Skandal: Edhe pas 9 muajve asnjë veprim për vdekjen e 32 vjeçares

Më shumë se tetë muaj i janë dashur Prokurorisë dhe Policisë në Gjakovë të trajtojnë rastin e vdekjes së mistershme të Dëshira Lulashit.

Në mars të këtij viti, Dëshira Lulashi  u shtrua në spital pasi që nuk ndihej mirë.

Pas disa kontrolleve mjekësore, Dëshira Lulashit i ishte thënë se duhet të kryente një ndërhyrje kirurgjike.

Vetëm një ditë pas ndërhyrjes kirurgjike, Dëshira Lulashi kishte vdekur.

Në hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë”, babai i Dëshira Lulashit, Zymer Lulashi, kishte shpjeguar gjithë situatën ku pretendonte se mjeku i cili ia kishte operuar vajzën nuk i kishte kryer të gjitha ekzaminimet e duhura dhe se gjatë operimit ka pasur parregullsi.

KALLXO.com ka kontaktuar babanë e Dëshira Lulashit disa muaj pas asaj deklarate.

Zymer Lulashi për KALLXO.com ka thënë se po dyshon se në rastin e vdekjes së vajzës së tij ka intervenime për t’u mbyllur lënda.

“Që prej marsit asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Unë kam qenë edhe në Prokurori në Prishtinë, kam bisedu atje me prokurorin, më ka thanë ka qenë një defekt në ekspertizë por nuk vonon shumë, kam pas dyshime në ekspertizë edhe më hiç asgjë nuk më kanë treguar. Policia në Prishtinë më kanë thirrë një dy herë më kanë thanë po e presim prokurorin. Në fund që një një muaj e gjysmë më ka njoftuar Policia e Prishtinës që rasti ka ardhur në Gjakovë, edhe në Prokurori edhe në Polici. Kam shkuar dhe kam biseduar me një rreshter, më ka thënë rastin e kemi pasur dje në shqyrtim dhe tani kemi me u marrë me rastin dhe të lajmërojmë”, tregon Zymer Lulashi për KALLXO.com.

Ai tutje shton se deri më tani nuk ka marrë asnjë informatë nëse dikush është intervistuar apo arrestuar në lidhje me vdekjen e vajzës së tij.

“S’ka pasë asnjë reagim që një muaj e gjysmë prej asnjëherës palë. Askush as nuk është arrestu, mjeku që ma ka operu vajzën punon hala në spital, unë kam pasë rast me shku por nuk kam pasë forcë me u taku me të. Mjeku ende punon. Ai punon edhe nuk i del kërkush mas asaj pune. Dje kam qenë në Polici as në zyrë nuk kanë hy, Policia e kanë thirrë hetuesin, edhe ka bisedu e më kanë thënë që rastin e kemi marrë sot prej Prokurorisë dhe do të veprojmë. Unë kam dyshime se këtu ka ose intervenime ose korrupsion”, tha Zymer Lulashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Rajonit të Gjakovës.

Të njëjtit kanë rekomanduar që të kërkojmë në Prokurori sqarime për rastin.

“Kontaktova përsëri me hetuesit rajonalë, më sugjeruan që ta kontaktoj prokurorin e çështjes, Ali Uka, pasi që të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë janë duke ndërmarrë bazuar në autorizimin e Prokurorisë së Gj-akovës”, thuhet në një përgjigje të Policisë për KALLXO.com.

Në anën tjetër Zyra për informim e Prokurorisë së Gjakovës ka thënë se nuk kanë pranuar një rast të tillë.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nuk ka kaluar rasti në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me rastin edhe nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë në Gjakovë por i njëjti nuk u është përgjigjur telefonatave.

Historia e vdekjes së Dëshira Lulashit:

Babai i Dëshira Lulashit, Zymer Lulashi, në emision “Drejtësia në Kosovë” kishte treguar se më 19 mars kishte marrë një telefonatë nga e bija se është shtruar në spital pasi ishte alivanosur.

