Sindikata Kërkon Dorëheqjen e Drejtuesve të RTK-së

Nëpërmjet një reagimi, Fadil B. Hoxha, kryetar i kësaj sindikate, kërkon nga të përfolurit, konkretisht nga përgjegjësit kryesorë të RTK-së, të japin dorëheqje të menjëhershme, në mënyrë që organet kompetente të jenë të lira ta kryejnë punën e tyre.

“Sindikata e RTK-së është thellë e shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit rreth RTK-së.
Materiali i bërë publik para disa ditësh nga burime anonime, në të cilin pretendohet për keqpërdorime milionëshe të buxhetit të RTK-së, ka bërë që gjendja në RTK të jetë tejet konfuze dhe e tensionuar”, shkruan në këtë reagim të SPPRTK-së.

Sipas letrës, me qëllim të qartësimit të kësaj situate skajshmërisht të dëmshme për imazhin e këtij mediumi, sindikata i drejtohet Bordit të Drejtorëve me kërkesën që urgjentisht të kërkojë llogaridhënie nga menaxhmenti i RTK-së.

“Sindikata e RTK-së në vazhdimësi, në reagimet e saj publike, ka ngritur shqetësime për keqmenaxhim me buxhetin e RTK-së, madje duke kërkuar edhe hetime nga themeluesi i RTK-së – Kuvendi i Kosovës”, shkruan më tej në letrën, e cila iu është shpërndarë mediave.
 
Aty sindikata i bënë me dije Kuvendit të Kosovës, që është edhe themelues i RTK-së, se është shansi i fundit që të pengohet rrënimi përfundimtar i transmetuesit të vetëm publik në vend.

“Një reagim konkret dhe i menjëhershëm nga ky institucion është më se i nevojshëm”, thekson kryesindikalisti Hoxha.

Javën e kaluar, nga një adresë anonime me postë elektronike u janë shpërndarë mediave dokumente në të cilat dyshohet se persona të ndryshëm brenda këtij mediumi kanë përfituar kontrata prej dhjetra mijëra eurosh për emsione të ndryshme.

Me dokumentet shoqëruese aty përmenden si keqpërdorues edhe drejtues të lartë të RTK-së, të cilët dyshohet se kanë krijuar kompani të veta të cilave u paguajnë programe të ndryshme.

Në atë letër shpërndarë mediave e të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash thuhet se episode të serialeve si “Qyteti pa Lumë” janë paguar deri 11 mijë euro, episodi i emisionit për fëmijë “Super Gogo” është paguar 3.800 euro, episodi i komedisë “Kafeneja Jonë” është paguar 20 mijë e 300 euro apo “Lagjia e Re” 8 mijë e 950 euro etj.

Pas shpërndarjes së këtij e-maili, ka reaguar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, konkretisht deputetja e saj në Kuvendin e Kosovës, Alma Lama.

Në seancën parlamentare të së hënës, ajo kërkoi nga Kuvendi i Kosovës të formojë një komision hetimor për financat e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“Nuk bëhet fjalë për disa qindra euro por për miliona. Dokumentet që serviren sjellin dëshmi për afera korrupsioni në shkallë të lartë, për kontrata favorizuese, për financime të pajustifikueshme. Në këto dokumente janë faksimilet e transfereve të parave të bëra nëpërmjet bankës, që atakojnë menaxhmentin e RTK-së dhe pjesë të tjera të stafit, dhe në rast se këto dëshmi provohen nga institucionet kompetente si të vërteta, Radiotelevizioni publik do të jetë në krye të listës së institucioneve më të korruptuara në Kosovë”, tha Lama, në fillim të seancës parlamentare.

“Dëshmitë flasin për seriale pa ndonjë vlerë që janë paguar më shumë se 20 mijë euro për seri, e të cilat nuk i janë nënshtruar ndonjë konkursi publik kur janë kontraktuar. Favorizimi i një grupi është i dënueshëm pasi dëmton konkurrencën e vlerave në treg”.

Deputetja e VV-së tha se dokumentet sjellin dëshmi sesi klientelizmi dhe nepotizmi në RTK kanë çuar në shpërdorimin e qindra mijëra eurove. “Këto shpërdorime e kanë futur RTK në një borxh prej 2.7 milion eurosh”. Sipas saj, kjo shifër pranohet zyrtarisht edhe nga menaxhmenti.