S’ka Rehati në Gjyqësor

Në vitin 2013 do të ndërrojë rregullimi strukturor i gjykatave dhe prokurorive. Siç është tash, niveli i gjykatave fillon më atë Supreme, për të vazhduar më gjykatat e qarkut, komunale dhe për të përfunduar me nivelin me të ulët, atë për kundërvajtje. Edhe procesi i emërimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, është bërë në pajtueshmëri më këtë hierarki të gjykatave. 

Lind pyetja se cila është strategjia e shpërndarjes së gjykatësve dhe prokurorëve të emëruar dhe riemëruar me hyrjen në fuqi të ligjit për gjykata dhe atij për prokurorinë? Apo më mirë a ekziston një strategji e tillë?

Fillimisht do të ndalemi në odiseaden e procesit të emërimit dhe të riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, i cili kishte përfunduar në tetor të vitit të kaluar. I përfunduar ose i papërfunduar, është dilema tjetër.

Përveç tejzgjatjes prej 30 muajsh, ajo që ka shoqëruar këtë proces ishte baza ligjore jo e kompletuar. Ishin disa rregullore dhe Urdhëresa Administrative te UNMIK’ut me të cilat filloi i gjithë procesi, pa ligjet bazike të gjyqësorit si: Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Prokurorial etj.

Shqetësues mund të quhet edhe fakti kur procesi vazhdon me kriteret joprofesionale të vendosura pikërisht me këto rregullore. Nga kriteret dhe kushtet për emërim dhe riemërim, nuk kishte rëndësi dhe nuk gjente shprehje puna profesionale e gjykatësve dhe prokurorëve dhe respektimi i nivelit të gjykatës dhe prokurorisë. 

Në bazë të kësaj, kandidatët mund të kalonin më shumë se një shkallë të nivelit të gjykatës për të punuar si gjykatës. Madje kishte edhe të tillë që nuk kishin punuar asnjëherë si gjykatës a prokurorë, kurse tani janë emëruar gjykatës ose prokurorë në nivelin e gjykatave dhe prokurorive të qarkut.

Paramendoni ata gjykatës që asnjëherë më parë nuk kanë gjykuar, po ashtu prokurorët të cilët nuk kishin punuar asnjëherë në uniformën e prokurorit, të gjykojnë përkatësisht të ndjekin veprat penale të dënueshme deri në 40 vjet burgim. Vërtet shqetësuese për qytetarët që presin drejtësinë pikërisht nga institucionet e thirrura për këtë, e që në mënyre të pashmangshme ka efekt edhe në punën e gjyqësorit.

Emërimi dhe riemërimi i këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, nuk i ka shpëtuar as ndikimit politik. Rasti i mosemërimit të kandidatit për kryetar të Gjykatës Komunale të Prishtinës Driton Muharremi dhe tre kandidatëve tjerë nga zyra e presidentit, është shprehur direkt si ndikim i politikës në emërimin e fazës së tretë të gjykatësve dhe prokurorëve. 

Mirëpo, a është kompletuar procesi i emërimit dhe riemërimit me përfundimin e të gjitha fazave? 120 vende, kishin mbetur të zbrazëta, të cilat vazhdojnë të plotësohen edhe sot e kësaj dite.

Prapë, a do të përfundoi procesi i emërimit më plotësimin e këtyre pozitave të zbrazëta më gjykatës dhe prokurorë? A është menduar mirë strategjia e funksionimit të gjykatave dhe prokurorive dhe vendosjes se gjykatësve  me organizimin e ri strukturor të gjykatave, të parapara me ligjin për gjykatat, dhe i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2013?

Ekziston përshtypja se përsëri do të përballemi me sfida edhe nga 2013’ta, edhe nëse do të kemi numrin e mjaftueshëm me gjykatës dhe prokurorë.

Nga 2013’ta, të gjitha gjykatat për kundërvajtje, ato komunale dhe të qarkut, do të shndërrohen në një të vetme, në atë Themelore. Do të kemi vetëm një gjykatë të Apelit më seli në Prishtinë dhe vetëm një Supreme. 

Mirëpo fatkeqësisht që gjyqësori i Kosovës, do të përballët edhe më një sfidë tjetër reformuese. 

Objekte te gjykatave për kundërvajtje, komunale dhe të qarkut kemi gjithsejtë 58, të cilat do të shndërrohen në 7 objekte të gjykatave themelore, e të cilat gjykata ndahen në degë dhe departamente. 

Pyetja është se si do të vendosen të gjithë këta gjykatës në vetëm një nivel të Gjykatës, në atë Themelore? 

Dilemë edhe më e madhe do të jetë vendosja e tyre në Gjykatën e Apelit! Parimisht do të jenë ata të Qarkut që do të provojnë të jenë pjesë e Apelit, mirëpo që nuk do ti zë të gjithë.

Ligji për gjykatat, i miratuar në 2010-ën, parasheh themelimin dhe strukturimin e ri të gjykatave si dhe kompetencat e tyre. Mirëpo nuk kemi një strategji e cila do të përcaktonte shpërndarjen e këtyre gjykatësve, pa konkluduar nëse kjo do të duhej të parashihej me vet ligjin ose ndonjë rregullore.

A do t’i kushtojë Kosovës, në veçanti gjyqësisë së Kosovës një rishpërndarje e gjykatësve dhe prokurorëve, sa do të zgjasë kjo shpërndarje…apo ndoshta do të kemi një rishpërndarje të madhe?

Edhe pse është shtruar një bazë e mirë më procesin e emërimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, që nuk është lënë pa u përmendur edhe në raportin e progresit për Kosovën, duhet qenë skeptikë nëse e njëjta do të ndodhë në raportin e progresit për vitin 2013.

Reformimi i gjyqësorit ka një kosto e cila vazhdon ta dëmtojë qytetarin e Kosovës.