Ai thotë se ka shkuar në spital për të parë gjenden e të bijës ndërsa doktorët i kanë thënë se ajo duhej t’i nënshtrohej një operacioni dhe një ditë pas operacionit ajo kishte vdekur.

“Problemi jem është me 19 të muajit mars e kam marrë një telefonatë në mëngjes prej vajzës që është në spital në Gjakovë, kam shkuar te vajza kur kam shku vajza ka qenë shumë mirë, kam fol sikurse jam tu fol me ju, çdo gjë ka qenë në rregull, i kam thanë çka ki bre bac, më tha mbrëmë më ka ra mundi edhe më ka humb vetëdija për disa minuta dhe më kanë marrë më kanë çu në Gjakovë, më kanë bo një ushqim dhe tash jam shumë mirë”, rrëfen Lulashi për takimin me vajzën e tij Dëshirën gjatë kohës sa ishe e shtrirë në spital.

Rrëfimi i Lulashit vazhdoi kur tregoi se çka kishte biseduar me doktorin për gjendjen e vajzës.

“Atëherë thash s’koka ndonjë me rëndësi tash vjen vizita edhe kalon, kam folur me mjekun dhe më ka thënë se tash do të hyjnë në vizitë. Ka hy vizita, e kanë këqyr vajzën edhe e kanë marrë e kanë dërguar në repartin e grave. Ka qëndruar një gjysmë orë atje, pastaj e kanë marrë e kanë kthyer në interno edhe aty nja 40 minuta ka ndejtë, prej atje e kanë dërgu në Kirurgji, në Infektivë”, kishte thënë Lulashi.

Babai i 35 vjeçares, Dëshira Lulashi, kishte treguar se në Spitalin e Gjakovës nuk ka arritur që të bëj fotografimin që i ishte kërkuar, ndërsa si opsion ai thotë se kishte pyetur një doktor për të kryer fotografimin jashtë spitalit.

Tutje babai i Dëshira Lulashit kishte treguar se vajza e tij ishte futur në operacion pa e ditur saktësisht mjekët se nga çka vuante ajo.

VIDEO: Rrëfimi i babait nga Gjakova pas vdekjes së Dëshira Lulashit pas operacionit

Dyshimet e doktorit kishin qenë, plasja e mëlçisë, gjakderdhje të brendshme dhe plasja e ujit të brendshëm.

Vetëm pak pasi ishte kryer operacioni, doktori që kishte operuar Dëshira Lulashin i kishte thënë Zymerit se vajza është mirë. Pas operacionit, gjendja e Dëshira Lulashit ishte përkeqësuar.

E babai i saj kishte kërkuar nga doktori që ta shikojë gjendjen e saj.

“E kam prek vajzën në duar dhe duart i ka pasë të ftohta sikur me qenë 10 ditë në frigorifer. Ka qenë e ftohtë, e ngrirë. Kam shkuar te doktori i kam thënë a po e sheh që vajza është e vdekne. Ia kanë shtuar dozën e barnave dhe prapë pas gjysmë ore kam shkuar dhe e kam pyetur doktor çka është situata?”, ishte rrëfimi i babait të Dëshira Lulashit.

Ai tutje kishte treguar se doktori i kishte thënë se vajza e tij ka pasur gripin e derrit.

Zymer Lulashi thotë se edhe pse rasti ishte një urgjencë, ai kishte pritur një orë për të gjetur një veturë për ta transferuar të bijën në QKUK.

“Më tha po, masnej e ka marrë e ka përgatit, 1 orë nuk ka pasur veturë të spitalit me çu çikën për Prishtinë, çika ka qenë pa vetëdije. Ka ardhë, doktoresha, tekniku, edhe ata një orë kanë pritë se s’ka pasë kerr për Prishtinë. Edhe më në fund e kem pru në Prishtinë, e kanë marrë e kanë dërgu në kujdestari”, tha ai.

Ai madje shtoi se e kishin pyetur se nga çka ishte bërë operacion Dëshira Lulashi, e Zymer Lulashi iu kishte përgjigjur doktorëve të QKUK-së se nuk e dinte as vetë.

