për të pyetur se pse është bërë një keqpërdorim i tillë.

“Ne e kemi rujtë mostrën, domethënë mostra mundet me u rujtë në rrethana tamon qysh duhet. Domethënë tamon në temperaturë qysh ruhet edhe e kemi dërgu e kemi punu në laboratorin ku keni marrëveshje”, ka thënë pronarja e laboratorit për KALLXO.com.

Rregullat nga Ministria e Shëndetësisë kërkojnë që rezultati i shënuar në test të jetë ai i datës kur është marrë mostra për të dëshmuar nëse në atë ditë personi është i infektuar ndërsa mundësia që personi disa ditë më pas të infektohet është shumë e madhe.

Ndërkaq, këtë hulumtim e ka komentuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në emisionin “Kallxo Përnime”.

Vitia tha se në një rast të tillë duhet të merren masat e duhura.

“Ne po paguajmë një kosto të licencimit të madh të laboratorëve pa një kontroll֝ë të duhur. Patjetër që duhet me u marrë licenca. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë informata të tilla që sa më shpejt të lajmërojnë organet kompetente dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Brenda një kohe shumë të shkurtë do të marrim masa në këtë drejtim”, tha Vitia.