“Fjalën e parë që më kanë pyet, për çka është operuar dhe ju kam thënë se nuk e di. Për sa di unë veç qekaq më kanë thënë asnjë send tjetër. Më kanë pyetur (QKUK) a ke dokumente, i kam thënë se s’kam asnjë dokument dhe më janë drejtuar se si ka mundësi që me u kry operacioni pa e ditur se çka ka dhe unë prapë iu kam përgjigjur se nuk di asgjë, unë e kam pyet doktorin. Ai më tha se i vjen shumë keq po na do të mundohemi çdo gjë më kthy në jetë por kjo është thuajse e vdekur”, tregon tutje Zymer Lulashi.

Babai i Dëshira Lulashit tregon se si të nesërmen vajza i kishte vdekur në mëngjes.

‘’Janë munduar në të gjitha mënyrat, por nuk kanë mundur me kthy në jetë ma”, përfundon rrëfimin e tij Zymer Lulashi.

Doktorët në Gjakovë nuk kishin pranuar të japin sqarime për rastin duke i thënë ekipit të “Drejtësia në Kosovë” se lëndën e ka marrë Oda e Mjekëve.

Misteri si vdiq vajza35 vjeçare operacionit në Gjakovë

Në atë kohë emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte kërkuar nga Prokuroria në Prishtinë si dhe Policia e Prishtinës të dijë se çfarë kishin ndërmarrë për rastin.

Pasi që operacioni ishte kryer në Gjakovë, e vajza kishte vdekur në Prishtinë, rasti ishte hapur në Prishtinë si vdekje e dyshimtë.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke e trajtuar këtë rast dhe se momentalisht ndodhet në fazën e grumbullimit të provave, pra në fazën e hetimeve”, kishte thënë Prokuroria e Prishtinës për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Sa u përket pyetjeve tuaja rreth rastit, vdekje e dyshimtë që është hapur në stacionin policor Jugu në Prishtinë, me datën 19 mars 2019, ju njoftojmë se nga njësitet policore janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Puna e hetuesve policor rreth këtij rasti, po vazhdon në koordinim me Prokurorisë Themelore në Prishtinë, saktësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda. Andaj marrë parasysh fazën në të cilën ndodhet hetimi aktualisht, ne nuk mund të japim detaje të tjera rreth këtij rasti”, kishte thënë Policia në Prishtinë.

Çfarë bëri prokuroria në lidhje me vdekjen e dyshimtë në Prishtinë?

“Drejtësia në Kosovë” kishte kontaktuar edhe me doktorin/kirurgun Sabahudin Bytyqin, e pasi që i njëjti nuk kishte pranuar të flasë para kamerave me anë të telefonit kishte mohuar akuzat e Zymer Lulashit.

“Jo nuk është e vërtetë. Shiqo, do të merret drejtësia me këtë rast. Unë kam qenë i intervistuar nga Prokuroria për kërcënimin që më ka bë ai. Këto për çështje nëse ai ka bërë padi, atëherë merret Oda e Mjekëve, ata japin shpjegimin sepse nuk jam marrë vetëm unë me atë paciente janë marrë edhe 20 mjekë të tjerë në Prishtinë”, kishte thënë Bytyqi.

Pasi që as Oda e Mjekëve nuk ka pranuar që të flasë për “Drejtësia në Kosovë” në lidhje me rastin, doktori Sabahudin Bytyqi tha se të njëjtit do të duhej t’u japin llogari organeve të drejtësisë.

“Edhe mu më kanë porosit mos me e shkapurit këtë rast më, para një javë kam dhënë intervistë që na ka thirr Prokuroria për shkak të kërcënimit e ai duhet të ngris padi për mu aktivizu lënda, nëse dëshironi me e zbardh çështjen që nuk është i kënaqur me atë që i ka ndodh në QKUK. Nuk ia vlen me u marrë me kësi sene, është gjykata ajo që do zgjidhë këtë punë, ata janë kompetent”, kishte thënë tutje doktori Sabahudin Bytyqi.

Flet doktori që operoi pacienten e cila vdiq një ditë më pas